Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Krijuesi Ramazan Sherja
E diele, 10.03.2013, 09:25 PM
NJË KRIJUES QË E DO DHE I SHËRBEN ME PËRKUSHTIM JETËS
NGA PËLLUMB GORICA
Si mik, kam lexuar të gjithë
librat e krijuesit, studiuesit, gazetarit dhe mësuesit pasionant Ramazan
Sherja, dhe më kanë befasuar me specifikën e trajtimit të problemeve që nxjerr
jeta dhe realiteti ynë i përditshëm. Në gjithë krijimtarinë e larmishme e plot
vlera, të bie në sy një gjë, modestia që e karakterizon autorin Ramazan Sherja.
Në opusin e tij krijues përmblidhen librat: “Trokas me vargje”, “ Punët
krijuese në shkollë”, “Njohuri dhe komente letrare”, “Gjuha shqipe për
nxënësin” , “Funari në historinë e tij”, “Sa bukur të jesh femër”, Shtigjeve të
dijes”, “Nostalgji poetike”, dhe deri tek libri që sapo doli nga shtypi,
“Jetoje jetën”, të mbetet në mendje një ndjesi e këndshme, dhe mbushesh me një
frymarrje të pastër e lehtësohesh
shpirtërisht. “Nëse çdo njeri i
planetit do të dintë të pranonte dhe të
dhuronte dashuri , bota jonë do të ishte një vend krejtësisht ndryshe” –
thotë Joyce Meyer. Kjo është edhe ajo, që e karakterizon gjithë
krijimtarinë e autorit Ramazan Sherja. Duke patur si nxitje motivin se dashuria është themeli i çdo
suksesi dhe përsosmërie, ai e shtrin këtë ndjenjë të madhe tek të gjithë, nëna
dhe babai, veterani dhe studenti, shtetari i ndershëm dhe bisnesmeni korrekt,
lulja e sapoçelur dhe pema që lidh plot kokrra, vajza ëndërrimtare dhe hëna që
ndriçon skutat e natës, deti që ngre dallgë dhe djali që rri mendueshëm në
dritare, nxënësit e tij të dikurshëm që me rritjen e tyre kanë shkruar
biografinë e tij” dhe plaku me bastun që
nuk do të largohet kollaj nga jeta.
Mërmëris shpesh me vete një strofë nga poezia e tij “Pleqtë e fshatit
tim” e vëllimit poetik “Trokas me vargje “: “ Mblidheni o fisnikë tek rrapi
shekullor /Mjekërmbështetur në bastun, siç e do zakoni /Dhe secili prej jush
është shumë e më shumë/se një subjekt drame apo romani.” Nga poezitë
e tij të bukura,dua të përmend edhe dy
strofa të tjera, sa për ilustrim, të atyre ndjenjave dhe të asaj bote të madhe
shpirtërore që karakterizon poetin, se si ai është lidhur ngushtë e
ndjenjësisht me gjithçka që e rrethon: “ Qielli si s’ka të lodhur
/gjithçka ngjyhet në të bardhë /ecën ti
e se ndjen ftohtin /pse se ndjen ti ftohtin vallë ” , “Dimërore”, Nostalgji
poetike. Apo poezia “Fllad studentesk”, ku ndjenja e përmallshme dashurore
është e papërballueshme: “Edhe natën nëpër ëndrra /më djeg malli më djeg
kënga /më deh zëri yt i largët /porsi fllad që fryn mbi plagët.”
Duhen veçuar librat e tij me tematikë shkollore, metodike e gjuhësore,
që janë një ndihmë e konsiderueshme për nxënësit e mësuesit. Ato tregojnë punën
e kujdesshme e të përzgjedhur të krijuesit, por edhe ndihmën konkrete me
informacionin e gjerë. Libri “Njohuri dhe komente letrare”, i botuar në vitin
2004 dhe i ribotuar me mjaft korrektesë profesionale në vitin 2009, është me
karakter pedagogjik dhe informues, zbërthyes ideoatistik i disa temave të
lëndës së leximit nga klasa e V deri në atë të IX. Në librin tjetër “Gjuha
Shqipe për nxënësin” autori jo vetëm trajton koncepte të ndryshme gjuhësore,
por qartëson pjesët e ligjëratës dhe
funksionin e fjalës në sintaks. Shpjegon edhe përdorimin e madh, që po marrin
sot disa pjesë të pandryshueshme të ligjëratës. Me shembuj konkretë e të
goditur, që të mbeten në mendje, autori bën dallimin e qartë të funksionit
morfologjik dhe sintaksor të fjalës, konkretizon me shembuj të kuptueshëm, por
edhe analizon funksionet e këtyre dy veçorive, si forma kryesore për
rrënjosjen e koncepteve të shëndosha gjuhësore tek nxënësi. Me profesionalizëm
është trajtuar analiza e fjalisë së përbërë, duke u zbërthyer me shembuj nga
realiteti dhe të kuptueshëm për nxënësin, shoqëruar këto me skemat përkatëse.
Më interesant është libri “Shtigjeve të dijes”. Autori e ka konceptuar librin
si një dritare për çdo nxënës e lexues drejt dijes, duke vjelë mjaft fjalë të
panjohura dhe shprehje të pazbërthyera, që hasen në tekstet e nxënësve që nga
klasa e pestë deri në vitin e tretë të shkollës së mesme, me shpjegim korrekt
shkencor, të bazuara në fjalorin e gjuhës shqipe.
Nuk do të rrija pa shkruar dy fjalë për librat “Funari në historinë e
tij” dhe “Sa bukur të jeshë femër”. I pari është një dashuri dhe dhembshuri e
shkruar me ndjenjë dhe fakte për vendlindjen e tij të dashur, Funarin e
Elbasanit, duke krijuar kështu një dëshmi për autoktoninë dhe zhvillimin
etnografik dhe kulturor të kësaj zone në vite. I dyti është një himn i sinqertë
e plot pasion për personalitetin e
femrës në përgjithësi dhe dhe madhështinë e nënës në veçanti. “ Zemra e nënës është oqean me ndjenja, zjarr
me dashuri,vatër me ngrohtësi, horizont me dritë. Ndaj kushdo duhet të përulet
para nënës, para femrës në përgjithësi, se gruaja është themeli i jetës që
pulson. “- shkruan me një sintetizim të rrallë autori.
Por libri “Jetoje jetën”, një
titull mjaft i gjetur, por edhe ngacmues për lexuesin, të cilin e lexova në
dorëshkrim, më shtoi befasinë për larminë dhe elasticitetin e trajtimit të
problemeve konkrete dhe jetësore, me grimca më intime të saj, të problemeve e
shqetsimeve, që hasen në udhët e vështira të jetës. Libri “Jetoje jetën” është
ndarë në dhjetë kapituj me tituj lakonik e shumë domethënës. “Jeta dhe
lumturia”, “ Triptiku i jetës”, “ Respkekto veten pa rënë në narcizëm”, “Mos
jeto me kujtime”, “Përballo vështirësitë”, “ Jeta si besim si kulturë”, “Jetë e
sinqertë në një shoqëri të sinqertë”, “Këshilla për jetën, “Thumba dhe
kundërthumba”,dhe “Për kuriozët” , për tu mbyllur me një epilog të shkurtër në
formë konkluzionesh, të konceptuara sintetikisht nga vetë autori. Më tërheqës,
dhe më meditiativ e bën çdo kapitull të këtij libri shoqërimi nën të me thënie
konçize të filozofëve dhe mendimtarëve të mëdhenj. Autori tregon qartë në këtë libër, se jo vetëm është njeri
shpirtmadh e intelektual i pjekur, por edhe që di ta jetojë jetën intensivisht,
dhe t’i përkushtojë asaj gjithçka, talentin, shpirtin, forcën morale dhe
fizike, e mbi të gjitha temparamentin dhe impulsivitetin e tij. Ramazan Sherja,
siç del në këtë libër e do dhe e vlerëson maksimalisht jetën, deri në çdo
qelizë të saj, sepse ai do njeriun e punës, të këngës, njeriun e ndershëm dhe
intelektualin, besimtarin dhe ateistin, shkenctarin dhe administratorin, të
thjeshtin dhe eprorin, dhe vazhdimisht kërkon prej tyre që ta njohin e ta duan
vazhdimisht edhe ata jetën, edhe kur ajo bëhet e vështirë. Ai e koncepton jetën e njeriut
si diçka unike që lidhet ngushtësisht në tre nyje, lindja, martesa, vdekja, të
cilat ai i quan nyje të jetës. Brenda këtyre tri nyjeve që janë lidhur
pazgjidhshmërisht me njëra- tjetrën, lëvrin lëngu jetësor, lindja e bebes,
kujdesi për të cilin siç shkruan autori fillon që në barkun e nënës, përpjekja
për t’i gjetur emër të bukur, (dhe atutori
për këtë jep një larmi emrash, ku mund të zgjedhë prindi), fëmijëria, e
cila si do të jetë, le gjurmë në jetë, rinia mosha më e bukur, romantika dhe
dinamika e jetës, që ka brenda zgjedhjen e të dashurit të zemrës, fejesën,
martesën e konsolidimin e familjes, si dhe vdekjen, që edhe pse është e
dhëmbshme e hap plagë, ajo është e
pashmangshme. Për autorin vdekja është proçes fizik, ashtu si lindja, si
martesa, por, që duhet përballuar me dinjitet.
Nëpër faqet e këtij libri, shprehet dashuria për jetën, për beben që
lind e fëmijërinë me “kujtime të grisura”, për djalin që lufton të zgjedhë të
dashurën e zemrës, për çiftin që jetojnë në harmoni, por që edhte grinden, për
gjëra të parëndësishme, për plakun me
bastun e kollare, por edhe për atë me qeleshe që e jeton jetën sipas mënyrës së
tij. Në libër ndjehet jehona e të qarës së fëmijës që sapo bie në tokë, por
edhe fëmijëria që “i bën gishtat gjak duke luajtur me top prej
lecke”, ndihen tingujt e daulles së dasmës, por
shijohet edhe loti i hidhur i vdekjes.” “Dhembja për njeriun që largohet
nga kjo botë - thekson autori - nuk tregohet duke qarë e bërtitur, por me
heshtje, me respekt, me lot të thellë zemre, organizimin modest të cermonisë
mortore dhe rregullimi simbolik i
varrit.” Librin e bën tërheqës dhe befasues, jo vetëm mënyra e trajtimit të
problemeve e ndodhive të jetës me thjeshtësi e argument, por edhe vetë struktura
e librit, ku ai përfshin edhe tre kapituj të tjerë si “Këshilla për jetën”,
“Thumba dhe kundërthumba” si dhe” Për
kuriozët”, të cilat autori i sheh si pjesë të të njejtit trup dhe i vë në
funksion të zbërthimit dhe konceptimit të emrit jetë. Kapitulli “Këshilla për
jetën “, përmbledh këshilla, porosi, udhëzime, të provuara nga jeta dhe që
njeriut i duhen për të ptur të sigurtë jetën nga duhet të ecë dhe të mos jetë i
papëgatitur për vështërsitë e jetës.
Kapitulli “Thumba dhe
kundërthumba”, është një humor i hollë, që jo vetëm të bën të çlodhesh e të
buzëqeshësh natyrshëm tek i lexon në faqet e librit, por janë shumica edhe të
padëgjuara dhe të mbledhura si grimca të natyrshme në realitetin e përditshëm, të dëgjuara nga
mosha të ndryshme. Si kapitull më vete janë hedhur kuriozitete dhe informacione
të reja, të cilat jo vetëm të tërheqin por edhe hapin horizont për lexuesin.
Sikur të donte t’i argumentonte dhe theksonte vlerën morale dhe filozofike të
çdo kapitulli, autori i shoqëron në fund ato me thënie e citate të bukura nga
filozofë e mendimtarë, shkenctarë e shkrimtarë të njohur, që bëjnë të mundur se
trajtimi i fakteve nga autori të mbetet në mendje.
Teksa shfleton gjithë faqet e librit “Jetoje jetën”, bindesh për shumë gjëra. Jeta është e shkurtër ndaj duhet jetuar në çdo qelizë e në çdo sekond të saj. Jeta i ka të gjitha të thjeshtin dhe mendjemadhin, të mençurin dhe budallain, shkenctarin dhe sharlatanin, të ndershmin dhe hajdutin, politikanin dhe filozofin, këngëtarin dhe varrmihësin, dhe pikërisht prandaj është e bukur dhe e larnmishme se i ngërthen të gjitha, nën këtë diell e nën këtë hënë në gjirin e saj. Por në fund të fundit duhet t’i pranojmë të gjitha, se një jetë kemi e ajo duhet jetuar. Jeta ikën e nuk vjen më. Ndaj dua ta mbyll këto mendime për librin “Jetoje jetën” të Ramazan Sherjes, me atë që ka thënë aq bukur Fenelon, e që autori e përmend në veprën e tij :”Jeta është një ëndërr e gjatë, dhe vdekja një zgjim i papritur”.