Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Haxhi Përrenjasi - ndërtuesi i veprave publike dhe kultit në Sulovë
E hene, 27.08.2012, 05:43 PM
HAXHI
SALI BEJ PËRRENJASI - NDËRTUESI I VEPRAVE PUBLIKE DHE KULTIT NË SULOVË
NGA PËLLUMB GORICA
Sa më shumë
kalojnë shekujt, aq më e trashë bëhet perdja e errësirës për të ndriçuar figura
historike dhe kontribute humane. Kujtdo që
Sulova
shtrihet në jug të Shqipërisë së Mesme, në të manjtë të rrjedhës së poshtme të lumit
Devoll, rrëzë malit Tomorr. Haxhi Sali Bej Përrenjasi, si askush përmendet edhe
sot në bisedat e banorëve të krahinës së Sulovës. Ai ishte
sundimtar i krahinës së Sulovës dhe gjatë qeverisjes së tij, aty nga
gjysma e shekullit XVIII, ajo ka përjetuar një lulëzim urbanistik. Në atë kohë janë
ngritur rrugë, ura dhe objekte të tjera fetare apo publike. Koha, në të cilën
ushtroi sundimin e vet dhe prania reale e ndërtimeve të mira e të forta, që ai
kreu në krahinën e Sulovës e përreth, e bëjnë figurën e tij më të prekshme. Natyrisht,
çka ka mbërritur deri në ditët tona nga jeta dhe kontributi i tij, është e mbështjellë
me shumë rrëfime interesante dhe fakte të hulumtuara në dokumentet e kohës, e që
hedhin dritë. Haxhi Sali Bej Përrenjasi rridhte nga një familje e
madhe dhe e njohur në ato kohëra në Labëri, pjesëmarrëse në luftëra e kuvende. Haxhi
Sali Bej Përrenjasi erdhi në krahinën e Sulovës në moshë fare të vogël, pasi
aty kishte të martuar hallën e tij, në derën e bejlerëve të Përrenjasit të Sulovës,
dikur derë e parë e qendër kazaje e Sulovës. Halla e tij nuk kishte fëmijë dhe
e mori si djalë. Dhe, kështu ai u bë dhe trashëgimtar i një pasurie të madhe që
ajo zotëronte dhe më vonë u bë pari i krahinës së Sulovës i një dere me emër e
ndikim jo vetëm në Sulovë, por edhe në gjithë trevat e Jugut. Haxhi Sali Bej Përrenjasi
jetoi e veproi në periudhën e pashallëqeve të Shqipërisë. Në rini
shkoi në Mekë për haxhillëk dhe kur u kthye, mori emrin Haxhi, me të cilin u
thirr e u njoh. Duke iu përmbajtur zakonit të bukur të kohëve të hershme, të muhamedanizmit,
një pjesë të pasurisë e përdori për vepra bamirësie. Në Sulovë, një sërë toponimesh
njihen me emrin Haxhi Sali Bej Prrenjasi, si çezma, ujësjellësa, ura, rrugë,
xhami ndërtimet si shenja të zhvillimit ekonomik të krahinës së Sulovës në periudhën
e qeverisjes së tij në këtë krahinë. Më shumë këto i ndërtoi në Përrenjas të Sulovës,
e cila në këtë kohë ishte qendër administrative, kaza. Me këto ndërtime, ky
vendbanim u kthye në qytezë mesjetare. Në Përrenjas rindërtoi fortifikimin
mesjetar, ndërtoi saraje, xhami, ujësjellës, furrë buke madje edhe burg. Edhe
sot në Përrenjas të Sulovës ekziston fortifikimi. Brenda mureve të saj
jetojnë brezat pasardhës. Këta dallohen nga pjesa tjetër e banorëve
të fshatit për mënyrën e sjelljes dhe të jetuarit. Ndaj atyre edhe
sot u thërrasin bejlerë. Një pjesë tjetër u zhvendosën në krahina të tjera. Deri vonë
"familja e madhe e bejlerëve" është shikuar me një sy tjetër nga
politikat shtetërore, ndërsa nga banorët e krahinës shiheshin me
admirim.
Si vepra
më e madhe ishte ura mbi lumin Devoll në Kadipashaj (Sot vendbanimi Lumas i
rrethit të Elbasanit), e përjetësuar me emrin e tij. Kjo urë në fakt ishte
i vetmi mjet komunikimi gjatë rrjedhës së poshtme të lumit Devoll, që përbënte një
lidhje të domosdoshme me krahina të tjera e qytetet treg, si Elbasani e Berati,
ku kryehej më shumë tregtia në këtë
periudhë. Lumi Devoll gjatë gjithë historisë së tij, në periudhat e dimrit e
sidomos të shirave, ishte i pakalueshëm dhe kërkonte patjetër një lidhje. Urë për
të cilën tregohen shumë histori gojore. Më e njohur është kjo: “Thonë se
beu shkoi tek një hoxhë i mirë. Hoxha i thotë se duhej që ai të fillonte
të ndërtonte vepra bamirësie për njerëzit dhe nuk duhet që të merrte asnjë përfitim
nga ndërtimi i tyre. Ndaj ai vendosi të ndërtonte edhe këtë urë, që mbeti ndër
breza si punë e mirë e tij”. Me tej gojëdhëna vazhdon:“ Do ta ndërtojmë urën,
që të mos e shkulin më valët e lumit Devoll, -u tha banorëve. Në fillim dogji 5
furra me gëlqere dhe i la shumë vite në gropë. Me vonë grumbulloi qindra metra
kub gur të bardhë e të fortë nga gurët mirë e bukur, ngritën këmbë të forta të urës
dhe mbi to shtruan trasenë me gurë pllakë të gdhendur si pasqyrë. Dhe, një ditë
pasi kishte mbaruar së ndërtuari, beu bëri një festë të madhe dhe theri qindra
kokë bagëti. Dhjetra kokët e bagëtive i futi në themelet e urës për
kurban. Lëkurët e bagëtive i shiti në pazar të Beratit”.
Për
urën e Kadipashajt ka dokumenta arkivore. Studiues e udhëtarë të huaj, që kanë kaluar
në krahinën e Sulovës kanë shkruar. Ami Bue në “Rezueil d’itinerarires
doms la turquic”, 1854, faqe 319 ka shkruar: “Në mesin e shekullit të XVIII
sundimtari Haxhi Sali Bej Përrenjasi ndërtoi urën e Mollasit (Kadipashajt) mbi
Devoll në Gostimë me 3 qemerë. “ Kjo urë është projektuar e ndërtuar nga
kryearkitekti i perandorisë osmane, Mimar Kasemi nga Tomorrica”,- shkruan
studiusi Valter Shtylla në botimin e tij “Rrugët dhe urat më të vjetra
në Shqipëri’’, faqe 205.
Në mënyrë
të veçantë, Haxhi Bej Përrenjasi do të linte gjurmë në ndërtimin e degëzimeve të
rrugës së karvaneve Elbasan- Berat, që kalonte në Sulovë. E rëndë ishte gjendja
e rrugëve, sa vendbanimet e Sulovës ishin të veçuara nga njëra - tjetra dhe
krahina e harruar dhe e pashkelur. Deri në fillim të shekullit XX ishin rrugë të
rregullta. Nga qendra e zotërimeve të tij, në Përrenjas, ai i ndërtoi në disa
drejtime: Mollas - Qafë e Grekanit - Përrenjas, Ura e Kadipashajt - Dragot - Qafë
e Grekanit – Përrenjas. Darzezë – Kuturqarë –Kukucovë – Përrenjas, për të lidhur
fshatrat e zotërimeve të tij e të zonave përreth. (shiko në librin “Legjenda
nga rrethi i Gramshit” fq. 160) Këto degëzime i
lidhi me rrugën e karvaneve Elbasan- Berat, që kalonte luginës së Devollit.
Tjetër
arritje e tij ishin ujësjellsat që ndërtoi në disa fshatra, Përrenjas, Tunjë, Dufshan
etj. Ka qënë i njohur ujësjellësi i Përrenjasit, që vinte nga thellësitë shkëmbore
të malit të Goricës së Çobanit, në toponimin Grekan, ndërmjet një kanali me
tuba qeramike e mur guri.
Elementët
e trillimit popullor të aty-këtushëm, Haxhi Bej Përrenjasin, e përmendin edhe
si keqbërës apo mizor. Gjithsesi, këto nuk e zbehin figurën e tij. Përveç
pasurisë që trashëgoi, Haxhi Sali Bej Përrenjasi, siç ishte koha atëherë,
siguroi përfitime dhe mbështetje nga administrata turke me taksa, duke e
zgjeruar territorin e pasurinë e tij, akoma më shumë me ara, pyje, bagëti. Megjithë
mugëtirën që ka lënë koha, rrëfimi i disa historive vjen i shkruar nga
studiuesi i trevës së Sulovës, Petrit Basha, në librin “Legjenda nga rrethi i
Gramshit”, faqe 159. “Edhe një në Mollas të Elbasanit, Rrapush Venari, nuk ia
dorzoi tokën beut dhe ndenji firar arratisur në pyll fshehur, kaçak. Po ta
kapte Axhiu e ziente në valë’’. Një tjetër histori e treguar: “Kush
i kundërshtonte e të mos i bindej e egzekutonte, duke paguar njerëz dhe duke i
varur në vidhin shekullor pranë fortifikimit”.
Në fund të
viteve 1700, Pashallëku i Beratit, ku bënte pjesë krahina e Sulovës në kohën
e sundimit të Haxhi Sali bej Përrenjasit, hyri në luftë me Pashallëkun e
Shkodrës, të cilët donin të shtrinin zotërimet e tyre për t’u zgjeruar. Bushatllinjtë
e Shkodrës, me oreksin e madh që kishin, u përpoqën të zgjeronin zotërimet e
tyre, duke u shtrirë jo vetëm në Shqipërinë e Mesme, por edhe në Jug.
Pengesë u bënë pashallëqet e Elbasanit, Beratit, Peqinit. Pashai i Shkodrës kërkonte
t’i shtrinte zotërimet më tej, deri tek ato të Kurt Pashës së Beratit. Prandaj
në vitin 1785 Mustafa pasha i Pashallëkut të Shkodrës me forca të shumta në Gostimë,
buzë lumit Devoll, zhvilloi luftime të ashpra me forcat e Pashait të Beratit. Për
mbështetjen që i dha Sulova Ahmet Kurt Pashës së Beratit, me anën e sundimtarit
të Sulovës Haxhi Sali Bej Përrenjasit, Pashai i Bushatllinjëve të Shkodrës me
artilieri i shkatërroi kullat e fortifikuara në Sulovë dhe garnizonet e Ahmet
Kurt Pashës së Beratit.
Historiani
Stavri Naçi në studimin e tij “Pashallëku i Shkodrës nën sundimin Bushatllinjëve”,
botim i vitit 1964, faqe 165, është përpjekur të na japë një rrjedhë ngjarjesh
e analizash për këto ngjarje. “Krahina e Sulovës me Haxhi Sali Beun e Përrenjasit
mbante anën e Ahmet Kurt Pashës. Kara Mahmudi i Bushatllinjëve,me qëllim që të mund
të nënshtronte më mirë gjithë sanxhakun dhe për të lehtësuar fitoren kundër Pashës
së Beratit, dukej se kishte shpallur faljen e gjithë kundërshtarëve që nuk do t’i
kundërshtonin me armë dhe do të kontribuonin në mbajtjen e ushtrisë së tij me
ushqime. Haxhi Sali Beu për të fituar kohë, gjersa nga Berati t’i vinin përforcime
ushtarësh, njoftoi Bushatlliun me letër, se do të mbante anën e tij dhe do ta
ndihmonte me ushqime. Sipas kësaj letre, Kara Mahmudi u nis nga Elbasani ditën
e dielë, më 21 Gusht 1785 dhe mbërriti në Gostimë pas katër ditësh, pasi krahinën
e Sulovës dhe veçanërisht Haxhi Sali Beun e fali. Ndërkohë, Haxhi Sali Beut i
erdhën nga Berati dhjetë bajraqe ushtarësh. Atëherë ai shpalli se mohonte gjithçka
kishte premtuar. Kështu lufta me të u bë e pashmangëshme”.
Në Arkivin Shtetëror Shqiptar, fondi i përzierë,
dosja 22, gjejmë këtë dokument që pasqyron qartë këto luftime: “Kara Mahmudi i
Bushatllinjëve dërgoi kundër beut të Përrenjasit një pjesë të ushtrisë së vet. Sulmit
të shkodranëve Beu i Përrenjasit nuk iu mbajt dot, u thye dhe ia mbathi këmbëve,
i ndjekur gjer në afërsi të malit të Tomorrit. Mbi njëqind të vrarë dhe po aq
robër mbetën nga forcat e Haxhi Sali Beut dhe njëmbëdhjet të vrarë e gjashtë të
plagosur nga ushtarët e Bushatlliut. Për ndëshkim të krahinës së pabindur dhe
prijësit të saj, Kara Mahmudi urdhëroi të digjeshin nga gjashtë kulla për
çdo fshat, si dhe sarajet e Haxhi Sali Bej Përrenjasit”. Pas kësaj përplasje,
pasuria e pozita e Haxhi Sali Bej Përrenjasit në krye të kazasë së Sulovës pësoi
rënie. Pasurinë e tij pas vdekjes e trashëgoi i nipi, Dule Beu, por jo me grykësinë
e bëmat e gjyshit. E megjithatë, ndikimi i Haxhi Sali Bej Përrenjasit do të vazhdonte
për shumë kohë edhe pas vdekjes së nipit.
Shekujt që kanë kaluar dhe sundimet e
ndryshme, por edhe agjentët atmosferikë kanë shkatërruar dhe zhdukur mjaft
gjurmë të ndërtimeve. Si dëshmi kanë mbetur pak fragmente dhe kujtimi se dikur
këtu ka qenë një ndërtesë, ujësjellës,
rrugë, ura.
Haxhi Sali Bej Përrenjasi me sundimin dhe bamirësitë e tij në ndërtimin e veprave të domosdoshme, është thesar i historisë, krenari e një fisi, një krahine si Sulova. Nga autorët e ndryshëm më shumë me të është marrë studiuesi dhe folkloristi nga Gramshi, Petrit Basha. Veçse një monografi për figurën e Haxhi Bej Përenjasit do ta plotësonte me tej atë. Mbetet dëshirë e madhe, që të paktën një ditë do të kujtohen studiuesit e kësaj treve të hedhin dritë më shumë për figurën e tij me fakte e të vërteta historike.