Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Anatomia e dashurisë
E shtune, 26.01.2013, 06:01 PM
ANATOMIA E DASHURISË NË VARGJET E NJË LIBRI ME LIRIKA
Nga Pëllumb Gorica
Poetin
e metaforës së fuqishme, elbasanlliun Milanov Kallupi, e kam lexuar që herët,
në moshë shkollore. Ishte aty nga fundi i viteve shtatdhjetë, kur ai shkroi
poemën e bukur “Shmili im, tokë e kuqe” dhe mua më ka mbetur në mendje
ai krijim i Milianovit. Jo për faktin e përdorimit të metaforës e të simbolit,
për fuqinë shprehëse të vargut, se këto dihen, se janë në stilin e poetit, por
për diçka tjetër. Për një gërshetim të bukur e shkrirje të natyrshme të
traditave, historisë, shpirtit liridashës të shqiptarit me aktualitetin modern
të kohës.
Pavarsisht
se vëllimin e tij me lirika e titullon “Bohem”, Milanovi nuk bëri kurrë
një jetë bohemi, por e kërkoi të bukurën dhe të mirën kudo. Luftoi dhe
sakrifikoi me dinjtet për të dhe e përvetsoi artistikisht, duke i bërë ato
pjesë të shpirtit dhe të mendimeve të tij. Në poezitë e tij rrjedh shqetsimi i
ndershëm i intelektualit dhe qytetarit të këtij vendi, shqetsim që shtrihet që
nga kozmosi e burrat e shtetit e gjer tek njerëzit e thjeshtë e fijet e barit.
Vëllimi
“Bohem” ndahet në katër cikle me tituj metaforikë si “Sikur bota të kish
veç Hemera “ Floriri i shpirtit”
“Trillet e erës” dhe “Kurora prej Lari”, të cilat i bashkon në një të vetme
mesazhi se njeriu duhet ta jetojë jetën, me gjithë trillet dhe dinakëritë e
saj, me gëzimet dhe lumturinë njerëzore , duke lënë në këtë jetë gjurmët e tij
prej humanisti e artisti.
Qenia
e poetit është e shkrirë në gjithë natyrën e ambientin ku jeton , në të cilin
mendon e merr frymë për gjithcka ,në të cilin i jep jetë jetës , ku merakoset për dritën
dhe të atdhmen, të dashurën dhe shpresën, duke luftuar me shpirt e vargje
arrësirën: Yjet i mbledh të gjithë nëpër
duar /të ndez, të prushuroj trupin tënd o natë !
Poetit
i vjen keq për çka nuk ka mundur të realizojë,
ndaj mban ndezur shpresën, E
mpreh vargun e tij plot metaforë të ndez me zjarr malli poetët, që të
glorifikojnë cdo gjë të bukur e të mirë, përpiqet të ruajë ekulibrin e
shekullit dhe të arrijë të zbusë sado pak dhëmbjen e kësaj bote me zërin e tij
brilant:Ku-ku ti qaj. Për ty mëshirë! /ndjej sonte unë që zgjuar rri
/brengën që ke, oh kam dëshirë /ta shkul
në heshtje me poezi.
Poeti është i ndërgjegjshëm për praninë në këtë botë të trazuar edhe të të mirit edhe të të ligut, për të janë në lëvizje edhe Hemerat edhe Erebitë, edhe Hiret edhe Eriset, por ai kërkon të gjejë shpirtmadhësinë e njeriut, frymëzimin e poetit, që të mos endet kurrë në boshllëk e të mos cënohet kurrë dashuria dhe mirësia, drita dhe bamirësia. Ai ëndërron një ditë të bardhë pa Eris, ndaj shkruan: Ja që ka dhe në botë Eris /aq Eris sa mos flerë në Olimp / të gjithë letrat edashurisë i gris /dhe grindja i sëmbon thellë në shpirt/ A do të vijë ajo ditë që pa Eris /ta kërkojmë ne botën përjetë/ A do rritet njeriu i lire/ Dhe zemrën sa qielli ta ketë “
Këta
janë thjeshtë retorika që poeti kërkon të nxjerrë nga të kundërtat e realitetit
, se ai realisht është optimist se patjetër bota kështu do të jetë, e bukur, pa
sherre, pa grindje , pa shpifje .Ai gërmon në honet e lashtësisë e mitologjisë dhe çmitizon të mitizuarën , bisedon me figura
fantastike e mbretër kapriçiozë dhe këmbëngul që prej tyre të nxjerrë vetëm
mezazhe paqeje, dhe dritë zemërbardhësie
dhe mirëkuptimi, jo për ta arratisur njeriun në botën e parajsës, por për të
ruajtur ekuilibret e këtij shekulli kryeneç.
Mbreti
Amfion, Niobën me shtatë vajza e shtatë djem, Dionisi, Laokonti që e mbysin
gjarpërinjtë e pabesisë, Agamemnoni e Klorida, të gjithë këto qenie mitologjike ,poeti i zbret në sofrën
e poezisë dhe u jep gjak të pastër njerëzor , për t’u dhënë të gjithëve mesazhin e madh, se bota mund të bëhet e të
eci përpara vetëm nga njerëzit e mirë e
plot shpresa.
Metafora
dhe simboli, krahasimi dhe hiperbola
janë në funksion të përcjelljes së mesazheve të mirëkuptimit dhe
dashurisë, të besës dhe rindërtimit, dhe të bëjnë të jetosh çdo grimcë të kësaj jete dhe të krenohesh me një poet si Milanovi.
Poeti shqetsohet për gjithçka, e sikur shkul damarë zemre, kur shkruan i prekur
thellë nga eksodi , nga një copë atdheu
që ikën: Bregu qan porsi vajtojca/flokët shkul e ulërin/Po më turren gjithë
kockat/Edhe trupi po më ngrin./Breg o breg, o det i zi/rrudhesh mplakesh për
hata/ o unë krejt ty do të pi/ o fund jeta këtu ka.
Nuk
ka si të mos jetë i pranishëm në vargjet e poetit, këngëtari i madh elbasanas,
Isuf Myzyri që e shkriu jetën e tij si
ashik i këngës së bukur popullore: E bridhka e qetë sot zemra /përtej … e në dheun e nënës /veç
portën të hapur e mbake /Nuk mehet kjo sofër e këngës.
Thelbi
i gjithë mesazhit të librit është poezia “shpirti i mikut “ me të cilën
aludohet për jetë bohemi, gjë që ka sintetizuar edhe titullin e librit: Një
raki një gotë verë/ me ca njerëz krejt të dlirë
/të kujton se ndonjëherë / shpirti bëhet zog i lire.
E
veçanta është ,se poetit i pëlqen mënyra e brishtë se si e ka ndërtuar jetën e tij secili në
këtë botë, poetesha e lashtësisë Safoja dhe Lasgushi i madh, këngëtari e
kurbetliu, zogu e flutura, e poetët e
çdo stili i kanë kënduar me mënyrën e tyre këtij vorbulli të madh që quhet jetë
dhe që ka të pranishëm edhe arixhofkën edhe të papunin edhe lypsin edhe zonjën
me qen, edhe servilin edhe spiunin, edhe
i afti edhe i drejti , ku secili e
koncepton jetën dhe e shijon atë ashtu
siç i pëlqen dhe siç e mendon: Jam lart e poshtë visoresh të pafundme/ jam ajër
zog nën diejt e nën retë jam gjeth
gjethnajash,/ hijesh krejt të murrme/ Përmbi shëmtitë jam ëngjëll me dy fletë.
Ndaj
ai e vlerëson dashurinë si më të madhërishmen, kur e krahason të dashurën e
zemrës me hyjnitë e magjistricat e legjendave: Ti më je Venera Afërdita / Ti më
je Driadë ja çmë je/ Asnjëherë sytë nuk
ti shqita/Të marrosur pas gjithmonë më pe.
Dashurinë
ai e do konkrete të prekshme, të nxisë botën për përtëritje, ndaj zbret nga
qielli Nimfa e Najada, shtojzovalle
e Afërdita dhe dëshiron ta kthejë vargun burim që rrjedh dashuri, se dashuria për
poetin është themeli i ripërtëritjes së botës. Ai pasi i ka kërkuar të gjitha
qeniet e figurat mitologjike për të krahasuar bukurinë e vajzave , menjëherë i
largon ato nga vargu, se mbizotërues bëhet bukuria e vajzave që jetojnë përreth
poetit: Ç’duhen nimfat e ujit e çduhen/ në u dashtë të mbytesh diku/ më mirë
mbytesh në sytë e vajzave/ që ecin shpenguar rrugëve këtu.
Dashurinë
poeti e cilëson flori të shpirtit, duke bërë një sintetizim shumë domethënës.
Ai rrok parametrat që ka një dashuri e
vërtetë dhe duke qenë marathonomak këmbëgjakur i saj , e bën atë të matshme e të prekshme: Syri, yt e
dogji diellin/ piu lumin,thau detin.
Dhe
të arrish dashurinë e vërtetë , duhet mund e djersë, duhet ndershmëri e zemërkthjelltësi, se sipas poetit “duhen
100 shkallë gjembash mes dhëmbjeve e
mundimeve që të arrish tek dashuria e vërtetë.”
Poeti
ka një merak që është dëshira e tij e zjarrtë për ta opoetizuar jetën deri në
qelizat e saj kur shkruan në vjershën “porosi”: Si deng hidhëmëni
Në
zbrazëtirën e varrit/Nëse s’jam përgjëruar /Dhe për fijen e barit…
Milianov
Kallupi mbetet poet i të gjithëve. I tokës e i qiellit, lumenjëve dhe detit, i
barit, e i luleve, i luftës dhe i djersës.