E marte, 03.12.2024, 01:33 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Lumenjtë e mallit

E merkure, 27.03.2013, 05:55 PM


LUMENJTË  E  MALLIT    PUTHEN  ME  TOKËN

 

POEZI

 

PËLLUMB GORICA

 

LUMENJTË  E  MALLIT    PUTHEN  ME  TOKËN

 

Ëndërrimet shpalosin këngë të padukshme ylberesh

Brigjet bëhen krahët e gjelbër, si ditët e jetës

Dëshirat me retë vrapojnë si kope delesh

Gërvishin fjalëve gjuhën e përmalltë të shkuarës.

 

Të jam qepur me trokitjet e zemrës sime

Si pjesë sinfonie e krojeve përherë të pastër.

Vitet ikin me kujtesë pa grimë ligësie

Qiejt e tu ndjellës, vëllezër prej ajri të kaltër.

 

Në lëndinat e tua të këngëve jam zë i pranishëm

Me ëndrra e mëngjese magjie të fjalës së mirë

Mbrëmjet i prek me dorën e ngrohtë të zemrës

I bëj siç dua në fjalë të çelin bukurisht trëndafilë…

 

Me nisjen e hareshme, kuvendim përmes këngës.

Fëmijëria iku e unë s’e mat më me vite moshën

Hija jote më ndjek pas në udhët e Tiranës

Atje lumenjtë e mallit më puthen me tokën …

 

RE NË BUKANIK

 

Si tufa delesh qumështore,

Ca re mbi Bukanik qëndrojnë menduar

barisin luadheve qiellore

Të shuajnë etjen e kërkuar.

 

Pastaj pa ndjerë hapin ndalin

Të shtrydhin gjinjtë e fryrë kacek

Në maj të kreshtave të malit

Një pishë e blertë majat përpjek.

 

*Bukaniku mal në krahinën e Shpatit, Elbasan

 

NËPËR  KALAMENDJET  VEGUESE

 

Nëpër kalamendjet veguese

Takimet më presin pafjetur

Më thërrasin në udhën e qumështit

Të përqafohem me shpresën i etur.

 

Nëpër kalamendjet veguese

Shkojnë - vijnë ritmet duke vallëzuar

Si rrugët vrapojnë orët e mbrëmjes

Në çdo cep gjendem i ftuar.

 

Nëpër kalamendjet veguese

Te hëna shoh vajzën që desha

Ëmbëlsia e saj kaq shëndriste

Sa u zgjova dhe qesha … qesha …

 

ECA  ME AJRIN E ZEMRËS

 

Qiellin përshkova me krahët e ëndërrës

Universin tulata nën hapat e mi

pandalur eca në ajrin e zemrës

se s’doja të njihja kurrë zhgënjim në dashuri.

 

Po shpirti në terr më shih tenëzisht

dhe fliste me heshtjen memece

gjithmon kish dashur t’i flas ëmbëlsisht

ska gjë se fjala më ngecte.

 

Atëherë i braktisa lumturitë hipokrite

Me zogjtë shpesh ndërtova foletë

Urrejtja, në lak asnjëherës’do më zinte

Se genin e kam Promete.

 

MUGËTIRA E LARGËT

 

Flladi, në peisazhin e hirnosur

Endte ngadalë gjelbërimin

Tingujt me mall ngjyrosur

Nga mugëtira e largët vinin.

 

Me mantelin gri në supe

Dhimbja e treti në horizont,

Agoninë vrastare me përbuzje,

Shpirti e braktisi pa fjalë e lot.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora