E premte, 04.10.2024, 06:07 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Ura e Kadipashaj

E merkure, 18.12.2013, 07:59 PM


URA E KADIPASHAJ OSE URA E HAXHI SALI BEJ PRRENJASIT

Një luftë e përhershme dhe moçme sa vetë njerëzimi kundër ndarjes së viseve: ura. - Ismail Kadare

NGA PËLLUMB GORICA

Lumi i Devollit, gjatë gjithë historisë së tij, në periudhat e dimrit dhe veça­nërisht shirave me ujëra të rrëmbyera bëhej i pakalueshëm dhe prob­lem kryesor i banorëve të krahinës së Sulovës. Karakteri bujqësor e blegtoral i krahinës, tregtia, nevoja e komunikimit të banorëve për më tej e sidomos të lidhjeve me tregjet e Elbasanit dhe Beratit, përcaktonte edhe domosdoshmërisht të kaloje lumin Devoll. Rrëfimet e shumta thonë se s’kish burrë të kalonte valët e rrëmbyera të lumit Devoll, kur fillonin shirat. Po që të kaloje lu­min e Devollit me prurje të mëdha, patjetër duhej të ndërtoheshin ura. Pra­nia e rrugëve kushtëzonte edhe ndërtimin e tyre. Qysh prej kohëve antike ishin bërë përpjekje për ndërtimin e urave, gjurmët e të cilave gjenden edhe sot gjatë shtratit të lumit. Dhe çdo herë pas ngritjes së tyre, ishin shembur nga luftërat, mosmirëmbajtja ose nga vetë prurjet e lumit. Histori gojore dhe legjenda për këto ura mpleksen e ndërthuren me çudi e të vërteta. Nuk mungojnë as shënimet e udhëtarëve të huaj të cilët i datojnë.

Le t’i referohemi Ami Bues. “Në mesin e shekullit XVIII sundimtari Axhi Sali Bej Prrenjasi ndërtoi urën e Mollasit (Kadipashajt ) mbi Devoll në Gostimë me 3 qemerë. (Ami Bue “Rezueil d’itinerarires doms la turquic”, 1854, faqe 319.) Ndërsa studiuesi Valter Shtylla në botimin “Rrugët dhe urat më të vjetra në Shqipëri’’, faqe 205 shkruan: “Kjo urë është projek­tuar e ndërtuar nga kryearkitekti i perandorisë osmane Mimar Kasemi nga Tomorrica.’’ Urë që ishte një dëshmi e zhvillimit ekonomik të krahi­nës së Sulovës në kohët e kaluara e cila dëshmon se karvanët që rrihnin këtë krahinë përshkonin Shqipërinë e Mesme për në Jug. Kjo urë në fakt ishte i vetmi mjet komunikimi gjatë rrjedhës së poshtme të lumit Devoll në shekujt e XVIII-XIX dhe përbënte një lidhje të domosdoshme të Sulovës me krahina të tjera. Ahmet Kurt Pasha i Beratit ishte derven pasha i emëruar nga porta e lartë për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e rrugëve dhe urave në gjithë Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut. Gjithashtu ai përgjigjej edhe për mirëmbajtjen e kësaj ure, për të cilin tregohen shumë histori. Njëra pej tyre thotë: “E ngriti një pasanik i madh, Haxhi Sali bej Prrenjasi i cili ka qenë një bej i madh për kohën kur e ndërtoi këtë urë, sundimtar i Sulovës’’(Histori e mbledhur nga studiuesi Petrit Basha nga Gramshi në ”Legjenda nga rrethi i Gramshit’’) “Thonë se beu nga ligësitë e shumta që kishte bërë filloi të kishte shqetësime nervore dhe nuk flinte dot. Për këtë arsye ai shkoi tek një hoxhë i njohur, i cili i thotë, se mënyra e vetme e shërimit të tij ishte të bënte për banorët e kazasë vepra bamirësie dhe të mos kërkonte prej tyre asnjë shpërblim.” Natyrisht ç`ka ka mbërritur deri në ditët tona nga jeta e kontributi i tij në shekullin e XVIII, është e mbështjellë me shumë rrëfime interesante e bamirësi për krahinën. E vërteta është që në Sulovë janë  të njohura  shumë ndërtime të vjetra si: Rruga e karvaneve, Ujësjellësi i Grekanit, Çezma e Dufshanit, xhami në shumë vendbanime, që mbajnë emrin e Haxhi Sali Bej Prrenjasit. “Do ta ndërtojë urën që të mos e shkulin më valët e lumit Devoll, u tha banorëve”. Kontriboi në këtë urë, që mbeti ndër breza si punë e mirë e tij. “ Në fillim dogji 5 furra me gëlqere dhe i la shumë vite në gropë. Me vonë grumbulloi qindra metra kub gurë të bardhë e të fortë nga kodrat shkëmbore të Goricës së Çalës. Kur u bë gati t’i hynte punës, dërgoi agallarët e tij në Opar, që t’i sillnin ustallarë të zgjedhur, më të mirët që ishin asaj kohe në punimin e gurit dhe ndërtimet e urave e rrugëve. Beu i shoqëroi vetë ustallarët në bërrylin e lumit.

-Filloni nga të doni, vetëm urën e dua të fortë dhe sa më shpejt!- u tha ai atyre.

-Është e pamundur!- ia kthyen ata,-nuk e shihni sa i thellë dhe i rrëm­byer është lumi?!

Beu e kuptoi menjëherë se vetëm me fjalë nuk bëhej ura, ndaj nxori një qese me monedha flori dhe i zbrazi në ujë. Kur panë verdhushkat tringëlli­nin mbi valët e ujit, ustallarët i thanë me përunjësi:

-Kështu, po, o bej! Nuk thonë më kot se, leku, bën jo vetëm urën që kërkon zotëria juaj, por e çon edhe ujin përpjetë! Dhe shpejt-shpejt ia fil­luan punës”.

Mjeshtërit ndërtues oparakë, pasi gërmuan në dy brigjet e lumit, nisën plot merak gdhendjen e gurëve të ashpër nga shkëmbijt e Goricës së Çalës. Ngritën këmbët e forta të urës dhe mbi to shtruan dyshemenë me pllaka guri të gdhendura mirë e bukur. Thuhet se në të gjithë vendin, nuk ka pa­sur mjeshtër më duarartë se oparakët, veçanërisht në ndërtimet e harqeve dhe qemerëve të gurtë, të urave!

Për muaj me radhë, banorëve të krahinës iu shtua puna angari. Nuk mbeti kafshë pune e banor që të mos punonte për urën: disa trasportonin gurët e rëndë nga Gorica e Çalës, disa të tjerë trungjet e mëdhenj nga pylli i Radshit dhe të tjerë gëlqeren. Një histori gojore tregon që, edhe fëmijët 8 vjeçar e gratë shtatzëna u rresh­tuan në vargun e gjatë të njerëzve që u shtri si gjarpër nga Gorica e Çalës deri tek vendi ku do të ndërtohej ura, teksa transportonin gurët nga dora në dorë. Kur përfundoi së ndërtuari, urë mori dy emra: e Kadipashajt (sot Lumas), vendbanimit më të afërt dhe, ura e Haxhi Sali Bej Prrenjasit, atij që edhe e ndërtoi. Kështu, u ndërtua kjo urë shumë e bukur e gjatë tridhjetë metra. Gurët e u gdhëndën me kujdes, u lidhën me llaç gëlqere të përzier me lesh dhie, mjeshtri që trashëgohej qysh prej ndërtimeve në periudhën e Arbërisë së herëshme. Sigurisht, vetëm një ndërtues urash është në gjendje të sjellë të gjallë kënaqësinë që të shkakton ndërtimi i një vepre kaq mjeshtërore, ku mplekseshin llogaritjet inxhinierike të pesh­mbajtjes, si dhe problemi i paraqitjes arkitektonike. Urë me tre qemerë, njërën në mesin e lumit dhe një nga secilën breg.

Në të vërtetë ajo urë kur përfundoi mori dy emra: Kadipashaj (sot Lumas i Elbasanit) e vendbanimit më të afërt dhe ura e Haxhi Sali Bej Prrenjasit e atij që  kontriboi për ndërtimin e saj. Dhe një ditë pasi kishte mbaruar së ndërtuari, beu, bëri një festë të madhe dhe theri qindra kokë bagëti. Lëkurët e bagëtive i mori e i shiti në pazar të Beratit. Disa dhjetra kokë të bagëtive i futi në themelet e urës për kurban”.

Ura nisi të ushtronte ndikimin e vet mbi levizjet e rrugës së karvaneve. Mijra e mijëra kalimtarë, karvanë, ushtri do të kalonin mbi atë urë në  verë, në shi e në rrebesh, duke ecur drejt gëzimit ose fatkeqësisë së tyre në shekuj.

Pas kalimit të dhjetra e dhjetra viteve, erozioni dhe mungesa e kujdes­it bëri që edhe kjo urë të mos i shpëtonte shkatërrimit. Ajo nuk i rezistoi egërsisë së lumit nga vërshimi i ujërave në kohë shirash, që merrte ç’gjente përpara: pemë, trungje, gurë. Urë që sipas gojdhënës u rrëzua në fillim të shekullit të kaluar. Kjo ishte një humbje e madhe për  banorët e krahinës, por edhe më gjërë. Historitë gojore rrëfejnë për prishjen e urës. “Një herë ra një shi shumë i madh, aq sa lumi solli sasi të mëdha uji dhe bashkë me të edhe drurë, ku mes tyre edhe një trung të madh i cili zuri tej e tej këmbët e urës duke mos e lejuar ujin të kalonte nga poshtë. Për pasojë, niveli i ujit u rrit deri pranë dysh­emesë kaluese dhe në një moment, presioni i fuqishëm i ujit të mbledhur e këputi urën në mes. Ndërsa banorët e komentuan kështu shëmbjen e saj: Ajo u shemb sepse beu nuk e mbajti premtimin që kishte dhënë dikur, për të mos përfituar asgjë nga mirësitë e tij, sepse ai mori lëkurët e bagëtive gjatë festimit për ndërtimin e saj”. Se sa e vërtetë është historia e treguar na bënë të mendojmë se kjo ishte fryt i fantazisë së banorëve dhe besytnive të asaj kohe, por urën mund ta kenë shëmbur vërshimet e e prurjeve të ujërave me rrëmbim të Devollit gjatë muajve të dimrit ose të pranverës.

E ura mbeti kështu për vite e vite e shkatërruar, duke mos vazhduar të lidhte brigjet dhe për shkak të kësaj rrethane iu desh që edhe rruga e karvaneve Elbasan-Berat, të humbiste rolin e vet e të shëndërrohej në rrugë të shkelur rrallë. Sot nga ajo trashëgimi e së kaluarës, s’ka mbetur asnjë fragment ure, apo gurë të sterosur e të ngrënë nga rrjedha e lumit në shekujt. Veçse, morinë e historive gojore e kujtimin, që këtu ngrihej një urë, në një fotografi të vitit 1967.



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora