Udhëpërshkrim » Gorica
Poezi nga Pëllumb Gorica
E shtune, 08.03.2014, 06:59 PM
PËLLUMB GORICA
FËMIJËRINË MA SOLLE PËR DORE
Mësuesit të klasës së pare
Pikturë që ngjizet nga agimi,
kështu të mbaj në sy, mësuesi im,
portret i thurur me grimca përmallimi,
fjalë zemre, gonxhe në shpërthim.
E ëmbël kjo kafe që pi me ty,
por koha shkon, s’mund ta ndal,
mes nesh lumenjtë e botës mbaj në sy,
dhe mallin tonë që ngre valë.
Një mal me vite të bardha ke mbi supe,
si horizont i bardhë me fjolla prej dëbore,
fëmijërinë me zile dhe një qiell me lule,
mësuesi im ma solle sot për dore.
PËRPIJ UDHËT PËR
Nënës
Kjo rrugë më ngjan e bukur,
si penelat e purpuruar me ngjyrë.
po gazi yt, nënë, ku qenka strukur,
në ç’kopështe vallë të paska mbirë?
S’më ndahet sot gjatë udhëtimit,
imazhi yt margaritar,
që çel me dritën e agimit,
sapo ndriçon rrezja e parë.
Ndaj sot çdo gjë më duket ndryshe,
si flladi kur kujtimet shkund,
me mallin tënd, e shtrenjta ime,
veç tek ti vij, nuk shkoj askund.
Në prag më pret si gjithnjë,
dhjetëfish më e plakur se dikur,
babai i shtrenjtë mes nesh s’është më,
ka kohë, është kthyer në një gur.
Flokëbardhë, si re e përmalluar,
fëmijë ngjaj kurdoherë para teje,
kur dorën tënde mbaj në duar,
një diell më ngroh thellësisht në deje.