Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Dallëndyshet e erës
E marte, 25.03.2014, 08:38 PM
PËLLUMB
GORICA
DALLËNDYSHET E ERËS
EH, FJALA...
Eh, shpirti kërkon të heshtë...
Dhe fjalët meken, bëjnë mënjanë,
mendimet s'durojnë një botë të sertë
dhe ngrenë një det me tramundanë.
Letra, m ik pa fletëpalosje,
më fton të futem tek e panjohura,
t’i gdhend bustin kësaj bote,
si kujtesë që s’e humb koha.
DALLËNDYSHET E ERËS
Dallëndyshet, pas shtegtimit të gjatë,
foletë i gjejnë përtokë, rrëzuar,
si ca fëmijë të zhurmshëm harrakatë,
fole të re rendin për të ndërtuar.
S’i lodh aspak furi e erës,
një tjetër fole me sqep çukisin,
përtypin thërrimet te pragu i derës,
më shumë stinës ia shtojnë gëzimin.
RE NË GORICË
Ca re qumështore lodrojnë mbi Goricë*
si hieroglife lashtësie.
Ky lloj peizazhi më gërricë,
më kthen në kohëra fëmijërie.
Në vargje shkojnë si kalorës pa kthim,
vetëtimat në vegime zbardhin malet.
Era fryn e më shton vetminë,
por mua sot më shton mallet.
Dua të jem larg trishtimit të mbjellë,
se kjo e diel që erdhi me shira,
një zog në qiell pranverën ndjell
dhe sjell kaq fllad erëmirë.
*Gorica kodër shkëmbore në krahinën e Sulovës.
MUGËTIRA E LARGËT
Flladi fryn lehtë -lehtë,
end ngadalë gjelbërimin,
tinguj dridhen nëpër netë,
mugëtira u sjell dyzimin.
Me mantelin gri në supe,
dhimbja fle në horizont,
agoninë shtyp me përbuzje
dhe mbi botë lëshon lot.