Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Fle me heshtjen e gjetheve
E marte, 28.10.2014, 07:50 PM
POEZI NGA
PËLLUMB GORICA
IKËT LARG ME VJESHTËN
Ikët larg nëpër terrin e një mbrëmjeje,
si gjethet në tufan e në stuhi,
zogjtë klithnin mes një ëndrre,
vajtimi i erës ju bënte shoqëri.
Kopshtit të endjeve shpresë kërkuat,
dëshirat e verbuara s' u vyshkën dot,
zërat e vjetër me kënd s’i ndërruat,
deti i shpirtit kripë dhe lot.
Ju thinjën vitet e pakthim
dhe jeta e rëndë prej kurbetqari,
vetveten harruat një grimë,
por prapë Atdheu mbetet i pari.
FLE ME HESHTJEN E GJETHEVE
Kodrionit, qytetit të lashtë 2400 - vjeçar në krahinën e Sulovës
Kanë ikur larg qytetit të heshtur,
për të ikurit s’paska më kthim,
shkelim gurët, besnikë që kanë mbetur,
si gjurmë për lashtësinë ...
Kanë ikur larg dhe askush s'ka mbetur,
përveç historisë, muzgfshehur ndër ne,
e sytë bredhin Kodrionit që fle...
Fle me heshtjen e gjetheve erëmjaltë,
pranë malit të perëndive si mister.
Vjen poeti këtu e me hap të ngadaltë,
gdhend fjalë që s'ia merr as vjeshtë e as erë ...
INDENTITET I MALLIT TIM
Lotët si litarë shiu të pikuan
e vjeshta rrëzonte gjethet e pemëve.
Si zogjtë ëndërrat larg nesh shtegtuan,
ua ngriti në qiell mëndjen bohemëve.
Koha larg njëri-tjetrit na hodhi
në dh’e të huaj, në kurbet,
shpirti mallin në prehër e mblodhi,
me lotët tuaj e bëri një det.
S’i nxinte dot kaq shumë vajtime
dhe aq më shumë këtë psherëtimë,
më mbylli keq nëpër kujtime,
indentitet i mallit tim.
DEVOLLI I RRËMBYER
Devolli doli nga shtrati si kuçedër ujore
dhe brigjet shkeli si fitimtar.
Më fshin trojet stërgjyshërore
dhe njolla llumi më la mbi bar.
Zemërimi i lumit u ndal një ditë të mirë,
turravrapi i egër u smufua në det.
Kamxhiku i dallgëve mbi brigje ka ngrirë,
por heshtja ngado vë vulën e vet.
Kështu ka qenë e kështu do të jetë, or mik,
ky Devoll i bukur, por edhe i tërbuar,
Ruaju lumit,- thoshin të parët me frikë,
të mbyt edhe kur je duke e vështruar.