Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Peisazh shpirti
E hene, 23.02.2015, 07:25 PM
PEISAZH SHPIRTI
POEZI NGA PËLLUMB GORICA
SINONIM I DASHURISË
Vajzës sime, Laerta në 15 vjetorin e lindjes
Natën e zbardh agimi rrezear,
vello drite me krahët e kaltëruar,
hapësirën më dysh duke e ndarë,
gdhend gonxhe dashurie pakuptuar.
Në duar
ëndrra ime magjiplotë,
në emrin tënd gjej sinonimin,
tek syri yt më linde sot!
Si lule mimoze që flak dimrin
e zog shtegtar me cicërim,
ti erdhe bashkë me gëzimin,
të ngresh një qiell në shpirtin tim!
PEISAZH SHPIRTI
Perdet e një dritareje lëvizin nga era,
melodi e saj hyn dhe sheh kërcimin,
jashtë ndihet kënga e bulthit dhe e jotja,
ku ëndërrat e vrara ndeshen me zhgënjimin.
Dihatja trupat tanë mbështjellë,
pas pak fërkimi do ndez zjarrin,
në grataçelin e saj fantazia ca fjalë mbjell,
brenda vetes, qelizat i kërkojnë t’i marrin.
Ti humnerat ndenja i kërkon në vetmi,
si çelja e buzëve të etura nga heshtja,
s’ke kohë të kthjellohesh nga shkëlqimi,
se shpirti digjet nga kureshtja.
DËSHIRAT MES NESH STRUKEN
E dua aromën e heshtur në muzg,
dritën e syve që terrin vë përposhtë,
ëndrrën që ecën në të njënjtën udhë,
blerimin e tokës dhe ajrin e ngrohtë.
E dua frymën që çlirohet ndër vatra,
lotin e nënës, të tharë për mirësi,
bukurinë magjike që shprishet nga qarja,
zërat e fëmijëve në një mbrëmje me shi.
E dua mallin që rrëshket në mërgim,
si prushin e djegur mes heshtjeve,
buzëqeshjen në një çast krejt intim,
frymëmarrjen si kalorës pas venitjeve…
I dua dëshirat që vijnë përhumbur,
tek humbasin ndër shpresa e s’treten,
si qiej mes nesh të përgjumur
vetëm gjurmë ziliqare mbeten.
VETVETJA
Shpesh ndodh të ndjehesh i harruar,
as në tokë e as në qiell
nga qielli i vetes i cënuar
dhe i braktisur nga çdo diell.
Në mes të udhës peng ke mbetur
dhe të vërtetën shpesh kërkon,
i lodhur nga kapriçot e jetës,
kjo çdo skutë shpirt e rebelon.
Në një tryezë kafeneje,
që vetëm emrin ka të tillë,
me heshtjen e thellë dhe mizore,
dëgjon gënjeshtra si një prill.
Jetojmë, por për çfarë?
për të dëgjuar gënjeshtra,
pastaj për të besuar të tjerë,
po brenda teje s’shkulet vetvetja.
LOTI I MËRGUAR
Netët pëshpërisin si qenie të gjalla,
në udhë pa fund dhe pa mbarim,
kujtimet e veshura me re të bardha
më hyjnë në gji me psherëtimë…
Më ikën vitet shpejt them me vete
dhe në asnjë vend s’më ftojnë në pritje
yll i ndezur për mua mbete,
emrin tënd gdhend me pëshpërtje.
Largësitë që vrasin dashuritë,
unë i urrej si të isha i tërbuar
dhe pse si trung thahem përditë,
rend si i marrë për lotin e mërguar.