
VJESHTË NË BYSHEK
UDHËPËRSHKRIM NGA PËLLUMB
GORICA
Gjithmonë
i pres me dëshirë udhëtimet eksploruese në gjirin e natyrës aq më shumë, në ato vende që lidhen me
histori misteresh.
Ishte
ftesa e miqve të mi nga qyteti i Elbasanit dhe dëshira për të kaluar ca çaste
kënaqësie pranë natyrës piktoreske të Byshekut, i padiskutueshëm si një ndër
mjediset më piktoreske të trevës së Elbasanit dhe më gjerë. Kur udhëton nëpër
peisazhin e tij sikur heq nga supet ca nga hallet e përditëshme dhe me gëzim
lëshohesh në monumentet e natyrës piktoreske.
Udhëtimi drej këtij vendi është kënaqësi. Bysheku ndodhet në një zonë
disi të pyllëzuar, 7 km nga qyteti i Elbasanit, pjesë e krahinës së Shpatit.
Vend i bukur me histori e legjenda mbresëlenëse, me njerëz të mençur, krenarë e
shumë bujarë.
Rruga për
atje ndjek rrjedhën e kundërt të lumit Shkumbin, ku natyra ka krijuar një
luginë piktoreske. Fshatrat janë të sistemuara me shtëpi të bukura, toka të
mbjella me bimë bujqësore e pemë frutore. Përtej luginës, përfund një pylli me
plepa, shelgje e rrepe si një shirit ngjyrash, rrjedh lumi Shkumbin,
ndërsa tutje nga lindja mali Bukanik të shfaqet madhështor dhe
të afron pamje të tjera të mrekullueshme e të papërsëritshme. Ai këtu është i
menjëhershëm në ngjitje dhe i rri si mburojë kësaj lugine. Ecim, duke soditur
peizazhet e thithur ajrin e stinës me aromë frutash. Kushdo që vjen ndihet i
mbytur me këto bukuri mahnitëse. Rrepet që rriten në këtë zonë janë tipar i
veçantë dhe një pasuri drusore monumentale, ashtu siç është një tjetër
karakteristikë e këtij vendi, uji i pastër e i ftohtë, që rrjedh nga shumë
burime. Larmia e peizazhit e bënë më interesant udhëtimin tonë e të shoqëron
këndshëm. Një qiell i kaltër me diell, sikur natyra ka vendosur të na e bënte
dhuratë këtë bukuri. Çatitë e shtëpive ngjyra -ngjyra shndrisin nën rrezet e
diellit me një ndriçim të rrallë. Një flladi i lehtë të përkëdhel fytyrën.
Kalojmë rrugës dredha - dredha dhe përpara të shpaloset me tërë bukurinë e saj
të rrallë panorama e Byshekut: një mrekulli e natyrës me një sharm të veçantë
dhe mahnitës. Po për fat të keq ndërtimet e vjetra
të qendrës turistike janë të shëmtuara dhe të lëna në mëshirë të fatit, na
zhgënjejnë paksa. Është ajo çka përbën
mbresën e parë sapo shkel këtu në këtë vend të bekuar dhe të lenë pas dore Por, magjia e natyrës, drurët e moçëm me
forma të çuditshme, uji i pastër, gjethet e zverdhura të paraqiten si një
telajo e pikturuar me ngjyra të djellta. Të befasojnë dhe magjepsin pamje të
tilla të peizazheve piktoreske e sidomos të monumenteve të gjelbra të natyrës,
që kanë vlera historike. Lumi Shkumbin, që rrjedh pak metra më poshtë, dhe që
është ca i fryrë nga shirat e këtyre ditëve, gurgullon me mërmërimën e tij
këndshme. Bashkë me fëshfërimën e rrepeve ai të freskon akoma më shumë. I ngjan
një simfonie kjo mërmërimë,duke të relaksuar skajshmërisht e të rrëmben
befasishëm dhe patjetër duke të bër për
vete. Mundohem ato t’i fiksoj në celluloid që të mbeten në memorien dixhitale
për brezat. Është një kënd vërtet shumë i veçantë, të thotë Ahmet Mehmeti, miku
ynë poet, por edhe specialist i njohur i pylltarisë. Është një kontrast jetsor
përballë ajrit të ndotur dhe betonizimit pa kriter të qyteteve tona, që në çdo
stinë të mrekullon me çlodhjen, qetësinë, argëtimin. Pushteti i natyrës së
bukur të prek me sy tej e tej një mori drurë rrapesh madhështorë të zgavruara,
që mezi i pushtojnë 5 burra. Të frymëzon peizazhi mbresëlënës me çastet e
mrekullueshme miqësore. Pranë tyre, i sistemuar në vija e kanale gurgullon uji
i ftohtë, që rrjedh pa pushim nga të çarat e shkëmbit të hirtë, duke shpërndarë
përreth currila të arta dhe një bimësi ujore. Më tej uji krijon turbulenca e
pastaj tretet ngadalë nëpër zall drejt lumit Shkumbin. Në vjeshtë, uji i
pastër, që rrjedh prej të çarave të shkëmbinjve ngjyrë gri e që merr me vete
gjethet e zverdhura e të rëna të drurëve pranë rrapeve shekullorë të larta e të
moçëm me format e tyre të zgavërta krijojnë një pamje të rrallë. Fakti është se këto drurë madhështor rrepesh
kanë histori të çuditshme që ende tregohet edhe sot. Ajo zë fill tek e ashtuquajtura
mbjellje e rrapeve si hunj. Dikur në këtë vend mendohet se ka egzistuar një
stacion ku pushonin kuajt dhe këto drurë rrepesh janë hujtë e ngulur ku kanë
qënë lidhur kuajt e udhetimeve. Bysheku. është një vendbanim i vjetër. Në
shekujt e parë të pushtimit turk është njohur me emrin Bozursek. Me ndryshimet
e mëvonshme etimologjike ai mori emrin Bushek. Sipas hulumtimeve të
historianëve të krahinës, Busheku, në mesjetë ishte një fshat i madh me shtëpi
afër njëra - tjetrës, ku macja hidhej aq lehtë nga njëra çati te tjetra në të
gjithë fshatin. Është vendi ku janë shpalosur ngjarje të rëndësishme historike.
Këtu janë zhvilluar edhe beteja të përgjakshme të cilat i njeh historia e kësaj
krahine. Dy beteja janë zhvilluar në shekullin e XV. Historia dhe lumi rrjedhin
pranë njëri tjetrit.
Bysheku
është i pëlqyer jo vetëm nga banorët e rrethinave, por sidomos për banorët e
qyteteve të Elbasanit, Peqinit, Cërrikut, Tiranës. Në stinën e dasmave, ata, që
lidhin kurorë, vijnë këtu e vazhdojnë të shpalosin traditën pagane të pagëzimit
të çifteve me ujin e këtij burimi të shenjtë për t’i patur si kujtime të ditës
më të bukur të jetës së tyre e natyrisht edhe pamjet piktoreske të rrepeve
madhështore të Byrshekut. Por më i gjallërueshëm Bysheku shfaqet në Ditën e Verës,
festës më tradicionale të trevës së Elbasanit,nga moshat e ndryshme të
banorëve. Vendasit sigurisht janë krenar me këto bukuri, që u ka falur natyra
me koloritin dhe ndërthurjen e objekteve, por u duhet ta mirëmbajnë këtë perlë.
Fryn era
e Krastës dhe uturima e rrjedhës të krijon në shpirt një ndjesi gati hyjnore me
emocione të veçanta. Në këtë natyrë piktoreske orët kalojnë të mbushura me
çaste mbresëlënëse dhe bisedat për poezinë, historinë, pasionet, udhëtimet,
miqtë, por edhe me me gatimet tradicionale
të krahinës. Gjen edhe humor të çiltër me dëshirën për të ardhur sërish këtu në
këtë natyrë të paqtë vjeshte,
Bysheku
është atje i mbuluar me një mjegull të përpurt enigmash historie dhe kolorit
vjeshte. Në horizont mali i Bukanikut këmben ende me
qiellin këngë dhe balada madhështore. Ç’mrekulli!






