Udhëpërshkrim » Gorica
Gorica: Peisazhe të gdhendura në shkëmbinj lashtësie
E merkure, 21.01.2015, 09:00 PM
PEISAZHE TË GDHENDURA NË SHKËMBINJ LASHTËSIE
NGA PËLLUMB GORICA
Në të manjtë të rrjedhës së poshtme të lumit Devoll, aty ku peisazhi i valëzuar i kodrave fillon ngjitjen e tij shkallë- shkallë, sikur duan të mbërrijnë malet, shfaqet krahina e Sulovës. Ajo është një nga krahinat qëndrore e cila shtrihet në kufirin ndarës të Shqipërisë së Mesme dhe asaj Jugore, nën këmbët e shtatores Tomorr, malit të perëndive. Vetë emri i Sulovës, për ata që e kanë vizituar, zgjon pamje të mrekullueshme të peisazheve shkëmbore dhe të historisë së saj shekullore, e nuk mund t’i rezistojë kënaqësisë tunduese, e cila shtohet, kur vështron larminë e kontrasteve, florën dhe faunën e pasur. Kodrat dhe kreshtat shkëmbore me ashpërsinë e tyre, që shndritin në diell bardhësinë gëlqerore, nuancat e kafta të tokave e të gjelbrën e pyjeve, të krijojnë përshtypjen e një vargmali të vogël. Banorët historikisht i kanë quajtur këto lartësi shkëmbore: Goricat. Ato ngrihen në lindje dhe nuk i kalojnë të 800 m, por që sundojnë tej e tej gjithë luginën e lumit Devoll. Shpate shkëmbore që janë si një ballkon natyral, nga i cili duket sikur do të fluturosh në konturet e maleve: Tomorrit, Shpiragut, Valamares, Bukanikut, Krrabës, krahinat e Dumresë, Vërçës, Shpatit, Myzeqesë, qytetet e Elbasanit, Cërrikut, dhe Belshit. Në botimin “Enciklopedia Elbasani’’, faqe 526, lexojmë: “Kodrat fillojnë nga ura e lumit Devoll: Kodra e Floqit 306 m, për të vazhduar në lindje me të Banjës 308 m. Kodra e Krorsit 394 m, Bregu i Gjatë 535 m në Qyrkanin e Sipërm, kodra e Kalasë 694 m, Qafa e Madhe 511 m, Gorica e Çalës 736 m. Goricë e Topojanit ose Gorica e Çobanit, 811 m si maja më e lartë. Kodrat shkëmbore kanë disa shkëputje me forma dhe përmasa, të cilat shoqërohen prej qafave dhe grykave, herë të ngushta, herë të gjëra. Sytë përplasen në masivet e larta shkëmbore, të cilat shmangen nga njëra -tjetra prej përrenjve, qafave, faqeve, brigjeve, në një përzierje tërheqëse valzimesh, diku të zhuritura nga dielli e të rrëpirta nga gërryerjet, e diku me një blerim të shkurreve tipike mesdhetare, të brazduara nga rrjedhjet e ujërave. Një ashpërsi shkëmbore që të thotë se nuk është e lehtë të shkelësh. Në gdhendjen e kësaj natyre ka luajtur rol me rëndësi ndërtimi gjeologjik. Shkëmbinjtë ende ruajnë gjurmët e epokave të largëta gjeologjike krijuar nga strukturat e rrudhosura të tokës, sedimentarë të moshës së oligocenit, të formuar rreth 40 milion vjet më parë. Studiuesi gjeolog nga Sulova, Selim Marishta jep këtë shpjegim për ndërtimin e tyre: “Kur deti rreth 26 milion vjet më parë në epokën miocenike u tërhoq nga Shqipëria dhe kur toka u shfaq mbi ujë, shkëmbinjtë që janë të moshës së oligocenit u gurtësuan’’. Gjatë një periudhe të gjatë kanë ndodhur edhe dukuri gjeologjike nga veprimi i lëvizjeve tektonike. Me syrin e një kureshtari dhe adhuruesi të natyrës i vështron me nge peizazhet gjeomorfologjike tipike flishore me stade të ndryshme degradimi në shpatet e pjerrëta në formën e greminave të thella. Ujërat, si rezultat i veprimtarisë gërryerse kanë vepruar në mijëravjeçarë mbi shkëmbinjtë, duke krijuar forma të ndryshme, aq sa në ndonjë rast, të krijohet përshtypja se janë vepër e njeriut. E veçanta e relievit e ka ndihmuar popullsinë të fshihet në kohërat e errëta të historisë, të ruaj bagëtinë, plaçkën në nevojë, armët, të plagosurit, kaçakët, luftëtarët kundër pushtuesëve. Peisazhi i sotëm i kodrave shkëmbore të Sulovës të ngjall trishtim. Ai po pëson ndryshime të bioatmosferës në përgjithësi, e përshpejtuar nga prerja e pyjeve dhe veprimtaria e bizneseve të përpunimin e gurit. Çdo vit aty zhduken masa shkëmbore, të një njësie të moçme dhe kthehen në një shketëtirë vrasëse për natyrën.
Mes
lartësive që të ofron relievi shkëmbor, pranë kalasë së Qafës, gjenden të
ngulura në shkëmb disa shufra hekuri. Njerëzit edhe sot pyesin:
Në kodrat shkëmbore natyra ka formuar edhe shpella të vogla. Legjendat dhe disa histori të vjetra vërtiten rreth tyre. Me interes është shpella që gjendet afër kalasë së Qafës, aty ku fillon lartësia shkëmbore. Kjo shpellë është e thellë dhe midis thepisjeve të shkëmbinjëve majtas-djathtas e shoqërojnë të tjera të thelluara, në të cilat mund të rrinë disa njerëz në këmbë. Në kohë të lashta ka qenë e banueshme, sepse brenda saj vihen re shenja të ndryshme jete. Ajo ka shërbyer si strehë për barinjtë në ditë shirash e të ftohti, si dhe nga kaçakët në periudhat e kaluara historike. Një histori gojore tregon se ajo ka lidhje me kalanë e Qafës. Më në lindje të Mollasit gjendet një shpellë tjetër. Hyrja e saj është e vogël, sa të duhet të përkulësh trupin për tu futur brenda, ndërsa më pas, ajo zgjerohet me përmasa të tilla, aq sa strehohen disa njerëz e kafshë. Tek hyn brenda ke përshtypjen se futesh në një dimension tjetër. Këtu janë gjetur skelete, fosile kafshësh. Historitë gojore tregojnë se në këtë shpellë strehoheshin kaçakë, që në kohën e sundimit turk e më vonë, të cilët kishin qëllime idealiste, kurse disa të tjerë kishin dalë për qëllime të ulëta. Meqenëse aty fshihej dikur, si kaçak, një pjestar i familjes Hoxholli, ajo mori emrin Shpella e Hoxhollit. Por banorët tregojnë se, kur një ushtar dezertoi nga shërbimi ushtarak dhe u fsheh në fundvitet ’70 të shekullit të kaluar, ajo u quajt shpella e Bushit. Në Goricë të Çalës gjendet po ashtu një shpellë si pus, me hyrje të gjerë e më pas vjen duke u ngushtuar. Banorët e kanë indentifikuar atë me emrin Shmitër e që mbart mbi vete një histori të dhimbëshme. Në Dragot të shfaqet një rrasë shkëmbore dhe në të një guvë e thellë, me labirinte mjaft të frikshme, ndaj rrëfenjat e shumta e bëjnë të mistershme hyrjen. Vendasit i thonë: Guri i Bletës. Dikur motit në thellësi të saj gumëzhinin bletë. A thua se aty ishte fole e madhe bletësh siç flitej, ndaj dhe këtij guri shkëmbor i mbeti emri. Për të janë thurur lloj-lloj tregimesh të cilat kanë marrë trajtën e një legjende. Ekziston një mendim, por duhet vërtetuar se është shumë e thellë e me dalje diku. Sipas historive gojore nëpër shkëmbinj janë gjetur edhe guacka të futura në sipërfaqe e në masën e gurëve.
Reshjet shekullore kanë formuar në kraharorin e kodrave rrëke përrenjësh të shumtë. Në pamjen e parë ata janë të thatë, por në ditë reshjesh të mëdha dalin nga shtrati e përbëjnë rrezik serioz për tokat, shtëpitë dhe banorët. Rjedha e ujrave priret drejt perëndimit, duke u derdhur në lumin e Devollit, nëpër grykat e ngushta dhe në disa vende me një rënie të menjëhershme, dredha-dredha e pragje të shumtë. Një nga përrenjtë më të njohur në Sulovë është Shica. Nga derdhja e shumë rrëkeve të vogla, herë të vrullshme e herë të qeta, ky përrua, mbledh shumë ujëra të tjera burimesh të jep përshtypjen e një lumi të rrëmbyeshëm dhe në kohë shirash fryhet e egërsohet, duke rrëmbyer gurë, dhera, shkurre që gjen përpara, në një luginë të ngushtë e krijuar nga lëvizje tektonike miliona vjet më parë. Vërshimet inatçore të ujrave në kohëra kanë gërryer shkëmbinjtë, duke krijuar monumente natyrore interesante. Gropa e Kaut është një çudi e natyrës, një vepër arti mahnitëse e latuar në daltën e kohës. Nuk e di të kem parë gjë më të bukur në Sulovë se kjo gropë uji, ndërsa zgjat kokën për të shikuar më gjatë në fundin e ujrave kristal të shtatit të lashtë, uji gurgullues nxiton e ikën me rrëmbim. Nga lartësitë shkëmbore gurgullon një ndër burimet më të mëdha të Sulovës, Çurku i cila ka qënë përherë bujar me njerëzit, tokat, kafshët. Sot rrjedh i ftohtë në shtëpitë e banorëve të Mollasit.
Peizazhin gjeografik e plotsojnë edhe qafat. Gjenden shumë qafa, por njëra shfaqet më tepër në sy me pozitën e saj strategjike. Quhet Qafa e Madhe dhe ndodhet mes dy ndarjeve relativisht të larta shkëmbore 694-723 m, në një largësi më pak se 500 m. Kjo qafë pasqyrohet qartë në hartat topografike, po e njohur më tepër prej kalasë antike, ndërtuar në shekullin IV të erës sonë. Deri para disa vitesh këtu shtrihej një vendbanim i lashtë, me të njëjtin emër, por sot është kthyer në gërmadhë, duke mbetur vetëm si një nocion gjeografik. Rruga,shkolla, ambulanca dhe mungesa e kushteve elementare për jetesë u bën shkaktare të largimit nga trojet e tyre shekullore drejt fushës dhe qyteteve. Qafa e Kazanit shtrihet në afërsi të vendbanimit Dragot. Është e ngushtë dhe ka formën e një kazani. Sipas studiuesit, Dhimitër Pilika në librin “Pellazgët-Origjina jonë e mohuar’’, faqe 142, “Kazani i përket një toponomastike të vjetër pellazgjike me kuptimin mbi emrin e dhisë’’. Qafa e Grekanit është e vogël, dikur e mbuluar me pyje të shumta. Kjo qafë për vet kushtet e hapësirat e përshtatshme me pyje, me shkëmbinj, përrenj përbënte një strehë ideale për kaçakët. Më i njohuri kaçak në Sulovë, Murat Bardhushi, i cili përplasej shpesh me bejlerët e Prrenjasit. Historitë gojore tregojnë se, këtu kalonte një rrugë e vjetër karvanesh, që vinte nga Elbasani për në Prrrenjas, qendër e krahinës e më tej në Berat në shekujt XVII - IX. Qafa e Radëshit ishte e pakalueshme prej një pylli të dendur por, që në rrjedhat e kohës u shpyllëzua. Këtu,sulovari, Daut Toska në moshën 17 vjeçare, kur asqerët turq e morën me forcë nga shtëpia për ta dërguar nizam në Jemen, me një shkathtësi të veçantë ia rrëmben armën njërit prej tyre dhe i vret të gjithë. Qafa e Kulës në kohërat e largëta ishte e banuar, gjë të cilën e dëshmojnë fragmentet e rrënojave të një vendbanimi të vjetër. Qafa e Nishanit gjendet në hyrje të Topojanit. Sipas historive gojore, emri i Qafës së Nishanit dëshmon për një traditë burrërore në Sulovë, kur pranë saj, një ditë në vit, mblidheshin djemtë dhe burrat e Linasit, Kamunaut, Mollasit, Topojanit dhe merrnin nishan përballë shenjave të ndryshme. Prej këtej rrjedh edhe emri i saj. Interesante është edhe emërtimi i një qafe në fshatin Selitë: Qafa Shalëturke. Të tjera qafa janë: Qafa e Kërçelës, Qafa e Dëllinjës, Qafalia në Dasar, Qafa e Mëhallësve etj. Me pak fjalë një mozaik i tërë qafash.
Historitë
gojore thonë se Goricat kanë qenë të pyllëzuara dhe të përshtatshme për
mbashtrimin e bagëtive, shpendëve, kafshëve të egra. Përshkrimet e udhëtarëve
të huaj japin pasazhe të këtij terreni të mbuluar me pyje të dendur. “Gati një
çereku i tokës ishte i punuar, por brenda disa pyjeve shihej se po hapnin toka
të reja, të cilat ishin të shëndosha.” Edith Durham, Brenga e Ballkanasve”,
faqe 239. “Sulova një pamje mahnitëse, një zone kodrinore e pafund me gropnaja
të rrumbullakosura, me faqe të buta dhe lugina të bukura, pyje të pafund e të
dendur sa të hante syri.”, “Eqerem bej Vlora” Nga Vlora në Tomorr”, viti 1906.
Toponimia e arritur deri në ditët tona tregon për drurë me përmasa të mëdha,
por edhe për influencën e disa ligjeve të pashkruara, që respektonin pronën,
pyjet, kullotat, territoret. Si u zhdukën këto pyje? Përgjigja dihet. Kërkesa e
madhe për lëndë druri e popullsisë që shtohej, më e theksuar kjo dhe më i
besueshëm ky shkatërrim ndodhi në vitet e sistemit socializmit, që e detyruan
sulovarin ta trajtojë pyllin mall pa zot, duke ndjekur një politikë të gabuar.
Kështu, sipërfaqe të tëra u shpyllëzuan nën parimin e hapjes së tokave të reja.
Pylli pushtohej nga sëpata, e cila u bë zot i plotfuqishëm i kohës, u prenë
lisa, arra, rrepe, plepa që u përdorën për ndërtimin e shtëpive, magazinave,
stallave të bagëtive, hangarëve të duhanit, me to është furnizuar për disa vite
me radhë Kombinati i drurit në Elbasan. Jo pak janë djegur për furrat e bukës,
të gëlqeres, të kaminave për tulla e tjegulla. Nuk u kurseyen as filizat e rinj
dhe njeriu nuk mund të mos habitet nga kjo çmenduri. Në pjesën më të madhe sot
janë pyje tip shkurre mesdhetare me gjelbërim të përhershëm: ngasje, mrete,
dëllinjë, gjineshtër etj dhe gjetherënëse: cëmërdel, drizë, ferra, murriz etj,
shumë të degraduara, por, që dikur i jepnin Sulovës një bukuri, qetësi, florë e
faunë të shëndeshme për kafshët dhe banorët. Peisazhi i kodrave
shkëmbore të Sulovës nuk do të ishte e plotë pa historinë e saj. Të dyja ato,
të kujtojnë mardhëniet e duarve me njëra -tjetrën dhe me vetë trupin e njeriut.
Ndaj, nuk thonë më kot se njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja fytyrën. Nuk ka se
si të ndodhte ndryshe me një krahinë si Sulova, që shtrihet në një pozicion të
lakmueshëm gjeografik dhe me një klimë të shëndetshme, historia do të ishte e
mangut. Për këto arsye, ajo nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së bashkësisë
njerëzore, veprimtaria e të cilave ka lënë gjurmë të hershme që nga epoka e
hekurit me imazhe që luftojnë krimbin e brejtjes së saj. Për të kuptuar e
shpjeguar këtë e natyrshme të udhëtosh në të kaluarën historike të trevës, ku
kontakti me të shfaqet në thesare vlerash materiale, ndërtime të lashta, kala,
rrugë, varreza të vjetra, gjetje arkeologjike. Ka dëshmi që flasin edhe me anë
të toponimeve dhe legjendave për egzistencën e një qytetërimi të lashtë. Në
këtë territor kanë jetuar Dasaretët, një fis ilir shumë i nohur për prodhimin e
drithërave dhe mbarështrimit të kafshëve. Mbrojtja ndaj dyndjeve barbare dhe
sigurimi i mbjetesës ishin faktorë përcaktues për ngritjen e fortifikimeve në këto lartësi shkëmbore. E
periudhës së hekurit është Kulla e Kamunaut. Nga studimet e bëra,
Kodrat shkëmbore të Sulovës dhe vendbanimet e mbështetura rrëzë tyre, në çdo stinë, të veshura ngjyra-ngjyra, ngjasojnë si një tabllo e madhe pikture. Sa histori mbajnë në vetvete dhe sikur të kishit gojë të tregonin pështjellimin e shekujve, që kanë ecur me hapin e tyre, nën ritualin e viteve, bashkë me to, të ngarkuara me morinë e brezave.