Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Ti je si era
E hene, 06.04.2015, 12:11 PM
TI JE SI ERA
POEZI NGA PËLLUMB GORICA
DITA E VERËS NË ELBASAN
Dita e Verës të prish ty qetësinë
me karakaftet dhe ballakumet.
Gurgullimën e ëmbël në Shkumbin
e zgjove këtë ditë nga përgjumjet.
Të zgjon kjo ditë vere prej dimri
dhe qyteti i lashtë në prehrin tënd,
këngët, motivet i shtuan gëzimin
se sot e zakonshmja s’ka më vend.
Blerimet të vijnë si rrëkeza të buta,
përherë ripërtëritëse në sytë e mia,
brenda meje në gëzime të prushta
nga sytë e një plaku deri tek fëmija.
Nën emrin tend i mbush sytë,
me erën dhe ëmbëlsinë e qëmotshme,
tani si unë nuk gjej të dytë,
për ne mbetesh festë e gjithkëndshme.
TI JE SI ERA
(Keidës)
Kur jashtë ndihet gëzueshëm loja,
të dy sytë i mbush me lot,
rri mbi libra, rri mbi shkronja
dhe një çast nuk ndahesh dot.
Më vështrojnë me plot dhimbje,
gjer në lutje, përgjërim.
-Të dal jashtë mes fëmijëve?...
Tkurrem në këtë gardh gëzimi.
Oh! Ç’më theu sot vështrimi,
s’të pengoj të dalësh jashtë,
ti je gëzim, mbi çdo lloj gëzimi,
si një erë që shket mbi dallgë.
PRANVERË NË MONAKO
Këtu dielli zhytet në gotë kristali
e deti përplas valët e bardha,
qielli
blu të zgjat dorën nga
dhe shpirtin ma kthen me stërkala.
Lehtas si para një bukurie tjetër
me dallgët e serta plot jehonë,
sytë i ndala një çast të shkurtër
dhe vetja më duket kaq i vonë.
Plazmon drita me rreze të pamatë
e shkrihet tek kjo endje pranvere
imazhi puthet nga pulëbardhat krahëgjata,
që flisnin ca fjalë të mistershme.
ME LARTËSITË KËMBENI MESAZHE
(Miqve të mi alpinist, Fation Plaku dhe Artan Gaziu)
Ju ngjitni shkrepa të pashkelur,
nëpër maja çudirash si magji.
Me sytë e mendjes të mprehur,
kërkoni enigmat në çdo lartësi.
Me lartësitë këmbeni mesazhe
dhe horizonteve që shihni atje.
Ju shpërtheni kufij e kafaze
dhe gdhendni emrin nëpër re.
Heshtjet e maleve fluturojnë,
nga kacavarjet tuaja alpiniste.
Lartësitë shkëmbore ju ftojnë,
për t’i ngjitur me flatra shqipesh.
LOTË GËZIMI
Një jetë shkoi si vetëtimë,
e bardhë nga shpirti ngeli,
dhe loti mori rrokullimë,
se zemrën prek ajo copë qielli.
Ti, pikë e vogël me lot të tharë,
në faqe rrjedh e kristaluar
trishtimi kurrë s’është ndarë,
në moshë të gjethes vesëzuar.
E shtrydh gëzimin e pasosur,
të ecë, të rrjedhë e të shterojë,
me fjalë ndjenjash të brengosur,
në klimë hareje të jetojë.