Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Yjet e qiellit ke ftuar
E hene, 18.05.2015, 06:55 PM
YJET E QIELLIT KE FTUAR
POEZI NGA PËLLUMB GORICA
ME EMRIN E
Bukuria, një fjalë që të mrekullon!
Brenda saj gëlojnë mahnitje dhe mistere,
relike në kujtesën e moshës qëndron
me nanurisje drithërimash dhe heshtje.
Sikur në Botë në një çast të vockël,
jeta të ndërtohej vetëm nga bukuria,
ky do t’ ishte gëzimi i përbotshëm
dhe pse kjo botë ka mrekulli me mijëra.
YJET E QIELLIT KE FTUAR
Keidës, në ditlindje
Të gjithë yjet e qiellit sot ke ftuar
të ulen pranë nesh në një tryezë,
shtëpia prej dritash mbuluar
për t’vazhduar gjer në mëngjes.
Si bisk që çel pas dritës pranverore,
llastohesh me urime e puthje merr,
me hapa drejt një tjetër stine ëndërrore,
në ëmbëlsinë e tingujve moshën gjen.
Dritëzon në dritat e kohës së ardhme
kjo ëndërra jote si fjongo maji, vajza ime,
dhe pse fryjnë flladet e jetës në dritare,
ti dhe diellin diskzjarrtë fut në ëndërrime.
NJË
Sulovës
Një mall gërvisht në zemrën time,
ku lëkunden kujtimet e fëmijërisë,
ku dita udhën merr nën zgjime
dhe dielli Kulën* si nuse qëndis.
Me sytë e mi dua të ngjall vështrimin,
mbetur fisnik në udhëkryqet e reja,
vrapi i fëmijërisë më zgjon vrik kujtimin,
mbi rrënjë baladash, këngë e bedena.
Fati të dha këto stoli të mahnitshme,
ti je më i ëmbli dhe më i bukuri vis,
ku Devolli si gjarpër shket në shelgjishte
me tingëllimën e jehonës së lashtësisë.
Më humbet zëri ledhatimeve stërgjyshërore
dhe era luan me një partiturë simfonie;
zogjtë cicërimës ia marrin livadheve hyjnore…
Ç’koncert i çuditshëm me bekim perëndie!
*Kodër kala në Sulovë
PUTHJET I MORI ERA
E prekëm kalanë në këmbë malesh,
kishim etje për një puthje të pastër,
të thura ditënetëve kurora vargjesh,
të këndova për sytë e kaltër.
E doja sa jetën, si lasgushian, dashurinë,
të vështroja si fari brigjeve dritëpraruar,
po s’e kuptoja aspak atë heshtje të shtirë
dhe sytë e tu të përmalluar.
I mori era puthjet si letër e lehtë,
sa mesazhe mbetën stivosur në kujtime,
të kujtoj vazhdimisht dhe në gjumin e thellë,
në jetën time plot zhgënjime!
STINËS ARBËRORE
Në ag të thëllizës pranverore,
si beduinët në udhë të gjatë,
zhytur thellë stinës arbërore,
u këndellëm gjelbërimit të pamatë.
Në Pejë, një lajtmotiv i bukur,
mblodhi si zogjtë miqtë poetë,
sofërshtruar, mrekulluar,
zjarri i frymëzimit asnjëherë s’u tret.
Rugova ngrihet majë shkëmbinjve,
ku akull rrjedh i ftohtë kroi,
nën erëra vargjesh, gotash birre
dhe s’e ndjejmë si ora na kaloi.