Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Në Shpat, me ftesë të ''Onufrit''
E diele, 12.07.2015, 07:00 PM
NË SHPAT, ME FTESË TË ''ONUFRIT''
NGA PËLLUMB GORICA
Me
dëshirën e hershme, por disi të vonuar, një ditë udhëtuam për në Gjinar, në
krahinën e Shpatit, trevën më të njohur të Elbasanit, me miqtë e mi poetë, të
rinj e të vjetër në moshë. Mbresat e këtij udhëtimi spontan filluan të na
pushtojnë në çdo kilometër që ne ngjiteshim drejt Gjinarit, pikësynimit tonë,
të cilat shumoheshin në mënyrë progresive. Ato filluan të bëhen pjesë e qenies
dhe shpirtit tonë. Janë të panumërta dhe njëra më befasuese se tjetra, por unë
po përmend ato që mendoj se do të flenë gjatë në kujtesën tonë, për vite të
tëra.
Për krahinën e Shpatit është shkruar dhe folur shumë, por, kur gjendesh aty, kur e prek dhe e shijon me të gjitha shqisat e tua, mëson shumë gjëra interesante. Si një eksplorues i peisazheve dhe historisë, gjatë udhëtimeve të mia mbledh njohuri të veçanta dhe hulumtoj për vendet ku shkel këmba ime. Shpati, kjo perlë e veçantë në llojin e saj, është një krahinë mjaft e pasur me burime natyrore, e cila ka kushte të rralla për zhvillimin e turizmit malor. Këtë përfitim ia mundëson brezi pyjor mjaft i pasur i pishave të larta e të dendura. Aroma e rrëshirës së tyre ndihet kilometra larg dhe me një efekt të fuqishëm kurimi. Nga largësia e viteve na vijnë histori të lashta që lidhen me Shpatin si një krahinë edhe me karakteristika të spikatura historike dhe kulturore. Historia e Shpatit e vulosur nga dëshmitarët e kohërave, ndërtimet e lashtësisë, kala, kisha, rrugëkalime të vjetra, dokumentet arkivore, njihet edhe nga dimensioni i legjendave. Ngjarjet e shumta kanë shpërndarë mugëtirën e kohërave dhe e kanë bërë të njohur Shpatin për trimërinë, patriotizmin dhe dëshirën e madhe për dije e kulturë e një vitalitet të banorëve gjatë gjithë shekujve, duke i dhënë impulse mbijetesës së tyre. Ndaj nuk mund të vazhdoj të shkruaj më tej, pa i përmendur ato qoftë edhe përciptazi.Me emrin e Shpatit lidhen edhe figura historike dhe të artit në kohëra si: Prijësi Gjorg Golemi, Konstandin Shpataraku, Onufri, Petro Petroshi dhe, tani më vonë, Isuf Qosja, këngën e të cilit plaku takie-bardhë nga Sulova, Hamit Miraka, e këndonte gjithmonë në konakun e tij e sidomos kur i vinin miq nga krahina e Shpatit. Shpatarakët janë njerëz fisnik, të çiltër, të dashur, gazmorë dhe të mençur. Ata trashëgojnë cilësi tepër të rralla njerëzore si: mikpritja, bujaria, organizimi i mirë i ceremonive dasmore, apo rasteve të fatkeqësive familjare etj. Ndaj kam simpati për këtë krahinë e njerëzit e saj bujar, punëtor, të këngës, të valles, të librit e të konakut…
Ne nuk i përfillëm vështirësitë e rrugës e cila derdhonte shpateve të kodrave, duke u bërë bashkudhëtare me ne, sepse fantazia jonë na tërhiqte atje, në Gjinarin turistik. Herë-herë gëlonin bisedat tona gazmore. Një shoku ynë poet dikur, pasi arriti me stërmundim në Gjinar, fshihu djersët dhe me të qeshur na tha se, këtu në këtë parajsë erdha nëpërmjet ferrit, por tani po e shoh se ia paska vlejtur. Dhe s’kishte faj: Rruga e gjatë dhe tepër e lodhshme i stërmundonte udhëtarët. Por kohët ndryshuan dhe rruga e shtruar vitet e fundit e ka bërë më të lehtë ardhjen këtu. Kodrat e sistemuara me vreshta e ullinj të veshura me petkun e gjelbër e, që sigurisht, të lënë përshtypjen e përkujdesjes së banorëve ndaj tokës dhe pemëve frutore. Mushkëritë tona filluan të mbushen me ajër të pastër dhe sytë me gjelbërimin e pafund të kodrave në të dy anët e rrugës. Qielli i kthjellët, lartësitë malore dhe flladi i lehtë i mëngjesit e lehtësonte më shumë udhëtimin për të na mundësuar edhe shijimin e kënaqësisë së peisazheve interesante. Tingujt e këngëve elbasanase përhapeshin nga buzët e Albert Tafanit, i cili i valëviste ato, me një drithërimë të veçantë, teksa buronin nga kasetofoni i makinës së Bardhit. Si në ekran i kalojmë me radhë vendbanimet, duke kthyer kokën sa në një anë në tjetrën, për të mos na shpëtuar pa parë asnjë grimë të kësaj bukurie rurale. Çajmë përmes Hajdaranit, lëmë mënjanë Mlizën, që për nga pozicioni i relievit të le mbresa me ndërtimet e reja e të shumta, dy e trekatëshe. Askush nuk mund t’i rezistojë një kënaqësie të tillë tunduese si kjo, e cila shtohej, kur nga lart vështronim qytetin e lashtë dhe modern të Elbasanit, lumin Shkumbin, malin e Krrabës, që janë sfondi i kësaj panorame. Pa kaluar shumë ja ku na shfaqet me gjithë pamjen e tij Shelcani, në shpatull të Shpatit historik, sikur të nanurisej i shtrirë në prehërin e kodrave dhe nën hijen e pemëve të gjelbërta. Por, ajo që përveç panoramës e bën atë më interesant dhe më të dëgjuar në Shqipëri, është Kisha qindravjeçare e Shënkollit, e veçantë në llojin e vet,që njihet edhe me emrin, e Onufrit, ikonografit më të madh të shekullit XVI. Kjo kishë është mjaft befasuese për vizitorët sepse, në mënyrë të pavetëdijshme të krijon një kënaqësi estetike dhe admirim të veçantë. Askush nga ata që kalojnë pragun e saj nuk mund të mos mbetet i shokuar dhe mahnitur të përballet me dorën mjeshtërore të piktorit, Onufrit të madh.
Vazhdojmë
rrugën drejt lartësive të krahinës së Shpatit. Tutje, në largësi, nën velin e
shtëllungave të bardha të reve, shikimi të përplaset mbi peizazhin e
papërsëritshëm të malit Bukanik, një bukuri e gjelbër, që kërleshet çdo
mëngjes, para se rrezet e diellit të përflakin majën e tij, me mjegullën e
dendur. Në shpatet e thepisura veriore të tij ende shikon pllaska të bardha
bore, sikur shpinën e një qeni laraman. Të duket se ky mal ka marrë bekimin nga
Zoti për të qenë përjetësisht i gjelbër, i mbuluar me pisha, duke krijuar
kurorën e mrekullueshme të kësaj krahine, e cilësuar edhe si mushkëria e
qytetit të Elbasanit. Nga aty të ulet në pëllëmbën e dorës një pjesë të
fshatrave të Shpatit: Lleshani,Valshi, Selta, Sterstani, Probati, Gjinari.
Pasi lëmë
pas këtë monument natyror, duke dredhuar rrugën, para syve të shfaqet Gjinari i
shtrirë nën këmbët e malit të Bukanikut. Ai është një vendbanim me histori në
përpjekjet për liri e arsim. Peisazhi i tij me të vërtet i bukur.Ajri i pastër,
gjelbërimi, e maja e malit, kanë krijuar këtu një peizazh magjepsës, por është sot një perlë thuajse e harruar.
Gjithandej turizmi po kthehet në biznesin fitimprurës, ndërsa këtu ai pak
ndihet. Kjo është pasojë e mungesës së investimeve që janë fare të vogla. Vetëm
në muajt e nxehtë të verë këtu i kalojnë pushimet shumë pak familje, të
strehuara në shtëpitë e banorëve. Dikur para 20 vitesh, jo vetëm në muajt e
verës, por edhe vjeshtë e dimër, Gjinari mbushej me të ardhur nga
Elbasani,Tirana, Durrësi, madje edhe vizitorë të huaj. Dhe ngjante me një
qytezë të begatë, të mbushur me të gjitha të mirat. Ato pak gabina prej druri
ofronin mundësi të shumta pushimi dhe
gëlonin. Ndërsa sot kabinat e dikurshme të pushuesve tek – tuk dallohen me
skeletet e tyre të kalbëzuara si rrënoja lufte. Tranzicioni i stërzgjatur i
shkatërroi. Ringjallja e turizmit, aty këtu me pak bar kafe dhe restorante si
një mundësi e madhe që u ka falur natyra, në Gjinar, duhet të shfrytëzohet
akoma më shumë. Por kjo duhet bërë dhe mbeshtetur nga të gjithë. Nuk mjaftojnë kronikat e pakta televizive të
TV lokale as fotot e peisazheve të Shpatit, që postohen në rrjetet sociale të
komunikimit, por kërkohet një strategji për zhvillimin e turizmit me krijim të
kushteve më të përshtatshme për pushime ditore, por edhe të gjata, reklama
promovuese nga drejtuesit e pushtetit, që më së shumti janë të fjetur në ide
konkrete. Kjo patjetër do të sjell më shumë vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe
më gjerë. Ky udhëpërshkrim ndoshta do të ngjall një farë interesimi, që të
pushojnë sa më shumë në këtë perlë të harruar.
Qëndrimi ynë në Gjinar është i shkurtër. Duke u larguar nga Shpati, nga panorama pamore e tij, nën soditjen e perëndimit të diellit, në këto lartësi, përjetuam kënaqësi të veçantë. Sa e bukur e qetësuese për shpirtin kjo pamje. Dielli ndriçonte mbi çdo gjë, mbi ndërtesat, malin e mbuluar nga pishat ku flladi lozte ëmbëlsisht, duke bërë tejet të gëzueshme ardhjen tonë dhe mundësinë për t'i soditur ato. E të gjitha këto s’janë gjë tjetër veçse pjesë e një peizazhi interesant, një perlë të harruar. Mrekullia e peizazhit të fton ta vizitosh përsëri.
Dushku i Lleshanit, monument natyror i mbrojtur nga shteti
Fruti i qershisë që në Shpat kultivohet shumë
Kabinat e dikurshme për pushuesit në Gjinar
Kisha e Shelcanit
Liqeni i Bukanikut
Masivi pyjor i Bukanikut
Mirsevini në Gjinar
Peisazh në Shpat
Piktura murale e ikonografit, Onufri
Pishat madhështore në Bukanik
Rruga e shtruar vitet e fundit
Shkëmbinjë të gdhendur nga rrjedhat ujore
Ujëra që rrjedhin nga mali i Bukanikut