Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Në Shpat, me ftesë të ''Onufrit''

| E diele, 12.07.2015, 07:00 PM |


NË SHPAT, ME FTESË TË ''ONUFRIT''

NGA PËLLUMB GORICA

Me dëshirën e hershme, por disi të vonuar, një ditë udhëtuam për në Gjinar, në krahinën e Shpatit, trevën më të njohur të Elbasanit, me miqtë e mi poetë, të rinj e të vjetër në moshë. Mbresat e këtij udhëtimi spontan filluan të na pushtojnë në çdo kilometër që ne ngjiteshim drejt Gjinarit, pikësynimit tonë, të cilat shumoheshin në mënyrë progresive. Ato filluan të bëhen pjesë e qenies dhe shpirtit tonë. Janë të panumërta dhe njëra më befasuese se tjetra, por unë po përmend ato që mendoj se do të flenë gjatë në kujtesën tonë, për vite të tëra. Po ia lë vetë lexuesit t’i përjetojë një pjesë të tyre, ndërsa ato që më duken më interesante, po i përshkruaj në këtë udhëpërshkrim të shkurtër. Por sado të shkruaj unë, që t’i shijosh dhe të lumturohesh nga këto mrekulli e natyrës, duhet të jesh edhe ti lexues aty në Shpat, midis kodrave, të mbushura me gjelbërim, të dëgjosh këngën e zogjve që hidhen nga njëra pishë te tjetra, nga njëra majë në tjetrën, duke e mbushur gjithë peisazhin me zëra mahnitës. Këto ndjesi i përjeton edhe ai që e ka shkelur këtë rrugë çdo ditë, që ka thithur ajrin e pastër dhe aromën e pishave, por sidomos ai që vjen për herë të pare këtu. Flladi i freskët dhe dehës, t’i çlodh sytë nga gjelbërimi i dendur dhe zemra do të zgjerohet nga kënaqësia e peisazhit.

Për krahinën e Shpatit është shkruar dhe folur shumë, por, kur gjendesh aty, kur e prek dhe e shijon me të gjitha shqisat e tua, mëson shumë gjëra interesante. Si një eksplorues i peisazheve dhe historisë, gjatë udhëtimeve të mia mbledh njohuri të veçanta dhe hulumtoj për vendet ku shkel këmba ime. Shpati, kjo perlë e veçantë në llojin e saj, është një krahinë mjaft e pasur me burime natyrore, e cila ka kushte të rralla për zhvillimin e turizmit malor. Këtë përfitim ia mundëson brezi pyjor mjaft i pasur i pishave të larta e të dendura. Aroma e rrëshirës së tyre ndihet kilometra larg dhe me një efekt të fuqishëm kurimi. Nga largësia e viteve na vijnë histori të lashta që lidhen me Shpatin si një krahinë edhe me karakteristika të spikatura historike dhe kulturore. Historia e Shpatit e vulosur nga dëshmitarët e kohërave, ndërtimet e lashtësisë, kala, kisha, rrugëkalime të vjetra, dokumentet arkivore, njihet edhe nga dimensioni i legjendave. Ngjarjet e shumta kanë shpërndarë mugëtirën e kohërave dhe e kanë bërë të njohur Shpatin për trimërinë, patriotizmin dhe dëshirën e madhe për dije e kulturë e një vitalitet të banorëve gjatë gjithë shekujve, duke i dhënë impulse mbijetesës së tyre. Ndaj nuk mund të vazhdoj të shkruaj më tej, pa i përmendur ato qoftë edhe përciptazi.Me emrin e Shpatit lidhen edhe figura historike dhe të artit në kohëra si: Prijësi Gjorg Golemi, Konstandin Shpataraku, Onufri, Petro Petroshi dhe, tani më vonë, Isuf Qosja, këngën e të cilit plaku takie-bardhë nga Sulova, Hamit Miraka, e këndonte gjithmonë në konakun e tij e sidomos kur i vinin miq nga krahina e Shpatit. Shpatarakët janë njerëz fisnik, të çiltër, të dashur, gazmorë dhe të mençur. Ata trashëgojnë cilësi tepër të rralla njerëzore si: mikpritja, bujaria, organizimi i mirë i ceremonive dasmore, apo rasteve të fatkeqësive familjare etj. Ndaj kam simpati për këtë krahinë e njerëzit e saj bujar, punëtor, të këngës, të valles, të librit e të konakut…

Ne nuk i përfillëm vështirësitë e rrugës e cila derdhonte shpateve të kodrave, duke u bërë bashkudhëtare me ne, sepse fantazia jonë na tërhiqte atje, në Gjinarin turistik. Herë-herë gëlonin bisedat tona gazmore. Një shoku ynë poet dikur, pasi arriti me stërmundim në Gjinar, fshihu djersët dhe me të qeshur na tha se, këtu në këtë parajsë erdha nëpërmjet ferrit, por tani po e shoh se ia paska vlejtur. Dhe s’kishte faj: Rruga e gjatë dhe tepër e lodhshme i stërmundonte udhëtarët. Por kohët ndryshuan dhe rruga e shtruar vitet e fundit e ka bërë më të lehtë ardhjen këtu. Kodrat e sistemuara me vreshta e ullinj të veshura me petkun e gjelbër e, që sigurisht, të lënë përshtypjen e përkujdesjes së banorëve ndaj tokës dhe pemëve frutore. Mushkëritë tona filluan të mbushen me ajër të pastër dhe sytë me gjelbërimin e pafund të kodrave në të dy anët e rrugës. Qielli i kthjellët, lartësitë malore dhe flladi i lehtë i mëngjesit e lehtësonte më shumë udhëtimin për të na mundësuar edhe shijimin e kënaqësisë së peisazheve interesante. Tingujt e këngëve elbasanase përhapeshin nga buzët e Albert Tafanit, i cili i valëviste ato, me një drithërimë të veçantë, teksa buronin nga kasetofoni i makinës së Bardhit. Si në ekran i kalojmë me radhë vendbanimet, duke kthyer kokën sa në një anë në tjetrën, për të mos na shpëtuar pa parë asnjë grimë të kësaj bukurie rurale. Çajmë përmes Hajdaranit, lëmë mënjanë Mlizën, që për nga pozicioni i relievit të le mbresa me ndërtimet e reja e të shumta, dy e trekatëshe. Askush nuk mund t’i rezistojë një kënaqësie  të tillë tunduese si kjo, e cila shtohej, kur nga lart vështronim qytetin e lashtë dhe modern të Elbasanit, lumin Shkumbin, malin e Krrabës, që janë sfondi i kësaj panorame. Pa kaluar shumë ja ku na shfaqet me gjithë pamjen e tij Shelcani, në shpatull të Shpatit historik, sikur të nanurisej i shtrirë në prehërin e kodrave dhe nën hijen e pemëve të gjelbërta. Por, ajo që përveç panoramës e bën atë më interesant dhe më të dëgjuar në Shqipëri, është Kisha qindravjeçare e Shënkollit, e veçantë në llojin e vet,që njihet edhe me emrin, e Onufrit, ikonografit më të madh të shekullit XVI. Kjo kishë është mjaft befasuese për vizitorët sepse, në mënyrë të pavetëdijshme të krijon një kënaqësi estetike dhe admirim të veçantë. Askush nga ata që kalojnë pragun e saj nuk mund të mos mbetet i shokuar dhe mahnitur të përballet me dorën mjeshtërore të piktorit, Onufrit të madh.

Vazhdojmë rrugën drejt lartësive të krahinës së Shpatit. Tutje, në largësi, nën velin e shtëllungave të bardha të reve, shikimi të përplaset mbi peizazhin e papërsëritshëm të malit Bukanik, një bukuri e gjelbër, që kërleshet çdo mëngjes, para se rrezet e diellit të përflakin majën e tij, me mjegullën e dendur. Në shpatet e thepisura veriore të tij ende shikon pllaska të bardha bore, sikur shpinën e një qeni laraman. Të duket se ky mal ka marrë bekimin nga Zoti për të qenë përjetësisht i gjelbër, i mbuluar me pisha, duke krijuar kurorën e mrekullueshme të kësaj krahine, e cilësuar edhe si mushkëria e qytetit të Elbasanit. Nga aty të ulet në pëllëmbën e dorës një pjesë të fshatrave të Shpatit: Lleshani,Valshi, Selta, Sterstani, Probati, Gjinari. Po nga aty, ku kjo pikë natyrore vrojtimi sundon natyrën deri tutje në krahinat e Tomorricës, Vërçës, Sulovës dhe malet: Tomorrin, Valamaren dhe Shpiragun.Pas dredhave të shumta të rrugës kalojmë Lleshanin e njohur me krenarinë e dikurshme e të fshehur në legjenda. Mes nesh endet fjala rreth një kalaje antike, por të rrënuar tërsisht. Arbeni, poeti vendas dhe njohës i historive të krahinës, nis e tregon për kalanë e Lleshanit, të ndërtuar në një majë shkëmbore të thepisur, rreth 1200 metra të lartë. Vendi ku ndodhet kjo kala është një fakt që vërteton lashtësinë e këtyre territoreve. Disa metra larg rrugës, në krah të majtë ndodhet një pemë madhështor (dushk), monument natyror i mbrojtur nga shteti. Nuk mund të vazhdosh më tej pa e vështruar disa minuta kurorën madhështore të këtij dushku mbushur me legjenda. Dhe biseda jonë fokusohet në lashtësinë e tij. Edhe pse legjendat rreth tij janë thënë e stërthënë, ne na vjen mirë t’i përsëritim ato sipas mënyrës sonë. Thonë se Dushku i Lleshanit është mbi 700 vjeçar. Ja, si e tregon Arbeni legjendën, që ka lidhje me të, sigurisht të dëgjuar nga të moshuarit: “Një fëmijë i vogël (djalë apo vajzë, legjenda nuk e përcakton), mbytet nga një lende dushku. Nga lendja që kishte në fyt fëmija i varrosur këtu mbin dushku, ndaj ka mbetur i shenjtë edhe si vend varresh” Si kujtim të ardhjes tonë, pranë këtij dushku madhështor, Verjoni propozoi të bëjmë fotografi. Dhe kështu bëjmë. Ndërkohë kemi kohë për të treguar edhe ndonjë histori me humor. Secili tregon prej tyre. Shumë të bukura. Qeshim dhe vetëm qeshim. Ndaj dhe këto çaste gëzimi lenë mbresa e frymëzimi ndër ne.

Pasi lëmë pas këtë monument natyror, duke dredhuar rrugën, para syve të shfaqet Gjinari i shtrirë nën këmbët e malit të Bukanikut. Ai është një vendbanim me histori në përpjekjet për liri e arsim. Peisazhi i tij me të vërtet i bukur.Ajri i pastër, gjelbërimi, e maja e malit, kanë krijuar këtu një peizazh magjepsës, por  është sot një perlë thuajse e harruar. Gjithandej turizmi po kthehet në biznesin fitimprurës, ndërsa këtu ai pak ndihet. Kjo është pasojë e mungesës së investimeve që janë fare të vogla. Vetëm në muajt e nxehtë të verë këtu i kalojnë pushimet shumë pak familje, të strehuara në shtëpitë e banorëve. Dikur para 20 vitesh, jo vetëm në muajt e verës, por edhe vjeshtë e dimër, Gjinari mbushej me të ardhur nga Elbasani,Tirana, Durrësi, madje edhe vizitorë të huaj. Dhe ngjante me një qytezë të begatë, të mbushur me të gjitha të mirat. Ato pak gabina prej druri ofronin mundësi të shumta pushimi  dhe gëlonin. Ndërsa sot kabinat e dikurshme të pushuesve tek – tuk dallohen me skeletet e tyre të kalbëzuara si rrënoja lufte. Tranzicioni i stërzgjatur i shkatërroi. Ringjallja e turizmit, aty këtu me pak bar kafe dhe restorante si një mundësi e madhe që u ka falur natyra, në Gjinar, duhet të shfrytëzohet akoma më shumë. Por kjo duhet bërë dhe mbeshtetur nga të gjithë.   Nuk mjaftojnë kronikat e pakta televizive të TV lokale as fotot e peisazheve të Shpatit, që postohen në rrjetet sociale të komunikimit, por kërkohet një strategji për zhvillimin e turizmit me krijim të kushteve më të përshtatshme për pushime ditore, por edhe të gjata, reklama promovuese nga drejtuesit e pushtetit, që më së shumti janë të fjetur në ide konkrete. Kjo patjetër do të sjell më shumë vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë. Ky udhëpërshkrim ndoshta do të ngjall një farë interesimi, që të pushojnë sa më shumë në këtë perlë të harruar.   Po, duhet përgëzuar puna titanike e Ardjan Bërdufit, fotografit artist të kësaj treve, si një promovues i turizmit në Shpat. “Është një pasion për të treguar vlerat që ka Shpati, i cili po zhvillohet dhe kur peisazhet e bukura vizitohen ndihesh mirë, shkruan ai. Promovimi e zhvillimi i  krahinës ndihmon banorët në rritjen e të ardhurave ekonomike,duke ftuar sa më shumë vizitorë, dhe kjo kërkon investime, që të hapen sa më shumë vende pune, e më shumë të ardhura të kemi, ndaj nuk duhet pritur nga qielli, por sëbashku të ndërtojmë të ardhmen pasi ka shumë faktorë që ndikojnë në ecjen përpara kundrejt llogjikës së interesave të cunguara politike. Natyrisht, Gjinari po vizitohet thuajse çdo ditë. Po bëhen përpjekje për monumentet e kulturës apo të natyrës,siç janë Dushku në Lleshan, Kanionet e Valshit, kishat etj. Shpati me kostumet popullore, apo punimet e dorës, që janë një karakteristikë e kësaj krahine dhe evidente, jo vetëm nëpër festat familjare. Të bën përshtypje ftesa e tij. Unë persanalisht ftoj vizitorët, se do të ndiheni të kënaqur mes bukurisë malore të Shpatit punëtor, e mikpritës,por edhe të shijojnë shumëllojshmërinë e produkteve bujqësore-blektorale dhe cilësinë e tyre Bio. Mirsevini në Gjinar, Shpat, Elbasan, Albania!”

Qëndrimi ynë në Gjinar është i shkurtër. Duke u larguar nga Shpati, nga panorama pamore e tij, nën soditjen e perëndimit të diellit, në këto lartësi, përjetuam kënaqësi të veçantë. Sa e bukur e qetësuese për shpirtin kjo pamje. Dielli ndriçonte mbi çdo gjë, mbi ndërtesat, malin e mbuluar nga pishat ku flladi lozte ëmbëlsisht, duke bërë tejet të gëzueshme ardhjen tonë dhe mundësinë për t'i soditur ato. E të gjitha këto s’janë gjë tjetër veçse pjesë e një peizazhi interesant, një perlë të harruar. Mrekullia e peizazhit të fton ta vizitosh përsëri.

Dushku i Lleshanit, monument natyror i mbrojtur nga  shteti


Fruti i qershisë që në Shpat kultivohet shumë


Kabinat e dikurshme për pushuesit në Gjinar


Kisha e Shelcanit


Liqeni i Bukanikut


Masivi pyjor i Bukanikut


Mirsevini në Gjinar


Peisazh në Shpat


Piktura murale e ikonografit, Onufri


Pishat madhështore në  Bukanik


Rruga e shtruar vitet e fundit


Shkëmbinjë  të gdhendur nga rrjedhat ujore


Ujëra që rrjedhin nga mali i Bukanikut