Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Deri kur?
E shtune, 27.06.2015, 04:07 PM
DERI KUR?
POEZI NGA PËLLUMB GORICA
ATJE KA LUFTË
Larg shumë larg, në botën e pafajsisë,
atje ku syri pikon lot përdhe,
thellohet honi i marrëzisë
dhe zhurma ngrihet gjer në re.
Sa duar ngrijnë larg dashurisë,
sa zëra thërrasin për pak gjak
atje ku plumbi hyn në mish,
jeta kacidhe, kushton pak.
E unë çjerr dhembjen e pafaj,
ju godas si thikë deri në zemër,
çdo ndenjë që lind e vdes prej saj,
jeta rrjedh, s’mbetet pa emër.
DERI KUR?
Më vjen në mëndje kjo pyetje
që gjithë jetën do më mundoj
a do të gjendet një përgjigje
apo kështu do të vazhdoj?
Dhe po u kthye Bota përsëmbari,
të filloj një jetë e re më e bukur,
unë qiejt do t’i puth i pari
ta heq nga koha si natë të trishtuar.
Të flak mallkimin e dikurshëm
me vrasje, tmerre edhe krim
këtë kohë që vret e prek kaq dhunshëm
të marr fund ky shkatrrim.
KRONIKË VRASJE
Vjen një kujë si klithmë shpirti
ku tinzare shtrihet nata,
fryn një fllad e diçka nxiti
një krisëm ndihet përjashta.
Sirenat çmendin gjithë qytetin,
fëmijët i zgjojnë nga shtrati,
këto zhurma kobi diçka fshehin,
këtë, tashmë, as unë as ti se di.
Sy goditës, vetull lëvizëse,
nerv i nxehtë në çaste nxitimi,
hundë përpjetë, gojë bërtitëse,
njeriut të gjorë i humb durimi.
A thua humbi në barkun e natës.
Në ç’paragraf akuza ngeli?
Mbi varri e të vrarit,
vazhdojnë të ndizen qirinjtë,
ngado të ndjek vështrimi i djallit,
ngado përgjojnë të zinjtë.
Oh ç’marrëzi që po kalojmë.
Ç’gënjeshtra të vërteta,
vrasësi fshehur jeton i qetë,
njeriut i ikën jeta.
TË JESH NJERI
Të jesh plotësisht njeri sot
s’do të thotë të jetosh.
Të kesh dinjitet në botë
s’do të thotë ta meritosh...
Kjo fjala njeri është e vështirë
s’do të thotë vetëm të flasësh,
duhet kuptimin t’ia dish mirë,
si engjëllit duhet t’i ngjasësh.
Në botë miliarda njerëz kërkojnë
me ngulm një emër,
bërtasin, si shpirti që kanë
por gjithçka e thonë pa zemër.
Gjurmët i mbulojnë në harresë,
nën portretin formal të arsyes.
Por logjika ka kujtesë
gjer në caqet e fundit të vetes.
Tërbohen pas dëshirave të marra,
duart fshehin me fashot e dritës,
kryqëzohen mes fjalëve të vrara
pastaj fshihen netëve prej frikës.