E shtune, 05.10.2024, 01:39 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Thesarët antikë të Sulovës

E marte, 31.05.2016, 08:54 PM


Autori i shkrimit pranë murit të kalasë

THESARET ANTIKE TË SULOVËS

NGA PËLLUMB GORICA

Një udhëtim drejt Sulovës së Sipërme të Gramshit është një mundësi e mirë për të shfletuar faqe pas faqe “librin” e thesareve të saj, sidomos kur udhëton për herë të parë këtyre anëve. Kjo krahinë shtrihet në një reliev të copëtuar me ulje ngritje, lugina, kodra, përrenj, dhe vendbanime me peizazhe magjepsës. Sapo shkel këtu përshëndetesh nga reflekset e rrezeve të diellit, ajri, gjelbërimi, konturet e thepisura të malit mitik të perëndive të lashta, Tomorrit. Me Tomorrin përballë ke në vetvete një ndjesi plotësie dhe sigurie, pse jo edhe të një krenarie të brendshme që je kaq pranë tij. Kjo është ajo çka përbën mbresën e parë, e cila të godet bukurisht në këtë zonë ende të virgjër të Shqipërisë. Themi të virgjër pasi Sulova nuk është studiuar si duhet. Ajo përmban në vetvete dëshmi antike të kulturës së lashtë, thesare të qytetërimeve të vjetra, por edhe të mëvonshme. Veç historisë në trevën e Sulovës ndesh tradita, që s’i gjen gjetkë, tradita që kanë origjinë të hershme, ndoshta edhe mesjetare e përtej mesdhetare, në thelb të mira, me filozofi dhe mençuri brenda, me shpirt dhe një sinqeritet. E përmendim këtë fakt si një krenari të banorëve të këtyre anëve, si një pasuri që është ruajtur dhe pasuruar brez pas brezi. Dyert si dhe zemrat e banorëve të kësaj treve, janë të hapura, ato shndritin e gufojnë nga respekti për mikun, udhëtarin, muhabetin, këngët e rakinë.

Drurë lisi që rrethojnë kalanë antike të Irmajt

Pamje që kërkon t’i shijosh thellë

Do të duhej miku im e i të gjithë sulovarëve, studiuesi Petrit Basha, që më bëri të realizueshme këtë udhëtim. Me ne është edhe djali i tij, Isai, bashkudhëtar në këtë mëngjes vere, atje, në lartësitë e Sulovës së Sipërme me qetësinë, freskinë, aromat, bisedat, këngët dhe me shumë foto artistike. Kalojmë lumin Devoll që rrjedh në vazhdën e tij të stërlashtë ndërmjet brigjeve, diku pa u ngutur, diku i rrëmbyer e kumbues mbi zajet ngjyra-ngjyra. Duke ndaluar herë në një peizazh e herë në tjetër, sytë prekin gjelbërimin e harlisur dhe ngrohtësinë e stinës. Një mjegull resh të brishta dhe të praruara në qiell, pak nga pak iu zënë sytë rrezeve të diellit që ngrihen lart. Tutje në faqe të një kodre të veshur me bar e lule tingëllojnë këmborët e një tufe delesh si melodi plot emocion.

Makina gjarpëron në rrugën plot kthesa malore, që herë i le vendbanimet në krah dhe herë kalon afër tyre. Secili nga këto vendbanime paraqitet me karakteristika të veçanta. Është krejt e natyrshme se natyra u ka falur këto vende për të jetuar e zhvilluar jetën. Emra vendbanimesh që përqasin idenë e origjinës së tyre të vjetër: Shëmriza, Ostenthi, Duzha, Lubinja. Me shtëpitë çatikuqe të zhytura mes gjelbërimit, janë shumë tërheqës. Tokat e parceluara janë të mbjella me rreshta të drejtë e të ndarë nga njëri-tjetri me pemë frutore degërënduara nga prodhimet si: dardhë, qershi, mollë, shegë, ftonj, kumbulla, rrush. Si një lidhje me natyrën e freskët spikat dora e mendja e banorëve që e duan punën, përpjekjet e tyre për të përballuar jetën, për të punuar e gëzuar frytet e prodhimit. Teksa i përjeton mrekullisht peizazhet natyrore, shto këtu edhe ato historike, impresionet janë të fuqishme, vetvetiu ndjen paqe e kënaqësi në shpirt.

Fragmente e murit  të kalasë së Irmajt, të stilit  cikllopik

Imazhe trishtuese

Ndërsa endesh nëpër këtë trevë të bukur, ndjen një mungesë të theksuar të kujdesit nga shteti. Infrastruktura rrugore është ajo e socializmit, madje në disa fshatra edhe më keq. Një pengesë për rrugët është edhe mosinteresim i pushtetarëve, me mendimin se ç’duhen rrugët atje kur fshatrat malorë po boshatisen.Mungesa e rrugëve ka sjellë një sërë problemesh ekonomike, por edhe sociale. Prodhimet nuk tregtohen, pasi tregu është larg, shkollat janë boshatisur, ambulanca shëndetësore nuk ka më. E vetmja rrugë mbetet braktisja e fshatit, ikja në qytete. Por edhe kjo tani është vështirësuar, nuk iket më me“xhaketë në krah”. Në pamundësi për të nxjerrë fitime me mënyra të ndershme, shumë njerëz u janë turrur pasurive natyrore, duke i shfrytëzuar barbarisht ato. Shembulli më i keq i trajtimit të natyrës është prerja pa kriter e pyllit, djegia e tij dhe gërryerjet e tokës, një masakër që ka tronditur ekuilibrin e ekosistemit të kësaj zone.

Ndalojmë paksa për t’u çlodhur. Peizazhi është tepër trishtues. Kemi përballë një pamje rrëqethëse ku pylli është djegur, e diku më tej është rrafshuar nga prerjet. Një plagë e hapur që ndoshta edhe shekujt nuk do ta riparojnë dot. Një gjurmë rruge, krejtësisht e përpjetë, nëpër një peizazh gjelbërimi të harlisur, të çon në majën e kodrës më të lartë të Sulovës (980 m).Ndalemi në një burim, ku freskohemi, dhe thithim ajrin e ngarkuar me aromën e luleve. Çifte zogjsh ngrihen me rrapëllimë nga korijet dhe japin koncert me cicërimat e tyre. Kodrat dhe pyjet e Sulovës me shumëllojshmëri drurësh: lis,frashër, panjë, akacje, mëretë, shkozë, etj kanë favorizuar rritjen e shumë shpendëve dhe kafshëve të egra që nga thëllëzat, turtujt, mëllenja, guhaku, shkurtëza, murgëza, bilbili, qukapiku, sorra, skifteri, bufi, lepujt, derrat, dhelprat, ujqërit etj.

Kunjëza e Madhe në majën e së vilës gjendet Kalaja e  Iramajt

Hap pas hapi në gjurmët e toponimeve

Përkundrejt bukurive natyrore, rruga kalon nëpër një truall të braktisur me gjurmë të lashta. E ç’duan të thonë ato pak gjurmë në këtë territor të braktisur? Petriti, i lindur dhe rritur në Sulovë, në rolin e ciceronit ligjëron për vendet ku kalojmë, për vendbanimet anës rrugës e për çdo gjë tjetër. Si njohës i mirë i trevës, Petriti ka mbledhur një pjesë të kësaj trashëgimie në një tufë librash për Sulovën, për vlerat e saj, njerëzit, virtytet e sulovarit ndër breza. “Ajo që të bën përshtypje në krahinën e Sulovës – të thotë Petriti -është dendësia e toponimeve të shumta, që tregojnë ekzistencën e vjetër të banimit në këto troje. Kohërat me luftërat rrënuese, epidemitë vdekjeprurëse, hasmëritë, ndryshimet sociale me largimet kanë bërë të vetën. Por toponimet, si besnike të historisë, kanë mbetur. Pa u marrë më shumë me etimologjinë e tyre, në shumicën e tyre kemi të bëjmë me fjalë shqipe të vjetra.

Kalojmë në pjesën juglindore të kodrës ku mendohet se ka pasur një liqen të vogël, vendi tani ka emrin Liqedhës. Ai duhet të jetë formuar nga marrja e baltës (dheut) që përdorej për punishtet e qeramikës në qytetin antik të Kodrionit. Me kalimin e kohëve liqeni është tharë dhe mbushur me dhera, por ruhet forma në tri anët kryesore të një gropë të stërmadhe. Dikur këtu jeta njerëzore ka lulëzuar, por sot ka pak gjurmë nga e kaluara e hershme. Siç ndodh me shumë vendbanime malore në Shqipëri edhe në këtë trevë është përhapur braktisja e vendbanimeve, duke lënë pas natyrën e bukur, ajrin, varret e të parëve. Të pikëllon shpërngulja e Irmajt. Heshtja i ka mbuluar shtëpitë, arat, pyllin. Mungesa e kushteve për të jetuar bëri të rendin drejt fushave, qendrave të mëdha të banimit dhe qyteteve në kërkim të një jete më të mirë. Pas disa vitesh do të kthehet në gërmadhë e ndoshta do të zhduket, gjë që të bën të ndjesh keqardhje për këtë vend të braktisur nga papërgjegjshmëria e një kujdestari të pakujdesshëm dhe indiferent që quhet shtet.

Me studiuesin Petrit Basha

Shekujt, arkivë e historisë së këtyre trojeve

Nga kjo kodër e lartë ku jemi, nën këmbë kemi rrënojat e Kodrionit të lashtë, ndërsa vështrimi tej e rrok krahinën e Sulovës, Nahijen e Beratit, Vërçën, Shpatin, Tomorricën nën këmbët e malit Tomorr. Për studiuesin Petrit Basha, kjo kodër duhet kthyer në një pikë historike e turistike, që harresa të mos i mbulojë me pluhurin e saj. Fatkeqësisht qyteti antik i Kodrionit dhe Kalaja e Irmajt po shndërrohen në rrënojë nga disa sharlatanë që kërkojnë ar.Të shkatërrosh, do të thotë të zhdukësh një vlerë të kohës së largët, një thesar të saj. Dhe nuk ka si të mos indinjohesh, ashtu siç indinjohet çdokush ku gjithnjë e më shumë e mira dhe e drejta po humbasin terren. Shëtitim mbi rrënojat e qytetit të Kodrionit të Dasaretëve të lashtësisë. Sipas autorëve antikë, Dasaretët banonin në një trevë të gjerë rreth liqenit të Ohrit, fusha e Korçës, krahinat e Kolonjës, Gorës, Oparit, Mokrës, Devollit, Skraparit, Tomorricës, Sulovës, Beratit dhe ishin të përmendur si bujq e blegtorë të mirë. Qyteti i harruar në përjetësi, i shkatërruar e i braktisur në kohëra, mendohet se është 2400-vjeçar. Ky fakt përmendet nga studiuesit Frano Prendi e Dhimosten Budina.

Për këtë qytet Petriti tregon se është themeluar në shek. IV–III p.e. sonë dhe ka vazhduar deri në periudhën e mesjetës. Ka pasur lidhje me qytetet antike të Apolonisë, Dyrrahut, Amantias, Antipatreas, Bylisit, Pelionit, Dimalit etj. Gjatë gërmimeve janë gjetur tjegulla kolyptere, amfora, pitosa, pjata, kupa dhe solene, kandila vaji,etj; enë metalike, vegje enësh, kova, kullese bronzi, fibula bronzi, varëse zbukurimi. Në qytetin antik të Kodrionit janë gjetur edhe monedha të Apolonisë,Dyrrahut,Aleksandërit të Maqedonisë etj.

Shkelim në toponimet Erciros, Hija, Mullezë, Murza, Gropa e Thanës. Secila ka ndonjë histori. Psh, për kodrën Kunjëza e Madhe thonë se kur luftonte armiku që ishte jashtë mureve të Kalasë, nuk i shihnin dot se sa ishin aty brenda, ndaj për t’i parë, ngritën këtu këtë maj kodre si kunj. Në shpatin e pjesës jugore të kalasë gjendet një toponim tjetër interesant, Gjurma e Mushkës, ku në dy gurë të mëdhenj janë gjurmët e goditjeve të patkoit të kalit.

Muret cikllopike të kalasë së Irmajt

* * *

Historia shumë herë tregohet nga dëshmitë e gjalla, gurët, muret, mënyra e ndërtimit të tyre, që flasin shumë. Fragmentet e mureve të kalasë së Irmajt qëndrojnë në këmbë, duke sfiduar rrjedhat e kohës, të rrethuar nga gjelbërimi i thellë i drurëve të lartë e të dendur. Ajo ndodhet 980 m mbi nivelin e detit. Historia e saj humbet në mjegullnajën e kohërave, rrethuar nga pëshpërima historish gojore e legjendash, të cilat janë të shumta. Shumë pak është shkruar për të dhe muret ciklopikë, me gurë të vendosur në radhë njëri mbi tjetrin. Mure të ngjashëm, dhe po aq madhështore i hasim edhe në Daoroson (Hercegovinë) në Medun (Mal të Zi), por edhe në Tirsës afër Mikenës. Këta mure janë ndërtuar prej shekullit XIII para krishtit dhe ndoshta më herët. Por nga kush janë ndërtuar do pyesnim? Arianët do kishim thënë, Kurganët, një tezë e besueshme se nga “kur” në "gur", ku "G" është bërë "K". Pra këta kurganët (gurmanët), ndërtuesit e mureve prej guri, dolën prej brigjeve të detit Kaspik rreth vitit 2000 para krishtit. Ata erdhën edhe në Ballkan e shkuan deri edhe në Skoci. Njëherë shkatërruan çdo gjë, por pastaj ndërtuan. E dyta hipotezë; para se të vinin Kurganët, i gjithë Ballkani ishte popullsi e ardhjes së Skitve të bardhë, që pa dyshim ishin pellazgët rreth 500 vite para Kurganëve, që edhe këta vinin nga ato vendet e Kaspikut. Mirëpo kemi edhe një popull tjetër para tyre, ishin Kimerianët, të cilët kishin ardhur pas Hiberve të lindjes e që nuk qëndruan kohë të gjatë në Ballkan. Ata ikën në Apenine e që andej në gadishullin Iberik. Të gjitha këto migracione të tri shtresave që i përmendëm, kanë ndodhur prej 2700 para krishtit e deri më 1900 para krishtit, kur erdhën edhe nga Anatolia popuj të tjerë. Nuk ka mundësi që këta të kishin ndërtuar këto mure, sepse qëndruan vetëm tre shekuj, por, nga pozita gjeografike e Sulovës përputhet kjo teori me kohën e Deukalionit që pushtoi Greqinë e sotshme. Ai ishte persekutuesi i pellazgëve që kishin ardhur para 400 vitesh (-1900 para krishtit) nga Anatolia dhe ndoshta këto mure janë të kësaj periudhe, prej 1400 para krishtit e deri 1200 kur ndodhën invadimet doriane drejt Mikenës e ishujve Egje. Pra, janë këto tri mundësi, pa e harruar edhe tjetrën, se populli më i vjetër në Ballkan si autokton duhet të ishin Lapitët dhe Molopët, por, tepër interesante është se edhe këta ishin armiq të përbetuar të pellazgëve të ardhur nga Anatolia, dhe me disa sulme që morën i ndoqën tej Thesalisë. Studiuesi Mathieu Aref mendon se edhe këta ishin pellazgë. Lapitët ishin malësorë shumë të ngjashëm me Hiberët, pra nga ky grupi i parë i migracioneve që një pjesë e tyre vijoj rrugëtimin drejt Italisë së sotme, arriti në vendin e Baskëve, ku për nga veshjet popullore kanë ngjashmëri mes baskëve dhe labëve. Të gjitha sa thamë më sipër, për pozitën gjeografike të Sulovës, janë të mundura, edhe ato të kohës kur ndërtoheshin muret ciklopikë.

***

Në hapësirën e një sheshi, nën hijen e lisave të moçëm, të joshur nga pamjet dhe mrekullitë rreth e rrotull, kënaqësia e një dite të kaluar këndshëm, mbyllet me drekën tradicionale të njerëzve të mirë të Sulovës, që edhe këtu nuk harruan “rakinë me opingë” me “dollinë sulovarçe”, që zë emër për emër, që përmend e ngre shëndete për të vegjël e për të mëdhenj, për të afërt e për të largët...


Mali Tomorr


Muret e qytetit të Kodrionit


Pëllumb Gorica



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora