E hene, 14.10.2024, 02:52 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Kulla e Kamunaut, një kala ilire

E shtune, 08.10.2016, 08:34 AM


Kulla e Kamunaut

KULLA E KAMUNAUT, NJË KALA ILIRE, QË "DREMIT" NË HARRESË

NGA PËLLUMB GORICA

Krahina e Sulovës shtrihet në jug të Shqipërisë, në këmbët e shtatores Tomorr, malit të perëndive. Thepisjet e tij thyhen në kodrat shkëmbore të Sulovës. Ajo shquhet për pasuritë e pashtershme kulturore, arkeologjike nëntokësore, dhe mbitokësore, që nga thellësia e kohërave antike me dëshmi si Kulla e Kamunaut, kalaja e Irmajt, qyteti antik i Kodrionit, nëndega jugore e rrugës Egnatia, Kalaja e Qafës, Bazilika dhe vendbanimi mesjetar i Klosit etj. Në rrjedhën e përzier të shekujve një pjesë e tyre deri në ditët e sotme janë shkatërruar, ose janë duke u zhdukur plotësisht. Kjo mjegull e bën të vështirë qartësinë e ndërtimeve dhe rëndësinë e tyre, por që përbëjnë një material me mjaft interes njohës për historinë tonë antike. Ndaj të evidentohen më shumë vlerat e humbura ose pak të njohura të kësaj krahine me pasuritë tepër të rralla, edhe atyre që nuk kanë mundur t’i rezistojnë kohërave të egërsuara nëpër shekuj, të cilat kanë vepruar barbarisht, duke larguar pluhurin e rënë mbi to. Së toku me objektetet e lashta, edhe legjendat e misteret e tyre që gëlojnë anëkënd, duhen  zbardhur e zbuluar në zhbirimet e thënieve dhe konkluzioneve shkencore për historinë, që na bën të ndihemi pse jo edhe krenarë. Të dhënat historike janë baza kryesore, sepse pa to historia nuk ekziston. Një prej dëshmive më interesante në këtë krahinë,  Kulla e Kamunaut, një kala ilire, si vendbanimi më i hershëm në Sulovë, që "dremit" prej shekujsh, e lënë në harresë, mund të mbetet zgjuar në çdo kohë

Kulla e Kamunaut i kalon një nga një shekujt, dhe është një copëz e historisë sonë të lashtë ilire. Sa interesante për vlerat do të ishte për kureshtarët me kërshëri jo të zakontë për të mësuar rreth saj. Materiali i pasur arkeologjik  zbuluar nga arkeologë dhe specialistë të fushave përkatëse u jep mundësinë atyre, që ndërmjet kërkimit dhe hulumtimit të fakteve të përftojnë argumente të sakta, edhe për zanafillën e kësaj kalaje ilire. Kjo kullë është e kohës antike, por emri i saj i hershëm endet në heshtjen e harruar të shekujve.

Kuptimin e sotëm të emrit të Kullës së Kamunaut disa studiues e nxjerrin nga bullgarishtja: Kulla e gurit; Kulla e Shkëmbit, dhe në disa raste e quajnë Kulla e Petras. Në përgjithësi toponimia e kësaj krahine, si gjithë krahinat rrotull saj, kërkon shpjegime më të studiuara, sepse dyndjet shekullore të ardhacakëve me forcën e vendimeve zyrtare të pushtetit ushtarak e administrative vendosën emërtimet e tyre. Kjo forcon mendimin e mësipërm se prirja e tyre ishte tjetërsimi i emërtesave të toponimeve. Një pjesë mjaft e madhe u ndërruan me pagëzime sllave. Ndaj duhet ndjekur edhe linja e emërtimeve popullore për t’ju afruar të vërtetës. Pa hyrë në shpjegime më të thella etimiologjike të fjalës, ky emërvend ka diçka interesante. Me ndryshimet fonetike është toponimi Kulë, që prej saj e merr emrin edhe kodra, qafa, rruga këmbësore që kalon aty afër.  Por edhe moria e toponimeve të tjera  rrotull saj, të cilat padyshim mbartin histori, të mbetur në kujtesën e kohës si: Kalaj, Mertelena, Gjimolla, Zhavur, Lumarake, Vilëza, Guri i Bletës, Shorra, Qyraze, Murza, Bokafet, Muzga, Gjeduda, Dardalush, Gomrri, Dardalilaj etj.

Kodra ku ndodhet Kulla e Kamuaut shfaqet si piramidë, tipike zotëruese dhe majë të sheshtë, si një kështjellë natyrore e përshtatshme për t’u mbrojtur nga çdo rrezik, ndonëse lartësia e saj nuk i kalon të 500 m. Ndërtimi i Kullës së Kamunaut në këtë pozitë të lartësuar ka edhe një veçori orientuese. Kjo kodër ka disa taraca të valëzuara, që përfundojnë qindra metra më poshtë atje ku derdhet një lumë i vogël.Bashkëlidhje me të qëndron vargu shkëmbor i lartësive të Sulovës, të cilat njihen Gorica, me hamendësime të ndonjë prirje tronditjesh gjeologjike të ndodhura në kohëra tepër të hershme, që nuk i kalojnë  811m. Ato të shtrira në kufijtë lindor të luginës së Devollit me një pozicion dominues, dhe që shërbejnë si fortesa natyrore, sot të zhveshura nga vegjetacioni, por se nuk ka qënë kështu, të mbuluar nga drurë shekullorë lisi sa nuk dukej rrezja e diellit kur kaloje. Mjafton të qëndrosh pak çaste aty e të vështrosh gjithë këto peisazhe, që të sjellin kënaqësi, e mburr panoramën, ajrin e pastër, qetësinë paqsore të luginës së Devollit, dikur në lashtësi një fushë  moçalore dhe një rrugëkalim udhëtarësh e ushtrish. Por nga lartësia e saj ke në pëllëmbë të dorës një vijimësi fushash, kodrash, malesh, qytetesh e krahinash të tjera. Kushdo mund të pyes: Këto bukuri që ka krijuar natyra – sa të zot jemi ne t’i ruajmë. Sepse konfiguracioni i saj po pëson ndryshime si pasojë e zhveshjes nga drurët dhe gërryerjet që i bëhen materialeve të gurta.

Këto pamje shkëmbore kanë një konfiguracion interesant me thepisje, rrjedha uji që derdhen në lumin Devoll, dhe shpella. Ato kanë disa dukuri ku shpesh hyrjet janë të vogla, por edhe të thelluara në ndarje, ndërsa brenda tyre zgjerohen me përmasa të tilla, aq sa mund të strehohen disa njerëz dhe kafshë. Shpellat të afrojnë interes njohës për tregimet mitologjike fatlena të mjekëve apo priftërinjve, që i shfrytëzonin për peligrinët, të cilët vinin për të kërkuar zgjidhje  për ëndrrat e shqetësimet e njerëzve të tyre. Ishin priftërinjtë e Dodonës që quheshin Selloi, të cilët janë përshkruar nga Homeri si njerëz që jetonin shpellave e flinin shtrirë në tokë, dhe që vepronin sipas një riti të lashtë pagan, duke lexuar kraharorin e shpendëve e shpatullat e kafshëve. Tek qasja në brendësi të shpellave  ke një ndjesi të frikshme nga historitë e treguara. Aty nuk shquan shenja jete, se ndoshta koha mund t’i ketë zhdukur, por legjendat e thurura me mistikën e tyre tregojnë për gjurmë të Dodonës pellazgjike. Për këto shpella nuk është bërë asnjë studim, e që duhet një shtysë e studiuesve spelologë të hulumtojnë, për të vërtetuar rreth legjendave të lashta.

Shpalosja interesante e natyrës së kësaj krahine e kanë bërë që të preferohet në periudhat më të lashta për të ndërtuar  kala të fortifikuara.

E pamundur të shprehemi më shumë për shtrirjen, megjithëse në një terren të mbuluara nga ferrat, shkurret e barishtet, Kulla e Kamunaut shfaqet në grumbuj gurësh të shpërndarë dhe fragmente qeramike. Përpara këtyre tabllove që të kujtojnë një shkatërrim sikur ka rënë tërmet e ka rrafshuar gjithçka, shpirti të proteston e të revoltohet.Veç ndjen emocion për lashtësinë e saj që është lënë në harresë për t’u kthyer në gërmadhë. Tashmë gjithçka që ka mbetur prej kësaj kulle antike, është si një turrë rrënojash rrafsh me tokën, duke mos të dhënë si duhet idenë se çfarë ka qënë, ndaj duhet një forcë e madhe perceptimi e përfytyrimi për të hedhur dritë, që dikur këtu ka qënë një kala ilire, e një periudhe të hershme historike. Ne, me një ekip televizioni ku realizuam një dokumentar historik hodhëm sytë përreth për të gjetur më shumë se këto rrënoja e të bënim që të flisnin. Mbeturinat e gurëve rrënojë të shpërndarë mbi majën e kodrës dhe në pjerrësinë e saj, që mund të jenë të shkatërruara në kohëra, e vërtetojnë faktin që kemi të bëjmë me një fortifikim antik. Muret në ca fragmente të degraduara, të punuar thjesht me gur nga shtresat shkëmbore deri vonë kanë qënë të plota, por më pas janë marrë nga banorët e zonës për ndërtime të ndryshme. Një fakt domethënës është se aty herë pas here janë gjetur objekte arkeologjike gjatë gërmimeve të bëra nga banorët, dhe pak fragmente qeramike e enë shtëpiake, që kanë vlera të veçanta. Pak metra larg saj gjatë punimeve për hapjen e një rruge është zbuluar një ujësjellës me materiale qeramike. Le të sjellim këtu dëshminë e zbuluar vitet e fundit, një plumbçe qemamike që paraqet interes si gjetje në gjëndje të mirë, e cila mbart vlera të veçanta, dhe që të ngacmon kureshtjen për të gërmuar më shumë.

Nisur nga këto fakte të pakundërshtueshme, pozicionin e përzgjedhur, mënyrën e ndërtimit, ku duhen hedhur gjykime mbi teknikën e ndërtimit, (gjurmët që ruan sot nuk janë të mjaftueshme për të gjykuar rreth arkitekturës), ne gjejmë elementë që e përcaktojnë qartë datimin e saj, edhe pse rete e zeza të së kaluarës e kanë errësuar atë. Me të drejtën e njohjes dinjitoze të historisë ndërmjet objekteve arkeologjike të krahinës së  Sulovës e më gjerë, kërkimet e studiuesëve mendoj se duhen shtrirë më tej. Sepse, gjithësesi dhe gjithëherë ajo është brumi, sidomos për brezat e ardhshëm, që herët a vonë në të tatëpjetat historike sado të dhimbshme të jenë, janë dëshmia më e mirë.

Cila është historia e kësaj kalaje dhe të dhënat arkeologjike për të? Sipas hulumtimeve të arkeologëve e studiuesëve të historisë, koha dhe roli që ka patur ky objekt arkeologjik në këtë pozitë gjeografike, i përket një kulle vrojtimi të fortifikuar, të ndërtuar në shekullin e IV (para erës sonë). Është me vend që t’i referohemi atyre se kjo kala antike është shfaqur në burimet antike si kullë dominuese, e cila kontrollonte një degë jugore të rrugës Egnatia, që vinte nga Ultësira bregdetare,  Apollonia. Ajo zinte një vend kyç në këtë rrugëkalim, dhe ‘‘është ndërtuar në vitet 1000-400, të mijë vjeçarit të dytë para erës sonë’’.Shyqyri Demiri në botimin “Histori e shkutër e trevës së Elbasanit”, faqe 10. Studiuesi, Perikli Ikonomi në shënimet e tij jepte të dhëna për ekzistencën e një qytetërimi të lashtë në këtë krahinë. Ku thekson se: “…mbi malin Gorica, gjendet një kështjellë e lashtë. Në këtë vend ka ekzistuar edhe një faltore tepër e vjetër, por që të shkosh sot atje është e pamundur.” E më tej ai shtonte se: “ Aty gjendet edhe një shkëmb me shumë dhoma në brendësi të tij dhe me një rrugë të thellë të nëndheshme që nuk dihet ku të çon. Nuk është çudi që kjo shpellë të jetë shpella e Sellopisë së Orestiadhës, ashtu siç e ka përshkruar Mollossi te libri i tij (faqe 12. kr. I)”.

Natyrisht vendbanime të tilla të fortifikuara janë ngritur në një hap më të zhvilluar të shoqërisë prehistorike. Dëshmitë gjuhësore dhe historike dëshmojnë se në antikitet me vendosjen e marrëdhënieve skllavopronare dhe me lindjen e qyteteve hapsira gjeografike e këtij territori është banuar nga fisi ilir i Dasaretëve. Në Fjalorin Enciklopedik, Tiranë 20006, faqe 145, shkruhet: “Dasaretët fis i madh ilir, banorë të krahinës Dasaretia, që shtrihej nga pjesa perëndimore e liqenit të Ohrit, në fushën e Korçës, krahinën e Kolonjës, Devoll në Gorë, Opar, Mokërr, e deri në Berat”. Kulla e Kamunaut përmendet shpesh herë thjesht si një qëndër e fortifikuar nga shumë studius të gjuhësisë, arkeologjisë dhe historisë si Eqerem Çabej, Hsan Ceka, Aleks Buda, Gjerak Karaiskaj, Skënder Anamali, Myzafer Korkuti, Shyqyri Demiri, Neritan Ceka etj. Ajo është vizituar nga ata disa herë, por nuk i është nënshtruar thuajse aspak gërmimeve dhe studimeve të mirfillta.

Në librin ‘‘ Historia e Popullit  Shqiptar’’, faqe 79 të botuar në vitin 2000 nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë është shkruar se “... nevoja e mbrojtjes dhe e tregëtisë bën që të lindin në rrugën e komunikacionit edhe një varg vendbanimesh të vogla, të fortifikuara me funksione ushtarake e administrative, të tilla mund të konsiderohet kalaja e Xibrit në Mat, qyteza e Shamit në Kërrabë, ... Kulla e Kamunaut në Sulovë, në rrugën që lidhte Ultësirën bregdetare pas Apolonisë me luginën e Devollit; të cilat gjenden pa përjashtim në të gjitha rrugët e dorës së dytë që përshkruanin truallin e vendit tonë.’’

Studiusi i arkeologjisë, Gjerak Karaiskaj në librin e tij “5000 vjet fortifikime”  shkruan se: “Vendbanimi i fortifikuar ishte më karakteristik i Ilirëve”.

Edhe arkeologu Neritan Ceka në “Gjurmime arkeologjike në krahinën e Elbasanit”, faqe 110 shkruan se: “Kulla e Kamunaut ishte qëndër e fortifikuar e ngritur mbi një kodër zotëruese të luginës së Devollit në shekullin e IV (para erës sonë)”. Mendohet sipas arkeologëve se ajo mund të jetë shkatërruar në vitin168 para krishtit me rënien e shtetit Ilir kur romakët u bënë zotër të vendit (si pasojë e luftrave iliro-romake). Në ndihmë na vijnë autorët e lashtësisë. Straboni(63 p.e.s. – 19 e.s.), bën fjalë për një Iliri shumë të banuar me shumë ndërtesa dhe popullsi, gjë që në kohën e tij çdo gjë ishte shkatërruar.

Duke menduar përpara kësaj kalaje ilire pezmatohesh dhe ndihesh fajtor që s’ke mundur të bësh asgjë, si gjithë banorët e krahinës së Sulovës për të shpëtuar shkatërrimin e mëtejshëm të saj. Erozionet shekullore, siç u theksua më lart, e kanë mbuluar historinë e kësaj fortese ashtu si harresa që gradualisht po e humb këtë objekt të lashtë arkeologjik, dhe ndoshta pas disa kohësh ai do të shëndërrohet në asgjë. Ajo është një shuplakë që ne i japim me dorën tonë historisë antike. Shkatërrimi i saj ka filluar herët. Invazionet e inkursionet shumta të barbarëve, të gotëve, hunëve, etj dhe luftrat e pushtuesëve të mëvonshëm kanë bërë të tyret, duke shkatërruar e shkretuar çdo gjë që nga tempuj e monumentet, kur kalonin në qytete e qyteza, fortesa e kulla, por nuk ka më keq kur është vënë dorë mbi to nga vetë ne shqiptarët: duke ua marrë gurët për ndërtime, apo duke gëmuar fshehurazi e u vënë minat, për të gjetur ar e monedha antike. Institucionet akademike i ka kapluar një heshtje e patolërueshme dhe vrastare. Ata nuk bëjnë asgjë tjetër vetëm lehtësojnë arsyen e tyre të argumentimit të mbërthyer e jo mirëbesues, se janë me qindra kala e vende historike që kërkojnë mbrojtje e studime. Por, edhe për Kullën ilire të Kamunaut është detyrë e tyre që të tregojnë vëmëndje, dhe ta vlersojnë këtë pasuri historike, që hedh dritë mbi jetën e lashtë dhe kulturën e kësaj krahine në periudhat e hershme të ekzistencës së saj. Prandaj, për të gjitha pak a shumë kërkohet t’i përvishen punëve të mira studiuesit, restauratorët, pushtetarët për të shpëtuar atë çka ka mbetur nga ajo, dhe duke bërë gërmime për të zbuluar thesaret e për të plotësuar më mirë boshllëqet që ka për këtë objekt arkeologjik. Historia jonë ka ende nevojë për rishfletime, gërmime, studime se ndryshe brezat do të na gjykojnë për shkatërrimet dhe heshtjen.

- Ndalohet kopjimi i plotë apo i pjesshëm pa lejen e autorit.


Lugina e Devollit


Fragmente muresh


Plumçe e gjetur në Kullë


Qeramikë


Shkëmbinj gëlqeror



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora