E enjte, 28.03.2024, 01:43 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Në vendlindjen e figurave historike

E marte, 24.10.2017, 08:23 PM


Me studiuesin Aqif Ymeri në urën e Vashës

NJË UDHËTIM I PAMBARUAR NË VENDLINDJEN E FIGURAVE HISTORIKE

NGA PËLLUMB GORICA

Një udhëtim me sfond eksplorues, që nuk ngjan me frymën bajroniane të shtegtimit, por që riaktivizon energji të pashtershme ndaj natyrës dhe historisë, për të depërtuar nëpër labirintet, ku dora e njeriut ka ruajtur dritë-hijet e kohërave, kurioziteti e bën "ritualin" tepër pasionant e vizionin shpirtëror të prekshëm.

Relievi i Luginës së Matit me ngjyrën e kaltër të ujërave dhe faqet e thyera të brigjeve shkëmbore, si një tablo mbresëlënëse që ravijëzohet të shpërfaq malet, përjetimet s’i ka njësoj dhe as të pakrahasueshme me të mëparshmet. Ka veçanti në atë mozaik ngjyrash të natyrës, që bëhet frymëzim për piktorin, poetin, skulptorin, arkitektin, studiuesin, (për të gjithë ata, të cilët fshehin pak talent brenda vetes) dhe mund t’i nxjerrin në pah ato. Lumi i Matit me digat e dy hidrocentraleve të para shqiptare, të Shkopetit dhe Ulzës, me liqenet e krijuara prej tyre, të shndërruara në dritë, na rizgjon kujtesën e një kohe aksionesh të mëdha për ndërtimin dhe zhvillimin e Shqipërisë, ku historia flet për muskuj e për burra, të cilët lanë pas këto vepra të mëdha, por edhe këtë peizazh pyjesh si tunel me klorofil. Janë pjesë të peizazhit që ndryshon kilometër pas kilometri, duke të krijuar ndjesi të mrekullueshme. Të shtojnë emocionet edhe vendbanimet me ndërtime të shpërndara, si dëshmi të origjinës shqiptare gjatë shekujve. Përmes tyre hyn thellësive historike të Matit, në rrënojat që fshehin gjurmët e Së Shkuarës, me këmbët e udhëtarëve të huaj, kronikanëve e studiuesve dhe dëshmitë e tyre.

Mati është një tokë e banuar në të gjitha periudhat historike, me zanafillë nga qytetërimi prehistorik i Pellazgëve dhe i Kulturës Iliro-Piruste e më gjerë. Ato sot shpërfaqen, me shtrirje në tuma dhe varre ilire, vendbanime shpellash, objekte të epokës së Gurit, Bakrit, me mure fortifikimesh e qyteza antike, me ura e fragmente kalldrëmesh, etj, të cilat përbëjnë krenari edhe në legjenda, këngë, besime, veshje tradicionale të mrekullueshme dhe plot fantazi që, duke u thurur gjatë shekujve, kanë rrjedhur deri në ditët e sotme si pasuri e pashtershme kulturore apo edhe në epikën krijuese të poetëve të kësaj treve.

Miq që afrojnë kohëra dhe figura historike

Pas kthesave të shumta gjarpëruese, mbërrijmë në qytetin e Burrelit, ku po më priste me buzëqeshje miku im, Hamdi Hysuka, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi” Mat. Pa u shtruar mirë në bisedë me njëri-tjetrin dhe duke këmbyer përshëndetjet e mirseardhjes të kapërcyeshme lehtë, vjen radha e kafesë në këtë pragmëngjesi tetori, si shenjë mirësie që ka rëndësi për pritjen e mikut, në sofrën matjane. Me Hamdiun, ndjehesh këndshëm edhe kur bisedon për historinë.

-Çdo vend ka historinë dhe mençurinë e tij, -thotë Hamdiu. – Ka pasur e ka burra të mençur e fisnikë. Kohërat me trajektore lëvizjesh që lindën me luftra, përplasje, kurthe, kërkuan edhe trimërinë e burrërinë e tyre, që as shekujt nuk i kanë tretur. Mati, si krahinë, i ka dhënë Kombit shumë figura historike: Gjergj Kastriotin, që bën krenar çdo shqiptar; të pakrahasueshmin Pjetër Budin, Rexhep Pashë Matin, Ahmet Zogun, Shahin Toçin e shumë të tjerë, që shkruan dhe ndritën historinë e ndritur arbërore.

Është pohuar se Kastriotët ishin matjanë dhe se në Mat kishin bazat e tyre më të fuqishme, si: kalatë e Stellushit, Petralbës, Xibrit, të cilat ishin fortesa, të të mposhtnin sulmet osmane, por që u shkatërruan pas vdekjes së Kryetrimit nga osmanët e tërbuar. Të tjerë pushtues do të nxitonin të nënshtronin shpirtin matjan, por gjaku i arbërit i thërriste ata, ndaj dhe bashkonin herë-herë armët në kryengritje e kuvende të ndryshme që të mbronin trojet e veta. Dhe si mund të ndodhte ndryshe në këtë vend të përcëlluar në histori, por edhe me patriotizëm për tokën, vendin dhe shtëpinë e tyre; me vuajtje, luftëra për mbijetesë, fitore, humbje, por dhe me fatalitete, shpresa, besim, etj. E kësisoj në atë ecje të Matit, hapi i tyre, herë kthehej në triumf, herë në ndëshkime kolektive.

Kafja, biseda, na prinë të kundrojmë mjediset e gjelbëruara e çlodhësë të Burrelit, që marrin të tjera vlera me statuja dhe buste. Në sheshin kryesor të qytetit përballesh me shtatoren e mbretit të shqiptarëve, Zogu I, birit të Matit, të kthyer këtu tashmë, në monument, në truallin e vet, ku i ra për hise epoka mbretërore shqiptare në fillimshekullin e kaluar. Dhe, pa e ndalur ecjen tonë vështrojmë bustin modest të Gjergj Kastriotit, disi në kontrast me madhështinë e tij e më tej te ambientet e gjimnazit të qytetit, atë të Pjetër Budit. Këta, kanë , aty historinë, që rrezaton për Matin dhe gjithë kombin tonë. Është paradoks që këto buste, të fshihen thuajse larg syrit të matjanëve (vizitorëve patjetër) e të duket sikur nuk u kanë dhënë vendin e duhur nëpër cepa lulishteje, apo oborre shkollash.

Cilido prej shqiptarëve tashmë po përjeton goditjen e dashurisë (madhështisë) për bëmat e figurave historike. Mos vallë jemi në krizë shpirtërore si pasojë e ca shqiptarëve antishqiptarë me qëllime antikombëtare, që po vrasin historinë e lashtë e vazhdojnë të tregojnë instiktet e tyre prej tradhëtari, duke mos lënë figurë historike (dhe jo) pa njollosur e përbaltosur, që të çojnë të ardhmen tonë pa krenari?!

Eh, Shqipërisë s’i ndahet mjegullnaja mbi kokë, edhe pse demokracia që erdhi premtoi se do të ndërtonte një shoqëri vlerash dhe jo "antivlerash" si ajo e Diktaturës. Por fizikisht kjo murtajë e ka lënë litarin jashtë, ku pengohemi, të ngatërruar sa nga një anë, në tjetrën, me ndasi partiake, duke humbur elemente të karakterit tonë tradicional, si: mençurinë, dinjitetin dhe hierarkinë e vlerave. Sepse shoqëria shqiptare dhe insitucionet nuk po gjejnë mënyrën për të pasur një relatë të përgjegjësisë mbi historinë tonë në këto zhvillime të reja, por jemi aty ku kemi qënë, duke ricikluar të njëjtat probleme me të njejtët protagonistë e ide. Por mbase erërat që po fryjnë do ta pastrojnë qiellin e bukur shqiptar nga retë që të shohin horizonte me dritë dhe të japin shpresë.

Ftesë në vënde historike

U bë shkak një ftesë e Hamdiut që të vizitoja Klosin, i cili ndërshtrihet luginës së Matit, të cilin nuk mund ta kalosh pa përshtypjen e Së Bukurës mes malesh miqësore me pamje zanash e djepesh të lashtë, ku po na priste studiuesi i kësaj treve Aqif Ymeri. Është një njeri që meriton t’ja dëgjosh fjalët. Mjafton të dëgjosh emrin Klos dhe përfytyrimet të marrin udhën e historisë Së Largët, edhe këtu e pranishme dhe mbizotëruese së bashku, me këngën e zogjve, apo tringëllimat e zileve të bagëtive, (tek-tuk) me zërat e banorëve, ndërsa dielli lind e perëndon mbi këtë natyrë magjepëse, ku jetohet raliteti i sotëm, duke shpresuar për të nesërmen.

Ecim të nanurisur nga shushurima e lehtë e lumit të Matit, që gjarpëron në shtratin e tij të stërlashtë e sikur të përpin e të gllabëron së bashku me hijeshinë e tij, gjelbërimin e ngjyrosur, për të ngjallur në shpirt një ndjenjë kënaqësie. Nëpër horizontin e mjegullt vjeshtak, në ujin e kristaltë të lumit, me gjethet e verdha e në copëzimet e tokës, në faqet e rrëpirta, në hijet dhe dritën, të shfaqet dora e palodhur, kujdesi i pamunguar i mendjes së hollë të banorëve. Janë karakteristike vendbanimet këtu në ndërtime; secila me pamje të pangjashme, diku- diku të braktisura për shumë arsye, si ajo e infrastrukturë dhe kërkesës për më shumë dije e qytetërim. Kur njerëzit e larguar të jenë lodhur nga zhurma qytetare, ne do ta kërkojnë më shumë qetësinë e saj.

-Është bukur këtu, -thotë Hamdiu, -por pa investuar dhe krijuar ato që mungojnë, gjithëçka mbetet për t’u dëshiruar. Ne duhet t’i thërrasim ndërgjegjes shoqërore dhe politike që diçka të ndryshojë edhe për këto vende me bukuri natyrore.

Pasi përshkon rrugën mes një hapësire me gjelbërim të shoqëruar, me aromën e frutave të Vjeshtës, drejtimin e marrim për në Fshat (Fushat), Klos. S’di ç’të shohësh më parë në mirëqënien arkitekturore mes pemëve, kopshteve, avllive, oborreve të tij, shtrirë rrëzë një shpati shkëmbor. Në këto ndjesi të këndshme ardhjen tonë e përshëndet një tufë zogjsh dhe të lehura qensh. Është një idil i bukur fshati. Banorët, në një bashkëjetesë natyrale, japin e marrin me njëri-tjetrin reciprokisht me dashamirësi, respekt dhe atmosferë miqësore. Një model për gjithë shoqërinë njerëzore, që nga qeliza e saj (familja) e deri në organizma të tjera shoqërore, ekonomike e politike që të shton krenarinë. Ndaj edhe mikpritja për ne, (patjetër si e gjithë të tjerëve) në këtë trevë, ishte një privilegj.

Gjurmë Lashtësie, në themelet e pazarit të Klosit

Të parin aty takuam Aqifin, një burrë i thjeshtë e i ndershëm, njohësi i mirë me frymë drite i zbulimit të kumteve shpirtërore e historike dhe vëzhgues i mprehtë i realitetit e problemeve shoqërore të trevës së tij. Përshëndetjet dhe pyetjet e pasuruan qëndrimin në shtëpinë e tij të fshehur mes gjelbërimit.

Rritet kurba emocionale e rrëfimit të tij kur filloi të bëjë gjeografinë e trevës dhe më tej historinë, duke ngritur lart vlerat, jo vetëm me nerv të hollë lirik, por dhe me argumente që i ka pikasur ato në kujtesën e të moshuarëve të zonës. Natyrisht biseda përzihet me shkëmbime mendimesh dhe (pse jo) me debat të kulturuar gjatë hulumtimit të vlerave historike. Ndaj ajo, e mbështetur në dashuri s’mund ta lejë Aqifin të rrijë duarkryq e me një zë mikpritës, të shëtit me sy e këmbë në pamjet e natyrës dhe aspektin arkeologjik me toponiminë (pëllëmb e vend histori), por edhe me zanafillë të shumë thesareve kulturore, të lëna në harresë si vend e kohë, por që vlerën e kanë të madhe.

Njerëz hulumtues me thellime të tilla vlerash ja shtojnë dinjitetin bisedës. Prandaj jemi me fat që i mësojmë dëshmitë të cilat ngrenë historinë tonë kombëtare në kohëra dhe përcjellin shumë opinione për të ardhmen. Jetojmë në një kohë kur një pjesë e konsiderueshme e njerëzve janë të pushtuar nga problematika të ditës dhe, kësisoj enigmat e misteret e depërtimit në histori e për të përceptuar ngjyrën, formën e natyrës, me përqasje në botën shpirtërore, i shohin si absurditet. Duke ngjitur shpatin të mbuluar aty-këtu me drurë, ku asfalti humbet për t’i lënë vendin rrugës me çakull, makina ecën lehtë duke u lëkundur nga gropat e shumta, që duket se nuk mungojnë në infrastrukturë, e cila bën apel për më shumë fonde nga shteti.

Vështrimin e kalon në tablotë e maleve, që ngrihen triumfatorë në formën e një verande gjatësore mbi luginën e Matit. Hedh shikimin mbi këto pamje madhështore dhe provon një ndjenjë krenarie prej bukurive natyrore. Hije resh rrinë pezull në një lartësi marramendëse dhe heshtja rreth e rrotull është sunduese. Dhe, si për të zgjuar heshtjen e Natyrës u hap biseda për këto gjurmë lashtësie, që i ndesh gjatë rrugës, të cilat sipas Aqifit, janë themelet e pazarit të Klosit, që dikur shpaloste profilin e një qyteti mesjetar autokton. Na bëjnë përshtypje fragmente muresh të kalasë së Petralbës, që ngrihen mbi një majë shkëmbore.

Historia e veçantë e saj (jo vetëm) në të gjithë trevën e Matit e bën një monument historiko-kulturor tërheqës dhe të madh për nga historia. Ajo, pat qënë jo vetëm fortesë ushtarake, por edhe vendverimi i Gjergj Kastriotit me Donikën, gruan e tij. Më tej, nën këmbët e Petralbës, në një grykë përroi (Lesendra), ku shtrihet lagjia e Llaveshëve, ujërat zbresin nga maja e malit dhe derdhen në lumin e Matit. Dëshmitë tregojnë se baroti i zi shqiptar është prodhuar për herë të parë këtu. Aqifi tregon diçka nga trashëgimia në breza e familjes së Llaveshëve, këtyre prodhuesëve të njohur prej pesë shekujsh të barotit, për të cilat ka shumë dokumente e fakte me vlerë, por edhe histori të dhimbshme të qëndresës së tyre e të masakrave që u janë bërë nga pushtuesit turq.

Historia e këtyre dingave (punishte baruti) duhej të vazhdonte ende, por Aqifi të thotë se ato u shkatërruan nga pushtuesi italian në vitin 1939. Nga përtej shpatit të kalasë së Petralbës, Guri i Bardhë, si një copëz Parajse bukurie të fton të ngresh kokën dhe, të shohësh malet. Sa shumë qetësi përcjell natyra e papërsëritshme e kodrave, brigjeve të gjelbëruara, përrenjve, pyjeve e shkurreve, por edhe e ngastrave të vogla, diku zallishte e diku kullota, me prodhime të pakta!

Ndaj, këtu Së Bukurës s’i thua dot E Shëmtuar, megjithëse peizazhi është i ashpër në shkëmbinj, ku, si krifë kali shkunden retë duke t’u shfaqur në ag të kaltër, si krijim i porsadalë nga energjia e Universit. E kush s’do t’i ketë zili këto peizazhe të qëndisura në ashpërsinë e Natyrës, të cilat u ngjajnë kaq shumë atyre të Zvicrës, por që, ashtu si shumë të tjera në Shqipëri, janë lënë në harresë dhe besoj se një ditë do të mbushen nga turistë kuriozë.

Por bukurinë e një vendi e bën dora dhe mendja e banorëve të mirë dhe punëtorë në kohëra; kështu edhe të këtij vendbanimi me tradita. Eh, Guri i Bardhë ka pasur kulturë dhe, kjo është trashëguar edhe ndër breza! Eh, këtu u lind poeti ynë i madh, Pjetër Budi!

Ura e Vashës në Klos, si një shtojcë e magjisë së natyrës

Ura e gurtë shekullore e Vashës, një bukuri arkitekturore nën shenjtërinë e Natyrës si shumë të tjera, mban mbi vete ende gjurmët e brezave. Tatëpjetë rrugës, na duhet të zbresim në një shteg gjithë gjapërime dhe aty ku ajo ka ngulur këmbët e saj, të shfaqen madhështore e të thikëzuara shkëmbinj e kanione të njëanshme në gjatësi dhe lartësi qindra metra, me rrjedhje ujërash nazike në zbritjen e tyre të beftë. Ecja krijon lodhje, por në të njënjtën kohë  edhe të gëzon kur prek këtë mrekulli, që i ka mbijetuar shekujve, si dëshmi e rrallë gjithandej te ne pothuaj identike.

Ja dhe Ura e Vashës. Ajo është ndërtuar në fundshekullin XVIII në një grykë të ngushtë duke ndërlidhur dy brigjet e lumit Mat, ku ai gurgullon i rrëmbyer nëpër gurët e bardhë me një virtyozitet mahnitës. Kjo urë harkore, me gjatësi 11 m, 2.8 m e gjerë, e gjatë, 7 m e lartë, e gdhendur me gurë të bardhë, është e ndërtuar me themele mbi shkëmb  dhe reflekton më së miri mjeshtërinë e e duarve dhe mendjve të ndërtuesëve gollobordas.

Tek ura duket sikur kalon fryma e lumit me vibrime ndijesore në shpirt e tinguj të Natyrës dhe mërmërimës së saj. Emocionet që vijnë nga errësira e shekujve ta sundojnë vetëdijen, veçanërisht kur njohësi i mirë, jo vetëm i historive të trevës, studiusi Aqif Ymeri, me ligjërimin dhe ngjyrimin lakonik të mendimit, të çon natyrshëm në botën e rrëfimit të tij interesant.

-Këtu bashkë kanë udhëtuar, -thotë Aqifi, -luftëtari dhe tregtari, halli dhe malli për ‘‘të mirë” a për  ‘‘të keq”, nuse mbi kalë, krushq e gëzime, sihariqe për djalë e hidhërime, për punë; sigurisht edhe për t’u çmallur me të afërmit, a për të takuar miqtë; por janë shpërfaqur edhe xhinde, dreqër, djaj, maluketër, ëngjëj dhe meleqe.

Dhe, pasi ka mbaruar tregimet e tij, të dhjetra detajeve, fakteve, ngjarjeve nga kujtesa e të moshuarëve, Aqifi të fut në një botë të panjohur, që, nga rrethanat, koha dhe vendet ku kanë ndodhur, nuk e lenë të qetë kështjellën e shpirtit me imagjinatën e pakufijshme. Histori të tilla të marrin përdore dhe ka pasur gjithkund, në çdo krahinë, ku kalonin rrugë e ngriheshin ura, të cilat mbartin moralin, idenë dhe shijet e gjuhës së popullit tonë; veçanërisht duke nxjerrë në pah antitezat edhe kontrastet e Së Shkuarës. Por, përderisa koha evolon dhe shoqëria zhvillohet, ato të mbushin shpirtërisht me mesazhe të gjalla, të cilat përcillen aq qartë e që përfaqësojnë një epokë të artë e të prezantojnë breza e histori.

Kjo urë ishte dikur pjesë e një rrugë të rëndësishme, e cila emërtohej si “Rruga e Arbërit”, ose “Rruga e Karvaneve”, por dhe “Rruga e Detit për Dibër” e kaluar, me kuaj e mushka të ngarkuar me mall e kripë në kriporet e Durrësit, por edhe e mbushur me kalorës e këmbësorë nga fushat e Tiranës vijonte në Shkallën e Tujanit, drejt Qafë-Murrizës, Gurit të Bardhë e zbriste tek Ura e Vashës në lumin Mat për në Dibër e më tej drejt Shkupit e anasjelltas. Ajo kalonte mes pyjeve dhe shkëmbinjëve, me gurra e burime, me prita dhe rreziqe të shumta. Është e vërtetë që jetesa ishte e vështirë dhe rronin edhe me mercenarizëm, vasalitet, apo grabitje me armë, aty ku gjenin terren. Ndaj kjo rrugë dhe Ura e Vashës me vlera e interesa mbrohej me karakolle, por kishte edhe hane për strehim.

-E kthyer në një simbol, -thotë Aqifi, -Ura e Vashës në vetvete ka vlera të patjetërsueshme historike dhe tani mundohet të mbrohet nga vërshimi i lumit e myshqet. Ndaj u jemi mirënjohës të parëve për ato vlera që na lanë trashëgim, por që ato të mos zhduken, duhet ta mirëmbajmë me kujdes. Ndërtimi i Rrugës së Arbërit do ta kthejë në një vend të vizitueshëm. Klosi s’ka parë kurrë një investim kaq me prespektivë për Të Ardhmen, që të përmirësojë jetën e banorëve dhe njohjen e pasurive natyrore e historike të tij. Ndoshta një ditë do të bëhet më mirë, por duket disi e vështirë sa kohë që ata të cilët kanë mundësi të sjellin zhvillim, nuk po mendojnë të bëjnë më shumë.

Kemi nevojë për këto vlerësime të njerëzve të mirë; të shkundin shoqërinë që të mbrojë Natyrën dhe pasuritë historike.

Një udhëtim mes bukurisë natyrore dhe monumenteve arkitekturore të mbetet gjatë në kujtesë, sidomos kur je me miq, mes maja malesh, të përqafuara nga re e të copëtuara nga ujërat, me rrëfenja që kanë mbetur në origjinë, si simbol krenarie, të cilat i flasin bindshëm Të Sotmes për Të Shkuarën e Largët.

Gërshetimi i bukurisë natyrore, i miqësisë, harmonisë dhe artistikes në shoqërinë e njerëzve të fjalës së shkruar, me natyrën shpërthyese të Klosit, të fton të kthehesh përsëri këtu dhe, nëse nuk kthehesh, ajo është e gatshme të zeri një vend të veçantë në kujtimet e tua, prej eksploratori.


Guri i Bardhë


H C i Ulzës


Liqeni i Shkopetit


Me Hamdi Hysukën dhe Aqif Ymerin


Shpati shkëmbor ku ndodhet kalaja e Petralbës


Ura e Vashës



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora