Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Monografi që shpalos histori e krenari
E merkure, 25.09.2019, 09:11 PM
MONOGRAFI QË SHPALOS HISTORI E KRENARI!
Rreth
monografisë “Ismail Kaso Dhëmblani dhe Lufta e Gribës”, të Veli Varfit
NGA
PËLLUMB GORICA
Çdokush
kur merr në dorë një monografi, me kuriozitetin se çfarë ka shkruar autori, e
lexon atë jo si stisje të radhës, por me kujdesin që ajo kërkon. Teksa fjalët
rrjedhin njëra pas tjetrës, ndërthurja e tyre të rrëmben duke u bërë pjesë e
leximit të fakteve, detajeve, vlerave..., dhe merr kulturë.
Të
shkuash në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, duhet të kesh talent, por edhe
vullnet. Natyrisht, që ka potenciale intelektuale dhe studiues për ta bërë
këtë në përgjithësi, me intelekt, intuitë, botë të pasur shpirtërore e
fisnikëri vlerash. Në veçanti kur i ngacmon historia me ngjarjet dhe
protagonistët patriotikë është detyrim të njohim historinë e të parëve, për të
ditur nga vijmë e kush kemi qenë, dhe t’ua bëjmë me dije të gjithëve. Historia
e popullit tonë është e mbushur me ngjarje të shumta. Kjo i përket jo vetëm
paraqitjes, por kur lexon më shumë për këto ngjarje dhe kontribute është e
rëndësishme vërtetësia e pasqyrimit. Ndaj në gjithë këtë, studiuesi, ngrihet
mbi nivelin e dijeve, të vlerësimit të dokumenteve me hulumtimet, kulturën dhe
virtytin për kontributet.
Inisiativa
për shkruarjen e një libri të karakterit historik duhet përshëndetur, e aq më
tepër kjo si domosdoshmëri e kohës, për të mos e lënë atë në pluhurin e
harresës. Ajo nuk mund të shkruhet sipas tekave personale të individëve apo
grup- njerëzish me sajime, (sepse shpesh e kanë masakruar historinë), por duke
e eksploruar atë me qasje serioze. Ne kemi lexuar jo rrallë libra që u ngjajnë
tullumbaceve, me lavdi të pamerituara, të cilët e kanë zbehur historinë. Ndaj është
përgjegjësi e madhe të shkruash e t`i evokosh ato, ndërmjet burimeve
dokumentare të kohës; historikëve, kujtimeve të shkruara nëpër ditarë, të cilër
ruhen me fanatizëm, por edhe ndërmjet rrëfimeve të dhjetra burrave të mençur e
natyrisht prej këngëve, si fakte të pamohueshme që tregojnë veç të tjerave
vlerat njerëzore, shpirtërore e historike. Të shkruash për ngjarje dhe figura
patriotike, të duhet t’i shtjellosh ato në kompleksin e mozaikut historik të
kohës. Në këtë mënyrë, ajo vjen më interesante, si një dritare, për të njohur
më shumë edhe trevat e njohura qysh nga lashtësia. Nëse nuk shkruhet, ato
degradojnë në kohë, me indiferencën, dhe pesha e tyre bie mbi to, mbi ne, mbi
brezat që vijnë...!
Studiuesi,
Veli Varfi prej kohësh ka gërmuar në dokumenta e kujtime të pafundme, të cilat
dëshmojnë histori dhe ngjarje në kohëra; ai në organe të shtypit ka shkruar
mjaft trajtesa me interes njohës për krahinën fisnike të Labërisë, e
veçanërisht për zonën e Lopsit të Tepelenës. Ne kemi të botuar një studim
interesant për Ismail Kaso Dhëmblanin dhe Luftën e Gribës, për vlerat natyrore
dhe historike të Lopsit të Tepelenës në shekuj. Unë shikoj si interesante
faktin, që studiuesi në këtë monografi sjell një enciklopedi të vogël të
hershmërisë së Labërisë, që pulson me gjetje arkeologjike të antikitetit e të
mesjetës. Përmes leximit të monografisë “Ismail Kaso Dhëmblani dhe Lufta e
Gribës” ne njohim krahinën e Lopsit, lashtësinë historike, traditat, ngjarje
historike, emra, toponime etj, por ashtu thjesht e natyrshëm, siç ka vijuar
përgjithësisht jeta në këto troje. Pra, kemi të bëjmë me histori krahinore, në
vizione zhvillimesh dramatike, që ndonëse një pjesë janë të njohura, ato
përsëri kanë interes si çdo histori e një vendi.
I
përhumbur në ato që lexon e ndjen se ke përpara syve Lopsin, natyrën e tij
mbresëlënëse, me peizazhe interesante gjeografike, ku, ato male historike të
veshura me mantele mjegullash, si krenari kanë vulë patriotizmi, dhe të joshin
për t`i vizituar. Ato janë përshkruar me aq pasion nga autori sa të rrëmben
befasisht leximi sikur i ke përpara syve. Mua më ngjet se..., e vizitova dhe
shijova këto mrekulli!
Në
monografinë “Ismail Kaso Dhëmblani dhe Lufta e Gribës”, të bën përshtypje
mënyra e të shkruarit, por edhe se si përcillen ngjarjet. Gjuha e përdorur nga
autori nuk është gjuhë e thatë historike, nga një raport apo dokument i
servirur. Lupa e studiuesit i shpleks ngjarjet të shtrira ndër indet, që kanë
ushqyer mjedisin e favorshëm atdhetar. Por, nuk është e lehtë të shkruash për
kompleksitetin e tyre, për t’i pasqyruar të dhënat e një kohe të largët, dhe
natyrisht autori është ndeshur në hulumtime me vështirësi, sepse siç shkruan
autori “… ka një zbraztësirë të dhënash në gjurmët që kanë lënë ngjarjet jetike
në zonën e Lopsit, si gjithandej trojeve shqiptare”. Por, pasioni dhe
njohuritë, i kanë dhënë të drejtën të sintetizojë historinë e vendlindjes për
të mbajtur të lartësuar Lopsin; ngjarjet dhe patriotët e saj, që kanë lënë
gjurmë për kohën, dhe kjo është e natyrshme, sepse historia duhet shkruar për
të mos u shuar, si flaka e qiririt në errësirën e thellë të natës.
Kur
shfleton studime të tilla historike, ajo çfarë të bën përshtypje është
pasqyrimi dhe përpjekja për të shpalosur ngjarje e kontribute, të cilat kanë
lënë gjurmë të thella. Autori, më së shumti hedh dritë mbi luftën, sakrificat
për liri e për mbijetesë të Lopsit në fillim të shekullit të kaluar, në një
kohë të turbullt, me trazira si ciklone, jo vetëm në Shqipëri e Ballkan, por në
gjithë Europën. Në këtë monografi, autori i motivuar sjell më të mirën e
mundëshme për të shkruar rreth morisë së këtyre ngjarjeve e situatave të
vështira që kalonin territoret e Jugut të Shqipërisë, kontributet, kuvendet dhe
gadishmërinë për ta mbrojtur atë. Megjithëse këto vitet e fundit është shkruar
jo pak, dhe ç’është me interes të theksohet shumë ngjarje dhe emra fatkeqësisht
janë destinuar të humbasin e të zhduken nga kujtesa; ashtu sikundër një ditë do
të treten të gjitha, nëse nuk shkundet pluhuri i heshtjes. Pa anashkaluar këto,
monografia “Ismail Kaso Dhëmblani dhe Lufta e Gribës”, shquhet për saktësimin e
dokumentave, fakteve, rrëfimeve, etj.
Në
çdo vend indentifikohen patriotë, ku veprimtaria e tyre ndrit e mbetet e gjallë
ndër breza. Lopsi, në rrugën e gjatë të historisë ka nxjerrë figura me
veprimtari të madhe patriotike, si pjesë e historisë së tij, që janë shquar për
cilësi si: trima, të zgjuar, punëtorë, të besës, guximit, kulturës dhe
arsimdashës. Të shkruash për jetën e një figure patriotike, që shfaqi
aftësitë e tij, dhe ka hyrë në histori nuk është e lehtë. Studiuesin Veli Varfi
e ka intriguar personaliteti i Ismail Kaso Dhëmblanit. Ndaj, në këtë monografi
shfleton fakte rreth kësaj figure patriotike, me peshë dhe të shquar në
historinë e trevës.
Ismail
Kaso Dhëmblani jetoi në mes të viteve 1800 e fillim të viteve 1900. Lipset të
njohësh gjurmët e kohës ku lindi e jetoi, ku zuri fill vetëdija e tij
njerëzore, ku thithi ajrin e kristaltë e piu ujin e burimeve të vendlindjes. Pa
harruar arsyen e fortë që jeta i mori një drejtim me perspektivë për të ardhmen
fill pas arsimimit, por edhe fakte të kohës ku veproi, kujtime të
bashkëkohësve, copëza ngjarjesh, përjetësimet e këngëve që përcjellin
aktivitetin patriotik të tij. I ngërthyer mes rreshtave që bëjnë fjalë për
figurën patriotike të Ismail Kaso Dhëmblanit ngarkohesh me emocione, kur autori
paraqet si në ekran faktorët që ndikuan në formimin e tij, qysh nga vitet e
fëmijërisë, maturinë që buronte nga edukimi në Medresenë e Kaninës, kulturën e
përftuar në familjet e mëdha vlonjate, por edhe për shpirtin liridashës të
shoqëruar me krenarinë e skalitur të menduarit e të vepruarit si njeri i
veçantë. Gjithashtu, të gjitha mundimet e një jete të tërë, udhëtimet misionare
në Gjermani, sakrificat, përgjegjësitë administrative dhe ushtarake në Janinë,
Filat, Tepelenë, Vlorë e Fier, aktet dhe qëndresën heroike në krye të çetës
luftarake të Lopsit, meritat dhe gabimet, arrestimet, burgosjet apo internimi
në Itali, kontributi i tij në ngjarjet madhore të kombit, siç ishin Shpallja e
Pavarsisë e kuvendet patriotike. Ndaj vetëm kështu çmohet e vlerësohet figura e
tij, e cila është analizuar e pasqyruar edhe në këndvështrimin e situatave të
ndera që po kalonin territoret shqiptare. Lopsiotët u ngritën të “zgjuar” nën
drejtimin e tij, si organizator i një besëlidhjeje, duke u dhënë grekëve të
kuptonin se shqiptarët ishin gati të mbronin me çdo sakrificë tokën e tyre.
Me
mendimin për të pasuruar historinë e jo për ta shtrembëruar, duke lënë mënjanë
harresën prej rrethanave të kohës, por edhe historianëve të regjimit të kaluar
komunist, që i shërbyen atij me devocion, kjo pamundësi njohje për autorin
bëhej e vështirë. Ismail Kaso Dhëmblani, shkruan autori, u la në heshtje
gjysëmshekulli për bashkëpunimin me figurat historike të kohës, të padëshiruara
për atë regjim, si: Mit’hat Frashërin, Myfit Libohovën, Ferit Vokopolën, Kristo
Meksin, Eqerem bej Vlorën etj. E duhet ta pranojmë se ndaj tyre cmira,
urrejtja, heshtja dhe harrimi karakterizoi këtë kohë.
Pjesa
e dytë e monografisë “Ismail Kaso Dhëmblani dhe Lufta e Gribës”, sjell një
pamje të rrjedhave historike në fillimshekullin e kaluar në trevat shqiptare,
luftën për forcimin e shtetit shqiptar, për të mbrojtur hapësirën territoriale
të Lopsit nga andartët grekë. Autori thekson ndjenjën patriotike dhe dashurinë
për të qenë të lirë, e cila ka karakterizuar shpirtin e lopsiotëve me akte
patriotike në qëndresën kundër pushtuesve. Në psikologjinë e labit ndjehet
karakteri burrëror, si simbol i vlerave të tyre. Ishte koha kur ngjarjet morën
një rrokullimë të ethshme, dhe i gjithë Jugu, e jo vetëm ai, në fillim të
shekullit të kaluar, përjetoi një periudhë tragjike, e cila konsistonte në
grimcimin e tokës shqiptare, duke mos harruar se kemi qënë gjithmonë lakmi e
fqinjëve tanë. Ndaj, për t’i paraprirë këtij agresioni u tubuan patriotë nga
krahina të ndryshme të Jugut në një kuvend në Dhëmblan të Lopsit në vitin 1914,
një besëlidhje e cila luajti rol të rëndësishëm me vendimet që u morën. Nëpër
dhjetëra rreshta, autori sjell në kujtesë këtë moment historik, protagonistët e
kësaj besëlidhje, këngët që i kushtohen, guximin dhe vendosmërinë e tyre, kur
andartët grekë ishin lëshuar si lukuni ujqërish të shfarosnin shqiptarët; duke
vrarë me qindra banorë, plaçkitur mijëra bagëti, djegur e rrafshuar jo pak
vendbanime. Të tërheqin vëmendjen detaje nga pjesëmarrja e lopsiotëve për të
ndaluar përparimin e vrullshëm të grekëve, apo siç është njohur: Lufta e
Gribës! Kundërveprimi i tyre ndaj mësymjes së grekëve, është krejt i veçantë në
gjithë krahinat e Jugut. Ka momente të tjera në monografinë “Ismail Kaso
Dhëmblani dhe Lufta e Gribës”, ku autori përmend me krenari komandantë e trima
të dëgjuar,si Mersin Meçe dëshmori i rënë në malin e Gribës, Selam Musai, Dule
Dalani e Myrto Tafili, që jo vetëm ishin njerëz të besës, me autoritet e
karakter të fortë, por spikatën me guximin dhe trimërinë e tyre. Pesha e fjalës
së tyre ngriti në këmbë dhjetëra luftëtarë për të mbrojtur trojet deri në
frymën e fundit pas shpalljes së pavarsisë.
Ky
botim monografik, modest nga përmasat dhe vlerat, sjell një mesazh për të mos
harruar në kujtesën e kohës, emra, dëshmi e fakte të ngjarjeve në historinë
tonë kombëtare. Veçse ne vlerësojmë studiuesin Veli Varfi, që me kompetencë
historike arkivoi historinë dhe kontributet e brezave.