Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Një portret që rrezaton mirësi
E hene, 29.06.2020, 10:37 AM
NJË PORTRET QË RREZATON MIRËSI
Nga
Pëllumb Gorica
Kur
udhëton në Korçë është e pamundur të mos takosh miqtë, ata që nuk i ke takuar
prej kohësh, duke e kthyer në një ditë të gëzueshme dhe shumë miqësore ardhjen.
Korça
ndryshon shumë nga qytetet e tjera shqiptare. Eshtë shumë më e qetë,
interesante, tërheqëse, komode, se
Tirana, Durrësi apo Vlora, e një nga ato qytete shqiptare, me themele të forta
të kulturës kombëtare, që kanë mbetur ende qytete, si në palcë ashtu edhe në
dukje. Ajo gjithmonë është shquar për punën, mirëqënien, serenatat, për
kulturën perendimore, por edhe për qetësinë, qytetarinë dhe edukatën, që e
dëshmon qartë. Të shfaqet ndryshe, jo si herët e tjera kur ke ardhur këtu, e
bukur me përmasa të admirueshme në të gjitha fushat e jetës, e sidomos në arsim
e kulturë, me intelektualë që e hijeshojnë atë dhe kontribuojnë në zhvillimin e
saj.
Në
jetë nuk takon shpesh njerëz të veçantë, të pasur shpirtërisht, e me vlera të
trashëguara. Dhe, në fakt, njerëz punëtorë e të thjeshtë ka, kudo, rreth nesh.
Mjafton të kesh dëshirë, sy për t’i parë dhe mendje për t’i vlerësuar. Pse jo
dhe për të mësuar prej tyre. Ndaj nuk harron të shkruash, për ata dhe punët e
mira të tyre. Shpesh fjalët më vijnë natyrshëm kur është fjala për takime me
miq plot vlera si Muharrem Meko, Drejtor i Radio Televizionit të Korçës.
Njohja
jonë ka qënë e rastësishme. Por pas takimit emocionues, në kafenenë e Radio
Televizionit të Korçës, më lindi dëshira të shkruaj për të. Biseda me të më
bëri personalisht të ndjehem mirë, sepse njerëzit e kulturës në unitet me
njëri- tjetrin, dijnë të shprehin bukuri fjalësh e shumë mirësi. Bota e tij
shpirtërore është e gjërë sa deti, që sfidon kohën me kulturën e bisedës, e që
pa dyshim, mbart në vetvete filozofinë e mençurisë.
I
mëkuar me traditën e një trungu të lashtë ilirik, të trevës së Kolonjës, të
njohur në histori dhe vlera kulturore e artistike, me shumë dituri dhe
mjeshtëri e paqësorë me njëri-tjetrin dhe natyrën, që njëherazi ushqehen me
punë e përkushtim në vitalitetin e kohës që jetojmë, me energjitë e tyre të
çmuara, me emocionet dhe mbresat e pafundme të respektit, meriton fjalë
përgëzuese.
Muharremi
ka një kulturë e përvojë të gjërë jetësore si dhe një jetë të pasur shpirtërore
dhe mardhënie të shumta shoqërore. Miq si Muharremi dy gjëra i kanë gjithmonë
të pranishme, respektin dhe buzëqeshjen, që i japin të plota dhe kurrë të
copëzuara. Këtë e ndjen, e përjeton, e lexon në sytë e tij, sapo takohesh me
të. Mirësia e tij në fjalët që thotë të krijon besimin, qartësinë e mendimit të
thellë dhe të mençur, duke të krijuar po ashtu admirim. I rrethuar nga
thjeshtësia dhe ngrohtësia e bisedës e dëgjon me kënaqësi të folurën e
ngadaltë, me një diksion fonetik skajshmërisht të butë dhe njerëzor të
Muharremit.
Gazetar
veteran i kësaj treve prej 30 vjetësh dhe sot drejtues i Radio Televizionit të
Korçës, Muharrem Meko, ky njeri me mendje e shpirt të ndritur, modest e përherë
i hapur për bashkëbisedim me kolegët e
miqtë e vërtetë, me përkushtimin dhe vlerat e tij, ka kontribuar për pasqyrimin
e kulturës, duke ditur të sjellë ide të reja, gjallëri dhe freski në valët
radio-televizive, të ndjekura kudo në Shqipëri. Ai, së bashku me stafin e këtij
institucioni, e sidomos me Erjona Pambukun e Llazi Saron, kanë realizuar
emisione të shumta edukative- argëtuese.
-Jam
krenar -, thotë Muharremi, - që drejtoj një intitucion televiziv rajonal, si
RTSH Korça me një jetëgjatësi relativisht të re, por me një cilësi transmetimi
e standarti profesional, mbresëlënës, si pjesë e grup-kanaleve, me shikueshmëri
Kombëtare, lehtësisht për të shijuar, programet informuese, argëtuese, sociale
dhe kulturore të trevës së Shqipërisë juglindore, si, Pogradec, Kolonjë,
Devoll, Gorë, Opar,etj. S'kam përse t’a fsheh-, thotë Muharremi-, fillimisht
kam përjetuar një lloj skepticizmi, por tashmë mund t’u them se, s’është çudi që
Radio-televizioni i Korçës është "surpriza " e ekraneve televizive,
me potenciale njerëzore e financiare, shumë herë më të fuqishëm se sa ne.
Modestisht, gjithçka për kënaqësi të teleshikuesve tanë; kudo që të ndodhen.
Muharrem
Meko është një nga njerëzit e paktë që sot e çmojnë kolegë (pse jo edhe
artdashës), dhe gjejnë frymëzim tek ajo vlerë universale që quhet
"thjeshtësi". Me veshjen, mendimin, në shakatë dhe qëndrimin e tij
Muharremi rrezaton admirim, dinjitet, mirësi e personalitet. Vërtet njerëzit ndryshojnë
në jetë kur ngjiten në detyra shtetërore apo shoqërore. Mund të ndryshojnë nga
një grusht i fuqishëm i jetës, nga një dhimbje e fortë, nga një dashuri, nga
një përkëdhelje, nga një urrejtje, pabesi, por njeriu nuk ndryshon, duke u
shoqëruar me njerezit e zakonshëm. Ata janë dhe duhet të jenë të vetmit që
meritojnë gëzimin, lumturinë, respektin dhe admirimin tonë, sepse janë ata që
pa zhurmë, me modesti dhe pa kërkuar asgjë na krijojnë këtë miqësi të pastër,
që sakrifikojnë jashtëzakonisht, për ditë më të mira për veten dhe për fëmijët
e tyre.
Thellësia
e shpirtit dhe e mendjes së tij të ngacmon. Kështu thjesht dhe bukur, pa
egoizëm, pa “krenari”, në qenien e tij janë mishëruar shumë dhunti të një
njeriu me virtyte të larta. Vërtet si njeri i veçantë, është i thjesht si ne,
madje shumë i thjeshtë, me problemet e shqetësimet e tij, si çdo njeri që ka
kaluar shumë çaste të vështira në jetë pa u përkulur, dhe gëzuar me çaste të
bukura, optimiste, e të veçanta. Kur takohesh me të nuk të flet për kostume firmato,
për makinat e shtrenjta, për vilat, për pronat që nuk i ka, por të flet për
familjen, për njerëzit e dashur, për të patur suksese në jetë. Të flet me
pasion më shumë për gjëra që ushqejnë shpirtin. Bashkëbisedime me njerëz për
historitë e tyre, shqetësimet, emocionet, transformimet e shoqërisë dhe të vetë
njeriut. Duke jetuar me intensitet, atë periudhë të ndryshimeve të mëdha që
ndodhën në fillim të viteve ’90, me shumë ëndrra e shpresa që u zgjuan atë
kohë, që megjithëse vitet kalojnë e ato mbeten të freskëta në kujtesën e tij ai
mbetet idealist i së bukurës, i së resë dhe i zhvillimit.
E
ku ka më bukur e më krenari se të bisedosh me njerëz që burojnë thjeshtësi,
mirësi e dashuri. Bartin vlerën më të mirë që i duhet mikut: t’a dëgjosh kur
flet. Ne biseduam për shumë gjëra; rreth artit të shkruar, traditave e kulturës
sonë, për dashurinë ndaj familjes, për profesionin, dëshirat, projektet, e
sigurisht për miqtë tanë të mirë. Bisedë me frymën e përgjithshme të rrëfimit,
duke u larguar nga rëndomtësia e gjuhës, por e lëmuar në trajtën më shprehëse,
që do t’i jepte më tepër ëmbëlsi takimit, si me njerëz të veçantë, sepse
emëruesi i përbashkët është vlera e miqësisë në funksion të përnjëmend të
kumbimit të saj shprehës, përmes natyrshmërisë. E në fund, bëmë dhe foto atje
në ambientet e Radio Televizionit të Korçës.
Më
duhet të shtoj edhe një tjetër cilësi mirësie që ka Muharrem Meko. Në çdo kohë
paraqitet zemërhapur për miqtë e shokët e sidomos me gazetarin e
apasionuar të Vizion plus tv, Tonin
Frrokun, për të pirë një kafe, për të shijuar një gotë raki a verë, ku ndjesia
dhe përkushtimi ndaj fjalës së kultivuar mbetet gjithnjë hapësinore dhe e
lakmueshme. Si për çudi telefonata e Toninit e çiltërsoi bisedën me të tjera
detaje, të ndjenjës miqësore, që është edhe sfrati më i pakalueshëm i kujtimeve
të mira e të rrjedhshme mes tyre.
Askush
s' të ndalon të shkruash e të lëvdosh vlerat e veçanta të njerëzve të tillë në
fusha të ndryshme të jetës së tyre. E ndieja si detyrim, të shkruaja për udhën
e bukur te vlerave të Muharremit, mundin dhe sakrificat deri në shkëlqimin e
merituar, që jeton intesivisht me punë, sipas mundësive, njohurive për të
njohur më mirë njerëzit dhe botën, për t'u shërbyer atyre, për të larguar
mërzinë dhe kotësinë e jetës. Në këtë rast ndihem i emocionuar e i motivuar, të
nxjerr nga vetja thesarin e shpirtit të njerëzve me zemër të madhe, të së
bukurës jetë të tyre, që është kaq frymëzuese nëse kapesh pas saj siç je. Një
mendjendritur ka thënë: bota nuk vuan nga zhurma e njerëzve të këqinj, por nga
heshtja e njerëzve të mirë, sepse asnjëherë nuk i vlerësojmë sa dhe si duhet
vlerat tona.
Muharrem
Meko ka një portret rrezatues. Shumë fisnik. Pyes veten, a motivohet njeriu sot
me veprën dhe jetën e këtyre njerëzve?!