| E marte, 21.07.2020, 08:58 PM |
..."ARRATISJE" LARG TIRANËS
“Më
e mira është në udhëtim” Sadiu poet Persian
Nga
Pëllumb Gorica
Të
udhëtosh në të jashtëzakonshmen, që gjendet në Shqipërinë tjetër, të hijshmen,
të paqtën, nuk e shpjegon me shumë fjalë, nga emocionet që përfton prej tablove
të pafundme natyrore, të pikturuara aq bukur. Nga dëshira për të kërkuar atë të
bën të “arratisesh” nga rutina e qytetit.
Në
përgjithësi ne shqiptarët kemi krijuar varësi në disa gjëra pak të rëndësishme,
si kafenetë, dhe nuk kemi shijuar asnjëherë gjërat me vlerë që na rrethojnë. I
përfshirë nga ndjesia larg lodhjes, e shkaktuar nga përditshmëria, për të thyer
monotoninë tej papërshtatshmërisë së realitetit, sot hapi im më solli, në një
vend përrallor, te perla e Syrit të Ciklopit, në mrekullinë e pyllit, ajrit,
blerimit, shkëmbinjve, ujit, midis Tiranës e Elbasanit.
U
nisëm drejtë Syrit të Ciklopit. Bukuria e egër e tij, të fton bujarisht të
çlodhesh, e sidomos në verë, ku nuk ndjehet vapë, por një freski e këndshme.
Për Syrin e Ciklopit kisha dëgjuar shumë. Kisha parë dhjetëra fotografi e video
nga vizitorë të ndryshëm. Me misterin e së panjohurës dëshira ishte e madhe për
ta parë nga afër. Kur udhëton, si kudo në rrugët e Shqipërisë nuk mund të rrish
pa shijuar, ndryshimet e krijuara nga njeriu, rrugët e reja, shtëpi e vila,
restorante e hotele, pishina e kalçeto, të cilat mbijnë dhe zhduken përpara
syve. Vështroj edhe peizazhet e mbjella me kultura bujqësore, drufrutorë e
vreshta, atë djersën e njerëzve punëtorë, e më shumë pasurinë natyrore, me
forma nga më të ndryshme të relievit, lumin Erzen që kullon me gurgullimën e
argjendë, përrenjtë e liqenet, kodrinat e malet në një gjeomorfologji
interesante, pyjet e lisave, pishave, shkozave, etj, që u bëjnë shoqëri kafshët
e pyllit. Ato janë një thirrje për të rinjtë tanë, që të dalin nga kafenetë dhe
t`i vizitojnë ato.
Përpara
se të kalosh tunelin e Krrabës përgjatë rrugës plot me automjete drejt
Elbasanit, të zbardhon rrëzë një shpati të sheshtë qyteza e Krrabës, një
territor mineralmbajtës që mori jetë në fillim të viteve '40 të shekullit të
kaluar nga një shoqëri italiane. Ndryshimet në kohë, pas viteve '45, me hapjen
e puseve të rinj minerarë qymyrgurorë sollën lëvizje demografike me të ardhur
nga fshatrat rreth saj; Mollagjesh, Krrabë e Vogël, Mamël, Skuterrë, Rozavere
dhe Kllojkë, që jo vetem nga vendosja, por edhe si njerëz punëtorë e populluan dhe
zhvilluan këtë qendër urbane të jetuar nga 3 mijë banorë.
Krraba
dhe ish miniera nuk është ajo e dikurshmja. Ajo duke u përpëlitur në udhën e
mbijetesës, është pakuar gjithnjë e më shumë nga madhështia e saj e dikurshme,
e jo vetëm është drejt rrënimit, por përbën dhe rrezik të madh për jetën e
banorëve e gjënë e gjallë atje, me grykat e hapura dhe gazrat që çlirohen.
Thuajse të gjitha minierat në Shqipëri janë rrënuar pas mbylljes së tyre. Ato
nuk janë më, siç ishin dikur, madje janë braktisur nga banorët. Ata pak,
jetojnë në një shkretëtirë të harruar mes një hiçi të madh, që të trishtojnë
dhe të bëjnë të revoltohesh nga tragjikja, e cila shfaqet e mprehtë, haptazi
dhe në kuota sipërane. Ajo shpesh është e shpërndarë në mijëra thërrime e kur
hedh sytë të dhemb shumë, nga djersa që u shpërdorua në mënyrën më të
parespektuar e antihumane. Krraba, me ato pak pallate të ndërtuara me kontribut
vullnetar është kthyer në një turmë e çpersonalizuar si kavie sociale, pasojë e
trajtimit çnjerezor që u bëhet nga strukturat e të gjitha forcave politike, të
cilët vijnë këtu për vota apo për t’u shfaqur në TV kur ndodhin fatkeqësi
natyrore, e sjellin ndonjë pako ndihma. Dhe ajo që të trishton më shumë është
fakti që janë aq të demotivuar për t`i parë ndonjë gjë të bukur jetës këtu, në
mes të hiçit, edhe, pse i janë kthyer kultivimit të bimëve, drufrutorëve e
mbarshtrimit të bagëtive, që ngjallin shpresë për ditë më të mira dhe ndryshim
të cilësisë së jetesës. Por këta njerëz e shohin të ardhmen këtu me pesimizëm.
Kopshte të mbjella me perime e drufrutorë dhe ndryshimet demokratike (rrugë,
kafene, markete, shkolla), i shpërfytyron pamja e kasolleve të bagëtive ngjitur
pas banesave, që janë simbol i gjallë i bashkëjetesës me banorët, të cilat
kutërbojnë ngado erë plehu, dhera, e mbeturina aq të dukshme. Sigurisht i
fshehin një rresht ndërtimesh të rrugës kryesore, që të mos duken.
Ndaj
aty nuk mund të marrësh asnjë kënaqësi, por duket se nuk është kështu në
lartësitë shkëmbore. Kur të shkel këmba në këto anë shikon sa mrekulli kanë
përreth tyre banorët e Krrabës për t’i shfrytëzuar në dobi të zhvillimit të saj
ekonomik. Pasi kemi lënë Krrabën, nuk duhet shumë kohë për të arritur në Syrin
e Ciklopit (emrin nuk e dinë as banorët nga e ka marrë), në ngjitjen e
përpjetë, nga shkëmbinj të zgavëruar nga gërryerjet, në të clat mbështetet
Krraba e Vogël, me shtëpitë çati gri mes blerimit të drufrutorëve, e më së
shumti me ullinj të lashtë, e kredhur në një heshtje pikëlluese. Ato në kohëra
kanë favorizuar qëndresën e armatosur të banorëve të Krrabës, ku mëson edhe
detaje mbresëlenëse të ruajtjes së vlerave etnokulturore e autoktone të
Malësisë së Tiranës. Gjurmë historike të vendbanimeve të hershme ilire, të
rrënuara nga koha gjenden të ruajtura deri në ditët e sotme. Në lartësitë e saj
ka mure rrethuese të një kalaje ilire e antikitetit të vonë, që ishte pikë
mjaft e rëndësishme strategjike, e cila kontrollonte luginën e Erzenit, e
ndërtuar në kohën e Justinianit (shekulli i V pas Krishtit. Sipas historianit
të tij, Prokopit të Çezaresë; “Mbrojtjen e Ilirisë e kishte kthyer në një
çështje personale Justiniani i Madh, ku ndërtoi sisteme fortifikimi në të
gjithë territorin e saj për ta mbrojtur nga inkursionet e barbarëve”. Realisht,
sot kemi me dhjetëra rrënoja kështjellash, të kësaj periudhe në Shqipërinë
veriore e të Mesme, të ndërtuara me urdhër të Justinianit, të cilat aty-këtu
kanë gjurmë.
Krraba
e Vogël është një vendbanim i mesjetës së hershme e pikë e rëndësishme
strategjike që kontrollonte rrugën e karvaneve Tiranë-Elbasan. Rruga që ndjekim
të çon në një tjetër vendbanim, të Skuterrës, që hijeshohej nga
shumëllojshmëria e drufrutorëve; kumbulla, shegë, dardha, fiq që bënin hije, e
nëpër trungjet e tyre kacavirreshin pjergulla me veshulë midis gjetheve, të
rrethuaranga gardhe manaferrash, që ishin bërë për t’u këputur, por edhe bimë
aromatike (çaj, salep, sherbelë, rigon, trëndelinë etj), dhe një vend i
përshtatshëm për zhvillimin e blegtorisë, sidomos asaj të imët. Në një
frymëmarrje pushuese udhëtojmë edhe në historinë e saj. Por, ndonjëherë ne
shqiptarët të lodhur nga shumëllojshmëria e historive dhe luftrave, nuk duam të
flasim më për to, kur vetë jeta jonë është luftë e përplasje në kohë, të asaj
që ishte dikur, të asaj që jemi ndarë, e të asaj që po vjen. Interesant është historia
e Skuterrës, me njerëz të thjeshtë, punëtorë, atdhedashës, të guximshëm, të
sakrificës, të dashur, të përkushtuar ndaj përgjegjësive, fjalëmbël e
mikpritës. Jeta këtu është ngritur me gjak. Pushtuesin ka ditur ta presë, me
çarkun e ngrehur të pushkës. Skuterra e djegur dy herë: në vitin 1915 nga
serbët dhe në vitin 1944 nga gjermanët mbijetoi, por tani po i harrohet edhe
emri. Skuterrës nuk i kanë mbetur as dhjetë shtëpi në një varfërie të
tejskajshme gjer në dhimbje, me shpirtin e djegur nga tharja e limfës së jetës
punojnë ato copa arash, ashtu siç thotë fjala e urtë ia marrin me zor bukën
tokës.
E
vazhdojmë udhëtimin drejt grykës së Murdharit, nëpër një rrugë dredha – dredha
e tepër të ngushtë, që sa vinte bëhej më e pjerrët, më keq se në një “udhë
mushkash”, sa këmba të prek vetëm gurë të ronitur në kohëra e shkrepa tejmase
të thepisur. Zbresim, aty, ku rrjedha e ujit të Murdhanit që gjarpëron e ka
ndarë shpatin shkëmbor, duke krijuar një bukuri të veçantë. Na ledhaton fytyrat
një puhizë e pastër me një freski dehëse. Syri s'mund të rrijë pa u ngacmuar
edhe nga gjelbërimi i drurëve të dendur pyjor, që gërshetojnë degët e pemëve,
për të formuar tunele gjelbërimi, me fëshfërimën e simfonisë së flladit
mëngjesor, që së bashku me pamjet piktoreske të shkëmbinjve, të dhurojnë
kënaqësi të tjera. E dëgjojmë cicërimën e zogjve, cërritjen e karkalecave dhe
muzikën e gurgullimës së ujit ndaj shpejtojmë hapat. E pabesueshme çfarë
bukurish krijon natyra. E kujton Naim Frashërin, që këndoi me aq afsh e zjarr për
malet, fushat, pyjet, çukat, gerxhet e veçanërisht për lumenjtë e Shqipërisë.
Nga
këto lartësi pamjet e hapësirave të largëta që sheh syri, të shfaqen si në
pëllëmbë të dorës deri tutje, e të duket vetja sikur do të fluturosh. I
kundrojmë endshëm të përshëndetur nga rrezet e diellit, teksa ato përthyhen në
shpatin shkëmbor. Kush ka ardhur këtu e nuk është mrekulluar nga madhështia e
maleve të Krrabës, Pashkasheshit, Priskës dhe Dajtit, që ngrihen si një gardh
madhështor në lindje të Tiranës dhe pellgut të saj, e deri tej e më tej si në
pëllëmbë të dorës. Thepisjet e malit të Pashkasheshit thyhen frikshëm nga
zgafellat e lumit të Skerranës, që zbret potershëm e humnershëm herë nëpër
zallishte e herë duke u shtyrë faqeve shkëmbore. Legjenda thotë se kur Skënderbeut
i zunë pusi në qafën e Pashkasheshit, kali i tij e nuhati dhe u hodh nga një
kep në tjetrin mbi lumin e Skerranës, në një distancë prej 500 metrash, duke
ngulur thundrat matanë, në malin e Skuterrës. Sot vendasit u tregojnë
kalimtarëve gjurmët e mpiksura të kalit, si relike në shkëmbin e fortë.
Syri
ndesh një peizazh të degraduar, nga erozioni i fuqishëm i ujërave sipërfaqësorë
mbi shkëmbinjtë flishorë me përmbajtje të madhe argjilore. Ato janë edhe pasojë
e veprimtarisë së ndërhyrjes pa kriter të njeriut, veçanërisht i keqpërdorimit
të bimësisë natyrore. Duke ecur shikon trungje dhe pemë të prera e dègjon
uturimat e kamionëve dhe eskavatorëve me gërvimat e tyre, që ofshonin si kafshë
mitike, dhe kafshonin shpatet shkëmbore për nxjerrjen e gurëve dhe grryerjen e
shtratit të lumit të Murdhanit për të ndërtuar HEC-e. Murdhani sikur klithte
nga dhimbja, që po i thajnë ujin duke e futur në tuba, sa të vjen të
revoltohesh që po shkatërrohen edhe këto mrekulli nga babëzia e bizneseve
gurore. Kur përballesh me këto pamje, gjendesh midis dy botëve, ku njeriu dhe
natyra janë në mirëkuptim të plotë, dhe në atë, ku njeriu është i angazhuar në
luftë kundër natyrës. Në një mënyrë a në një tjetër, deri këtu, të gjithë e
kemi parë, prekur fenomenin e mësipërm kudo në Shqipëri, siç edhe e kemi
pranuar pa dashjen tonë, të shndrrohet në shkatërrim, nga teknologjia që ka
vrarë natyrën, duke i nxjerrë jashtë rropullitë e tokës sonë; duke zgavruar
shpatet e kodrave dhe maleve, duke trazuar ujërat e lumenjëve, duke i poshtëruar
e fëlliqur me plehra, e shkaktuar plagë pyjeve me prerje e zjarre. Sot njerëzit
e fuqishëm kujtojnë se janë zotër e mund të bëjnë çfarë të duan me Natyrën. E
ç'nuk është bërë të zhduken, ca nga ca monumentet e bukura. Natyra të ndëshkon
rëndë. Shtëpitë në shumë zona fushore janë ngritur buzë lumenjëve, që shpesh
janë përmbytur. Rrugët janë bllokuar nga gurët e shpateve shkëmborë. Ndaj të
papërgjegjshmëve të shkatërrimit dhe tjetërsimit të natyrës shqiptare, dhe
atyre me pushtet që kanë dhënë leje duhet të ngrihen për ndalimin e tyre.
Në
rrokopujën dhe mish-mashin e përgjithshëm ku noton Shqipëria, ndoshta nuk janë
bërë gjërat ashtu siç duhet, por e rëndësishme është që ky vend nuk është i
panjohur si pak kohë më parë, por një oaz i qetë që vizitohet aq shumë nga
adhurues të Natyrës. Këtë peizazh natyror tepër piktoresk herë pas here djem e
vajza nga Tirana e Elbasani e gjallërojnë me kukurisje.
Uji,
si lot i kthjellët bën shakatë e tij në një grykë të ngushtë e krijuar nga
shkëputje tektonike në mijëra shekuj, e shplarë nga rrjedha e tij, herë nëpër
gurët e herë mblidhen në pellgje, të cilat u ngjajnë pishinave, që nën
shkëlqimin e argjendë të diellit krijojnë ylbere të çuditshme. Në njërin nga
ato me formën si sy i madh dhe ujin e kulluar që ka (një nga pellgjet e
mëdhenj), si një sy ciklopi, ndaj e kanë quajtur herët Syri i Ciklopit, një
mister në të njëjtin kohë, me të veçantën e një etimologjie mitike, ku ta ka
ënda të pushosh. Bukurinë këtij pellgu ia shtonin shkëmbinjtë, që shërbenin si
sop i lartë për të bërë hedhje nga lartësia në ujë kokëngulthi. Ky ritual na
grishi edhe ne të hidhemi e kridhemi në kaltërsinë e ujrave të pastra, që është
tepër emocionuese.
Me
t`u këputur nga pellgu uji zbret teposhtë nëpër gurët e stërmëdhenj me
shushurimë, duke përkedhelur brigjet me valët e tij të ëmbla. E kundron lojën e
shkumbëzuar të ujit në shtratin e ngushtë, që thellohet në kanion me brrylime
të befta, me shpella e trajta piktoreske shkëmbore, ujvarat me lartësi 3-10 m,
gropa të thellë e plot humnera përpirëse dhe govata të mbushura plot. Është e
bukur për t`i parë dhe shijuar, por e vështirë për të shkuar thellë tyre.
Janë
këto disa nga mrekullitë e natyrës këtu, pasi ka dhe shumë të tjera, që
përbëjnë pjesën më qetësuese, jo vetëm për një adhurues të natyrës, por edhe
për një vizitor të thjeshtë. Ujërat rrjedhin dhe shtojnë ndjesi të tilla,
jetëdhënëse të realitetit gjeografik të luginës së Erzenit, që bashkëjeton me
fushat, kodrat, e vendbanimet e shtrira përgjatë tij derisa derdhet në Detin
Adriatik.
Pas
çlodhjes nëpër gurë e hijet e pemëve buzë lumit ujëpastër, pikërisht atëherë
kur ndjenja shpirtërore e përmbushi kënaqësinë e saj, si në çdo rast tjetër që
shfaqet para syve, ky peizazh i Malësisë së Tiranës, na e hoqi lodhjen si me
dorë.
U
rikthyem në Tiranë, në shijen e një të diele të veçantë në këtë oaz bukurie
mahnitëse të Syrit të Ciklopit. Duke hequr shëmtimin që i ka bërë babëzia e
njeriut, çdo gjë tjetër është një magji e vërtetë, që nuk e shikon në asnjë
vend tjetër. E kemi shijuar bukurinë piktoreske, duke u ”arratisur” vetëm pak
orë larg nga pluhuri i Tiranës.