Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: E bekuara nga perënditë
E merkure, 09.06.2021, 09:30 PM
E BEKUARA NGA PERËNDITË
Udhëpërshkrim Ekskluziv nga Pëllumb Gorica
Një
ndjenjë ngazëlluese të mbërthen kur udhëton drejt Valbonës. Ajo të ngjan me
magjinë e përrallave dhe me vete thua se vend të bukur zgjodhi Perëndia, që jo
më kot Romakët në shek III pas Krishtit, të mrekulluar nga bukuria dhe begatia
e saj, e pagëzuan me emrin Valbona.
Valbona
është me të vërtetë një luginë me tiparet e një amfiteatri madhështor të
rrethuar nga kurora malesh të lartë të Alpeve Shqiptare (një Eden Parajse), me
fustanin e gjelbër të Driadave dhe ajrin plot freski. Demetra (Toka Mëmë)
përgjatë miliona shekujsh e ka shpërblyer me bukuri epike, me larmi malesh; por
më shumë me ujërat kaltëroshe, si simfoni jetëdhënëse e lumit më të bukur të
Shqipërisë, që harbohet shkumë e valë nëpër gurë, duke i rrumbullakosur me
gurgullimë, që të puthë brigje përgjatë një rruge gjysmëqarkore, ku bëhet
kanion te Ura e Shtrenjtë në Shoshan, duke u bashkuar me rrjedha të tjera më të
vogla drejt liqenit të Komanit që bëhet dritë.
Fluturimtar
dhe i përhumbur nga kënaqësia, kalojmë liqenin e Komanit, që, sa herë e sheh,
aq herë të magjeps me ngjyrën smerald të ujrave. Qyteti i Bajram Currit ngrihet
rrëzë Bjeshkëve të Bishevës dhe Ponarit, me shtëpitë-kulla dhe pallatet e kohës
së Socializmit, si gunga të padëshirueshme në trupin e shëndoshë të tij.
Tropoja dikur është quajtur Malësi e Gjakovës. (Emri administrativ “Tropojë”
është i ri, i “Epokës së ndritur të Socializmit”, ndërsa edhe vetë Tropoja e
vjetër më herët thirrej Astë).
Sytë
i ngul thellë në peizazhin që të tërheq aq shumë. Aq më madhështore bëhet kjo
bukuri nga ashpërsia e shpërfaqur me krenari. Ja Jezerca hijerëndë, atje lart
në mjegull, mbuluar me plis të bardhë. Në këtë majë me bukuri marramendëse,
plot Zana, Orë e Shtojzovalle (është vendi më tipik i legjendave me Orë e
Zana), me heronjtë e Epikës së Kreshnikëve, me shpella të paeksploruara, të
banuara që në Lashtësi.
Historitë
e periudhës së Paganizmit, të ruajtura në kujtesën e të moçmëve në trevat e
Veriut, thonë se shumë kohë më përpara në majë të malit të Shkelzenit
lartësohej Tempulli i Diellit, i cili shkëlqente edhe natën deri në breg të
detit (nga ka marrë dhe emrin Shkëlzen = shkëlqen). Shkëlzeni për banorët e
këtyre trevave është kthyer në një vend pelegrinazhi (aty ndodhet edhe varri i
shenjtit Shkëlzen), ku në stinën e Verës, në shenjë besimi ndaj kultit të
Diellit, flijonin gjënë e gjallë (bagëti) apo thyenin kotruvet me verë e bylmet
(si kurban) ndaj mirësisë së kryezotit të tokës e të njerëzve. Pelegrinët, në
kthim thuhej se merrnin me vete ujë nga gurrat e malit (si Ujë i Shenjtë për
shërim), të cilin e shpërndanin në kullë, në vathë të bagëtive dhe në arë (si
bekim për mbarësi e bereqet). Në të njëjtën shtrirje të vargmaleve ndodhet Maja
e Hekurave, një emër që vjen nga disa formacione ngjyrë ndryshku. Legjendat
thonë se ato janë hekurat e ankorimit të anijeve kur deri këtu ishte det. Në
këtë Natyrë madhështore, përplot histori e lavdi kreshnikësh, një copëz tjetër
Parajse është Dragobia, ku syri arrin të shijojë ngjyra, tinguj, gjelbërimin e
pishave, që duken sikur kanë të përbashkët me banorët e saj krenarinë dhe
jetëgjatësinë. Përmes degëve të pyllit me pisha e ahe dëgjon shushurimën e
ajrit të shëndetshëm (si dallgët e një oqeani) dhe zërat e zogjve; ku ndjen
thellë aromën e luleve, ku vështron ujërat e freskët e të pastërta qelibar,
tejet e vështirë t’i rigjesh në magjira të tjera. I prek kullat hijerënda, këto
karakolle burrërie shqiptare, së bashku me shpellën, aty ku kaloi ditët e
fundit të jetës Heroi i Popullit Bajram Curri, që në zhvillimet historike të
kohës ( vitet 1920 -1925) u shqua si atdhetar.
“Atje nisi,/ atje mbaroi;/ atje krisi,/ atje pushoi...”
Ecën
në atë dekor luftrash me dragoj e bajlozë, orë, zana, duele kreshnikësh e
vringëllima heronjsh mitologjikë. Më bëhej se shihja në shtratin e Valbonës ato
valltaret, që u ngjanin shtojzovalleve të përrallave tona. Në Tropojë vallja
nuk kërcehet, por sikur fluturon, që i jep solemnitet asaj dhe e bën
komunikuese me malet rreth e rrotull, me qiellnajën e shqiponjave në majat e
bjeshkëve.
Valbona
është kthyer në një qytezë, e cila frymon gjallëri, me bujtina që shtohen njëra
pas tjetrës, kryesisht dykatshe të stilit tradicional. Por, sa poezi ka në këto
pamje, ku vështron ndërtime të thjeshta (me gurë dhe dru, me çati të pjerrëta
brenda natyrës dhe në harmoni të plotë me të), që të japin kënaqësi të veçantë
e çlodhje në freskinë magjike të pyllit, por edhe murana të rrënuara kullash
dhe stane të braktisura, që përpijnë me pamjen e tyre të egërsuar çdo kalimtar.
Mendja më çoi mbrapa nëpër kohë, në venbanimet e ndërtuara nga fundi i
Neolitikut, që, për të plotësuar nevojat baritore, vizitorit si mua i flasin
për një art ndërtimi me materiale e mundësi të thjeshta. Teksa po vështroja
brenda staneve nuk vëreja asnjë dru, shtylla e porta. Hyrjet ishin krejt
natyrore, zgavra të vogla pa dritare. Asnjë krevat brenda stanit. Çobanë e
baresha, (burra apo gra) i përfytyrova me shpinën shtrirë mbi rrasa guri dhe me
kokat e tyre mbështetur mbi jastëkë guri.
Në
bujtinën e Kol Gjonit ( e vetmja kullë në Valbonë, mbetur e paprekur nga
babëzia e ndërtimeve) shijohet ende mikpritja malësore sipas traditës. Aty
takon njerëz të mrekullueshëm që prisnin Mujin me Halilin të vijnë prej Kohës
që të kalojnë natën aty.
Do
vijë dita që do të jetë e vështirë të gjesh vend në bujtinat. Duke rënë pre e
babëzisë për fitime të shpejta, në tavolina do të të shtrohen ushqime të blera
në market e gjysëm të gatuara, ndërkohë që vizitori shkon atje për ushqim
tradicional të zonës dhe jo për Coca-Cola e për vezë pularie dhe qumësht me
kuti. Ai nuk do kërkoj krepa me çokolatë në Valbonë, por petulla me mjaltë,
qumësht të freskët e djathë bjeshke; të pushojë në kullat e gurta me çati të
pjerrëta e të mbuluara me dru; të mos i mbulojnë krevatët me kuverta atlasi,
por me velenxa; të jenë me oxhak e jo në bujtina me ajër të kondicionuar, me
gjithfarëlloj lëndësh ndërtimi, pa rregulla dhe pa asnjë respektim të
Arkitekturës, që kanë pushtuar luginën; të mos shkel mbi pllaka majolike, por
prej guri, të mos i heqin poturet malësorët dhe plisin për xhinset, por t’i
mbajnë veshur dhe të presin turistët me to, sepse nderohen.
Mulliri
i Valbonës, që dukej prej së largu, si magjja e jetës me objekte të hershme të
zhvillimit social, dëshmon qytetërimin jetik në plotsimin biologjik të banorëve
malësorë. Pasja e një mulliri në të kaluarën shënonte kulmin e pasurisë së një
familjeje, kur ajo kishte lopë, dele, bletë dhe veronte në bjeshkë.
Sheh
mullirin dhe të bëhet se dëgjon rropamën e çartur të gurëve të tij, të detyruar
nga goditja e ujit. Ai nuk është i vogël; përkundrazi, madhësia e tij tregon
për numrin e njerëzve që vinin këtu e mund të qëndronin në hyrje, me trajtën e
mirëfilltë të një oborri pritës. Mulliri ishte dhe një lloj logu dashurie nga
gurgullima e vijës së ujit dhe, njëkohësisht, për muzikën e tij. Mulliri është
i njohur në qindra vite për banorët përreth e më gjerë, me mure prej guri dhe
pa tavan; trarë të trashë, jo dhe aq të drejtë; kurse çatia me dhoga, mbi të
cilat janëvendosur pllaka guri.
Do
të doja të isha këtu kur ai të bluajë misër, grurë, elb e tërshërë, për të
nërmytur bukën, “flinë” apo “petën” e shijshme me hithra dhe të bëja një kulaç
me miell taze, ta hanim të ngrohtë e me djathë.
Një herë të vetme të
shkosh, mrekullohesh prej saj
Shëtitjet
në luginën e Valbonës (me shumë befasi) dhe ecja në ajër të pastër nëpër
shtigje janë përjetim i këndshëm, që nuk harrohet mes kënaqësisë së pamjeve të
mrekullueshme të maleve hijerënda, pyjeve të harlisura (në një botë të largët
legjendash), nga stani në stan, nga shpella në shpellë, nga qafa në qafë,
ngjitur kreshtave, ku duhet me i ngritë sytë mbi humnerat dhe ujëvarat.
Duke
u bërë pjesë e një grupi miqësh, nëpër Shtegun (shekullor) të Dhenve, Valbonë-
Theth, aq sa të njohur, aq edhe të panjohur, sa më lart ngjitesh, aq më e bukur
të shfaqet pamja, atje ku Zotërat bëjnë punë njerëzish, në një udhëtim ndryshe,
larg rrëmujës, të duket sikur koha prej shekujsh ka ngecur në vend me histori
që janë ruajtur fort dhe me zakonet e tradita të lashta.
Befas
vëmendjen ta tërheq (si një pikturë e më shumë) një magji poetike me plot
muzikë dhe pëshpërima të bukura, saqë nuk beson se është liqen i krijuar nga
dora e Zotit, i rrethuar nga gjelbërimi, me ngjyra shprehëse të drithërimave të
qetësisë. Duke mos e prishur atë ndjenjë të këndshme solemniteti që na kishte
pushtuar, u ulëm në breg të liqenit të Xhemës; aty nëpër shkëmbinjtë
majëmprehtë, ku ai shtrihej si në pëllëmb të dorës. Nuk ke si të mos
mrekullohesh para ujit të kthjelltë, që merr edhe ngjyrë të gjelbër, kur rrezet
e diellit përflakin majën e Xhapojës e krijonin ca vezullime të ylberta, si
fole drite nëpër degët e aheve, aq sa s’të bëhet të ndahesh prej tyre. Të ngjan
si loti i derdhur i Ajkunës për vëllain e pagjetur (një nga shtatë Omerët e
Mujit) dhe i mallkon bjeshkët që e fshehin varrin e tij.
Atje
ku buron Valbona, në një ujëvarë me ujë të pastër, që rrjedh gjithë zhurmë e
potere nga një shkëmb i lartë, ne takohemi me ata që e kishin shkelur dhe po
ktheheshin. Fëmijë, të rinj, gra e burra. U gëzohesh tingujve të ëmbël,
cicërimave të zogjve që ndjekin me potere njëri-tjetrin në fluturimin nëpër
gjelbërimin e harlisur. Në këtë manifestim të mrekullueshëm të Natyrës, sa
kënaqësi aroma e lulebjeshkëve, e gjethit dhe e barit të sapokositur. Mbi lëndinën
e njomësht lulet me ngjyra të hareshme gumëzhinin me ngritje-zbritje nga bletët
e vyeshme. Ato të joshnin dëshirën për të qëndruar sa më shumë atje.
Ndërsa
çapitemi drejt ujëvarës, që gurgullon lehtë e pa pushim duke shpërndarë currila
të kristalta, drithërima të vërshojnë në trup. Uji i saj bie nga një lartësi
prej pesëmbëdhjetë metrash, pingul, si lot i kthjellët, në ca rrëke hollake që
herë thellohen në shtratin e vet e herë zhduken, të përpira nga gurët
nënëntokësorë, sikur luajnë kukafshehtas e pastaj dalin sërish, atje ku nuk e
prêt, poshtë Fushës së Gjësë, në Rrogam, me shushurimë magjike dhe pamje
kaltëroshe, sikur flokët e harlisur të një vajze.
Magjia e Valbonës e
kërcënuar nga HEC-et
Lumturinë
e Valbonës po e shëmtojnë, për ta fshirë nga monumentet e Natyrës, që të
largojnë banorët, të cilët jetojnë me bukurinë e saj; me leje të qeveritarëve
kusarë. Je i pafjalë nga ajo çka vështron atje, ku turistët nuk do të kenë se
ç’të gjejnë më.
Në
emër të zhvillimit, është vënë dorë mbi të, duke mos e respektuar të tregojë
hiret nga lakmia e pafrenueshme e njeriut me pushtet, që po e vret me
pangopësinë dhe kryeneçësinë e tij. Shikon nga afër se e kanë masakruar
shtratin e Valbonës, me prita, dhera, beton, zhavor e hekur, duke bërë që këtë
bukuri tepër mbresëlënëse (siç bëjnë kudo në Shqipëri), ta shëmtojnë më shumë.
Prerja e ujërave të lumit Valbona në Mbaskollatë, për t’u kthyer në digë, i
shkatërrohen bukuritë natyrore dhe për asgjë vdes jo vetëm Turizmi e
aktivitetet sportive, por rrezikohet peizazhi i saj, shëndeti i Botës Bimore dhe Shtazore;
aq sa banorët do të shpërngulen së bashku me ujin. Do të jetë vonë të, kur
fatkeqësitë do të vërshojnë si kuçedra të të shkyejnë. Por kjo arrihet duke
hedhur beton e hekur dhe duke bërë ndërtime, aty ku Perëndia përgjatë miliona
shekujsh ka bërë stilizime në mënyrën më të mrekullueshme e më mjeshtrore të
mundshme. Sot në Shqipëri është shndërruar në epidemi fakti, që atje ku rrjedh
ujë prej maleve, të ndërtohet një a më shumë hidrocentrale dhe prej kësaj sëmundjeje
nuk ka shpëtuar as Valbona, që rrezikon për të larguar banorët që jetojnë me
Natyrën e të shëmtojnë peizazhin e saj të mahnitshëm me lloj - lloj ndotjesh
dhe me tharjen e burimeve, për ta shkatërruar në HEC-e, nga interesat e
babëzisë mafioze me mbështetjen e pushtetit.
Magjia
e Valbonës; sytë e bukur të saj, flora, fauna, diversiteti biologjik, të
kërcënuara nga ndërtimi i hidrocentraleve, pa funksionimin normal të saj, do
kthehet e shkretë dhe nëse vazhdon më tej, pasojat do jenë dramatike në kohë të
afërta e largëta, si për Natyrën ashtu edhe për njeriun. Pra, askush nuk mund
t’i marrë Natyrës më shumë se ç'mund të japë në të vërtetë, sado ta dhunojë
atë. Ishin të pranishëm banorët e luginës (me përfaqësim) qytetarë nga gjithë
Shqipëria; artistë, alpinistë, ambientalistë, etj, për të ndërgjegjësuar e
frymëzuar, pa dallim bindjesh, politike ( Kombëtarë, e pse jo edhe
Ndërkombëtare), me thirrjen e fuqishme për pezullimin e këtij projekti ogurzi
të Pushtimit të Luginës Valbonës nga HEC-et, duke shkatërruar këtë perlë të
bukur, të shpallur Park Kombëtar. Një shembull se toka meme, me pasuritë e saj
të dhuruara nga Zoti e trashëguar ndër breza, duhet të mbrohen, duke i bërë
ballë kujdo që cënon ato. E zgjodhi këtë lloj kundërshtimi për të shpëtuar
bukurinë e Valbonës (apo gostinë e dallaveres pushtet) edhe Catherinë Bohne,
kjo luftëtare e madhe amerikane në mbrojtje të Natyrës e cila bashkëjeton me
Luginën e Valbonës.
Valbona
nuk duhet të thahet e as të shkatërrohet në emër të fitimit. Nuk duhet kurrsesi
të lejojmë, që kjo dhuratë të shkatërrohet për interes të pak njerëzve të cilët
mendojnë vetëm për para. Pra; askush nuk mund t’i marrë Natyrës më shumë se
ç’mund të japë në të vërtetë, sado, që ta dhunojë atë. Po u shkatërrua shpejt,
do të shprehemi: Dikur na ishte në këtë vend një lumë i mrekullushëm, në këtë
luginë e cila ishte shumë e bukur dhe quhej Valbonë, që u përpi nga
përbindëshi.
Valbona
nuk është thjesht një lumë, por një ndër perlat e Veriut, si pjesë e
“Identitetit Kombëtar Shqiptar”, pronë e pandashme e të gjithë Shqiptarëve.
Ndaj e vetmja thirrje është: Lereni të rrjedhë shëndetshëm!
***
Eh,Valbona,
kjo luginë e bukur e bjeshkëve tona të mahnitëshme, me plot bukuri, më shumë
aroma të larushuara, me gjuhë zogjsh, me ajër dhe dëborë të pashkrirë, merr
shkëlqimin e syve të vizitorëve. Një herë të vetme të shkosh e rrëmben një
“copë”prej saj; atë bukuri hyjnore që, përtej mbresave, e ruan si kujtim:
ujërat shushuritës të lumit si lot i kthjellët përgjatë shtratit të saj
mijëvjeçar.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi
apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me
shkrim të autorit.
Copyright © Pëllumb
Gorica
Copyright ©
ZemraShqiptare.net