Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Divjaka për t’u riparë
E diele, 04.07.2021, 08:43 PM
DIVJAKA PËR T’U RIPARË
Nga Pëllumb Gorica
Udhëtimet gjithnjë ngjallin kureshtje me misteret e
madhështisë së Natyrës. Krejt natyrshëm të mbështjellin brenda vetes me asisoj
emocionesh, të cilat secili nga ne i ruan së brendshmi si diçka të shenjtë. Për
më tepër magjia e së bukurës së përjetuar, në shikimin e natyrës dhe fragmente
të jetës, çdoherë është interesante veç të “fluturon”
t’i shijosh këndshëm.
* * *
Teksa makina jonë rrëshket mes për mes fushës së gjelbëruar
drejt Divjakës, drita e mëngjesit ndjehej mrekullisht bukur në shoqërinë e
bashkudhëtarëve të këndshëm. Një ditë plotë diell e dekoruar me disa re të
bardha që lëviznin kuturu, pikërisht ashtu siç mendon e dëshiron të jenë ditë
të tilla. Hera-herës rruga është e drejtë dhe me shumë degëzime që përhapen fushës, si një kryevepër arti e rikonstruktuar nga koha. Përtej xhamit të
makinës, të çmbështillen tabelat e shkruara. Jo aq larg prej aty të ftojnë
pikëlat e bardha të vendbanimeve. Dikur ishin vende internimi për “armiqtë e popullit”. Ecën, ashtu, pa
thënë asnjë fjalë (siç largohesh më tej), për të shpëtuar një psherëtimë
dhimbjeje, kur të bëhet se dëgjon ofshamat rënkimtare të shpirtërave të
vuajtur. Po mendja futet më thellë në muzgun e shekujve të shkuar, të kësaj
treve, të pasur me histori të lashtë, me ngulmime të hershme, gjetje
arkeologjike dhe ngjarje historike. Ja, në anë rruge Çerma Ciflig (e
trasformuar në Çermë-Shkumbin). Ndërsa në krah Sulzotaj i freskuar nga lumi
Shkumbin, që gjarpëronte drejt detit Adriatik. Këtu si skelet i ndonjë
dinosauri, të shfaqen dy këmbëzat e një ure të lashtë, të degëzimit të rrugës
antike Egnatia, ndërtuar gjatë periudhës romake. Diku lart, aty ku fillojnë
kodrat e Karatoprakut, është Bishtëçukasi. Nga Luc Apusti dimë se përgjatë
luftës së dytë iliro-romake këtu është ndërtuar një kështjellë, e cila u
shndërrua në një qytezë.
Teksa shihje njerëzit të
shpërndarë
arave, serave, vreshtave e pemëtoreve, sipas ritmit të punës
me veglat e punës në duar, duke iu përkushtuar me trup e shpirt, e aty-këtu
tezgat buzë rrugës me prodhime bujqësore, pak e nga pak biseda jonë hyri në
hullinë e përditshmërisë këtu, që janë edhe mjeti i të mirave të banorëve. Toka e Divjakës është e njohur jo vetëm për drithërat, por
edhe për prodhimtari perimesh: qepë, sallata, shalqi, speca, domate, pjepër, aq
të kërkuara dhe mirëpritura nga tregu. I mrekulluar nga gjelbërimi freskia e bukurive dhe pasurive të natyrës mendon me vete diçka prej shkrimtarit rus Çehov, i cili pak
a shumë thoshte: se njeriut i duhen jo
tre kut tokë, as dhe një çiflig, po e gjithë bota, gjithë natyra, në hapësirat
e së cilës ai mund të zhvillojë dhe duhet të shfaqë vetitë e shpirtit të tij të
lirë.
I afrohemi Divjakës, që ngrihet tërë dinjitet. Një dorë e bukur e ka
përkëdhel, të ndërtojë fizionominë e vet, duke punuar figurativisht dhe
ekonomikisht. Megjithëse asgjë nuk e ka të përsosur në atë mozaik stilesh e
rrëmujë ndërtimesh, hapsirat e saj e mbushur plotë dritë, të mirëmbajtura, me
ndriçim, të shtruara me asfalt, trotuare me pemë dekorative, kosha plehërash,
ku binte në sy pastëria dhe rregulli prej projekteve urbane, është shumë
larg të qënit një qytet i zhvilluar.
Divjaka (Dyvjaka),
nuk është emërtim sllav “Mollë e egër”
e as dy vija uji prrenjësh, veç pikëbashkimi i dy degëve të “Egnatias” Dy
Viat-Dy Rrugët-Due Vie, të asaj që vinte nga Apolonia (degëzim i Egnatias) me atë të Durrësit. Një hamendje tjetër thotë
se Divjaka është emër Norman, një trajtë e devijuar në shqip i emrit
Divi-Diall; sepse lumi Devoll kalonte këtu dhe mbathte fushën me aluvione.
Përtej Divjakës marrim rrugën në “Parkun Kombëtar Divjakë – Karavasta”, që të përpin dhe të
bën të biesh në dashuri me ‘të. Shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 4200 ha;
veçohet si një nga parqet më të bukur (jo
vetëm në Shqipëri), duke u bërë një vend çlodhës për çdokënd që e shkel. Sa
më i bukur dhe një natyrë të rrallë me të gjithë elementët e vet të jetë një
park, aq edhe më shumë nga këto tipare do të kemi ne si njerez, ndërsa nëse
shkatërrohet, aq më të zymtë do të jemi së brendshmi në shpirt.
Ndalesën e parë e bëjmë atje, ku çdo vizitor adhuron
topografinë e pyllit. Herë pas here gjen diçka tërheqëse, që të bën të
hulumtosh me qetësi dhe dëshirë, çdo detaj që të përfshin të tërin; të shkrihesh
në gjelbërimin e tij dhe fenomenet, që të kuptosh më shumë atë. Heshtja
përhapej e mbështillte gjithçka, duke lënë të dëgjohen hapat me një gëzim të
papërshkruar të ndjesisë së qetësisë. Tashmë është vapë e megjithatë ajri, që
dukej i shenjtëruar, i bënte drurët dhe gjethet të shushurijnë, teksa fërkohen
në degët e dendura e të kapërthyera me njëra-tjetrën. Rrugëzat e ngushta nderen
si gishta natyrale të krijuara nga shkeljet e kalimtarëve prej vitesh të tëra.
U çapitëm me nge, përmes një udhëze, duke hedhur vështrimin sa andej këtej, si
të endur prej grimcash pluhuri rrezëllitës. Dëgjojmë fëshfërimën kërcitëse të
halave e më tej sikur dikush shkel mbi bar. Sërish nisëm të shikonim rreth e
rrotull dhe më në fund ndaluam te një pishë e madhe. Një lepur (sikur shëtitje të kishte dalë) kaloi
vetëtimthi afër dhe iku larg. Ca shpendë fluturojnë mbi kokat tona, të
pashqetësuar nga prania njerëzore, duke ndjekur njëri-tjetrin me potere (sa kënga e tyre dëgjohet si melodi e
dallgëve të detit, që më bëri të ngre kokën). E përkëdhel veten nga
fëshfërima e tyre e të vjen ndërmend periudha, kur këtu mezi shihej ndonjë zog
çafke apo karabullak i trembur pas kallamishteve e degëve të pemëve dhe tashmë
vështron gjithfarë shpendësh, si rosat, bajzat, dallëndyshet krahëzeza të
detit, pelikanët kaçurrel etj, me tufa të mëdha, që vijnë prej largësive në
Pranverë dhe ikin në Vjeshtë. Moratoriumi i gjuetisë i ka shpëtuar nga zhdukja,
duke u krijuar qetësinë e “ringjalljes”
së tyre, sa mrekullohemi me të vërtetë prej shpendëve dhe kafshëve që e popullojnë. Çmenduria e vitit të mprapsht të 1997-ës,
dëmtoi peizazhin natyror të saj, me gjueti të paligjshme shpendësh e peshqish. Tashmë kushtohet kujdes, duke i mbrojtur
nga prerjet, djegiet dhe zvogëluar nivelin e ndotjes, që linte vend për
të dëshiruar, nga grumbuj plehrash, midis të cilave edhe plot shishe të thyera.
Vjen pushuesi e kundron pyllin këndshëm, ulet të drekojë me ushqime me vete,
birra, raki e coca-cola e mbasandej i le mbeturinat aty.
Nga larg vinin zëra njerëzish, blegërima bagëtish dhe zukatja
e pandërprerë e gjinkallave. Ca më tutje një tufë kuajsh që ecnin zdrënkthi, tërhoqën
vëmendjen e të gjithëve. Dëgjon zhurmat e pyllit me misteret e tij e të duket
sikur sheh filmin e bukur
artistik shqiptar “Pylli i lirisë”,
sipas tregimit të shkrimtarit Naun Prifti. Restorantet
gumëzhinin nga njerëz dhe të qeshurat e tyre. Gatimet tradicionale (peshku, ngjala e karkaleca), të ftojnë
për t’i provuar në shoqërinë e një gote vere për emocionet e shpirtit, në
qetësinë e paqtë e të gjelbërt. Lokali “Ali
Kali” qe ngritur midis drurëve të gjelbër. Në sfondin e tij ishte skalitur
një kalë i bardhë, që kur e shihje nga afër dukej si ato kartolinat e
bukura.Ndërsa brenda restorantit është krijuar një muze arkeologjik, historik
dhe etnografik, i mbledhur me përkushtim, dashuri dhe respekt për paraardhësit.
Tej, një urë e drunjtë, si ormanent i domosdoshëm, duke
krijuar imazhin e filmave në Amazonë. Sheh gjurmë gdhendjesh me simbole në
stola dhe pemë. Varkat dalin nga një vend kallamishtesh dy e nga tre dhe
vozisin moçalishteve, me plot peshq, bretkoca e mushkonja përgjatë shtegut
fantastik prej 2.7 km. Me sytë ngulur pyllit dhe ujit të errët, që llokoçitej
brigjeve të gërryera nga rrënjët e dala përballemi me krijesa ujore e shpendë.
Bretkosat “kakuisin” në natyrshmërinë
e tyre. Sado larg të kesh shkuar prej këtej arrin afër ishullit të pelikanit,
t’i shohësh se si zbardhin në ajër aq vetitës. Mbase ke dëshirë të rrish më
gjatë atje.
Ja, më tej një tufë
me buaj, këto simbole të kafshëve të fuqishme për parmendë e qerre në Myzeqenë
e përbaltur, që të ngjallin Mitin e Sizifit me atë tërheqje të stërmundimshme. Janë
mbi dy metra të lartë, të zinj pis si nata, me kokë të madhe dhe të fortë e
brirë të trashë, me qafën e muskujve të tendosur, bishtin e ngritur si çomangë, nga buzët u kullonin
jargë.
Ato pëllitën, sa i trembën flamingot, këto
shpendë balerina që kanë shtegtuar nga Afrika dhe kanë qëndruar në Godullën e
Ushtarit, në jug të lagunës së Karavastasë. Kolonia e tyre, deri 400 flamingo
sqepverdha, mbushin brigjet e qeta, i japin lagunave në çdo çast një magji të
parezistueshme.
Shkojmë aty ku është
qëndra e vizitorëve për t’u njohur me vlerat e “Parkut Kombëtar
Divjakë - Karavasta", por edhe për ta vizituar nga afër, duke dëgjuar cicërima
zogjsh dhe jo “krra-krra” të
thashethemeve ndër tavolina. Ulemi në stolin natyral ku dikur pushoi albanologu
i njohur Robert Elsie. Zëra të qeshur dëgjon pak më tutje. Dhjetë hapa para
nesh cërriste me një tingëllim të veçantë, një pelikan i bukur e sqimatar. Kthej vështrimin drejt tij, duke u orvatur t’i
afrohem. Pelikani të grishte me ojnat teksa
endej sa andek-këndej.
Me të vërtetë të
dhuron një ndjesi prej tjetër bote, qendra e vizitorëve, që tregon punën e
kujdesshme shkencore nga njerëz të përkushtuar, të parkut dhe zonave të
mbrojtura të tij. Shpjegimi, zëri i butë i Adrianit, duke ecur në hapsirat e
saj, të rrëmbente me të veçantat e të fshehtat.
Në Divjakë një kullë
panoramike ka sfiduar pyllin, me dhjetë katet dhe spiralet e shkallëve. Qëndron
për një farë kohe në majë të kullës me qasjen vëzhguese trigonometrike të
natyrës, aq sa krijon një film me metrazh të shkurtër, ku mizanskenat dhe
detajet variojnë këndshëm, duke ndjerë kënaqësi hyjnore që të gurgullon
shpirtin. Fotografon dalëngadalë natyrën, duke u zhytur në botën e magjishme të
ngjyrave, ashtu si peneli i piktorit që
fantazitë i kthen në vepra arti.
Vështrimi mbetet,
deri atje ku shtrihej fusha e parceluar, që dikur gjatë vërshimit dhe
përmbytjeve të lumit Shkumbin kthehej në kënetë e kërdinë bënte malarja dhe
lagështira e cila brente deri në kockë banorët. Më tej shtrihej Kulari, një emër i
deformuar që vjen nga latinishtja Kulevi (gjarpëri).
Pranë Kularit ndodhet pylli i Pogorrës, me plepa të butë, shelgje dhe dru të
tjera, si vidh, shkozë, thanë, mollë të egra e shkurre. Nëpër kohë nga vendasit
njihet si pylli midis dy lumenjve, sepse dikur shtrihej midis dy degëve të
lumit Shkumbin. Fillesat e tij Kulari duhet t’i ketë rreth vitit 1700, me të
ardhur nga Kosova (për hasmëri), por
edhe nga Voskopoja pas djegies së parë të saj, kur ata në Myzeqe gjetën qetësi.
Shtëpitë kanë qënë primitive, me kallama e kashtë (tjegullat e tullat u futën vonë, pas vitit 1945). Nga përmbytjet,
në mesin e viteve ‘60 të shekullit të kaluar banorët i shpërngulën në Divjakë.
Tregohet se në Kular në vitin 1938 u vendos si i mbijetuar i
një furtune detare, nga një anije studimore për florën dhe faunën, një biolog
gjerman, i quajtur Franc Trosher, i cili qëndroi si mik i familjeve që e
ndihmuan. Për ‘të tregohen mjaft histori dhe mistere. Ai, si biolog, ndihmoi
banorët për mjekimin e kafshëve dhe shpendëve. Pikturat që realizoi në Divjakë
i niste në Elbasan te një kishë katolike, të cilat u botuan në një libër më
vete. Ato kishin mesazhe interesante për zbuluesit gjerman.
Disa ditë para se të pushtohej Shqipëria nga fashizmi u
largua për t’u kthyer sërish në shtator të vitit 1943, i veshur ushtarak, që të
vazhdonte misionin e tij zbulues. U kap mbas luftës në Peqin me dokumenta
shqiptare, por u arrestua nga sigurimi i shtetit shqiptar, sepse ishte
kryeagjent i shërbimeve gjermane për Ballkanin, për të cilin ndërhyjnë ato
Përendimore për ta marrë, por thuhet se shërbimet e BRSS-së e shkëmbyen me
njërëzit e tyre të kapur.
Përtej shtratit të
lumit Shkumbin, ngrihen muret e Kalasë
së Bashtovës të ndërtuar në vitet 1444-1446.. Kalaja ka formë katër këndore me dimesione 60 x
90 m dhe shërbente si vend magazinimi i
drithit, që merrnin mallin e vendasve, të cilin e çonin në tregjet e Italisë së
asaj kohe, ku princat arbërorë mbanin marëdhënie tregtare me Venetikun,
mbretërit e Napolit dhe Vatikanin.
Pamja e detit Adriatik deri tej në horizont, që dukej i
bashkuar me qiellin, të jepte aq shumë kënaqësi, nga dumat prej rëre të imët,
nga jonet e jodit dhe të rrëshirës. Me vlerat e mëdha kurative të rërës e bëjnë
vend ideal për të pushuar. Rripa toke sikur e thyejnë sheshtirën e bregut, që
është larguar aq shumë nga pjesa e plazhit. Ve dylbitë në sy. Në pasqyrimin e tyre
sheh qiellin e kaltër, brigjet e detit të qetë, sa duken ujërat e pastra, si
një telajo pikture. E përqëndron vështrimin thellë në det se mos dalloja ndonjë
anije që lundronte afër. Ndërsa mbi qiell fluturoi gjithë zhurmë e madhështi
një aeroplan, që u tret shpejt në horizont. Veç një tufë e madhe zogjsh vërtitej
sa andej-këtej.
Karavastaja (nëse
duhet të flasim pak për ‘të), të ngjan si ndonjë zanë e porsa dalë nga
këneta. Në zhvillimet ekonomike dhe historike ishte pjesë e “drejtëzës”: Manastir i Pojanit,
Ardenicës, Kala të Boshtovës, Durrahut etj. Gjashtë kishat kanë hershmërinë e
tyre, të stilit bizantin, që “shikonin”
njëra-tjetrën dhe “lajmëronin”
ngjalljen e Krishtit me qirinj të ndezur në Pashkë.
Më tej Bedati, vend i përmendur në antikitet nga poeti romak
Lukiani, që tregon rrugëtimin e Jul Çezarit gjatë luftës kundër forcave romake
të Pompeut në vitin 48 para lindjes së Krishtit. Nga limani i Apsusit, Jul Çezari
i veshur si skllav, mori një anije për t’u hedhur në Itali, të tërhiqte forca të
tjera, të cilat i kishte grumbulluar Mark Antoni.
* * *
“Parku Kombëtar
Divjakë – Karavasta”, është një lloj
mrekullie, si një pikturë madhështore. Zoti vetë e krijoi me dashuri dhe e
bekoi me ujëra e gjelbërim të përjetshëm, si një nuse misterioze. Ne, sikur
dasmorët, i gëzohemi bukurisë së saj. Do të kthehemi përsëri për ta parë nurin
që marrin nuset në stinët e tjera.