Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Natyra shtron gosti mrekulluese
E premte, 23.09.2022, 08:00 PM
NATYRA SHTRON GOSTI MREKULLUESE
Nga
Pëllumb Gorica
Më
tepër se qetësinë i dua udhët për të shijuar magjitë e peizazheve atje, tej, të
padukshme për shikimin e zakonshëm, më shumë kur iki larg “për të shkundur
pluhurin e përditshëm”.
Deri
dje nuk më ishte dhënë rasti të udhëtoja në Pukë. Më dukej e largët në harresën
e vet.
Një
mëngjes të kësaj vjeshte u nisa krejt papritur, a thua se mendimi erdhi në çast
për të shkuar atje.
Dielli
ndriçonte tej. I gëzohesha rrugës ndër më të bukurat e Shqipërisë, që majtas
dhe djathtas përmes gjarpërimit në kodra e lugina “zbulon” në çdo kthesë e në
çdo shteg mrekullinë e amfiteatrit të pamatë të maleve, retë murrashe, pemët e
mbushura me fruta, përshëndetjet e kalimtarëve, që nuk ngurronin të jepnin
buzëqeshje.
Përveç
bukurive natyrore të peizazheve kalojnë si në revistë vendbanimet, që përherë
arkivojnë në pafundësi copëzat e jetës, të cilat në çaste të caktuara kanë
treguar rrugëtimin e tyre. Të përgjumura muranat e kullave të lashta. Në
përgjithësi pas viteve '90, Veriun më të thellë shqiptar e kanë braktisur banorët,
për një jetë më të mirë (një pjesë nisën rrugën e emigracionit nëpër Botë) duke
pushtuar periferitë e qyteteve dhe ngritën katraurën urbane.
Ndesh
pamje tërheqëse e herë pas here ndalon t’i sodisësh gjatë dhe t'i fotografosh.
Ajri, që dukej i shenjtëruar, i bënte pishat e dendura dhe mjaft të larta të
sillnin një freski mjaft të madhe. Është e pabesueshme çfarë të shohin sytë nga
Qafë-Çela deri në Pukë. Pisha të thara, nga “proçesionarja” murtaja që ka
ngritur mbretërinë e saj shfarosëse edhe këtu (ajo është po aq shkatërrimtare
sa flakët e zjarreve).
Pasi
kalon Gomsiqen, ku Gjeçovi i madh mblodhi dhe sistematizoi kodifikimin e
Kanunit të Lekë Dukagjinit, tej një lloj bregu të lartuar, të shfaqet si një
zonjë e rëndë, qyteti i Pukës, në dukje i vogël i mbështjellë nga një peizazh i
gjelbërimit të harlisur të pishave. Edhe mendimet më të trishta zhduken nga
admirimi i këtyre pamjeve.
Puka
është një qytet i rilindur, i vogël, por tejet i pastër deri në befasi, si një
ishull paqeje, vetëm dy orë nga kryeqyteti. Një qetësi e pazakontë vihet re.
Parkuam makinën dhe preferuam të ecnin në këmbë, duke shijuar qetësinë dhe
flladin e këndshëm, edhe duke zbuluar fytyrën e bukur që ka marrë qyteti kohët
e fundit.
Vështrimi
përshkonte çfarë pasqyrohej në ‘të, teksa shëtisim në qendrën e qytetit, që
ishte piktoreske me pamjen dinjitoze të statujave të Gjergj Kastriotit, si të
qe një hyjni e mitologjisë, apo si një “çesar romak” dhe më tej e Migjenit, një
Hygo shqiptar, me nxënësin e tij varfanjak, “Lulin e vocërr”.
Aty-këtu,
dy-tri kafene të vogla, me pak njerëz thuajse të moshës së tretë, të ulur në
karriget rreth tavolinave. Në livadhin jetë të tokës shqiptare ata jetojnë këtu
mes ëndërrave socialiste, kohë që lindi dhe rriti njeriun e ri, të motivuar nga
ideale të larta komuniste, por i la të varfër ekonomokisht dhe shpresës në krah
të gëzimeve, hidhërimeve e mundimeve fizike dhe shpirtërore të tyre.
Vëren
ngjyrat jo këlthitëse, të ndërtesave (të ndyra me parulla partiake) larg
rrëmujës marroke të qyteteve të mbipopulluara shqiptare, që të marrin frymën.
Në fakt investimet e Rilindjes kanë ndryshuar pamjen e Pukës, si shumë qytete
dhe qytezave të Shqipërisë. Ndërsa shikoja gjithë kënaqësi këtë estetikë
funksionale të kësaj arkitekture, më rrotulloheshin mendime të shumta për
banorët e Pukës, që dinë të ruajnë e zhvillojnë të bukurën në funksion të jetës
së tyre të përditshme, ndryshe nga klasa politike në Tiranë, që kush vjen në
pushtet, pra kush ze karrigen e kryetarit të Bashkisë, aq herë e ndryshon
arkitekturën e qendrës së tij; njëri e mbush me bar, si një kodër për të
ushqyer lopët dhe tjetri e bën kurriz peshku e me shatërvane, që je i detyruar
vetëm të ikësh, se nuk ke mundësi të shlodhesh diku.
Në
Pukë liqeni i vogël, si një bukuri e parrëfyer, të pushton me emocione. Ai të
ngjan si një pellg parajse i rrethuar nga pisha të larta, që i jepnin qytetit
një pamje të pangjashëm me ndonjë tjetër në botë. Ecëm përgjatë tij, në
rruginën e ndërtuar posaçërisht, për të shijuar bukuritë, që vërtetë të lenë
një mbresë të thellë, me ngjyrat e pastra dhe plot hapësira të begatuara e
njëkohësisht figura artistike në miniaturë. Vetë gjelbërimi, lulet e mbjella,
sistemimi i shkallareve, ujërave, barakave, varkave dhe këndeve që lidhen nga
urëza të vogla prej druri dhe parmakët kanë finesë të hollë e mjaft funksionale
dhe komode për argëtim.
Puka
është një vend i vogël për nga popullsia, por e madhe për nga historia, vendet,
objektet arkeologjike, për të cilat kanë folur të huajt qysh nga Straboni. Puka
arkeologjinë e ka të stërpasur, me dëshmi që datojnë nga koha e fiseve ilire,
pirustët e lashtë, të shquar për përpunimin e metaleve (epoka e bronxit dhe
hekurit).
Pak
km larg Pukës ndodhet qyteti antik Epicaria, i nënfisit pirust, të Skirtonëve të
Lashtë. Strukturat murale të shekullit V para Krishtit që ndeshen në pika
dominuese dhe fragmentet e qeramikave dëshmojnë një vendbanim relativisht të
madh. Këtu kryqëzoheshin rrugë që nga koha e romakëve për të lidhur bregdetin
me trevat veriore e lindore. Në hartat e vjetra romake përmendet rruga e Lashtë
Ilire, e ngjajshme me rrugën Egnatia që quhej Scobres dhe vinte nga (Lisi)
Lezha e Shkodra dhe kalonte në krahun e djathtë të rrjedhës së Drinit.
Në
trojet e Pukës shtrihej kultura e Komanit, që ishte një vendbanim i ndërtuar
prej guri, i prodhimit dhe tregtimit të metaleve, me shumë kisha dhe kulturën e
varrimit, me rroba e stoli, të gjitha qysh në Mesjetën e hershme, të cilat
tregojnë qartë për një zhvillim ekonomik tejet të përparuar.
Në
afërsi të malit të Krrabit janë gërmadhat e Kishës së Jeremisë, një vend kulti
i lashtë, ku shkonte për meshë dhe Lekë Dukagjini me një pjesë të ushtrisë së
tij.
Burra
trima e me emër kanë lindur në Pukë, që ishte zemra e Principatës së
Dukagjinit. Ka toponime në Kulumri, me mbetje të kalasë së Dukagjinëve. Në Flet
të Pukës është themeli nga ku ngrihen e forcohen Dukagjinasit. Në Lisin e Lekës
(Dukagjinit) dhe në Berishë të Pukës mbaheshin mbledhjet e maleve deri në
qindra mijëra vetë. Te Guri i Gjollisë, në Iballë, gjendet një tjetër mbetje e
fortifikimeve të Dukagjinëve.
Është
kjo arsyeja që qysh më fillimin e shekullit XX Puka ka tërhequr vemendjen e të
huajve (historianë, gjeografë, albanologë, etnografë e gjeologë).
Puka
njihet për pasuritë e jashtëzakonshme nëntokësore të mineralit të bakrit dhe
elementëve të tjerë, që tregjet e kohës, por edhe sot e bëjnë ndërkaq shumë të
vlefshëm. Kur u ndërtuan rrugët për mbërritjen në brendësi të pyjeve filloi
edhe shfrytëzimi i tyre, duke zbatuar në përgjithësi regullat teknike. Aq sa
qetësia shekullore e pishave dhe aheve u zgjua nga zhurma e makinave,
motosharrave dhe gadrave.
Në
trojet e Pukës janë ndërtuar dy hidrocentrale gjigante të Shqipërisë, ai i
Fierzes dhe Komanit dhe dhjetra të tjerë të vegjël.
Puka
ka perlë edhe etnografinë, por fatkeqësisht, të pazbuluar mirë e ndërthurur nga
shumë kultura të hershme, kësisoj ka se çfarë t’u tregojë brezave, madje të
mburret me zakonet dhe veshjet, që janë nga të pakta të cilat i kanë rezistuar
“modernizimit”të jetës sot. Në trojet e Pukës ndeshim simbolet e veshjeve:
kapuçin, jelekun, xhubletën, paranicën, pështjellakun, vathët, unazat e varset,
që përbëjnë një thesar kulturor mbi kultet më të hershme të njerëzimit. Nuk di
pse ndjej dhimbje që shumë shpejt nuk do shohim edhe gra me veshje të tilla.
Dikur
Pukës nderin dhe namin ia shtonte Artisti i Popullit, Ndue Shyti dhe Ansambli
Folklorik “Puka”. Ndue Shyti erdhi si një meteor nga malet e Gjegjanit, për t’u
bërë shumë shpejt mjeshtër i tingullit të rrallë e të pa përsëritshëm të
çiftelisë. Fjala Mjeshtër është më e pakta për ‘të. Ndoshta një lloj magjie që
duhen dekada të lindë një virtuoz si Ndye Shyti. Ajo që shënon të veçantën e
jetës së tij, nga njëra anë, është se njerëz si Ndue Shyti krijuan vlera të
vërteta artistike dhe kujtesa mbetet gjithmonë e freskët.
Mes
këtyre viseve si të falura me hatër, nga Zoti, një drekë në Hanin e njohur të
Pukës (Hani i Përparim Laçit), thënë ndryshe shtëpia turistike më interesante e
Veriut, na sjell ndërmend hanet e hershme nëpër kryqëzime rrugësh të Mesjetës
Shqiptare.
Të
gjitha mjediset e Hanit, falë edhe zellit të Përparimit dhe dëshirës së tij të
natyrshme për rregull e pastërti, krijonin një pamje tepër tërheqëse dhe
ngrohtësi të këndshme. Kur e bukura shoqërohet nga arti dhe kur arti zbukuron
punën, kjo është një simbiozë që më goditi me miqtë e mi sa shkela aty, kur
edhe treni që vezullonte nga ngjyra e kuqe (nën rrezet e diellit) para bujtinës
ndodhej si i ndaluar në stacionin e Pukës.
Bujtina
“Hani i Laçit” dukej aq bukur si një ndërtim antikiteti, me një formë moderne.
Asnjë zbukurim dehës, apo i tepruar, por elegant, të një një dekori miqësor që,
kur e sodit së brendëshme është marramendës nga objektet arkeologjike dhe
etnografike, të mbledhura me përkushtim: gurë të lashtë, libra e fotografi të
vjetra, bizhuteri, qeramikë, punime druri, veshje të vjetra për burra dhe gra,
zile, kumbora bagëtish dhe ornamente të kohës dhe traditës.
Bujtina
na dhuroi kënaqësi jo vetëm nga servirja e shërbimit për të na krijuar një
atmosferë gazmore, por edhe me shijen e ushqimeve të përgatitura në mënyrën më
profesionale të traditës. Shijuam një drekë të këndëshme, që zgjati shumë më
tepër se drekat e zakonshme.
Kënaqësia
më e thellë, biseda me Përparimin. Shpirti human i tij, të bëjnë të
vlerësosh atë i cili vazhdon të jetë kërkues e këmbëngulës për të sjellë
gjithnjë mënyra të reja të turizmit malor, në përshtatje me klimën e Maleve të
Epërme, si njeri pasionant dhe i lidhur me energjinë fizike. Nuk mund të mendohet
turizmi i maleve pa sportin e skive, ndaj ai ka vënë për udhë një nga pistat më
të mëdha të skive në Shqipëri, duke e “kompozuar” si një kampus sportiv modern,
ku mund të zhvillohen sportet e dimrit, deri dhe ato extreme (edhe poligon
qitje me disa lloje armësh sportive).
Me
sytë mbërthyer te maja e malit të Tërbunit, teksa dilnim nga qyteti i Pukës mes
ndërtesave të tij të lëbyrta nga dielli, ne ngjitëm një rrugë malore që
gjarpëron drejt Fushë-Arrëzit. Ishte aksi që lidhte Pukën me Tropojën, Kukësin
dhe Hasin, nëpër të cilën kanë kaluar me qindra e mijëra makineri të rënda të
cilat ndërtuan hidocentralin e Fierzës. Po aq e bukur është në dimër,
veçanërisht kur ka borë.
Në
Tërbun ka forma e peizazhe nga më të ndryshmet duke filluar që në rrëzë të tij
me luginat e përrenjve, shpatet e mbushura me lloje të ndryshme bimësie, ku
mund të shohësh gryka e qafa, kodra e maja të larta që ngjajnë si të huazuara
nga realitete jashtëtokësore.
Fryn
pak erë. Dielli herë shfaqet e herë fshihet mes reve. Pishat lëkunden lehtë si
valë në një breg deti. Ndaluam dhe pimë ujë të ftohtë në një çezmë të ndërtuar
në kohën e luftës së Kosovës. Një shqiponjë dhe shkrimi nga një dorë e ngeshme,
“Kosova e pavarur ‘’zbukuronte ballinën e tij.
Makina
gulçonte nëpër këtë rrugë të ngushtë dhe me kthesa pa mbarim, nëpër kodërza,
drurë, gurë kilometrikë, lapidarë të ciflosur, të të rënëve të LANÇ dhe punës
për ndërtimin e socializmit dhe frymën e lëvizjeve revolucionare të kohës.
Dikur në këtë rrugë qarkullonin “zisat” e famshëm të Parkut të Laçit, të
Shkodrës, Durrësit, apo të Tiranës dhe Elbasanit, që transportonin trupa edhe
mineral kromi e bakri në Vaun e Dejës. Rrugë e ngushtë edhe për veturat, por
mendoni pak, këtu kanë kaluar autobusë e makina me rimorkio në akull e ngrica
dhe ka patur aksidente. Sikur të gjenim nëpër këtë rrugë e cila ka humbur
lëvizjen prej Rrugës së Kombit ata njerëz, atë pafajësi dhe optimizëm, që i dha
një zhvillim jo vetëm kësaj treve.
Në
Munellë sheh masakrën që i është bërë malit, dorën e përbindëshit njeri, i cili
i sharroi pa mëshirë dhe shkretoi mrekullinë e pyllit, aq sa sikur në ‘të
kishte kaluar një berber i çmendur.
-U
dogj dy herë brenda një dhjetë vjeçari, -thotë miku im pukjan Tonini, -tani nuk
ka ku të ulet as zogu. Ashtu u veprua me minierat, të cilat u mbyllën, sa edhe
ndonjë që ka mbetur shfrytëzohet si në Mesjetë.
Një
ndalesë në Fushë-Arrëz, në këtë qytet të vogël malor, të rrethuar nga lartësitë
e thepisura si mure mbrojtëse dhe nga pyjet e dëndura. Ajo që të bie menjëherë
në sy është zbraztësia e tij (dikur gumëzhinte nga mijëra punëtorë). Ka pak
fare lëvizje në ‘të, sa të merr malli të shohësh një makinë dhe banorë të
mpakur, sikur mbajnë mbi shpatullat peshën e qytetit të boshatisur. Dhe ndërsa
i shihja duke kujtuar kohë të tjera, nxjorra aparatin fotografik dhe shkrepa
foto të kullave të kishës (dy kullat e larta të kishës janë gjëja më e bukur që
ka qyteti).
Përskaj
Fushë-Arrëzit rrjedh Fani, me shushurimë të mbytur, që të ngjall ndjenjën e
qetësisë. Ngrehinat gjigante të Kombinatit
të Drurit që kishte 3500 punëtorë dhe magazinat e minierave, me mure tullash e
blloqe betoni të mbuluara me eternite të kohës së socializmit, pjesë e
rëndësishme e historisë së zhvillimit, shfaqin ca parrulla të vjetëruara, me
gjithëfarësoj frazash komuniste që karakterizonte atëherë shoqërinë e
kohës sonë Socialiste të dehur me
demagogji, si: “Ç'thotë partia bën populli, ç’do populli bën partia”, “T’u
përvishemi maleve e t’i bëjmë pjellore si fushat” dhe maksimave si “I pari për
të sakrifikuar, i fundit për të pretenduar”, “Në njerën dorë kazmën dhe në
tjetrën pushkën” e të tjera fjalëboshe që ngopnin stomakun e një populli.
Fushë-Arrëzi
ishte vend persekutimi për dhjetra mjekë, mësues, inxhinierë të minierave dhe
të pyjeve, veterinerë, ushtarakë, agronomë e të çdo lloj profesioni tjetër të
sapo dalë nga bankat e shkollës, sipas zhargonit të kohës: “Aty ku ka nevojë
Atdheu”, midis ëndrrave e zhgënjimeve, mes vështirësive edhe nën vëzhgimin e
përditshëm nga rreziku i burgosjes. Horizonti kulturor ishte mbytës, ashtu si
mënyra e jetesës, kushtet ekonomike të rënda, që vuanin edhe izolimin e
tejskajshëm në periudhën e dimrit, por ata u shquan si misionarë të dritës së
diturisë, të zhvillimit dhe revolucionarizimit të jetës. Në pafundësinë e
ngjarjeve e përjetimeve janë edhe gjurmët e shumë artistëve, shkrimtarëve,
muzikantëve e njerëzve tejet të emancipuar për kohën. Kujtojmë Françesk Radin e
ngujuar, nga rrethanat absurde të kohës.
Në
Fushë-Arrëz shpirti liridashës e patriotik ka qënë kultivuar prej shekujsh.
Ndaluam te memoriali ku ishin gdhëndur emra, që për shumëkush janë një renditje
e njerëzve që bënë histori, me ngjarjen e rëndësishme historike, të qeverisë së
përkohëshme shqiptare të Kimzës së Mirditës në vitin 1911.
Hodhëm
vështrimin nga qielli që kishte filluar të përflakej. Shushurima e Fanit na
shoqëroi një copë herë të mirë. Në qiell, tek-tuk zogj të vonuar nxitojnë
s’dihet se për ku, kurse heshtja e paqtë, si një armëpushim i vjetër
shpirtërash, shtrihej deri tutje sa të ha syri.
Udhëtimi
në Pukën malore mbart në vetvete ndjenja, emocione, të papritura dhe shijimet e
mjaltosura të bukurive natyrore.
*Të
gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i
pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të
autorit.