E marte, 10.12.2024, 04:21 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Viseve ku pushojnë Perënditë

E enjte, 04.08.2022, 07:00 PM


Autori në Ujërat termale të Përmetit

UDHËPËRSHKRIM

VISEVE KU PUSHOJNË PERËNDITË

Nga Pëllumb Gorica

Sot e menduam ndryshe. Të zhvendosemi pak orë për të gjetur qetësi në gjirin e monumenteve të natyrës; në Përmet, aty ku natyra shekullore ka skalitur bukuri. Atje ku ajri të freskon me “poezinë” e gurgullimës së Vjosës; atje ku mund të mahnitesh para majave madhështore, që nusërojnë hijshëm e plot dinjitet historik, në muranat e kështjellash, kishave dhe teqeve sa një qytet; kanionet, shpella, pyje të harlisura e lëndina të përkëdhelura nga pastërtia dhe shkëlqimi i ngjyrave. Natyrisht nuk mund të rrish pa shijuar likot, djathin, mishin e qingjit, verën dhe rakinë me namë, stoli të mikpritjes, të dasmave dhe dollive të tyre.

Rreze dielli shkëlqejnë shtratin e Vjosës

Vjosa e egër, plot nur e hijeshi

Makina ecte shpejt. Ndërkohë që i nxehti lebetitës filloi të ndezi “motorrat”. Në çdo hap, një mbresë, që të sjellë para syve gjithëlloj bukurish. Kalojmë urën e Dragotit mbi dy brigjet e thella të lumit Vjosë. Urë metalike e ndërtuar në mes të viteve ’30 të shekullit të kaluar, nga firma italiane “Ansald”, që nderej si një dorë e hekurt me elementë dhe gjeometri të kohës, si një vepër jo vetëm strategjike, por edhe ekonomike, artistike e historike, sa kur e sheh, duket e vjetëruar, nga teknologjia dhe estetika. Në kohën “e kalvarit të mungesave të shumta”, ata që “gjurmonin lirinë” thoshin: “Po kaluam urën e Dragotit, shpëtuam”. Se aty ishte ngritur një postbllok policie që funksionoi deri në vitin ‘90 e njerëzit kontrolloheshin, si dhentë në shtrungë. Kjo bëhej më e frikshme, nga bunkerët në të dyja anët, ku nxinin tytat e mitralozave të rëndë.

Dragoti i mbirë natyrshëm në faqen jugore të malit Shëndëlli, të afron një hyrje të mrekullueshme në Grykën e Vjosës. Ca re të bardha, si dele ruda, nxitojnë e ngjiten shpateve të thepisura. Rruga gjarpëron përbri lumit Vjosa, veshur me një tis ngjyrash ylberore, ku një blu në të gjelbër fjollëzonte si nëpërkëz ujërat, duke zbukuruar Jugun, me bukurinë, begatinë dhe simfoninë e përjetshme të shushurimës magjike. Në burim ka një shtrat të ngushtë, që fillon nga Vouvoussa e Greqisë dhe atje quhet Aos.

Vjosën e ka bekuar Zoti me frymën e shenjtërisë së përjeteshme. Në Përmet rrjedh brigjeve, si vajzat e pabindura nën blerimin e bujshëm. Pasi ka shpëtuar nga ngushtësia, në Tepelenë, sikur pendohet që nuk ua vari maleve e humb furinë dhe thellësinë; hapet në zallishte, freskon rrepet e pishat dhe bëhet e dashur, si një nënë kur mbledh përrenjtë, derisa zbret nëpër Mallakastër, në shtratin e gjërë. Hyn në Urën e Mifolit, ku i bien “nervat” para se të derdhet në det, të shtrihet përjetësisht në 'të.

Vjosa me damarët përtëritës e jetëdhënës, sjell pjellorinë, bukurinë, gjallërinë, zhvillim, qytetërim, por kur del nga shtrati me prurjet e mëdha në krahasim me të gjithë lumejtë në Shqipëri, nga shirat që vërshojnë si kuaj jelebardhë përgjatë vjeshtës dhe pranverës, u bën gjëmën me përmbytje, shkatërrim e zhvendosje, sidomos në zonën e Novoselës e Bishanit të Vlorës dhe Ferrasit e Kaftarit të Fierit.

Vjosa është lumi i vetëm në Evropë, pa diga e pa pengesa. Ajo u shpall Park Kombëtar. Në rrjedhën e saj, Ministria e Energjitikës projektoi të ndërtonte HEC-e, siç kanë bërë edhe me shtratet e lumenjve të tjerë të Shqipërisë, që do të shkatërronin gjithçka, duke e mbuluar me ujë. (duhet ruajtur nga babëzia shqiptare që nuk ka të ngopur) Një pjesë e botës akademike në Shqipëri dhe Botë (edhe artistë) gjithë mediat e shkruara dhe vizive, me shqetësimin qytetar, u ngritën për të ndaluar projektet energjitike.

Kreshta malesh që gërvishin qiellin

Kundëron malet që ngrihen me ngurtësi gjometrike, me larmi ngjyrash e formash. Dëshmitarë të luftrave dhe përpjekjeve shekullore të banorëve, që të bëjnë të meditosh.

Kur kalon Mezhgoranin majë mprehtë, të bëhet sikur dëgjon Mentor Xhemalin: “Një zë po del nga Grykë e Mezhgoranit”, e cila ka kumbuar në skenat e kryeqyteteve të Botës, si në Moskë, Berlin, Paris, Pekin dhe gjetkë.

Në lartësitë e Golikut jehon një zhurmë aeroplani, që simbolizon kalin e Kostandinit të ngritur nga varri, të kohërave mbi Evropën e përcëlluar nga flakët e Luftës së Dytë Botërore midis ushtrive fqinje: italianëve dhe grekëve, që i kthyen në arenë tragjike. Ishte viti 1940. Herë e merrte Luginën e Vjosës ushtria greke e herë ajo italiane. Nga një anë grekët gjuanin me murtaja italianët dhe herën tjetër ishin trupat greke që copëtoheshin nga sulmet e italianëve. Në fillim ushtria greke u tërhoq, por më pas i vumë italianët para. Të ndodhur midis dy zjarresh Këlcyra, Malëshova e Dishnica, u goditën nga bombardimet e ushtrive ndërluftuese.

Bunker i stërmadh, i ndërtuar gjatë luftës italo-greke. Sot kthyer në baxho qumështi

Tregojnë se është bërë luftë e ashpër. U vranë aq shumë ushtarë grekë dhe italianë, sa arat, shpatet, lugina dhe kodrat u mbushën me kufomat e tyre. Banorët i respektuan, nuk u hoqën matrikujt nga qafa, i varrosën si njerëz. Këtu janë ende gjurmët e kësaj lufte: rruga e italianëve, muret, istikamet, helmetat, gavetat, copat e bombave dhe maliherët e ndryshkur.

Pak metra para nesh ngrihet manastiri i Shën-Nikollës. Këtu është gërmuar për varre të ushtarëve grekë. Qeveritë shqiptare e shndërruar Shqipërinë në mallin më pa vlerë, e ble ose e shet në Pazar për pesë lekë. Kështu lejuan ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë. Do të ishte mirë që grekët, t’i marrin e t’i shpien në Greqi. Por, dihet lakmia e grekëve për të marrë toka shqiptare, siç kanë marrë Çamërinë deri në Prevezë, me pretendimin se është trualli i Vorio Epirit. U ngritën patriotët me revolta e bllokim rrugësh. Ndërsa grekët u kundërpërgjigjën me lumenj urrejtjeje ndaj emigrantëve tanë në Greqi.

Bashkë me shushurimën e ujërave rrjedhin edhe mendimet. Tund kokën për t’i shpërfillur, sapo para nesh të shfaqen oaze bukurie; drurë rrepesh, me degët e trasha, që përhapin hije të këndshme. Si t’i bënin karshillëk, gurgullonin ujërat e Dhëmbelit, mal që të mbeten sytë në 'të, të ngjan si një plak mjekërrbardhë, me krahët hapur në Trebeshinë, sa i sertë aq madhështor, sikur të bie mbi kokë (valle malesh), besë e fortë mes tyre, duke hedhur dorën edhe mbi Nëmërçkë. Aty ku natyra ruan të pa prekura mrekullitë që i ka dhuruar Zoti, vetja të duket më afër qiellit, diellit dhe hënës dhe të fton për të zbuluar misteret. Syri has masive pishash, pyje dushqesh, kullota, bli, të paprekura nga dora e njeriut, nëpër të cilat tringëllinin sinfoni këmborësh e blegërima delesh, troke kuajsh, fërshëllima barinjësh shajak veshur e gunë krahëve. Zërin ta kthejnë honet dhe mendjen ta deh bukuria e tyre. Ato nuk të thonë thonë ik, por rri. Dëshira shkrihet për të pirë një kafe, për të ngritur dolli me raki, apo për të shijuar gatimet karakteristike, që të kujtojnë Nolin e madh:

“A do të hash e të bësh qejf?

Sofra e shtruar si për mbret,

pastërti e për yzmet,

të tillë gjen veç në Përmet”.

Gryka e Këlcyrës

Pastaj udhëtimi ynë ndoqi Grykën e Këlcyrës. Para Krishtit këtu kalonte një rrugë e moçme, me emrin "Fauces Antigoneses", nga ku Filipi i Maqedonisë u preu rrugën romakëve të Flaminit. Ndërsa Skerdilajdi, komandanti i ushtrisë mbretërore ilire shpejtoi për t’i ardhur në ndihmë Agronit, themeluesit të shtetit ilir të Ardianëve.

Në thyerjen e thellë shkëmbore të shfaqet Këlcyra e pazareve të famshme, që s'e humbi traditën edhe kur u eleminua prona private në Shqipëri. Midis këtyre përmasave, dihaste jeta e banorëve. Mjafton të vështrosh rrugën, tregun, kafenetë për të kuptuar sa e vogël është.

Ndaluam pak çaste, duke vështruar sarajet e bejlerëve të Këlcyrës. Me pamjen e një kështjelle, sipas historive, askush nuk mund të kalonte nga Tepelena për në Këlcyrë e anasjelltas, po t'i zihej pritë aty. Në ato rrënoja, që po shkatërrohen nga një gurore, fshihet historia e një fisi të tërë.

Bukuri përjetësisht të freskëta

Ndërsa dilnim prej Këlcyrës, rruga dredhonte ëmbël, përgjatë oazit të gjelbër, luginës së ngushtë, si ftesë në natyrën magjike; toka të punuara pëllëmbë për pëllëmbë, që zverdhojnë nga gruri, misri shtathedhur, nga perimet: domatet, fasulet, qepët, specat, vreshtat dhe pemë të harlisura, teksa pëshpëritin gjithë freski plot fruta mes ngrohtësisë jetëdhënëse të rrezeve të diellit.

Fotografon natyrën, duke u zhytur në botën e magjishme të ngjyrave, ashtu si peneli i piktorit që fantazitë i kthen në vepra arti. Vendbanimet dikur të populluara dhe me shumë histori, jo vetëm të tërheqin vëmendjen, por duket sikur të thonë: Ja ku jemi ne, të braktisura nga banorët, për jetë të re në Tirane e gjetkë: Kosina me shtëpitë përreth kishës së “Shën Marisë” të njohur për zhvarrosjen e varreve të fëmijëve. Buali, me shtëpitë misterioze, është kthyer në një vend që vjen e largohesh i kënaqur nga komoditeti i dukshëm tradicional; Piskova e gjelbëruar nga kopshtet plot me hardhi, arra, mollë e qershi. Pacomiti me ato copëza are që flakëronin, si shumë, shumë vendbanime të tjera po i perëndon dielli njerëzor. Teqja e Baba Aliut në Alipostivan, të ngjan si një anije, që frullon, me muranën e bardhë. Ndjek me sy rrugën plot pluhur, drurë dhe shkurre drejt Frashërit dhe Bredhit të Hotovës, atje ku bukuritë janë të përjetëshme e këndojnë me frymën e poezisë naimjane. Ndalon te një bunker i stërmadh, i ndërtuar gjatë luftës italo-greke në vitin 1940 kthyer në baxho qumështi. Ndërsa para, shfaqen peizazhet grishëse të Leusës mes pyllit të harlisur, që nga larg kur e sheh të çlodh me kishën aq të bukur.

Teqja e Baba Aliut në Alipostivan

Përmeti nën këmbët e Dhëmbelit, të deh me pamjen dhe frymën heroike: memoriale heronjsh të bronztë a të mermertë, që përveç se shfaqin vlera artistike, të risjellin shkëlqimin e ngjarjeve të lavdishme, duke i arshivuar copëzat e saj dhe shumë figura e personazhe natyrisht, të mëdhenj për nga historia, kultura dhe shkenca: Frashërllinjtë e Mëdhenj, at Stath Melani, Elena Gjika, Odise Paskali, Nonda Bulka, Ali bej Këlcyra, Tefta Tashko Koço, Sejfulla Malëshova, Androkli Kostallari, Mentor Xhemali, Bardhyl Londo e dhjetra të tjerë, që e kanë lartuar.

Qëndra e Përmetit

Në hartat franceze të krishtërimit, Përmeti është një vend ku zbrisnin engjëjt. Edit Durhamit i zgjoi kureshtjen, i ndezi fantazitë, kur preku e shijoi bukuritë që natyra i kishte dhuruar dhe shkroi një shekull më parë: “Me qiparisat e lashtë, dushqet e purpurtë, gjelbërim pranveror dhe njerëzit e mrekullueshëm, m’u duk një nga vendet më të bukur të botës!”.

Në shekullin IV- VI, ishte një pikë kontrolluese e Luginës së Vjosës. Ruhen rrënoja të asaj kohe, por se zbulimet rrëfejnë vazhdimësinë e qytetërimit të Përmetit. Emrin qyteti e ka marrë nga prijësi i saj Premti (në thellësinë e kohërave toponimin e quanin Trifilia), i cili për të mos rënë i gjallë në duart e pushtuesëve u hodh nga një shkëmb monolit prej 22.5 m katrorë dhe 42 m i lartë. Ndryshimet etimiologjike prunë emrin Përmet. Ne hipim deri në majë të gurit, duke vështruar pamjen e qytetit, me ndërtesat murengrënëse. Qyteti nuk është më ai i pari, kur banorët gumëzhinin si koshere edhe netëve. Po të mos ishte shushurima e Vjosës duket sikur qytetin e ka zënë gjumi. Thuajse edhe në mes të ditës ka një heshtje që të mbush me melankoli, nga ikjet, Hapsirat e stërpikura me trendafila e lule erëkëndshëme, të pakta nga flokëbardhët, të rinjtë dhe fëmijët që luajnë.

Përmetit nuri i bukurisë s’i kish rënë

Përmetit nuri i bukurisë s’i kish rënë fare, me lule, tinguj dhe hare dasmash. Neve na përshëndeti me ajrin që është ndryshe në këtë qytet, me gurët që flasin, me rregullin e pastërtinë dhe petalet e luleve, herë të njësuar me ngjyrat. U ulëm të pinim një kafe të shoqëruar me ujin e ftohtë. Një melodi baritore vinte përmallshëm si për të thënë se magjia e klarinetës së usta Laverit nuk pushon kurrë.

Oaze bukurie në Grykën e Vjosës

Natyra kuruese, sa s’të bëhet të ndahesh prej saj

Një rreze dielli shkëlqeu shtratin e Vjosës, si zanë e prrallave, që kreh flokët e gjatë dhe josh djemtë me nojmat ledhatare e buzëqeshjet rrëzëllitëse të valëve. Ujërat e Vjosës dëgjoheshin herë si nanumrimë e ëmbël e herë si buçimë gjëmimtare. Poshtë urës një varkë, nga ato të garave sportive, me pesë rremëtarë mbi 'të, përkundej gëzueshëm. Fëmijët në ujin e kristaltë gëzoheshin zhurmshëm, duke ngritur stërkalat e bardha, që shndrisnin si vesë. Ca gabelka kërcenin e këndonin anës lumit, duke larë rroba e shtrydhur në gurët, ku shpalosej dhe gafllonte shpirti i lirë i tyre. Nuk di a do kishte ngjyra dhe bukuri Përmeti pa elegancën dhe këngën e saj, një dëshmitare që mundëson udhëtim çlodhës andej e këndej kufirit.

Ndanë rrjedhës së Vjosës ndjekim rrugën Përmet-Tri Urat, që të lidh me Leskovikun, Ersekën dhe Korçën e djathtas me Greqinë. Ecën në shoqërinë e ngjyrave të lumit dhe pyllit. Sytë ia fal Cirqeve të Nemërçkës, me kulme magjiplote e madhështore si qëndrim krenarie, shtigjeve plot rreziqe, nga honet që tek-tuk ruajnë bardhësinë e dëborës. Të jetosh në këto vende, bëhesh njeri me ndjenja dhe karakter të veçantë.

Banjat që ngjajnë si sy i stërmadh

Teksa udhëton ndjen kënaqësi të dyfishtë, kur në të majtë kthehesh në ujrat termale të Bënjës dhe vendbanimit të saj, me ato rrugica të shtrembërta dhe shtëpi të mbuluara me rrasa guri, që kanë frymëzuar regjizorët për të krijuar filma shqiptarë. Në Bënjë të Shqerisë, një nga mrrekullitë përmetare, qetësia mbretëron në hapsirën e magjisë, që Zoti ka falur me selvitë madhështore dhe kishë e ndërtuar nga Ali pashë Tepelena për nder të gruas së tij, Vasiliqisë. Në ballë të kishës ke syrin që e ndeshim te dollari amerikan.

Pranë urës së Katiut

I ngjitemi lumit të Lëngaricës mes freskisë fëshfëritëse të rrjedhës së tij. Aty ka një natyrë të larmishme. Shpellat dhe kanioni qindra metra i thellë dhe disa kilometra i gjatë i përshkuar nga avujt e ujërave squfuror përndritej nga harku i urës 250-vjeçare, të Katiut e ndërtuar nga Kurt Pasha. Gurgullima dhe avujt e ngrohtë na shpuri në banjat që ngjanin si sy i stërmadh. Çfarë mrekullie, të zhytesh në 'të e të shijosh ujin kurativ. Ujërat për fat të keq nuk kanë kushte minimale higjenike, si një herë e një kohë, “në qiell të hapur”, por me një vlerë të madhe kurative për reumatizmën, lëkurën, stomakun, veshkat, etj. Vite më parë ka pasur një hotel të vogël, me mjekë e personel shërbimi, i cili u shkatërrua në vitin e mprapsht ’97. (Ende nuk i ka rënë ndërmend ndonjë soji politikani të zaptojë këtë dhuratë të natyrës).

*     *     *

Më vlon dëshira për t’u rikthyer përsëri, e cila nuk do të mungojë në këtë peizazh hyjnor si të prerë nga parajsa. Aty ku bukuria fillon nga ujërat e lartësohet në pamjet e rralla të maleve, si piramidat madhështore, që përqafohen me retë në qiellin kaltërosh. Atje kanë shtëpinë zotat. Jo më kot Naimi i madh i krahasonte me Perënditë.

Busti i Naim Frashërit

*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.

Bënja e Shqerisë

Cirqet e Nëmërçkës

Guri i qytetit

Harku i Urës 250 vjeçare të Katiut

Istikame në malin e Trebeshinës. Gjurmë të luftës italo-greke

Kanioni i Lëngaricës

Kisha e Bënjës

Kisha e Kosinës

Kisha e Leusës

Mali Trebeshinë

Mbi gurin e qytetit

Pllakata e parkut Aristidh Kola

Sarajet e Ali Bej Këlcyrës

Shpella rrëzë Urës së Katiut

Tringëllinin sinfoni këmborësh

Ujërat me vlerë të madhe kurative

Ura e Dragotit

Ura Katiut e ndërtuar nga Kurt Pasha

Ura Katiut



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora