Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Sërish në Apoloninë mijëvjeçare
E shtune, 10.09.2022, 07:00 PM
SËRISH NË APOLONINË MIJËVJEÇARE
Nga
Pëllumb Gorica
Kur
udhëton në qytete antike doemos përjetimet e ngarkojnë botën shpirtërore.
Apolonia
është një prej vendeve antike në trojet tona. Aty shtangesh dhe mbetesh pa
fjalë; një mrekulli, të cilën kam fatin e mirë ta vizitoj shpesh (edhe pse
dikush mund të thotë se është kohë e humbur nëpër muzeume e qytete antike); aty
ku, pas çdo rikthimi, has diçka të re, sa që nuk i reziston dëshirës për t’i
riparë artefaktet, ato statuja të panumërta; të përjetosh një magji, sikur hyn
në një vend surreal.
Në
Apoloni kam ardhur që në rininë e hershme. Më ka magjepsur atëherë kur e
vizitova për herë të parë, ose thënë shkurt ishte një “dashuri me shikim të
parë”.
I
mahnitur humba në këtë qytet antik, të ndërtuar në vitin 558 - 620 Para Erës
Sonë prej Ilirëve Taulantë, që ishte më i bukuri dhe më madhështori ndër
tridhjetë qytetet antike me të njëjtin emër.
Kështu,
duke ecur nëpër rruginat që i kam prekur shumë herë, teksa zhegu i padurueshëm
i Verës po “thyen qafën”, rikthimi për të bërë ritualin e përvitshëm, mes
kolonave, skulpturave dhe monumenteve Antike, takon ato personazhet historike
dymijëvjeçare, Oktavianin, themeluesin e Perandorisë Romake, Agripën,
gjeneralin romak të detit. Në hapësirën rrotull qytetit dhe në hyrje të tij
sheh qytetarët e lashtë të asaj kohe mbuluar me veshjet e tyre karakteristike.
Të duket se takon edhe arkeologun francez Leon Reyn dhe natyrisht në Manastirn
e Shën Marisë shkrimtarin Jakov Xoxa në shtëpinë muze.
Ndaj
është një arsye më shumë për të shkruar rreth ndjesive që përjeton, kur e shkel
përsëri, si një nga vendet e rralla arkitekturore në Jug të Shqipërisë, që të
rrokullisin shkallëve gjigande të Kohës, të Historisë së shekujve të largët.
Të shëtisësh në kapitujt
e Historisë së Lashtë
Apolonia
i përket një tjetër Bote, jo vetëm nga objektet e lashta. Atje gjithmonë
mbërthehesh nga ethet e frymëzimit. Ecim nën hijen e pemëve disavjeçare që
krijojnë fresk, sa është e pamundur të mendosh për një vend tjetër, që të fal
një çlodhje të këndshme.
Ndjej
që dikush është afër meje, duke e adhuruar njëlloj si unë. Kthej kokën e i
buzeqesh. Ai po shikon Monumentin e Agonotetëve me katër shtylla jonike, ose
Vuleterionin (Parlamentin); Teatrin Antik në një faqe kodërze me 900 vende, ku
dikur janë luajtur kryeveprat e Lashtësisë Greke, tragjeditë e Eskilit,
Sofokliut, Euripidit, etj; pjesët e mbetura të Odeonit; Agorën, nga ku shfaqej
Deti Adriatik, lumi Aos, fusha dhe pyjet; murin rrethues me gurë ciklopikë.
Dihet
që Apolonia ishte një nga qytetet (madje qytet-shtet) i fuqishëm ekonomikisht
për Kohën Antike. Madhështia, zhvillimi dhe shkëlqimi i Apollonisë, ku shtrihej
fisi ilir i Taulantëve, që zotëronte gjithë territoret e Myzeqesë së sotme.
Të
merr lehtas për dore, pa shumë zhurmë, me shumë mister, Straboni me librin e
tij të famshëm Geography, kur përmend Apoloninë “si qytet i qeverisur mjaft mirë”;
Çezari kur iku nga Apolonia, duke thënë: (GRANDE URBIS ET GRAVIS) “Një qytet i
madh dhe hijerëndë”, Stefan Bizantini autor i shekullit VI pas Krishtit e quan:
“...Apolonia, Qytet i Ilirisë, fqinj me Epidamnin”, apo historianin romak Tit
Livi( 59-17), që në veprën “ Ab urbe condita ( Nga themelimi i qytetit), XXIV
fq 40 shkruan:
“Nga
Oriku erdhën delegatë tek pretori M. Valeri i cili komandonte flotën në brigjet
e Brindisit dhe Kalabrisë, për ti njoftuar se Filipi, pasi u fut përpjetë lumit
me njëqind e njëzëtë anije, u përpoq në fillim të merrte Apolloninë…”.
Nga
pozicioni tepër strategjik i qytetit, popuj, fise të hershme, shpërnguleshin
nga vendet e tyre dhe u vendosën këtu, duke i dhënë atij një ngrohtësi
njerëzore, për të jetuar në harmoni me njëri-tjetrin; pavarësisht se ishte kohë
lufte, apo paqeje. Me lëvizje të popullsisë (që shkojnë përtej të zakonshmes)
në Apoloni u vendosën Kolonë Grekë, të cilët gjetën popullsi vendase dhe vetëm
e zhvilluan, pra nuk e themeluan. Aristokratët helenë kishin flori me vete,
kishin dhe një kulturë e gjuhë të shkruar, e cila u pranua, si gjuhë për
Administratën. Duhet të themi që Helenët u asimiluan nga Ilirët vendas, që
ishte pjesë e madhe e popullsisë e për këtë arsye Aristoteli e konsideronte
Apoloninë si një shembull të veçantë të Oligarkisë, por asnjeri nuk bën fjalë
se qyteti është themeluar nga Grekët.
Në
fund të shekullit IV Para Erës Sonë, Apolonia bie nën sundimin e Pirros. Sipas
historianit grek të Lashtësisë, Polibios në kohën e mbretit Agron Popullsia
Greke ishte asimiluar krejtësisht. Apolonia merr një zhvillim të madh gjatë
Pushtimit Romak, kur ajo do të bëhej një qëndër e rëndësishme (nga elitat e
saj) që studiuan aty dhe nga mjeshtrat duarartë, që ngritën ndërtesa të mëdha e
të shumta prej guri, kalime të fshehta në raste rreziku, banja, çezma, rrugë e
trotuare të shtruara po me gur, kantina që prodhonin verëra të shkëlqyera dhe
punishte qilimash të bukur, të cilët eksportoheshin në mbarë Pellgun e
Mesdheut.
Autorët
Antikë: Apiani, Plutarku, Velei Paterkuli, Suetoni, Orosi, Seneka dhe Nikolla i
Damaskut përmendin Oktavianin, që studio në Apoloni, të cilin Senati Romak e
pagëzoi me titullin August (i shejtë). Ai në atë kohë ishte vetëm 19 vjeçar dhe
Agripën një gjeneral deti, për t’u ushtruar si në Retorikë dhe në Artin e
Luftimit, në Shkollën Ushtarake, nga më të njohurat në Mesdhe.
Pas
pushtimit prej Romakëve, Apolonia fitoi një shkëlqim të ri dhe u bë një prej
tridhjetë qyteteve më të rëndësishme të Antikitetit. Gjithë ky shkëlqim ishte
meritë e Popullsisë Ilire, që para Apolonisë kishte themeluar të tjera qytete
shkëlqimtare si Butrintin, Nikaia (Klosi i Mallastrës), Bylisin, etj.
Në mes bukurive antike
Ilire
Hyjmë
në portën e Manastirit të Shën Marisë, me gurë të lëmuar nga gjurmët e kalimtarëve.
Një kompleks interesant nga pikpamja arkitekturore.
Manastiri
i Shën Marisë, i ndërtuar në shekullin IV Pas Krishtit, me afresket dhe
mozaikun, për të mos folur pastaj për misterin që të mbështjell, gjithmonë më
është dukur si një artifakt me kasaforta të mistershme të shekujve. Aty do
shikosh figurat me plot me elementë Anzhuinë, sidomos figurën e vendosur në
anën perendimore të portikut. Në afreskun e Paleologëve ka një mbishkrim të
Perandorit Manuel Komneni, që ia dhuron këtij manastiri. Skulpturat e
Manastirit të Shën Marisë e bënin kolonadën e tij shumë të bukur dhe të veçantë
e mahnitëse, që po të mendosh se sa më shumë shtyhesh në kohë aq të duket më i
bukur është arti. Ne fakt janë me vlerë specifike, sepse kemi shumë pak
skulptura dekorative; aq më tepër të ruajtura në strukturën e origjinës.
Kureshtjen
e tërheq pusi në narteksin e kishës, me mermer të gdhendur, ku rreth qafës së
tij dëshmohen të thelluarat e litarëve, të cilat janë krahë murgjish, për të
nxjerrë ujin e pijshëm. Sjell ndërmend puset me kovën e drunjtë që vareshim në
tërkuzën prej lesh dhie të mbledhur kular dhe zhurma e ujit që derdhej prej saj
kur ngjitej lart.
“Manastiri
“Shën Maria” dukej si një muze (andej- këndej) ku shihen nëpër mure të tij
relieve, shtatore, altarë, copëra shtyllash e kapitele, kapakë sarkofagësh të
lashtë, si mall pa zot.”, do të shkruante te “Gjendja ekonomike” faqe 37, Karl
Paç, 1915.
Këtu
është edhe shtëpia muze e Jakov Xoxës, ku ai shkroi një pjesë të madhe tê
romaneve më të mirë të Letërsisë Shqiptare “Lumi i Vdekur’’ dhe ‘’Juga e
Bardhë’’). Aty ruhen makina e shkrimit, një basoreliev në bronz kushtuar Xoxes
së madh; sende dhe objekte personale të tij; stenda me kopje romanesh dhe
vëllimet me tregime.
I
ngjitim shkallët me gurë të latuar të çardakut karakteristik, ku janë ekspozuar
gjetjet e shumta, që menjëherë të fusin në Botën e Lashtësisë. Mbeturinat e
shumë veprave të ndryshme të kohës së lulëzimit të Apolonisë (monedhat mbi 2000
vjeçare) shtizat, tokëzat, fibulat, rruaza, kolonat, basorelievet dhe gjithfarë
gurësh e enësh, amfora, pitosa, antikuare e ormanentetesh, të ruajtura e bëjnë
edhe sot të këndshme si vend historik. Befasohesh nga një mori statujash të
gurta, qenie me fytyra kafshësh, apo shpendësh, që mbushin ngado muret. Veç
engjëjve të së mirës janë dhe djajte e së keqes, të materializuar në skulptura
nefelimësh.
Gjurmët
e Lashtësisë dhe Qytetërimit të Hershëm në Apoloni, janë bërë pjesë e studimeve
dhe gërmimeve nga arkeologë të huaj, por edhe vendas (e pasuruar here pas here
me gjetje) që, kur gërmohet zbulohen thesare nga thellësia e shekujve, të cilat
edhe nuk janë tretur nga dyndjet shkatrrimtare të pushtimeve dhe nga
fatkeqësitë natyrore. Sepse një skulpturë e zbuluar nga arkeologët ka vlera të
mëdha kur ekspozohet, se sa të rrijë në raftet apo bodrumet e mbuluar nga
pluhëri.
Një
prej gjetjeve më të rëndësishme të Apolonisë është një statujë e Hyut Apolon me
Gjarpërin. Është fakt i vërtetuar që Totemi kryesor i Ilirëve është Gjarpëri,
apo Bolla e Shtëpisë, që përfaqëson besimin e fortë të Ilirëve tek perënditë e
Tokës dhe Nëntokës. Dijetarë të ndryshëm si Stipçeviç, prof. Mark Tirta, Moikom
Zeqo, etj, kanë folur gjerë e gjatë për këtë Totem të trashëguar deri në ditët
tona ndër shqiptarë.
Ndër
të tjera në Muzeun e Apolonisë ndodhet një ndër skulpturat më të bukura,
Hyjnesha Artemisa, e cila në dorën e djathtë mban një kupë rituale prej të
cilës derdh lëngun (ndoshta ujë) që mban kupa dhe kafsha e egër paraqitet duke
e pirë përtokë. Artemisa ishte hyjnesha e kafshëve të egra, të gjuetisë, të
pyjeve dhe të fushave pjellore.
Gërmime dhe vjedhjet në
kohëra
Të huajt kanë bërë sa e sa gërmime në rrënojat e Apolonisë për ta zgjuar nga gjumi shekullor, duke u bërë edhe grabitës të thesareve të Artit tonë Antik. Zbulimet e reja Arkeologjike në këtë truall kaq të pasur vazhdojnë që të befasojnë pafundësisht. Në të vërtetë aty ka ende për të zbuluar Histori. Të tjera objekte janë zbuluar në 10 vjeçarin e fundit. Në Apoloni u zbulua edhe një mozaik (që vështirë të gjesh një të tillë me gurë) me prefeksion e mijëra vjet Para Erës Sonë dhe, sa të lashtë jemi në Kulturë e qytetërim, kur pjesa tjetër e Evropës jetonte në pyje.
Janë
kryer kërkime e studime mbi Historinë dhe Kulturën Shqiptare herët. Arkeologu
Francez Leon Rey, i cili jetoi dhe gërmoi në Apoloni plot 14 vjet (në
1924–1938). Ai kishte leje dhe vizë të posaçme të dhënë në pasaportë, nga
mbreti Zog. Leon Rei gjatë gërmimeve nën “rrënoja” (ndërtoi një segment
dekovili, ku me anë të vagonëve bëri të mundur transportimin e dherave) zbuloi
vepra të rëndësishme arkeologjike. Pas mbarimit të Luftë së Dytë Botrore Leon
Rey, u ndalua nga Shteti Komunist për të mos u kthyer më në Shqipëri, por ishte
interesante ardhja e tij me një avion Italian në vitin 1945 për të parë
Apoloninë vetëm nga qielli. Pas Leon Reyt, gërmimet u kryen nga arkeologu
shqiptar Koço Zhegu.
Kohët
e fundit në Apoloni, arkeologët shqiptarë në bashkëpunim me ata gjermanë, kanë
kryer gërmime ku kanë zbuluar themelet e një tempulli. Nga ana tjetër të vjen
keq që është gërmuar kaq pak në strukturat e qytetit, që ende janë të
paçliruara nga dherat që e mbulojnë. Në
të ardhmen të tjera zbulime do të bëhen, sepse pjesa më e madhe e Apolonisë
(ashtu si shumë qytete Ilire) ndodhet në nëntokë, e heshtur nga mosdija e
vlerës, sikur kërkohet të zbulohen kur ti vijë koha.
Trojet
tona në vazhdimësi janë shkatërruar gjatë fazave të ndryshme historike, si nga
Të Huajtë, ashtu edhe vetë ne kemi rrënuar një pjesë prej tyre. Apolonia ishte
pra një teatër i pakrahasueshëm me asnjë qytet tjetër antik, si furnizues i
monumenteve të Artit në Evropë. Ushtritë e Huaja, udhëtarë e misionarë të
ndryshëm (arkeologët Leon Hezeu dhe Honore Daumet) në mesin e shekullit XIX
imazhet e Apolonisë, kërkues e matrapazë antikash, kanë rrëmbyer mjaft objekte
me vlera të rralla (portrete, statuja, relieve e bazorelieve burrash, grash,
fëmijësh, stela varresh, skulptura mermeri të stileve dhe epokave të ndryshme)
që sot ndodhen në muze dhe muret e kështjellave të lashta të Francës, Austrisë,
Italisë e Anglisë, por edhe më larg. Mund të përmendim edhe gërmimet
arkeologjike nga austriaku Karl Paç, kur erdhi e u vendos këtu me një kompani
ushtarësh e oficerësh austriakë, ndërsa Trojet Shqiptare ishin bërë shesh
beteje të fuqive ndërluftuese (Lufta e Parë Botërore). Nuk kishte si ndodhte
ndryshe, se pse më çnjerëzorja e tyre ishte që aty ku kishte, përlanin çfarë
gjenin.
Po
më shumë nga të gjithë pushtuesit i kanë shkatërruar vetë Shqiptarët, duke e
sakatuar këtë Qytetërim Antik më shumë se një shekull, me një agresion ndaj
Estetikës dhe Të bukurës Antike dhe për manipulimin e Historisë së Shqipërisë.
Statuja
të shumta u gjymtuan, sepse sipas konceptit fetar islamik të Pushtuesit Turk
ishte përdhosje të rifigurohej njeriu. Teqja e Helvetive në Berat është
ndërtuar pikërisht nga ky material gurësh. Kështu prej aty u muarën sasi të
mëdha gurësh, që u përdorën (jo për ndonjë qëllim, apo synim të keq), por si
nevojë jetike të tyre për ndërtim shtëpish. Gurët e marrë vihen re me sy të
lirë edhe nëpër muret e dritaret e kishave në gjithë Trevën e Myzeqesë. Gurët u
përdorën edhe për ndërtimin e sarajeve të bejlerëve të Beratit dhe Fierit.
Ibrahim Pasha transportoi 70 qerre me gurë, për të ndërtuar pallatin e vet në
Berat. (“Posta e Shqipnis”, 11 shtatuer 1918, nr. 77. “…toka e Pojanit, është
po aq e pasur me monumente, aq e pasur sa asnjë një vend tjetër në krejt
Evropën” (Karl Paç. “Gjendja ekonomike…”, f. 35-36).
Duhet
shtuar se Vjosa mund të ketë kaluar ngjitur me qytetin, duke shërbyer si port.
Zbulimi i murit rrethues (në kodrat e Apollonisë) apo edhe i ndonjë fragmenti
të rrugës do shërbejë si pikënisje për te porti antik.
Në
gjysmën e dytë të shek. III Para Erës Sonë Apolonia ishte në rrënim të plotë;
tashmë në vendin e monumenteve madhështore ngriheshin ndërtesa me copëra
kolonash e skulpturash. Asnjë autor i lashtë nuk shkruan për këtë rrënim. Mund
të jetë shkatërruar gjatë Luftës së III Iliro-Romake. Vetëm monedhat e prera në
fund të shekullit III tregojnë një rënie ekonomike të saj. Për këtë bën fjalë
figura e simbolizuar e Vjosës në një monedhë si një kronikë katastrofe. Kjo
mund të ketë ndodhur kur Vjosa ndërron shtratin drejt fshatit Boçovë, rreth 6
km larg Apollonisë. Pra, qyteti mbeti pa port dhe pa lidhje me Detin. Rënia e
lavdisë së Apolonisë çoi në shuarjen, sa që filloi shkatërrimi dhe marrja e
statujave, mureve e gurëve të gdhendur dhe dalëngadalë të humbiste në
labirinthet e kohës dhe harresës.
***
Largohem
më i kënaqur sesa kam qënë ndonjëherë. Apolonia, është qyteti ku Njerëzimi i
asaj kohe për shekuj e shekuj me radhë shfaqi Kulturë e Histori dhe një dimension
mrekullues të arkitekturës dhe skulpturës.