Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Peizazhet e kaltra të Adriatikut
E premte, 26.08.2022, 08:00 PM
PEIZAZHET E KALTRA TË
ADRIATIKUT
Udhëpërshkrim nga Pëllumb Gorica
Gjithmonë
më ka pëlqyer deti, qielli dhe dielli. Pas një jave fort të këndshme në male,
mora udhën për në det. Në pritjen gjithë emocion të udhëtimit, mendimet shkonin
te kjo mrekulli, që mbush me gëzim e paqe shpirtin e njeriut, ku gjithshka
tallazitet ëmbël dhe, kur rrezitesh në diell pranë tij, lëkura ndërron ngjyrë e
ngjyrat zbukurojnë qënien, të përditshmen. Nuk e di se çfarë misteri ka deti, i
cili është i adhuruari i devotshëm, si një bekim që tregon shpirtin e fshehur
të kaltërsisë së tij (të kthjellët e plot ndjesi) që të koklavisin së
brëndshmi, të rrisin aftësinë e ndjenjave, të nxisin të shijosh çastet e
pakthyeshme.
Në
bregdetin e Jugut pushimet për shumicën e Shqiptarëve janë të papërballueshme
nga çmimet e larta dhe shërbimi që le për të dëshiruar; nga betoni, zhurmat,
muzika e lartë e klithmat. Kjo bën që ato ditë t’i kalojnë nëpër plazhe të
tjera të qeta, të lira, aty ku ndjehen mirë. Për vetë afërsinë nga Tirana dhe
kushtet (por edhe çmimet e lira) jo pak zgjedhin Gjirin e Lalzit, Hamallajn,
sektorin “Rinia”, apo në Bishtin e Pallës (Kepi i Palit) këto peizazhe magjike
të Adriatikut, me rëndësi të madhe shkencore, kulturore dhe turistike, që
shtrihen si dorë pritjeje.
I etur për të shijuar
këto copëza peizazhezh
Me
agun e një dite të re, kur xixëllimat e yjeve e humbën shkëlqimin, vetura dhe
qytetarë jo vetëm nga Tirana lëviznin drejt detit.
Nga
katrori i qelqtë i dritares së makinës vështrimin e hodha hedhur tej saj.
Peizazhi “vraponte“nëpër hapësirat e periferisë, të atyre qindra hektarëve tokë
bujqësore të shndërruar në vendbanime.
Në
Maminas kthehemi djathtas. Dielli ngjyen rrugën, shtëpitë, drurët, të cilët të
ftojnë të “humbasësh” në magjinë e gjelbërimit; në ato kodra të begata me një
hijeshi marramendëse. I vështroj kodrat varg e varg. Në syrin tim ky vargëzim
duket i stolisur si gjerdan. Nuancat mikroklimaterike e kanë bërë një zonë të
mirëjetueshme ku është harbuar gjelbërimi, sa që nuk di kë të prekësh më parë
me shikim: ullinjtë e hazdisur, hardhitë plot, dardhat, fiqtë, misrat, apo
perimet. Kërshëria e syrit i sodit vendbanimet e sistemuara me nikoqirllëk:
Rubjekën, Radën, Armathin, Manzën, Kuratën, Domjen e Lalëzin, të shpërndarë
buzë rrugës, me shtëpi jo më shumë se dy-tre kate, që çelin dyer e dritare, si
shami të bardha në një tokë pjellore, e cila është depozituar në mijëra e
mijëra shekuj, duke u mendësuar qenieve të gjalla jetesë, ku njeriu si aktor ka
aritur të ndërtoj bukur.
Rruga
zgjatet. Vështroja herë në një krahë të saj e herë në krahun tjetër. Aty ku
fillonte një kthesë, shtrihet Lalzi, një vendbanim mesjetar. Kureshtja të shtyn
të mësosh për të, që dikur ishte një qendër e rëndësishme kishtare (Abaci)
atëherë kur një prift me emrin Lalëz ndërtoi një kishë të madhe, me të madhen
në Shqipërinë e Mesme. Qysh nga ajo kohë, për shkak edhe të pozicionit
gjeografik, vendi mori emrin te Kisha e Lalzit.
Nëse
vendosni të kaloni ndonjë ditë pushimi atje, s’ka se si të mos ndjehesh i
mrekulluar nga ajri, klima dhe dashamirësia e vendasve. Vështrimet bëhen të kthjellta,
të mbushin zemrën me paqe; pa harruar ditët e pajetuara të Pandemisë gjatë së
cilës humbi eleganca, sqima, shkëlqimi i njerëzve të dramatizuar prej saj po
ashtu siç ndjemë të ikë indiferente përpara syve tanë dhe bashkë me të, të ikin
edhe shumë jetë njerëzore.
Gjiri
i Lalzit, dikur ishte zonë e ndaluar ushtarake, sa që nuk mund të shkelte
shumëkush, nën hazdisjen e gjelbërimit të pishave (aroma e të cilave të shponte
hundët) dhe detit të hapur, një dhuratë e Zotit, që është keqpërdorur në këto
vite tranzicioni.
Ndesh
kafshimin e çdo cepi të tij, me vila turistike, me hapësira për të jetuar qetë,
si në shumë vende të tjera bregdetare në Shqipëri. Ajo që më goditi, ishte
fakti se pylli me pisha po tkurrej nga dita në ditë, aqsa më vonë duket se do
bëhet ëndërr prekja e tij dehëse. Dhemb katranosja e kësaj bukurie natyrore nga
format betonike ku kasa e pushtetarëve në shtëpitë- vila, merr rreze nën hije,
freskohet në pishina marramendëse dhe nën tingujt e lehtë të muzikës ritmike e
moderne; dremit nën syzet e errëta, bën sikur lexon libra “Best Seller”. Atje
do ta gjesh veten në një dimension marramendës e krijuar, nga ish --presidentë,
ish-kryeministra, ish-deputetë e deputetë, ish-ministra e ministra, gjykatës,
prokurorë, opionistë televizionesh, oligarkë e
fytyra neveritëse kriminelësh (me dëftesa të blera), “idhuj”që e
varfëruan popullin tejskajshëm, madje i rrëmbyen pronën, dijen, artin, kulturën
e traditën dhe përdhunuan Demokracinë Shqiptare.
Krejt
natyrshëm shikon aty reklama dhe emërtime të huaja kafenesh, restorantesh e
bujtinash. Një pamje të cilën vetëm në “Soho” të Londrës, në “Champs-Elysees”
të Parisit, në “Fifth Avenue” të Manhattan, apo në York City, e ndesh. Kjo
dukuri është dëshmi e një infioriteti të vullnetshëm deri në mosvlerësim të
gjuhës sonë të lashtë e të bukur. Sigurisht të tilla emërtime ka kudo në vendin
tonë. Por ne bëhemi teoricienë e moralistë deri në përçmim të vetes. Ne
tolerojmë pa kriter deri në shprishjen tonë.
Gjiri i Lalzit dhe
magjia e tij, që nderet në kaltërsi
Kështu,
mes ngjyrave të Natyrës arritëm në Shën Pjetër; andej nga fundi i Gjirit të
Lalëzit. E hodha vështrimin drejt tij. Shtëpitë shtrihen rrëzë një kodre dhe,
kushdo shkon në bregdet, nuk mund të kalojë mospërfillës para tyre. Ato janë të
këndshme, plot gjelbërim, me perde të pastra pas xhamash, por që të lenë një
shije të flashkët me shtrirjen e tyre (qoftë të vjetrave, qoftë të atyre më të
reja) pa plan rregullimi. Kjo ka shkaktuar një kaos estetik që vret sytë e
kujtdo. Megjithëse përshtypja e parë shtohet nga shëmtimi prej inerteve te?
depozituara anës rrugës gjithë gropa, prej kazanëve me plehra plot, prej
ndërtesave murerrjepur; një ansambël rrumpallë gardhesh rrethuese; buri të
larta makinash; këmbësorë të parregullt; pluhur; çarçafë varur ballkoneve; qen
e mace të pista nëpër këmbë, apo fëmijë që ulërasin.
Gjithsesi
zere se ke parë disa sekuenca filmike që nuk e prishin bukurinë e Shën
Pjetërit.
Kisha
lexuar, se një herë e një kohë rreth Viteve ‘800, pas festimeve për shenjtorin
Pjetër në Vatikan, një furtunë e madhe nxjerr në bregun e detit një anije me
priftërinj nga vende të Ballkanit, duke ua kursyer jetën atyre. Disa vite më
vonë, banorët vendas ndërtuan, për nder të tyre, një kishë të madhe që e
quajtën kisha e Shën Pjetrit, e cila kohë më vonë u shkatërrua nga erozioni dhe
baticat e detit. Prej saj nuk ka mbetur asnjë gjurmë (veç truallit) ku ajo u
ngrit. Në vitin 1903 banorët, sërish në përkujtim të Shën Pjetrit, ndërtuan në
kodrinë (vetëm 100 metra larg detit) kishëzën që ekziston edhe sot e kësaj dite
e rrethuar nga varre; ndërsa brenda saj, veç vizatimeve dhe afreskeve modeste,
gjendet ikona e Jezu Krishtit në kryq, një dhuratë simbolike e një ambasadori
gjerman, që prej disa vitesh kalon Pushimet e Verës këtu. Historia thotë se në
fund të Gjirit të Lalzit, aty ku shkon drejt Kepit të Rodonit, dikur ka
ekzistuar një port anijesh ilire, i cili u rindërtua në Mesjetë nga Turqit dhe
u shkatërrua pas një rrëshqitjeje masive të kodrës.
Shikimi
tretej në hapësirën qiellore, herë në atë të detit, herë në zgjatimin që
shkonte në Kepin e Redonit, ku gjallëria, larmia dhe dinamika janë
mbresëlënëse. Deti tërheqës, nga ngjyrat që gjallohen para syve (blu, gri, të
gjelbërta) aty ku gëlonin çadrat, shezllonët; aty ku ende nuk ka shumë
ndërtime, veç ca gjurmë të bunkerizimit të vendit. Plazhi publik nuk egziston.
Duhet të paguash, qoftë edhe të lagësh këmbët në det. Do të ishte mirë të
kishim Plazhe Publike si dikur që Bota i ka ende: një peshqir dhe një çadër mbi
kokë, mbase edhe ndonjë çarçaf me arna. Tani gjykoni nëse ka ngelur ndonjë
pjesë ranishte e lënë nga “private”për njeriun e lirë, që kërkon të shtrihet në
rërën e Zotit, të ngrohet në diellin e Zotit, të lahet në ujin e Zotit.
Ishte
qetë aty në mesjavë, përndryshe nga ditët e fundjavës. Kafenetë, gjithandej,
buzë detit shpërndarë. E pi një kafe, që i jep ritmin mëngjesit, ditës, sa pa
na kapur i nxehti (të shoqëruar me një shishe ujë) dhe fatura është 180 lekë.
Restorantet janë një kënaqësi më vete. Krejt përballë detit, të ofrojnë shije
të mrekullueshme. Kryesisht të freskëta.Theksoj se çmimet këtu janë të
pranueshme. Një pica “Margarita” 450 lekë, një sallatë fshati 300 lekë, një
patate të skuqur 200 lekë, apo një salcë kosi 200 lekë si ushqim bazë. Ka edhe
çmime të arsyeshme të prodhimeve të detit: një levrek, apo koce 750 lekë; një
pjatë me midhje 500 lekë e një tave karkaleci 600 lekë, etj.
Vetëm
në një shëtitje, në pak kilometra gjatësi, sheh, atje, buzë detit -mbret,
miqësor e të pabesë, njeriun real, (lakuriqësinë e njerëzimit), por sa harmoni,
sa paqe dhe sa mirëkuptim vëren, edhe pse engjëllin e djallin, në krahët e
shazllonit mund ta kesh: të djegur e ngjyer, të shkurtër e të gjatë; barkmadh e
të thatë; me flokë e tullacë; të qeshur e fytyrëvrarë; të zhgrryer (në rërë) e
të pastër; leshatorë e qose; të drejtë e të kërrusur; të bukur e normal; me një
rrip a gjethe fiku para dhe kokë e këmbëmbuluar, të shëndetshëm, familje me
fëmijë dhe çifte të rinjsh. Dominon gjinia femërore, që endet në një dehje
lumturie dhe sigurisht, jo vetëm nga mimika e fytyrës, por edhe nga flokët e
trupi, që u qeshin, kur zhyten e rizhyten në ujin e freskët, por edhe Të huaj,
nga e gjithë Evropa, të cilët bëjnë pushime “low cost” me termus e bagazh. Kjo
atmosferë e krijuar nga njerëzit që kanë ardhur për t'u argëtuar diku larg
vendit të tyre e bënte gjithçka joshëse. Ka edhe nga ata që rrinë pa u
zhgërryer në rërën e nxehtë, pa u larë e shplarë në ujërat e kripura të
Adriatikut. Noli do të thoshte: "...Pranë detit i palarë... ".
Këta
jemi ne, them me vete, që vala e detit na fton pa dallime. Edhe atë që ka pesë
lekë në xhep. Edhe dikë që parfumin e shtrenjtë kripa e tret, apo leshteriku i
këput të florinjtin zinxhir e gjerdanë; për të dalë të barabartë, pas notit, në
anë, e për t’u rreshtuar në ushtrinë e pafundme të pushuesve, ku plagët shëron
dhe mëkatet shplan në ujin e kripur, apo për më shumë ngjyrë, vihen në garë.
Ishte
fresk dhe një puhizë e lehtë vinte nga deti si ledhatim. Shijon këndshëm një
birrë nën rrezet e bukura të diellit. Oh, Zot, çfarë dielli! Si rrezet e
diellit që shigjetonin trupat tanë, edhe tufa e mendimeve vërshuan. Dielli mbi
Shqipëri ështe prova e gjallë se Zoti na ka xhan; madje shumë. Po mendoja për
gjithë ato mrekulli të Natyrës sonë, që duket sikur janë në konkurrencë bukurie
dhe mahnitjeje, ashtu si në një konkurs misesh.
Pastaj
futesh aty, nën çadër, në një shtrirje që nuk e mbërthen dot me sy, as duke u
rrotulluar, mbi karrige të gjata plazhi. Muzika e çdo lloji dëgjohet kudo, që e
kalon cakun dhe përcillet kafene më kafene, saqë asnjë nuk e merr vesh në
dëgjon muzikën e kafenesë afër, apo të kafenesë fqinje. Dëgjohen zërat e
tonalitetet njerëzore, qe veç në biseda nuk konkludojnë dot, nga rrëmuja. E
tërë kjo “simfoni” sikur kërkon të jetë në garë me zhurmën e dallgëve të detit,
të dëshiruar për pushuesit. Por në vend të tyre dëgjon zhurmën e një motori
uji. Erdhën skafet, mendova me vete i trishtuar. Ditë më parë hapësira e detit
ku njerëzit lahen, terrorizohej nga mjete ujore në lëvizje të çakërdisura mbi
dallgët që hepoheshin. Fatkeqsia u kthye në krahun tjetër: nga lypsa të moshave
të ndryshme që venin e vinin duke kërkuar bukën e tyre të përditshme. Ka dhe
nga ata që duket se nuk u bën fare përshtypje. Erdhën njëri pas tjetrit fëmijë
e të rritur, romë e të bardhë, më shumë se zakonisht.
Bota
Ujore është e bukur për t'u parë, për t’u fotografuar, për të lundruar me
anije, varka, motorë e gomone, por dashuria e detit të mistershëm ndjehet më
shumë kur lahesh në të, duke provuar një ndjesi të paqtë nga ujërat e kripura.
Në mungesë të disa veprimeve mundohesh të kapesh pas kënaqësive të çastit, të
notoj, të lundrosh me pedalues uji, që është më i bukur se çdo shijim i
freskisë së ujërave të detit. Ndoshta, pasioni i madh për të notuar, më
detyronte shpesh herë, të ikja larg.
Ikje, për të ardhur
përsëri…
Gjithçka
e pastër: rëra, deti dhe qielli gati një ngjyrë: të kaltër. E asnjë çadër bosh.
Po retë shfaqen e qielli vishet nga pergamenë të pashkruar. Flladi i këndshëm e
gjallërues dallgëzon detin, që jo thjesht i sheh, por i ndjen. Duket vërtet
sikur ato diçka do të thonë, me zhuzhurimën monotone, por të ëmbël në qetësinë
e vet.
Heshtja
kishte përpirë qënien time dhe vetëm zëri i Leonard Chohen (si pëshpëritje) u
përzie me dallgët, që luanin me rrezet e florinjta. Deti grish diellin të flejë
për t’u zgjuar të nesërmen, në një ngjizje të tejdukshme rishtare.
Muzgu
zbriti bajatshëm me përskuqje linjash në horizont. Eci bregut me hapin e
ngadaltë, i përkëdhelur nga magjia e vezullimeve të diellit me pamjen e një
lëmshi të zjarrtë shumëngjyrësh, që përflak horizontin, me dukurinë e
pakrahasueshme të natyrës. Teksa marr frymë thellë të ndjej deri në qelizë
aromën e detit, i rrëmbeva perëndimit të Diellit ngjyrat e çmendura dhe një
dozë të fortë vitaminën D. Perendimi i Diellit, si dukuri sa natyrore e shoqërore;
aq edhe i pranishëm dhe aq zëvendësues, krijon domosdoshmërinë e ciklit të
jetës në Gjithësi, të jetës në Shoqëri.
Një
përthyerje drite dhe hëna mysafire e shumëdëshiruar rrjetëzon (paqëndjellëse)
romantikën shkëlqyese të saj. Verës së ngrohtë po i vjen fundi. Ne largohemi
nga Gjiri i Lalzit. Ndarja me detin i ngjan një ndarje ndryshe. Do kalojë një
vit derisa të takohemi përsëri. Një vit a është shumë valle? Apo është pak për
një ndarje?
*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.