Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Udhëtim në parajsën piemonteze
E diele, 09.10.2022, 07:00 PM
UDHËTIM NË PARAJSËN
PIEMONTEZE
Nga
Pëllumb Gorica
Ka
vende të Botës, që edhe në një vizitë të pikturohen në mëndje gjatë gjithë
jetës tënde, a thua se ke parë një ëndërr. Emocionet fillojnë nga çasti kur
fluturon në këto mrekulli të së bukurës.
Hapet perdja qiellore -
shfaqen apeninet
Aeroplani
lëvizi ngadalë në pistën e aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit e më pas shtoi
shpejtësinë, duke u shkëputur nga toka drejt qiellit. Avioni i kompanisë
“AlItalia” sapo kishte marrë kursin horizontal, kur zëri i stjuardesës u kujtoi
pasagjerëve se do të mbërrinin në tokën italiane një orë më vonë. Rrugët,
fshatrat, qytetet, ndërtesat, fushat, luginat, kordelet e kaltra të lumenjve,
kodrat dhe malet historike, herë me shpate të thepisura, herë të pyllëzuara e
herë të zhveshura prej përcëllimit nga zjarret në një qerthull mjegullor, u
zvogëluan derisa u tkurrën në njolla të vogla.
Avioni
çan përpara midis reve të bardha puplore e duket sikur thyen akullnajat e Detit
të ngrirë të Veriut. Më tej mbi retë e vetja mu duk sikur po ecnim mbi një
luginë të zbardhur nga bora. Ndërkaq, mrekullohesh me aftësitë inxhinerike, që
e bën këtë gjigant hekuri të çajë qiellin, si një shpend mitologjik. Shpesh
këmbenim ndonjë fjalë ose ndonje buzeqeshje, veçanërisht kur dëgjon që flitet
shqip. Në linjën ajrore Tiranë - Cuneo në Italinë Veriore udhëtarët pothuajse
janë shqiptarë.
Është
Vjeshtë dhe ata pas pushimeve kthehen në vendet ku banojnë. Befas dielli u
shfaq prapa një reje, duke e shndërruar aeroplanin në një peshk të argjend mbi
ujërat e pafundme të detit Adriatik. Deti tashmë kish mbetur pas dhe tani
fluturonin mbi tokë. Ata që ishin pranë dritareve nisën të shikonin poshtë. Po
binte muzgu ndërsa fluturojmë mbi Alpet.
Në
dritën e pakët të muzgut shquhet “para dhurata” e bukurisë italiane, me
përbërësit e saj, të zvogëluar në një masë si lodra fëmijësh, sikur po sheh
filmin “Liza në Botën e Çudirave”; bukuri e mahnitshme e të blertës së fushave
dhe kodrave të pamata, argjendaria e maleve, qytetet, grija e rrugëve, si
kapilarë që përshkojnë tejpërtej tokën për të ushqyer e për t’i dhënë gjallëri
qytetërimit madhështor Italian, të artit, të njerëzve novatorë, të kulturës,
historisë, arkitekturës, kolosëve të shkencës, letërsisë, pikturës, skulpturës,
kinematografisë, muzikës, historisë dhe sportit.
Aeroplani,
si një shpend i lodhur humbi lartësi. Zëri i pilotit u dëgjua qartë: Po
pregatitemi të zbresim në tokë. Befas aeroplani u shkund dhe të gjithë e
kuptuan se ishte ulur në pistën e aeroportit Levaldixhi të Cuneos. Ndërsa
udhëtarët dilnim nga labrinthet e aeroportit mes orientimeve të indikatorëve
elektronikë në hollin ku brenda tij gjallëronin njerëz të panumërt, që i kishin
sytë nga ne; më përshëndesin të afërmit e mi, të cilët jetojnë këtu prej
vitesh, Mirela e Hekurani, nipi Flavio dhe mbesa Eneida. Askujt nuk do t’i
vinte mirë që të shkatërronte magjinë e këtyre çasteve, duke u mallëngjyer nga
përshëndetjet. E pamundur të fshehësh gëzimin, të shuash mallin me një
përqafim. Aeroportet janë, vendet ku fshihen përqafimet më të sinqerta, gëzim,
mall të përcjellura me lot zemre dhe shikime që mund të shprehin më shumë se
një mijë fjalë...
Udhëtojmë
drejt Peveragnos. Rruga të ngjason si gjarpër i verdhë. Përmes kësaj lëvizje,
qytetet e qytezat, kishat gotike me kumbanorët e bronxta, drurët dhe shtëpitë e
zhytura në veshjen shëndritëse të dritave, sikur fluturonin.
Kuvendimi
me Mirelën dhe Hekuranin, në shtëpinë e tyre mes të sallonit, të shndërruar në
një muze apo galeri relikesh shqiptare, piktura dhe foto familjare, u bë
interesante dhe ktheu kujtimet në vite.
-Ky
fat na ra thotë Hekurani, - që të fluturojmë si dallëndyshet kudo në botë, me
plot përpjekje për një jetë më të mirë. Nuk e harroj ardhjen këtu, me sakrifica
të shumta. Nuk dija gjuhën, isha pa dokumenta dhe qëndroja i fshehur. Flija
poshtë urave, apo në kisha dhe punoja në punë të rënda.
Në
Cuneo banojnë jo pak emigrantë shqiptarë, kryesisht nga trevat e Veriut të
Shqipërisë, por edhe nga Tirana, Berati, Fieri e Elbasani, që të integruar
natyrshëm kanë lënë pas vështirësitë e njohura dhe bëjnë një jetë siç e
dëshirojnë, në punë, familje njësoj si vendasit, me dinjitet duke rritur
mirëqënien e tyre.
Mes
mrekullive të Rilindjes Italiane
Qytetet
italiane kanë magjinë e historisë së shtresëzuar dhe ngado që të kthesh sytë
është sikur bën një udhëtim në kohë me shpejtësinë e dritës, pasi ke në një
vend të vetëm antikitetin, mesjetën, rilindjen, modernitetin dhe bashkëkohoren.
Cuneo,
është një nga provincat e Piemontes, që shtrihet pranë rrjedhave të lumenjve
Geso Stura dhe Di Demonte. E pamundur që në një ditë të vetme të shkelësh
gjithë qytetin. Nëse do vija sërish, jam i sigurt se udhëtimi tjetër nuk do
ishte aq magjik. Sa hyn në qytet të emocionon shumëllojshmëria e ngjyrave të
luleve, bukuria e gjelbërimit, pastërtia e shkëlqimi i gjithçkaje; urat e larta, sallonet luksoze, pishinat,
fushat e tenisit, por edhe qendrat tregtare, rrugëkalimet e nënkalimet tepër
funksionale për të ardhmen e largët, që kryqëzohen me njëra- tjetrën.
Madhështia
e rrezatuar në shekuj e ndërtimeve të stilit gotik, një nga kulmet e historisë
së arkitekturës, të sjellin në mëndje frymën e epokës së Rilindjes Italiane, të
ndërthurura me të reja që e kanë bërë Cuneon, të jetë një qytet bashkëkohor
Italian, mahnitës për nga bukuria dhe artitektura.
Dritat
e ngrohta që ndriçojnë sheshin e bukur "Santo Stefano" evidentojnë më
së miri bukurinë e pallateve me portikë dhe sidomos të Katedrales Santa Kroce
të ndërtuar në shekullin XVIII, që duket se zoti e ka pikturuar me dorë. Hekurani, të shëtit nëpër pjesën historike të
qytetit, për të soditur me ëndje arkadat, kolonat, portikët, dritaret e
harkuara, zbukuruar me koka luanësh.
E
madhe, e ndritshme godina e stacionit të trenit e mbushur me vepra arti:
skulptura të gdhendura, ornamente, gjethurina, arabeska e figura demonësh, që
të kujtojnë satirat e Francisko Gojës dhe nuk të japin përshtypjen e një
stacioni treni. Janë vetëm udhëtarët dhe prania e trenave të vjetër bojë kali,
që të ngjallin dëshirën për të hipur. I dola ndërtesës përballë dhe nisi ta
shikoja gjatë. Aty- këtu. Kureshtja të shtyn ta vizitosh në brendësi, sa të
krijohet përhtypja sikur je në një arkivë, të botës mistike me afreske,
portrete apostujsh, statuja shenjtërorësh dhe krishtin e kryqëzuar nga Ponç
Pilati.
Sakaq
kishim mbërritur në Piaca Galimberti. Në të dy anët e saj kolonada me harqe, të
mbushur me bar- kafene, pëllumba, turistë, grupe muzikorë, prestigjaturë,
humoristë dhe tenda ku artizanët shisnin prodhimet e tyre. Njerëzit ndalnin
hapin dhe dëgjonin, filmonin, blinin e duartrokisnin muzikantët.
Në
mes të sheshit lartësohet e pushtetshme shtatorja monumentale e Galimbertit, si
kolos më këmbë, duke përbërë simbolin e qytetit dhe një nga vendet më të
rëndësishme.
Këtu,
njohja e rastësishme me Françeskon, nxiti një bisedë interesante. Në fytyrën e
tij ndihej mirësia njerëzore. Kur mëson se jemi shqiptarë, të thotë se shumë
prej tyre që punojnë dhe jetojnë në Cuneo janë miqtë e tij. Ai kishte pikpamje
ndryshe nga të djathtët italianë, që janë ksenofobë ndaj emigrantëve.
-Jo
pak prej tyre- të thotë Françesko, i kam ndihmuar të punësohen dhe gjejnë
banesa të lira, por edhe në çështje të përballjes me autoritetet shtetërore.
Ndërkohë,
Françesko të flet për historinë e Cuneos, për artin, kulturën, muzikën dhe
arkitekturën italiane, për themelimin e qytetit, i cili ngjall interesin tim
për të mësuar më shumë.
-Cuneo
lindi si qytet në shekullin XIII, si fortifikim në mbrojtje të rrugëve - thotë
Françesko, Ai duke qënë se ndodhej afër kufirit francez ishte i njohur për
rëndësinë që ka pasur në periudhën e shtetit të Savojës.
Duhet
të përshkoje rrugët me portikë, pastaj një shesh historik, të shohësh bustin e
Garibaldit, si tregues i një vlersimi për prijësin e bashkimit të Italisë. Ne
ngarendëm, në skajin e tejmë të qytetit përmes një rruge të drejtë, ku
rreshtoheshin shtëpi me arkitekturë moderne. Në të gjitha ndërtimet, që shihje
në qytezat italiane, ishin futur ngushtë mes gjelbërimit të lëndinave. Sidomos
ato të familjeve legjendare italiane. Kangjellat, gjelbërimi dhe vazot prej
mermeri e pengonin shikimin dominues drejt tyre. Këtu është edhe shtëpia
kështjellë më e famshme, vërtetë parajsë e familjes princërore, Oldofredi
Tadini. Së pari për nga ana arkitekturore, vërtetë është e famshme, që dukej e
përgjumur, nga dritaret dhe dyert e mbyllura, me përshtypjen e fshehjes së
kushedi çfarë sekreti ruan brenda saj.
Mirela
na prin në “Auchan” qëndrën tregtare më të madhe të Cuneos, që ziente nga
mizëria e vizitorëve. Reklamat të jepnin përshtypjen e ftesës për të blerë.
Dominonin kompanitë e provincës: Miroglio Ferrero, Maina, Balocco, Merlo Harpa,
Bottero, Mtm-Brc, Abet, etj, që përfaqësonin mallrat e tyre, që nga çikërrimat
artistike prej qelqi, druri, mermeri, kuarci, lodrat për fëmijë e deri tek
veshjet nazike si në galeri ngjyrash.
Iu
drejtuam gjallërisë që kishte pushtuar një kënd të saj. Po festohej “Festa del
Pane”. Disa rrinin ulur, të shumtit lëviznin me gota vere dhe bisedonin e
qeshnin. Në shoqërinë e bashkëpatriotëve tanë, më bëri të ndihem sikur jam në
Shqipëri. Këtu festat, festivalet muzikore dhe panairet, si ai gështenjave, i
djathit, çokollatës, luleshtrydhes, etj, janë ditët të gëzuara për bollëk,
shëndet e suksese. Cuneo, si një qytet me tradita i ruan me fanatizëm ato, me
dashurinë për punën dhe respektin e vlerave njerzore.
E
mrekullushmja Piemonte ne çdo cep te saj
Rrezet
e diellit përkëdhelnin majat e maleve të larta Monvizo dhe Bizalta, fushat e
mbjella dhe kodrat me plantacione drurësh frutorë, që të përpijnë veshtrimin
dhe të dhurojnë emocione të tjera. Bukuria e tyre më mahnitën, ndërsa dora e
njeriut kishte bërë mrekullira, që duke i shkelur për herë të parë, provoja
kënaqësinë më të madhe.
Udhët
e gjëra, të lara në lum drite e bënin të papërfillshme largësinë nga Parku
Natyral Alta Valle Pesio e Tanaro, që shtrihet lartësive të malit Bizalta, në
një sipërfaqe prej dhjetra mijëra hektarësh, nga ku shihet e gjithë Piemonte.
Tabela e shkruar bukur ‘’Benvenute” të ndillte të mos mendoheshe shumë. Pas saj
në një dizajn të bukur ishte pikturuar harta e pyllit. Ishin shënuar kafshët e
buta e të egra, shpezët e ndryshme e zvarranike, insekte, nga të cilat duhej të
kishe kujdes.
-Është
shumë bukur atje, - thotë Hekurani, ka gjelbërim, ajër të pastër dhe qetësi të
paparë.
Ecim
rrugicave gjarpëruese të Parku Natyral Alta Valle Pesio e Tanaro, me drurë
gjithfarësoj, sa që degëzimet e tyre në bashkohen duke formuar një tunel
natyror të blertë, ku dritëhija e futjes nëpër to të ndjell në një lojë
romantike. Ndihej fëshfëritja e erës, gurgullima e ujërave dhe zhurmat e
natyrës. Aty-këtu vendpushime klimaterike, vënde për qitje sportive, për
pushime argëtuese, zgara për pjekje me qymyr apo dru, me qëllim që të
pranishmit të piqnin mishin apo perimet. Një vëmendje të veçantemë i ishte
kushtuar argëtimit të fëmijëve. Atyre u ishin ndërtuar kënde lojrash. Veç
mjedisit argëtues do të binin në sy çezmat e ujit, tavolinat dhe stolat e
drunjtë p?r ngrenje, stolat për pushim. Një bujtinë e vogël të tërheq vemendjen
me arkitekturën tradicionale dhe reliktet, që luftonin për pak vend të lirë.
Pra, një muze, ku të bëjnë të mendosh se e kaluara ka ndalur këtu. Pronari i
bujtinës, të uron mirëseardhjen dhe fton në një tavolinë. Natyrisht, kënga
piomonteze ishte ajo që krijonte një klimë intime.
-Nuk
mungojë në restorant - thotë Mario, - prodhimet vendase: Vera “Dolcetto”,
djathi” Raschera”, që cilësohet më i miri në Apenine, apo çokollata “Arione’’
me rum.
Hapësira
fushash pafund ku nëpërmjet gjelbërimit dhe qytete që gjenden përgjatë
itinirerit të rrugës, të befasojnë me shtrirjen dhe monumentet. Makina u nis
drejt qytetit Alba jo shumë larg Torinos. Alba është një qytet i vogël, me
standard të lartë jetese. Aty të bën përshtypje gjelbërimi, qetësia e paqtë,
madje mund të mendosh sikur s’ka banorë. Në pallatet me pamje fjorentinase, në
dritaret e larta, lulet kacavjerrëse me bukurinë shumëngjyrëshe kundërmonin
aromën e këndshme.
S’ë
këndejmi udhëtojmë drejt Fossanos. Shohim ndërtesa të veçanta për nga
arkitektura e ndërtimit, por dhe nga funksioni.
Kolonat e pallateve në formë galerie formojnë tunele ku nën to ecin
njerëzit për t’u mbrojtur nga rrezet e Diellit, nga shiu e i ftohti. Dielli thërmonte në dritare rrezet e
panumurta. Në kështjellën e zbukuruar me
afreske dhe piktura, ku spikasin portretet e anëtarëve të familjes heroike të
dinastisë Akaja, që ishte shndërruar dikur në vendbanim dukal, burg, kazermë
ushtarake, e sot është kthyer në muze. Ndalon dhe pi një gotë verë, nën
akustikën e shekujve dhe kohëve moderne.
I
ngjitemi një kodrinë, nën fëshfërimën e lisave të lartë nga ku të shfaqej Mondovia,
aq, sa mjafton të ecësh nëpër qëndrën e këtij qyteti, mirë të ruajtur, nëpër
rrugicat e ngushta shtruar me gurë, të pikëtakosh histori mesjetare. Nga këtu
shikoje pjesën e poshtme të qytetit që të magjeps me bukuritë e gjelbërimin e
pa anë. Të tërheqin vëmendjen edhe urat. Duke i parë nga larg përmes dritares
së makinës ato dukeshin të mëdha e të bukura. Harqet fantastike, veçanërisht
ura hekurudhore. Qyteti i vjetër përmban ndërtesat publike romake më të
ruajtura në Italinë veriore. Hekurani, me rrëfimet e tij, të shëtit portikëve
të Piaca Maxhior, atje ku shpaloset historia e qytetit, sidomos betejat midis
pronarëve feudalë dhe klerikëve fetarë në shekujt e Mesjetës, që kanë shkaktuar
gjakderdhje të shumta për trashëgimin e pasurive. Ato kanë zgjatur më shumë se
dy shekuj sa Mondovi u rraskapit derisa përfundoi në zotërimet e Savojës. Duke
menduar këto u ndala në portën San Nazaro ku ishte bërë një betejë e
përgjakshme. Hekurani s’harron të tregojë një pllakë murale, ku është shkruar
për këtë faqe historike, por edhe për betejat e Napoleon Bonapartit të
zhvilluara këtu.
E
marrim rrugën drejt Bazilikës “Santuario di Vicoforte” e Vicofortes. Është pak
të thuash e mrekullueshme kjo faltore e shenjtërores ‘’Regina Montis Regalis’’.
Një mrekulli inxhinierike ndërtimi, që të le pa mend. Unë ashtu mahnitur vetëm
bëj fotografi muret e pikturuara me shenjtorë. Kubeja e saj eliptike, 74 metra
e lartë, me afreske, shandanë, ikona madhështore dhe engjëj që fluturonin në
qiell, si në shkëlqimin hyjnor, duke të kujtuar mjeshtrin Karavaxhio.
Në
Khiusa di Pesion, të shtrirë mes maleve Cavanero dhe Mombrisone vështrojmë
muret e kështjellës Mirabello. Më tej shtëpia e gjuetisë. Ecim drejt Çertosa di
Pesio, një urdhër fetar, që shtrihet rrëzë një kodre, të veshur me selvi. Një
portë e hapur të fton të vizitosh ndërtesat, me të fshehtat e mistershme, në
kolonat e stilit romanik dhe sallonet me tablo shenjtorësh e mbishkrime, si
bartëse të mesazheve të besimit katolik.
Në
Boves, që nuk shquhet për ndonjë veçori dalluese, rrugët kishin një gjallëri të
pazakonëshme, si një lum që rrjedh ngadalë. Ata do të kalonin në njërën nga
rrugët e shumta, tek Vis Borellae cila na mori me vete me zhurmat, brohoritjet
e hareshme dhe këngë patriotike. Festojnë ditën e çlirimit nga nazifashizmi. Në
memorialin që ruan kujtesën po përkujtohej pushtimit Gjerman të Italisë në
Luftën e Dytë Botërore. Dhe jehonte Me Bella Ciao', kënga himn e rezistencës së
partizanëve italianë.
Ndjekim
rrjedhën e lumit Rola. Ndalojmë në Limone Piemonte, të shtrirë në afërsi të
kufirit të Italisë me Francën, në lartësitë e Alpeve Detare, aty ku tuneli Kole
de Tende, 1321 m, e çan malin tejpërtej. Limone Piemonte e ndodhur në afërsi të
Torinos, San Remos, Ventimiljes, por edhe qyteteve franceze Menton, Nisë dhe
principatës së Monakos është qytezë alpine e cila prej një shekulli vend i
sporteve dimërore, skive dhe patinazhit, ku shpesh organizohen shpesh edhe
edicione të Kupës Botërore. që natyra dhe njerëzit e kanë qëndisur, me ngjitjet
në malet me borë, majat e thepisura, pllajat e gjelbëruara, liqenet e shumtë
akullnajorë.
Endemi
kishave dhe shtëpive alpine të Limone Piemontes. Arkitektura karakteristike të
le mbresë e sakaq të kujton Voskopojën. Lule dhe flamuj të kombësive të
ndryshme zbukurojnë ato. Këtu janë përqëndruar edhe bustet hijerënda të
figurave të njohura të Limone Piemontes, e kardinalit Riberi Antonio dhe
sociologut Antonio Marro.
* * *
Largohemi të mbështjellë, me nektar emocionesh, nga gjithçka që merr prej provincës Cuneo të Piemontes, mbi të gjitha me magjinë e arkitekturës dhe panoramave mahnitëse.