Udhëpërshkrim » Gorica
Petrit Basha: Pëllumb Gorica, Studiuesi, Poeti dhe Gazetari
E enjte, 29.09.2022, 07:00 PM
PËLLUMB GORICA, STUDIUESI, POETI DHE GAZETARI
NGA
PETRIT BASHA
Për
së pari me studiuesin, gazetarin dhe poetin Pëllumb Gorica, jam takuar në
Darzezën e Re (Povelçë) në Fier, në korrik 2010, kohë kur isha për pushime, me
ndërmjetësimin e një mikut të tij.
Unë
isha ulur në një kafene rrëzë brezit pyjor me pisha, me formën e një “anijeje”,
me pozicion lindje-perëndim, në “kiçin e saj, dhe po prisja të vinte Pëllumbi.
Nga
ura mbi kanalin që lidhej me detin Adriatik, u shfaq një djalosh me fytyrë të
pastër, të rrahur nga dielli dhe me flokët e thinjura dhe të shkurtra. U ngrita
në këmbë, kur ai erdhi afër meje, dhe tokëm duart, ashtu siç mund të takohen dy
njerëz, që veç krahë kanë për të fluturuar, të cilët, m'u dukën sikur e
pushtuan atë kafene të mbytur nga drita e diellit dhe kaltërsia e Adriatikut.
Maturia
në bisedë dhe bashkëbisedimi i këndshëm, më bënë të më hynte menjëherë në
zemër.
Për
fat, miqësia jonë i rezistoi kohës, ndryshe nga shumë miqësi të tjera, qysh në
lindje të dështuara. Komunikimi intelektual i tij ka bërë që koha skulptorë të
gdhendin dëshirën e përbashkët për hulumtime.
Gjatë
këtyre viteve, më shumë se një dekadë, ai për mua ka qënë mik besnik i
papërsëritshëm dhe i sinqertë. Librat e mi, që i kam dhuruar, jo vetëm që i ka
lexuar, por dhe i ka përcjellë ndër shokë e miqtë e vet. Veç tyre, shkrimet e
mia i ka botuar në gazeta dhe portale.
Takohemi
rrallë, se jeta me dinamikën e saj nuk na jep shumë kohë, të ulemi e të
bisedojmë gjatë. Gjithësesi në gjithë këto vite jemi takuar dhe kemi kuvenduar,
me një frymë tjetër, duke u larguar nga rëndomtësia e gjuhës, por duke e lëmuar
në trajtën më shprehëse, që i jepte më tepër ëmbëlsi takimit, sepse emëruesi i
përbashkët është vlera e trashëgimisë, në funksion të njëmend të kumbimit të
saj shprehës.
Pëllumbi
i bie kryq e tërthorë rrugëve të Shqipërisë. Udhëtimet, janë kënaqësia më e tij
ndaj trokitjeve drithëruese të ditëve monotone. Udhëtime të pafundme afër dhe
larg, në vise të njohura dhe panjohura, duke sjellë përshkrime të mrekullueshme
dhe freski poetike, që teksa i lexoj më krijohet përshtypja se i kam vizituar
edhe unë këto vende. Kjo ka lindur tek ai po ashtu edhe pasionin për
fotografinë, që është bërë si të tjera, pjesë e jetës së vet. Kjo është një
mënyrë për të shperndarë nga pak histori, kujtime, tradita…
Peisazhet
e trevës tonë, historia, kultura dhe traditat e saj e zhvendosin herë pas here
me pasion, kjo edhe prej lidhjeve të thella shpirtërore që ka. Në rikthimin e
tij në këto vende, ai s’harron të qëndrojë për një kafe në Gramsh. Në fund një
foto si kujtim e më pas mesazhe falenderimi e vlerësimi, që bëjnë me krahë
këdo.
Gjatë
kohës së pandemisë të COVID 19, nuk e pamë njëri- tjetrin për një kohë të
gjatë. Si unë edhe ai i respektonin me rigorizitet rregullat e “pademisë”.
Këmbenim herë pas herë telefonata me pyetje dhe përgjigje të zakonshme për
shëndetin, me hollësira e informacione rreth pasionit tonë hulumtues.
Ne
jetojmë një kohë dhe në një shoqëri, ku vlerat po humbasin (njerëzimi më parë
kishte më shumë vlera morale e shoqërore se sot). Të qenit njeri, nuk është më
qëllim i shumicës dhe as i dobishëm për jetën dhe shoqërinë, aq, sa po humbasim
pak e nga pak shumë vlera për hir të interesave personale, sepse u duhen
diplomat, gradat e titujt, se si mirënjohja kthehet në përbuzje e mirësjellja
quhet dobësi. Të zotin në punë i bën të tjerët ziliqarë. Në natyrën njerëzore
vepron ligji i kompensimit, paaftësia kompensohet me intrigë, me ligësi me
shpifje e mashtrim; i ndershmi nuk di të vjedhë, duke ruajtur krenarinë e paqe
e shpirtit. Nuk ka gjë më të keqe se ambiciet e njerëzve të rëndomtë që
mendojnë se lartësohen duke poshtëruar tjetrin.
Në
bisedat tona, kam kuptuar se ai e dënon padrejtësinë, prapaskenat pas krahëve
të ndonjërit dhe në veçanti ndaj atyre, që i marrin materialet, fryt i punës së
tij dhe të tjerëve, duke i botuar si të vetat. Sigurisht Pëllumbi ka zgjedhur
një lloj refuzimi, për të mos qënë në sofrën, apo gostinë e dallaveres, që koha
ka shtruar.
Në
kërkimin të vlerave, zotëron një energji, që nuk shter e të habit. Qielli është
i vogël për shpirtin e tij të bukur, që nuk shikohet fizikisht, por ndjehet, në
mardhëniet me Natyrën Shqiptare e më gjërë, me miqtë, të njohurit, historinë
dhe artifaktet.
Lexon
në udhëpërshkrimet modele të “saggistikës” (urtësi përshkrimore
meditativo-filozofike). Çdo herë e shkrim më të bukur, më të ndjeshëm se
tjetrin, plot jetë e gjallëri, plot bukuri natyre e derdhur me fjalë mjeshtrie
nga “kamera" përshkruese me fakte historike.
Dua
të theksoj se autori ka botuar me qindra krijime dhe studime, jo vetëm në portalin
(gazetën elektronike) “Zemra shqiptare”, në Angli, por edhe në gazeta e portale
në Shqipëri. Tematika e tyre është e larmishme, me vlera të veçanta njohëse e
studimor, si:
Udhëpërshkrimet:
“Thesaret e rralla të Sulovës”, në gazetën “Dita”, “Uji që bën çudira”, në
gazetën “Shekulli”, “Në majëmalin e Korabit”, në gazetën “Telegraf”, ‘‘Metaforë
e historisë së Lashtë “, në revistën “Besa” ( Suedi), “Ujëvara e borëzuar e
Sotirës”, në gazetën”Dielli” në Amerikë, “Zërat e lashtë të një qyteti”,
(Nacional) “Në gjurmët e piktogrameve pellazge”, “Dumrea, një perlë e vetë
Zotit!” (Shqiptarja.com), “Viseve ku pushojnë Perënditë”, “Divjaka për t’u
riparë”, “Janina të deh me aromë historie shqiptare”, “Bosnja një bukuri e
mbuluar ende nga plagët“ ,“Bukuroshja e Jonit”, “E shenjta Voskopojë”, “Magjia
e parrëfyer e Lin”, “Të prekësh Ulqinin”, “Udhëtim në Parajsën Piemonteze”,
“Ohri, qyteti i një kujtese të harruar”, “Sytë e rinj të Monakos”, “Sërish në
Prizren” (Zemra Shqiptare)., etj.
Etnografi
dhe Traditë: “Tradita e tezgjahut në krahinën e Sulovës”, “Mbi banesat dje dhe
sot në Sulovë”, “Themeleve të riteve e bestytnive të trashëguara ndër shekuj”,
“Veçoritë e veshjeve popullore të Sulovës”, “Fryma pagane e Ditës së Verës”,
“Dollia e Sulovës, aty ku pihet rakia me me opingë”., etj.
Arkeologji
e histori: “Kulla e Kamunahut, një kala ilire që dremit prej shekujsh”,
“Petrela, vend i dy kështjellave”, “Magjia e bukurive të nëntokës sulovare”,
“Historia e masakrave serbe në Dumre e Sulovë”, “Gjurmë të lashtësisë së një
vendbanimi” (Kalaja e Qafës, Sulovë), “Kali legjendar i Sulovës”., etj.
Gjuhësi:
“Disa veçori gjuhësore në krahinën e Sulovës.”, “Gëzofsh të ritë, një urim i
bukur nga Sulova”., etj.
Personazhe
historike: “Haxhi Sali Bej Përrenjasi, burri që qëndron midis legjendës dhe
historisë”, “Historia në sytë e një burri”, “Edith Durhan, mikesha e përjetshme
e shqiptarëve”., etj.
Portrete:
“Një jetë si një libër”, “Koha të gdhend emrin”, “Një portret që rrezaton
mirësi”, “Mirënjohje për mësuesin, një kontribut 100 – vjeçar i mësuesëve
elbasanas në krahinën e Sulovës”., etj.
Librin
që më dhuroi, “Sulova e Poshtme në shekuj”, fillova ta lexoj që kur isha në
plazh dhe zbulova se ishte interesant e me shumë vlera për mua, pasi edhe unë
po punoja prej vitesh të shkruaja një libër për vendlindjen time, Tunjën, në
Sulovën e Sipërme.
Pasi
e lexova, kuptova se nuk është botim i zakonshëm dhe as një parashutë e bardhë
në qiellin e murrët të botimeve, por një libër, që urtësisht dhe mençurisht
hedh dritë për “territorin” e kësaj treve, të cilin Pëllumbi e njeh deri në
shterim dhe shkundi letargjinë nga koha moderne, që kishte nisur të kalbte
frutin e trashëgimisë brenda saj, atë qelizën e mentalitetit të saj, që ka lënë
vragë të thellë në kujtesën e kohës.
Libri
monografik “Sulova e Poshtme” është shumë më tepër, është një thesar i pa
krahasuar. Duke e lexuar hyn në skutat ku noton, trashëgimia jonë historike.
Pëllumbi ka hulumtuar, thesaret e Sulovës, të trevës më veriore të Toskërisë,
të shtrirë rrëzë malit mitik të Tomorrit e njohur për traditat e mikëpritjes,
të folklorit, të historisë së Lashtë, të linguistikës, toponimeve,
antropologjisë, etnologjisë së saj, të legjendave të pa shoqe, që nga thellësia
e mitologjisë së antikitetit; kështjellat, vendluftimet, kodrat e historitë e
pafundme dhe, si Promethe me zellin kulmor, nën peshën e ndjesive në thellësi,
duke shkelur me këmbë e prekur me dorë, atje ku e mrekullon natyra dhe gjurmët
e lashta që i dhurojnë kënaqësi.
Shumë
episode e rrëfenja nga libri, personazhe, toponime, kala, kalldrëme, etj, ishin
të njohura e të dashura për mua. Me babain tim, po edhe vetëm, kur fillova
punën si mësues, i kam rënë kryq e tërthor Sulovës së Poshtme, për të shkuar te
miqtë tanë në Mollas (fisi Muça dhe Asllani), në Linas (fisi Hoxholli), në Klos
(fisi Duzha), etj., si dhe kalimet tranzit Gjyralë – Mollas – Topojan – Tunjë.
Veç kësaj, kur isha drejtor shkolle në fshatin Përrenjas, kaloja nga aty në
Topojan – Ura e Kadipashait – Gostimë – Gramsh, kur u dëmtua ura mbi Devoll në
dimrin e vitit 1962-1963.
Për
ngjarje të ndryshme historike, të pushtimeve nga armiq të ndryshëm në Shqipëri
dhe Sulovë, iu referova autorit, pasi kishte të dhëna të shumta arkivore, të
sakta shkencërisht dhe nga studiues të njohur. Ky libër qe një ndihmesë e çmuar
për mua, për librin që do të shkruaja.
Libri
“Sulova e Poshtme në shekuj”, është shkruar me këmbëngulje e durim të madh, me
qëllimin e vetëm për të shkruar për gjithçka e për t’ua lënë brezave të sotëm
historinë e lashtë e të tashme të kësaj krahine.
Autori
thekson: “… Bisedova me njerëz të moshave të ndyshme. Vite të tëra pune, mundi,
djerse, shpenzime, … që më bënë entuziast dhe të sigurtë, se të shkruash një
libër të tillë, është shumë e rëndësishme.” (Libri në fjalë, fq. 5). Muaj dhe
vite ngujim, për të nxjerre një libër. (kujtoj Markezin që mbyllej deri sa
përfundonte librin e tij). Këtë e plotëson më tej studiuesi erudit Dr. Moikom
Zeqo, i cili shprehet: “… Ky libër është një organizmim i mençur e një
informacioni unikal, jo vetëm në suazën e zonës e trevës subjektore, por edhe
objektive. Vetëm një dashuri shumë e madhe me një ngulmim të gjatë ndër vite,
jo vetëm nga librat, por sidomos në terren, mund të çojë në realizimin e këtij
libri, që është në thelb një histori enciklopedike e Sulovës së Poshtme, për të
plotësuar me dinjitet një gjymtyrë të gjallë të historisë kombëtare.” (fq. 9-10
e librit).
Në
arritjen e rezultatit për botimin e këtij libri mendoj se kanë ndihmuar cilësi
e virtyte dalluese të Pëllumbit, si: Ai është person që s’ndien lodhjen dhe
mundim në kërkim të së panjohurës, derisa të arrijë qëllimin; shfrytëzon në
maksimum kohën, edhe kur është në punë dhe me pushime etj. Ai, për realizimin e
këtij libri, është mbështetur në sigurimin e materialeve të besueshme dhe të
domosdoshme arkivore, për evidenimin e së vërtetës dhe servirjen tek lexuesi të
materialeve të besueshme dhe shkencore. Veç kësaj, ai është mbështetur dhe tek
bartës të vlerave kulturore, historike, folklorike, etj., të ruajtura brez pas
brezi.
Pëllumb
Gorica nuk është vetëm një studiues pasionant i disa fushave, ku shkruan me
profesionalizëm e saktësi shkencore, po dhe poet i spikatur i shumë poezive me
tematikë të larmishme e të shprehura me vargje brilante, si dhe figuracione e
metafora të goditura poetike plot ndjenjë e dashuri. Ai nuk është poet
vitrinash, por njeriu dhe krijuesi i ndërgjegjes letrare, nëpërmjet gjuhës dhe
filozofisë së ndjenjave, sepse poezia e tij frymon si frymë, ngre dhe shpërndan
emocione të atilla kur njeriu e ndjen veten në hapësirën midis: tokës dhe
qiellit.
Poeti
Agim Barjami e vlerëson për këtë vëllim poetik, këndvështrimet, racionalen dhe
trajektoren e zhvillimit të mendimit, ashtu si edhe ndërthurjen stilistike
letrare, figuracionin, metaforat, rimat, krahasimin apo hiperbolat:
“Duke
qënë njeri i ndjeshëm dhe bir i natyrës, poezitë e Pëllumbit kanë trokitur
vetvetiu në penën e poetit. I kanë vënë përpara krejt natyrshëm një fletëz
blloku dhe i kanë thënë: “Shkruaj tani!”, dhe shpirti i ëmbël i poetit, për t’i
bërë kësaj grishje, ka bërë të tijin më pas. Lexon njëra pas tjetrës poezitë
dhe në sy të mbeten peisazhe ndjesish shpirtërore, bukuri sublime, por edhe
shqetësime qytetare… I ndërgjegjshëm për misionin poetik, në ndonjë rast, vargu
poetik transferohet edhe në një lloj britme dëshpëruese për të ligjtë e kësaj
bote, që fatkeqësisht i kemi me shumicë brenda dhe jashtë nesh. Ja njëra nga
poezitë:
Ndonëse derrat lerosen
në llum,
Të shfaqen qengja me
shpirtin qelibar …
Ata janë të liq, më
shumë
se ujku i përrallës
këmbëbardhë!”
(vëllimi poetik
“Dallëndyshet e erës”, fq. 6-7)
Disa
nga poezitë e këtij vëllimi janë botuar në revistën letraro-kulturore
“Pelegrin” të Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”, nr. 22
(themeluar në Athinë, pranverë 2014).
Këto
poezi, të vëllimit “Dallëndyshet e erës”, në revistën e mësipërme, shoqërohen
me vlerësimin e Dr Ermelinda Kashahu, pedagoge në Universitetin “Eqerem Çabej”,
në Gjirokastër, ndër të tjera thekson: “… Ashtu si një kritikë letrare e
poetizuar, ashtu edhe poezia e Pëllumb Goricës ka vlera të pamohueshme. Prej
këtej shpreh bindjen time të plotë, se poeti ynë është simboli i gjallë i
shpirtit qytetar, pikërisht për faktin se i paravendoset strukturës së thelbit
historik si projekt vizionar për ndryshimin e gjërave dhe që nuk e tradhëton
asnjë grimherë etikën e vet formës estetike. Në vijim të këtyre mendimeve,
citojmë vargjet:
Kjo rrugë më ngjan
bukur,
si penelatë e purpuruar
me ngjyrë
Po gazi yt, nënë, ku
është strukur,
në ç’kopsht vallë qënka
shkrirë?! (fq. 174 e revistës)
Në
vitin 2016, Pëllumb Gorica paraqitet para lexuesve, me librin “Fjalë muzash”.
Në të jepen vlerësime për 36 autorë të ndryshëm për krijimtarinë e tyre
letrare. Autori paraqet dhe vë në dukje vlerat e çdo libri me kompetencë
profesionale, përmes zbulimit në thellësi të vlerave artistike të çdo autori
dhe libri.
Shkrimtari
Hysen Kobellari, për këtë libër, shprehet: “Nuk është e lehtë të flasësh e të
shkruash sot për dukuri, autorë e zhvillime letrare bashkëkohore. Ndaj është i
mirseardhur dhe i nevojshëm botimi i një libri me mendime, përshtypje, mbresa e
gjykime për vepra letrare dhe autorë të kohës sonë. Madje është një gëzim i
vaçantë. Këtë gëzim të jep leximi i librit të studiuesit Pëllumb Gorica, teksa
përpiqet e mundohet të zbulojë mesazhin e fshehur tek çdo krijim, tek çdo poet,
shkrimtar e krijues, që e veçon dhe e respekton. Autori flet thjesht dhe qartë,
me zemër të hapur e mendje të kthjellët; ai kërkon nga krijuesit, poetë,
artistë e shkrimtarë ngritje cilësore të vargut e fjalisë, lartësim të mendimit
artistik e filozofik, mesazhe të qarta e të thella të veprës së tyre”.
Ky
libër i bukur, rëndësia e tij dhe leximit më solli ndërmend hantikapin e epokës
moderne. Sot shkruajnë shumë, por jo të gjithë janë pjellorë e cilësorë. Por
edhe se letërsia më së shumti është kthyer në biznes dhe ndaj shkrimtarëve nuk
tregohet kujdes. Për fat të keq, jemi mbushur me të vetë-quajtur poetë (poetë
facebooku) dhe nga iluzioni që kanë duke menduar se shkruajnë, bëjnë dhe
kritikun e qokave, me retorika neveritëse. Pa harruar shkrimet e gazetarucëve,
që u merren këmbët, jo vetëm nga përmbajtja e mesazhet, të ndërtimeve
drejtshkrimore e sintaksore me shumë gabime, apo nga tallavatë e këngëtarëve
dhe fjalët e pakuptimta me një shqipe të dhunuar nga pseudoletrarët. Por në
këtë kaos, kur, sipas një fjalë të urtë, “po ulen kodrat e po ngrihen gropat”,
gjithçka pritet.
E pse mos të ndihesh krenar, për njeriun që pasioni i tij e lartëson. Njerëz të tillë (të rrallë) në këtë kohë, të mbushin me kënaqësi, siç thotë Kamy, “të cilët kanë shumë gjëra për t’u admiruar”.