Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Prej fytyrës së bukur të Tomorrit
E shtune, 27.05.2023, 07:00 PM
PREJ FYTYRËS SË BUKUR TË TOMORRIT
NGA
PËLLUMB GORICA
Sot është një ditë e
veçantë; një ditë nga ato që priten me kënaqësi. Është një nga ato ditë, kur
njeriu e ndjen veten të lirë nga detyrimet e përditshme, nga ato ditë kur
njeriu e ndjen veten tjetërsoj: të udhëtojë larg, në malet mahnit?se, plot aromë virgjërie: në liqenet, ujëvarat,
kanionet, shpellat, kështjellat dhe gjithçka që krihet plot sqimë nga ngjyrat
dhe aromat e Atdheut.
Shpesh udhëtoj drejt
malit të Perëndive Pagane: Tomorrit, nga Gramshi në rrugën e re buzë liqenit të
Banjës (me ura të shumta) që i ka dhënë një tjetër bukuri kësaj treve.
Herë pas here
ndalojmë të vështrojmë peizazhet, veshur me gjelberim gjithfarë bimësh e drurësh
frutorë. Na mrekullon qetësia e syve dhe jehonat e simfonisë pranverore me
gjithfarë zërash e zhurmash.
Ndonëse fryn një
fllad i lehtë, bën shumë ngrohtë, teksa në male zbardh dëbora. Re pupëlore,
sikur të kërkonin diçka të harruar nëpër kohëra, përhapnin çarçafin e tyre në
qiell, për të lënë pas shtëllunga të vogla, si harta të dekoruara nga eklipset
e përkohshme të Diellit.
Vendbanimet dukej
sikur kalonin në revistë. Peizazhin e tyre, “brinjët e kohës, të shprishura nga
ngërçet e reja”, e kanë shndërruar në liqen, me të gjithë infrastrukturën e
digës së H/C - it, si gjurmë e një ndërgjegjeje tjetër kohore aty.
Ja Darzeza me fushën
e saj dhe lugina e lumit të stërlashtë Devoll, që rridhte prej shekujsh si zot
i shtratit të tij, sa në njërin krahë në tjetrin, sot shtrihet 14 km²
sipërfaqja e një rezervuari 400 milion m³, të quajtur Liqeni i Banjës.
Rrugës rrotullohemi
si bima e lulediellit në kërkim të diellit për të parë.
Në njërën anë të tij
shtrihet krahina e Sulovës mikpritëse, që i buzëqesh miqësisht Shpatit
historik. Ndërkohë liqeni lag edhe Verçën besnike, që ia bën me sy, për miqësi,
Tomorricës së bekuar nga mali më i bukur në botë. Ato vise janë të begata, jo
vetëm për pamjet madhështore, por në radhë të parë për njerëzit mikpritës e
bujarë dhe pasuritë e shumta natyrore.
Atje ku largohet
liqeni, si i pikturuar rrëzë një kodre të bleruar me fytyrë nga Perëndimi,
shtrihet qyteti i Gramshit, me ngrehina pallatesh tashmë të restauruara
tërësisht.
Ndaluam në qendër të
qytetit, për të parë gjithçka, ngadalë e me nge. Në vitrina dyqanesh lajmërimet
“bërtasin”: Shesim shtëpi, shesim dyqane, shesim tokë ose… Jepet me qera, ose…
Na duhet kamerier, pastruese, hidraulik, shofer, etj.
Dikur, para 30 vjetësh,
Gramshi ishte qytet ku prodhoheshin armë, me qëllim përmbushjen e kërkesave të
Forcave të Armatosura të Shqipërisë Socialiste, për t’u mbrojtur nga çdo
agresion i mundshëm; bateri për ekonominë, si edhe konservime frutash e
zarzavatesh për eksport.
Por sot nuk ekziston
asnjë thërrime prej gjurmëve të tyre.
1997- a shkërmoqi
shtetin dhe rrafshoi uzinën e armëvëve në Gramsh.
Identikët shejtanë
(të djathtë dhe të majtë) që janë tani, si mendjeshkurtër, në “demokracinë
neokolonialiste”, me një papërgjegjshmëri të pashembullt, shitën për skrap
uzinat dhe kombinatet: në Tiranë disa, Kombinatin e Sheqerit në Maliq, Uzinën e
Telave në Shkodër, Azotikun në Fier, Superfosfatin në Laç, etj.
Vandalët nuk erdhën
nga Skithia, por ishin këtu dhe gjërat morën rrokopujë, aqsa punëtorët
përjetuan drama të mëdha (më e rënda, papunësia e lartë).
Për të përballuar
jetën, shumica, me familjet e veta, morën rrugën emigruese. Është kjo një
dhimbje e mbijetesës, megjithëse u dha një hap zhvillimi me rrugët dhe
hidrocentralet.
Ishin entuziastë që
po punonim për ndërtimin e tyre, sepse u punësuan plot njerëz. Por s’mund të
bëhej fjalë për zhvillime të mirëfillta kapitaliste që rrisin mirëqënien e
qytetarëve të cilët të mos emigrojnë jashtë vendit.
Ikën
nga kreshtat natyrore e fluturuan larg
Makina të duket si
flutur në zgjaturinat e kodrave, që ndërpriten nga rrjedha e lumit të
Tomorricës (është rreth 42 km i gjatë) i tejfryrë nga shirat e ditëve të
fundit, që gjëmonte në shtratin e tij mbushur me zallishte. Shumë rrallë
shikoje të kalonte ndonjë makinë.
Mushkëritë mbushen me
ajër të pastër; qelizat ripërtërihen; zemra shton të rrahurat e saj dhe hovet e
lumturisë pushtojnë qenien tënde, saqë harron rrugën e pashtruar gjithë gropa,
të cilën asnjë fushatë zgjedhore nuk ka arritur ta rregullojë ashtu siç duhet.
Por, ndonëse ajo është kalvar i vërtetë, kjo vështirësi bëhet e papërfillshme
nga dhjetëra adhurues, të etur për të zbuluar magjinë e Ujëvarës së Sotirës,
saqë epitetet më të zgjedhura janë të pamjaftueshme për ta përshkruar.
Mungesa e kushteve të
domosdoshme për të siguruar një të ardhme më të mirë ka bërë që shumica e
vendbanimeve të boshatisen dhe dita - ditës po kthehen në vende të shkretuara.
Me largimin e
banorëve, të babëziturit e kanë rrënuar Natyrën, duke iu turrur pasurive, për
t’i shfrytëzuar me mëndjeshkurtësinë e pandalshme barbare nën fjalën zhvillim.
Shembujt e dëmtimeve
janë të dhimbshme dhe me përmasa të frikshme. Gurët po ia marrin;
hidrocentralet e vegjël i kanë rrëmbyer ujin; pyjet po i dëmtojnë me prerje pa
kriter dhe djegien e tyre: Një masakër që ka tronditur ekuilibrin e
ekosistemit, si haraç që do ta paguajnë brezat e ardhshëm.
Ndaluam në Sotirën e
vogël. I hedhim një sy fluturimthi shtëpive, këtyre dëshmitareve të
pakundërshtueshme të banimit të hershëm, me mure të trasha, dritare të vogla
dhe çati të mbuluara me rrasa guri pa gjurmë njerëzore, që duken si murana të
shkatërruara nga luftrat; me oborret e barëruara, në të cilët asqë mund të depërtohet te pragu i dyerve; me arat
e lëna djerrë e të veshura me bimësi gjëmbore; me pyllin e shkretuar…
Sotira ka pasur edhe
kohë “lulëzimi”, në atë lloj varfërie të qetë, me zëra njerëzorë, kthyer nga
puna; nga bagëtitë dhe gjallëria e Natyrës, por që tashmë vështron braktisjen
demografike drejt zonave përreth dhe qyteteve, si zogjtë që, kur nxjerrin
krahët, ikin nga kreshtat natyrore e fluturojnë larg. ?kën me kokën mbrapa.
Sotira bën pjesë në
projektin e 100 fshatrave turistikë. Zgjedhja në këtë rast, për ujëvarën e saj,
një nga më të bukurat që ke parë ndonjëherë, mund të thuhet se ishte e gjetur,
por ajo nuk të ofron asgjë tjetër. Gjithsesi, ngjan interesante në krahasim me
hiçmosgjënë.
Askush në Sotirë nuk
di se ç’do të thotë të jesh në listën e 100 fshatrave turistikë. Për Sotirën ka
një shpërfillje të skajshme nga Pushteti Lokal dhe Qëndror, duke e lënë pas
dore.
Së pari të ndërtojë
rrugën në nivelin e pranueshëm të saj, t’i jepet ndihmë për bujtina, sepse asqë
diskutohet do të ketë buzëqeshjen e jetës, për të zhvilluar Turizmin, i cili
nuk është thjesht vetëm mish e raki, por edhe vlera etnokulturore.
Këtu ende ende janë
edhe pak banorë, duke jetuar e punuar në dheun e tyre, në mënyrën më mitike të
mundshme. Ata janë të mishëruar me shpirtgjerësinë e tyre, si e Zotave,
pasardhës të Ilirëve, gjithë respekt për mikun e vizitorin e thjeshtë dhe
ndjehen me fat që lindën këtu rrëzë malit Tomorr.
Banorët luftojnë për
ta jetuar jetën, me ato pak prodhime nga arat, pemët dhe bagëtitë, për të cilat
kujdesen me dashuri, për sa kohë nuk kanë mundësi të iknin; me mendimin se jeta
me të mirat e vështirësitë do jetë kalimtare dhe vendlindja mbetet vendi më i
mirë.
Etje
resh mbi Tomorr
Erërat e Tomorrit më
sjellin gjuhë Perëndie, që, si sfinksi, më rrëfejnë e më zgjojnë zëra Lashtësie
prej drurësh, ujërash, gurësh e eshtrash, kur loti i trishtuar ka zbritur e ka
fshirë me dhëmbshuri të mbarsur mirësinë njerëzore, ngjizur me metamorfozat e
shqisave të një Prometeu.
Sa herë afrohem të
kundroj prehjen e malit të perëndive, këtij përbindshi madhështie (më tepër,
krenarie) do të hasë një stratigrafi gjeologjike, me ëmbëlsi melodie, e cila
epikën nuk e ka varrosur në errësirën e kohës.
Një puthje e këtij
froni, ku lartësohen profecitë për etërit fisnikë, e vargëzojnë frymëmarrjen e
një shpirti të paepur, qëkurse ka lerë: morfemë e endur me perla historie,
shtjellur virtytshëm në vetë Historinë.
Në Tomorr kanë
shtëpinë Zotat. Majat e thepisura
rroken me qiellin, të mbështjella nga grahma resh të bardha si dashnore të përjetshme.
Rrezet e diellit, fytyra
- fytyra, duke depërtuar nëpër
fletën e kaltër të qiellit, shkëlqejnë borën si miell i situr, ndërsa lulet këtu poshtë
krijojnë tablo të mrekullueshme.
Edhe borë, edhe
gjelbërim. Edhe re, edhe rreze dielli.
Aty flet me ajrin e freskët të lartësive, me pishat dhe lisat, me shkëmbinjtë e ashpër që në pamje të parë
të shikojnë drejt në sy. Banorët,
sa herë që kërkojnë zgjidhje për shqetësimet e tyre, ngrenë sytë nga majat e
larta të Tomorrit që të marrin dritë mirësie dhe të betohen për të (Nuk kam
dëgjuar betim tjetër veç për Baba Tomorrin).
Në mendje ve
togfjalëshin “kërthizë shqiptarie”, sepse mali Tomorr është piramida natyrore e
trojeve tona, që bashkon Çamërinë (Epirin), shqiptarët e Maqedonisë, të Kosovës
dhe Malit të Zi; pavarësisht që rrezet midis katër ndarjeve nuk janë të
barabarta.
Simetria matematike
nuk përkon gjithmonë me simetrinë etnike. Ç’është e vërteta, është dëshmuar
autoktonia jonë në gjithë Siujdhesën Ilirike (Ballkan).
Mali kryelartë i
Tomorrit mban mbi shpatulla madhështinë shekullore të shenjtërisë së Perëndive
të Lashta, me elemente pagane, që kanë në vetvete një energji rrezatuese.
Në mendje më vijnë autorët antikë:
Gjeografi i Lashtësisë, Straboni,
në librin VIII shkruante se
“tempull i Dodonës dimërkeqe gjendej në
lartësitë e Tomorrit, me këmbanë të ramtë shumë të madhe”.
Aty, sipas Homerit te poema “Iliada”, ndeshim këtë dialog
të Akilit, kur merr kupën për të pirë verë e i lutet Zeusit: “O Zeus, ti që nga
larg sundon edhe Dodonën dimërkeqe (me akuj dimri), ku rrojnë priftërinjtë
Selas…”
Herodoti në librin e
II thotë: “Tempull i Dodonës ka qenë i vetmi, më i vjetri i gjithë të tjerëve”.
Rilindasit tanë, me veprat e tyre të pavdekshme, e
shkëlqyen dritën e endjes së bukur të Tomorrit.
Kristoforidhi i madh që pohonte: “…Te mali i Tomorrit rri
Zoti, rri i madhi i jetës. I qofshim falë atij Zoti. Hieja e atij na mbuloftë e
na ruajtë”.
Ndërsa, Çajupi do të shkruante:
“Baba Tomorr, Kish’e Shqipërisë,
Mal i lartë, fron i Perëndisë,
Tek ti vinë njerëzit qëmoti
Për të mësuar se ç’urdhëron Zoti”.
Bilbili i Gjuhës Shqipe, N. Frashëri, nuk mbeti pa e
përmendur Tomorrin; madje për të disatën herë: “Herodoti në Tomorr; qëmoti,
atje rrinte Zoti”.
Për këtë mal aq të vjetër sa vetë Toka, që shkruhet edhe
në Librat e Shenjtë, vendasit sjellin dhentë dhe i bëjnë kurban.
Legjenda thotë se një herë e një kohë më 25 Gusht, Abaz
Aliu, Heroi i Qerbelasë, erdhi në Tomorr duke kalëruar me një kalë të madh, të
bardhë.
Për të nderuar dhe respektuar këtë figurë madhore, që
ndrin si yll mëngjesi, është ndërtuar faltorja (Teqeja e Kulmakut) mbi një
tempull pagan nga ku Abaz Aliu ndoshta ka trashëguar forcat e mbinatyrshme të
Perëndive) nga bektashiu i njohur dhe i përkushtuar Dervish Iljazi.
Besimtarë të shumtë Bektashinj dhe Të Krishterë, pleq e
plaka, burra e gra, djem e vajza, fëmijë të mitur; deri edhe çifte të
sapokurorëzuara, vijnë çdo gusht për të marrë bekimin e Abaz Aliut.
Ka dhe një legjendë për mollët që shërojnë çdo sëmundje:
Diku në këtë anë veriore, thonë, për një shkrep nga maja më e lartë e të cilit
mbin një pemë molle. Frutat e saj janë më të mëdha se ato natyrale. Por, aq të
pjerrëta janë edhe greminat që bien poshtë saj, saqë edhe njeriu më i guximshëm
dhe më i shkathët nuk mundet të zbresë e të ngjitet për të këputur një kokërr.
Herë pas here, në Vjeshtë, një erë do të rrokullisë
poshtë humnerave shkëmbore kokrra molle. Ndonjë banor që kalon andej shikon
nëse ka ndonjë kokërr atje, të cilat kanë fuqi për të shëruar të gjitha
sëmundjet.
Edhe ata që vdesin, thotë legjenda, burrat, mund të
kthehen edhe njëherë në jetë, nëse hanë një frut të tillë.
Ujëvara
e borëzuar e Sotirës
“Mos e humbni kurrë atë që një
ujëvarë ju ofron”
Steve Chen
Në luginat dhe “muskujt” e gjoksit të madh të Tomorrit, rrjedhat e ujërave, si damarë gjaku, vërshojnë tatëpjetë: herë të qeta e
herë rrëmbyeshëm, duke krijuar stërkala ylberësh.
Plini i Lashtësisë thoshte se ndër rrëzat e Tomorrit ka
100 burime të kristalta, ku Dodona Pagane pinte ujin e burimeve të praruara dhe
shëtiste bukurive të pamata.
E morëm shtegun në heshtje, drejt shpatit verior të malit të
Tomorrit, duke ndjekur rrjedhën e ujërave, që humbet shkurreve të kërleshura
dhe luleve si në një kopësht
botanik. Ecim mbi lëndina, të mahnitur nga bukuritë e lulëzimi i Natyrës në
Pranverë dhe, pa dashje, shkelim mbi ca lule të vogla, aq shumë të gjalla e
plot ngjyra, të cilat janë pjesë e së tërës.
E ke vështirë të zgjedhësh lulen me të bukur nga drurët
frutorë e pyjorë, saqë përjeton një dehje të ëmbël. Aty spikat lajthata, me lulet ngjyrë rozë, që çel para gjetheve. Ato
bien mbi kokat tona e të ledhatojnë fytyrën, duke të shtuar më shumë ndjesinë e
kënaqësisë.
Hera - herës zogjtë fluturonin çakërrqejf,
përplasnin krahët, ngjiteshin në lartësi dhe rikthehshin përsëri aty ku ishin
më parë.
Diku më lart, në një
pllajë, një tufë bagëtish
kullosin në gjelbërimin buitës.
Zilet dhe blegërimat, së bashku me fëshfërimën e
gjetheve, tingëllonin si simfonitë e Beethovenit, Mozartit, Verdit, apo Bahut.
Ujëvara e Sotirës, të cilin banorët e njohin me emrin “Tek bie ujët”, është një fenomen marramendës, që
vetëm Natyra mund të krijojë si të tillë. E
pamundur të mos e ndalësh vështrimin, kur gjendesh në një lëndinë para Ujëvarës
e ta kundrosh ujin (mbetesh si statujë duke e
soditur). Ajri bëhet më i freskët, më i lagësht, nga stërkalat që
bien mbi fytyrat tona.
Çfarë qielli blu i pastër! Edhe retë të buta, si spërkatjet e ajërosura të
shampanjës.
Sa herë që e fotografoj, më duket vetja si piktor që
skuqet para një gruaje flokargjendë...
Pranvera ka pikun e prurjes së ujërave, si pasojë e
shkrirjes së borës. Ajo
është veçanërisht tërheqëse për nga forma e derdhjes në trajtë çurgjesh, njëra
përmbi tjetrën, që dalin nga
barku i shkëmbit në ca lëfyte.
Dhe jo
larg, pak më tutje, në krah të ujëvarës, derdhej katarakti, si ujë që zbret nga
qielli, në mes dy shkëmbinjsh, në një pellg të rrethuar nga gurë të veshur
me myshk.
Ujërat kanë origjinë
karstike nëntokësore, nga shkëmbinjtë karbonate të malit Tomorr, i cili është
ujëmbajtësi më i madh i vendit tonë, me mineralizim të ulët.
I
kënaqemi freskisë, pastërtisë dhe shijes së ujit (kur vjen vera
paksohet) që ruan kthjelltësinë, të cilat rrjedhin në një
luginë të ngushtë.
Zoti i ka dhënë
Sotirës një bukuri të mrekullueshme, por njeriu i pashpirt e ka dëmtuar në
mënyrë të pandreqshme.
Vitet e fundit ndërhyri
njeriu, e futi në tubat e një H/C të vogël, për të përfituar energji.
* * *
Sa më shumë afrohesh, ajo jehonë...
Është e pamundur të admirosh Ujëvarën e Sotirës pa
buzëqeshje: me bukurinë, butësinë, lumturinë, me gjuhën e ujërave, që turfullojnë, valëzojnë dhe shkumbëzojnë si tinguj Perëndie mes gjelbërimit të lagur.