E diele, 28.04.2024, 08:30 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Sërish në Vlorë

E premte, 01.09.2023, 08:00 PM


SËRISH NË VLORË…

Nga Pëllumb Gorica

Nga Tirana dolëm pa aguar mëngjesi i vrullshëm, kur njerëzit nisin rrugëtimet, mbushin kafenetë, apo hapin dyqanet, duke i uruar njëri – tjetrit një ditë të mbarë.

Udhëtojmë drejt Vlorës, në këtë qytet unik për nga emri, personalitetet dhe Historia; i bekuar nga ujërat e kaltra, ajërdeti; me njerëz energjikë, me ngrohtësi dhe vello të blertë ullinjsh, që ngjajnë si kopshtet botanike të përshkruara në romanet e Zhyl Vernit.

Dielli, i përflakur, pikturonte me një të bardhë inkadeshente tabelat anash rruge. I parakalojmë katrorët e fushave, përmasat e kodrave, lumenjtë, pellgjet e mëdha të kriporeve, ca ngulmime urbane, që formojnë një qilim shumëngjyrësh nga ndërtimet, të cilat janë tregues i shpërthimit të vrullshëm të veprimtarisë ekonomike.

Dhe arrijmë në Vlorë pas gati dy orë udhëtimi. Vlora të shpalosë bukuritë e qytetit, të Natyrës, ku masakra e betonit, s’ka arritur të shkatërrojë gjithçka.

Vlorës, në një udhëtim nëpër shekuj…

Vlora është një qytet i bukur, i ngritur anëdeti, i themeluar në shek. VI para Erës Sonë dhe është banuar vazhdimisht qysh atëherë. E përmend historiani i Lashtësisë Apiani: me emrin Aulona.

Ka qënë lakmuar nga të gjitha perandoritë, duke u shndërruar në qendër kryqëzatash dhe përballjesh mes Oksidentit dhe Orientit.

Gjatë rrjedhës së Historisë Vlora ka përjetuar shumë ndryshime të rëndësishme dhe ka lojtur një rol jetik në sferën kulturore e tregtare. Por më shumë ajo, me egon e vet, dallohet për patriotizëm, duke i dhënë nder e lavdi gjithë kombit tonë:

Aty u shpall pavarësia e Shqipërisë pas pesë shekujsh pushtimi nga Perandoria Otomane.

Vlora është një qytet i rëndësisë historike, që ngacmon një joshje të thellë për ata që kërkojnë të zhbirojnë në “tapinë” magjepsëse të Së kaluarës. Sepse çdo hap në tokën e saj, në historinë, kulturën dhe arkitekturën e saj, të befason, të tërheq e të bën krenar.

Le t’i lëmë luftërat dhe Historinë, por s’mund të lëmë pa përmendur faktin se ky vend magjik, ashtu si dikur i lakmuar nga pushtuesit, në vitet e para të Demokracisë, i çliruar nga zinxhirët e Diktaturës, u tërbua, si gjithë Shqipëria, me etje për ngritjen e mirëqenies nga Firmat Rentiere, që u përhapën si tartabiqët.

Në kafene, në rrugë, në shtëpi, gjithkund, një trysni shoqëronte gjithkënd, dalë nga guacka e falcitetit, me të cilën ishin mësuar deri në fund të Viteve ’80, edhe pse të përkushtuar pas punës, pa mundur të mposhtnin varfërinë.

Njerëzit lundronin nën efektin sygjestionues të kërkesave të një epoke të re; në pritje dhe ambicje për të arritur kamjen.

Të shfaqen si në një film dokumentar radhët e gjata në katet e para të pallateve, apo diku në ballkonin e katit të dytë, për të derdhur kursimet e tyre me shpresën që do t’i dyfishoheshin, dëshmuar me një copë kartë (me firma, por pa vula) që të bënin të ëndërroje se pas 3 ose 6 muajsh do t’ia dilnin.

Ndodhi rënia e piramidave dhe mijëra familje do të binin brenda rrjetës fundosëse të tyre.

Ishte një nga gabimet e shumta të pardesyëbardhëve, euforikë, që deklaruan se paratë e shqiptarëve ishin më të pastrat se kurrë, të cilën Shqiptarët e përjetuan me dhimbje, duke u derdhur rrugëve në revoltë popullore.

Shteti ra sikur të ishte një kështjellë prej rere. Ndërkohë që ndodhej në prag të Luftës Civile, Shqipëria u dogj e u shkretua, sidomos pas hapjes së depove të armatimit dhe armatosjes së popullsisë. Rregulli ngadalë po vendosej por plagët, që la ajo kohë e çmendurisë së madhe nuk harrohen.

Sot Vlora është ndryshe. Sytë e mi panë plot mrekulli në atë qytet, që është përfshirë në projekte zhvillimi modern. Dhe kjo të gëzon, se po gjen ritmin drejt një të ardhme.

Duke ecur nëpër rrugët e saj, do të përballësh mbetjet e Arkitekturës Osmane në harmoni me elementet e Mesdheut. Zbresim në qendër të Vlorës, te pjesa e vjetër e qytetit, pranë ndërtesës së Bashkisë. Lagja ("Muradie") të le një shije të mirë, dhe fillon të thuash që po, jemi vend europian dhe me histori pasi ndërtesat e viteve ’30, të rinovuara me ngjyra të Mesdheut, flasin e tregojnë histori, duke pasqyruar trashëgiminë e larmishme të qytetit.

Po si vend ku drejtuesit e ‘dashurojnë’ betonin, mu në zemër të kësaj bukurie historike, ngrihet një përbindësh i bardhë. Na kujton babëzinë e pushtetarëve që e kanë shkatërruar jo vetëm traditën urbanistike-historike të qyteteve, po dhe dëmet që u sjellin banorëve dhe këtyre qyteteve.

Aty afër xhamia Muradie, vepër e arkitekt Sinani, i cili është edhe arkitekt i Xhamisë Blu në Stamboll.

Ndërsa, duke ecur rrëzë pallateve me suva të rëna dhe ballkoneve të kredhur në pluhur syri ndesh rrugëve, shembuj bashkëjetese të së bukurës dhe të shëmtuarës: Dyer, mure, shtëpi që tregojnë varfërinë materiale në arkitekturë.

Ndalojmë aty ku e kishte pasur shtëpinë Ismail Qemali, ajo derë e madhe patriotësh. Aty ishte takuar Ismail bej Vlora me Isa Boletinin dhe ky i fundit ishte ulur në gjunjë për të puthur flamurin.

Aty ishte shtëpia e Marigo Posios, vajzës korçare, e cila qëndisi flamurin që mbeti në Histori. Aty, në atë rrugë me emrin e francezit Justin Gotardi, gjeje gjëra të bukura, saqë duhen orë për t’i vizituar. Aty ishte një kafene me emrin e çuditshëm “Komitet”.

Në kodrën e përpjetë, që i qëndron qytetit si roje, ndodhet tempulli i Bektashinjëve, i ndërtuar rreth vitit 1600, që mban emrin e Kuzum Babait, një mjeku të ditur dhe shumë human. E gjej veten të ulur duke pirë qetësisht kafenë, nën tingujt e një kënge labe.

Më lart shtrihet Kanina, një vendbanim i çuditshëm që prehet në afërsi harmonike me Vlorën.

Kalaja, një dëshmi e madhështisë, qëndron si një relike e gjallë, duke i bërë jehonë Historisë.

Kaninën, për shkak të pamjeve të pakrahasueshme nga ku vështron ujërat e Adriatikut dhe Jonit dhe, përbri njëri – tjetrit, gadishullin e Karaburunit e Ishullin e Sazanit, e kanë quajtur “Ballkon i Vlorës.

Pyllnaja e Sodës, një vend plot hijeshi e “shenjtëri” shlodhjeje, me rërën e bregut (dikur e minuar nga Gjermanët në fund të Luftës së Dytë Botërore)...

Shkaku?! Dyshimi i një zbarkimi të mundshëm të Forcave Aleate.

Tejshtrihen brenda në det themelet e Aulonës Antike dhe muret e Portit Antik të Kavalonës (vend ku përplasen në breg valët e detit) të zhdukur nën ujë.

Ja dhe Portonova, një nga plazhet më intriguese të Vlorës, me shkëmbinj që përfundojnë në det si shirita në formë gishtash.

Në të djathtë Laguna e Nartës. Më tej ishulli Zvernec, një “Poezi e Zotit’’: me manastririn e Shën Marisë, të rrethuar nga qiparisat e dendur, që përkëdhelen nga jehona e tingujve hyjnorë të kambanës.

Kodrat, me krahët e hapura, përqafojnë Vlorën. Lartohen, duke mbushur shpirtin me kënaqësi dhe mushkuritë me oksigjen, me forcën e Natyrës dhe vitalitetin e saj…

Aty, në Kaninë, ku kalon rruga drejt Labërisë, kësaj treve me individualite dhe shumësi etno - psikologjike, në luftën për mbijetesë, shtrihen malet me majat e tyre ngjyrë hiri.

Drita e pastër e qiellit shfaqte pamjen e detit, kaltërsinë e tij që të rrëmben vështrimin. Deti sikur na e bën me dorë dhe na thotë: Hë, ç’ prisni?! Pse nuk zhyteni në dallgët e mia?

Ca kanë hapur çadrat e tyre dhe marrin rrezet e mëngjesit në shezllonë, disa lahen në ujin e kaltërt e të magjishëm.

Ecim trotuarit, nëpër vargun e gjatë të palmave. Dallgët e detit vijnë e përplasen në shkallët e betonta të shëtitores së bukur, të pagëzuar me emrin “Lungomare”, e cila i ka sjellë Vlorës atë ngrohtësi që mbase pritej.

Vështron ndërtimet e shumta, që nuk kanë dallim nga ato nëpër Botë: ca ndërtesa të larta, një trafik i tmerrshëm dhe pa mundësi për parkim. Shpesh ndërtesat janë larg rregullave të Urbanistikës dhe respektimit të largësisë...

Sheh shtëpi të periudhës së diktaturës, që në në atë kohë i quanim “shtëpi përdhese” diku të rrënuara, diku të braktisura, diku të banuara… Por, vura re godina neoklasike të bukura në krahasim me arkitekturën e thjeshtë moderne. Nuk di pse kanë një tërheqje fatale kur dikur frymonin jetë njerëzore.

Kalojmë përmes një blloku shtëpish, aty anës rrugës për në Ujët e Ftohtë, ku shfaqej një ndërtesë e veçantë nga pamja e jashtme (nga forma) duke u afruar me metodën e Kubizmit, kundruar nga numri i dritareve që lejojnë futjen e dritës brenda saj, me harmonizim të elementëve dekorativë (me tavane plot figura gjeometrike).

E ndërtuar në fillim të Shekullit të 20 në stilit neoklasik, është braktisur dhe lënë pas dore, mbuluar nga një gjelbërim i harlisur… Dhe sot e kësaj dite askush nuk guxon ta rindërtojë, apo të banojë në të.

Ajo është shtëpia e patriotit vlonjat Qazim Koculi, një personaliteti kombëtar që Historia padrejtësisht e la në harresë: Komandant i Luftës së Vlorës. Kryministri i Shqipërisë më jetëshkurtër: vetëm një ditë. I vetmi kryeministër vlonjat. Nuk e largoi opozita, por dha dorëheqjen për një urdhër të gabuar.

U vra nga Italianet në vitin 1943 si shenjë hakmarrjeje për luftën që kishte bërë kundër tyre.

Në vitin 1945, me ardhjen e Komunistëve në pushtet, familja i internohet deri në vitin 1990.

Udhëtim nëpër një botë mrekullish

U ndalëm në Skelë. Para nesh ngrihej Muzeu i Pavarësisë. Shkëlqimi i tij të verbonte sytë prej rrezeve të forta të diellit. I bëmë ato pak metra që na ndanin nga shtëpia - muze dhe hymë brenda ta vizitonim, jo vetëm për faktet dhe dokumentet historikë, por edhe për mobiljet e Periudhës Osmane (të tilla nuk kisha parë askund tjetër).

Edhe pse ishte ditë E shtunë, ditë pushimi, personeli u paraqit dhe na respektoi, si miq të largët që ishim. I pamë një nga një zyrat në katin e parë e të dytë, kolltukun ku njëqind e ca vite më parë ishte ulur Ismail Qemali, vendet ku ishin ulur ministrat e tij, shtypin dhe letërkëmbimin e kohës, si edhe shumë dokumentacione të tjera.

U ula edhe unë në atë kolltuk hijerëndë, të punuar me lëkurë, duke provuar një ndjesi të veçantë.

Ata burra kishin mbajtur në supet e tyre qeverinë e re e të brishtë shqiptare.

Rreth e rrotull shtëpisë, nga ana e jashtme e saj, ishin vendosur buste të vegjël të ministrave të asaj kohe.

Mbeta me sytë mbërthyer te bustet e tyre në bronz.

Aty, pranë Skelës, është moli i betontë. Bardhësia e dy trageteve të lbyrte sytë.

Ne ndërmarrin një udhëtim, si një arratisje idilike, me anijet turistike përgjatë Karaburunit, që në Lashtësi njihej si Gadishulli Akrokeraunian.

Anija me emrin e bukur “Liburna” vonoi paksa nga procedurat e udhëtimit në det. Më pas u largua nga bregu me ritëm të ngadaltë, duke marrë më pas shpejtësi.

Shihnim ujërat e detit teksa përplaseshin shkumbëbardhë beftas në trupin e anijes (Dallgët bëjnë muzikë).

Me mendjen time shkoj te Heminguej në romanin “Plaku dhe deti”; pra, më saktë, te Santiago dela Fuentes.

Kjo është përshtypja e parë e kujdo kur vështron blunë e detit nën pasqyrën e kaltër të qiellit, me diellin e ngrohtë, por jo shumë të nxehtë.

Karaburuni, deri dje i ndaluar dhe i pakesploruar, ka nisur të pushtohet nga pushuesit.

Në lartësitë e tij, të mbushur me shkëmbinj dhe bimësi të ulët, ndeshim dëshmitë e fortifikimeve ushtarake, që tashmë nuk mund të jenë gjë tjetër përveçse gërmadha bunkerësh, tunelesh, qendrash zjarri dhe vendkomandash luftarake, si në çdo pëllëmbë të Shqipërisë, të cilat sjellin në kujtesë kohën kur mbrohej nga ushtarët.

Të shkelje aty, përbënte sekret ushtarak. Duhej lejë e posaçme nga Dega … Ndal, Zonë Kufitare!

Kur erdhi Demokracia (një kapërcyell i dhimbshëm) si një katrahurë që kishte mbuluar vendin me papunësi, këtu lulëzoi paligjshëm biznesi i rrezikshëm i gomoneve drejt brigjeve italiane. Shqiptarët (dhe jo vetëm ata) për një të ardhme të mirë e shndërruan detin në “mal me njerëz”: Kujtojmë tragjedinë që ndodhi me emigrantët shqiptarë, në kanalin e Otrantos, në mars të 1997-ës, kur anija italiane “Sibila” u përplas me Katerin e Radës Shqiptare, duke e fundosur atë.

Ndërthurja e peizazhit shkëmbor në kaltërsinë e Jonit e bën atë të papërsëritshëm: Aty të duket se Zoti ka pikturuar gjire që të mrekullojnë me pamjen. Dallgët në kohëra i kanë gërryer pa mëshirë. Asnjë arkitekt, apo piktor, sado i guximshëm qoftë, s’do ia dilte dot mbanë të thurte mrekulli të tilla për syrin tonë.

Struktura gurësh të gëdhendur janë gjurmë të Epokave Arkaike, deri në atë të Perandorisë Romake (Kavat e Gurit) që tregojnë se këtu nxirej guri prej Shek. VI:

Pritesh në blloqe (në tri anë) dhe transportoheshin në Apoloni.

Të vijnë në vesh klithmat e pulëbardhave, që trazojnë heshtjen…Bëjnë një copë udhë me ne; pastaj ngjiten lart. Lart’ sikur kërkojnë të pushtojnë qiellin.

Ndërsa ne kishim rënë në qetësinë e soditjes, plasi muzika dhe një energji e çuditshme na ngriti atmosferën: Të rinjtë, nën tingujt ritmikë, vallëzonin, këndonin dhe qeshnin, për të marrë sa më shumë kënaqësi nga ky udhëtim në det. Stafi i anijes, i përkushtuar që udhëtimi të jetë i këndshëm, e shoqërojnë me tregime për dhitë e egra dhe gjarpërinjtë helmues, për shpellat, koralet, Majën e Shën Thanasit, Majën e Frëngut, etj.

Kalojnë minutat mes bisedave të këndshme. Afër kemi majën e Flamurit dhe Gjirin e Shën Andresë.

Aty, ku kryqëzohen ujërat e Adriatikut me të Jonit, ishulli detar më i madh shqiptar (i Sazanit) që dukej shumë afër, të ngjan si një gur i stërmadh mbi ujin blu të thellë dhe duket sikur Natyra e ka krijuar roje të Gjirit të Vlorës.

Ishulli ishte Bazë Ushtarake Detare. Rreth Shekullit VI të Erës Sonë ai ka qënë porti kryesor në atë pellg. Në kohën e Bizantit njihej si Shën Koll. Kur ra në duart e Turqve quhej Sebep: me detarë, që me barkat dhe anijet e tyre lundronin deri në Gjibraltar. Pastaj e morën Grekët; më pas Italianët dhe në vitin 1920 e rimorën Shqiptarët. Vetëm në tetor të 1944 - ?s këtu u krijua nj? repart ushtarak dhe deri në fund të Viteve ‘90 arriti në 1800 banorë. Madje u kthye në një qytezë me godina publike e gjithçka tjetër (kopsht fëmijësh, shkollë, spital, shtëpi kulture, dyqane dhe punishte rrobaqepësie).

Thuajse asnjë nga ne nuk kishte udhëtuar në Karaburun dhe ndjesia që të shkakton e panjohura e tij të nxit dëshirën të fotografosh. Të bie në sy një shfaqje magjepsëse e shpellës më të bukur të bregdetit të Jonit. Ajo do ta pasuronte me tej udhëtimin. Fundja ky ishte qëllimi ynë: zbulimi i vendeve interesante me kurthet e Natyrës.

Shpella e Haxhi Alisë, që dikur ka shërbyer si vend strehimi për barkat e famshme pirate, ishte një hapësirë e errët dhe e thellë si kupa e qiellit në një natë pa hënë.

Kapiteni i anijes nis të tregojë legjendën për detarin e famshëm të Shekullit XVII, Haxhi Aliu:

- Haxhi Aliu, duke lundruar në det, gjithmonë në kërkim të aventurës dhe emocioneve të zbulimit, ishte një nga piratët më të tmerrshëm, që nuk la anije e varkë pa vjedhur e plaçkitur.

Të gjithë ishujt, nga Sazani, Erikusi, Othoni, Korfuzi e të tjerë bastiseshin prej tij.

Deti është shtëpia ime thoshte Haxhi Aliu. Dallgët e detit i kam jastëk për kokë; ato do të jenë dhe guri i varrit tim.

Në këtë shpellë ai strehohej së bashku me njerëzit e tij. Ajo i ofronte vendin më të përshtatshëm për të ruajtur mallrat e plaçkitura.

Vërtet Haxhi Aliu u shqua për guxim dhe trimëri, por legjendat i kanë zmadhuar ato, duke etiketuar si pirat që sulmonte, jo vetëm anijet e tregëtarëve të Bokës së Kotorrit, Dalmatëve e Dubrovnikut, por edhe flotat e Venedikut, të Anglisë e Napolit.

Nën komandën e Haxhi Aliut ishin dhjetëra piratë kryeneçë, që kishin namin e keq për sulmet dhe grabitjet e anijeve, që i plaçkitnin dhe u vinin zjarrin.

Një pirat me origjinë nga Vendet Arabe i dërgon një letër Haxhi Aliut:

- Arnaut, hiqmu nga sytë, hiqmu nga udhët e detit! Unë jam më i fortë se ti. Përndryshe, do ta rrjep lëkurën tënde dhe do ta bëj pergamen për të shkruar në të suret e Kuranit.

Me të marrë letrën, Haxhiu iu përgjigj kështu:

- Kafkën tënde unë do ta bëj kokë për çibukun tim.

U nis Haxhi Aliu, ngriti velat për t’u ndeshur me piratin arab. U hodh në anijen e tij dhe vrau çdokënd që i doli përpara. Piratin, që ia kërkonte lëkurën, e zuri të gjallë, ia preu veshin me gjithë vath dhe ia nguli në hundë duke e tërhiqur zvarrë nëpër kuvertën e anijes.

Thonë se Haxhi Aliu u vra së bashku me të birin nga Venecianët dhe i varrosën në Sazan.

Befasohemi nga përmasat e shpellës. Aty ku hyrja e saj shfaqet 30 metra në gjatësi dhe 10 metra e lartë, dikur strehoheshin edhe Katërsiluruesat e Ushtrisë.

Duke ndenjur e dëgjuar kapitenin e “Rexhinës”, sikur ke lexuar Petro Markon te “Shpella e Piratëve” dhe vetiu të vjen në kujtesë Uliksi duke pritur se në cilin cep të shpellës do të çfaqet cikllopi Polifen.

Të ngarkuar me emocionet e shpellës së Haxhi Aliut, atje ku kaltërsia e thellë me një qetësi admiruese të detit dhe të qiellit bëhen një, anija lundroi për t’u ankoruar pranë Gjirit të Shën Vasilit, të krijuar si për shtojzovalle, me një pamje të mrekullueshme të guralecëve të lëmuar nga fërkimi me ujin e detit.

Puhia e detit freskon mesditën e vaptë. Uji i pastër kristal, ngjyrë blu, të bën që të zhytesh brenda tij me llapaçitjet e notimit.

***

Shpirti ynë kishte nisur të rrihte nën ritmin e dallgëve të detit, i ledhatuar edhe nga tonet e arta të perëndimit të diellit, me nuanca të ngrohta mbi kreshtën e dallgëve të kaltra, që dukej se jepte një pamje ekzotike.

Natyrisht, nuk ka se si të mos ndjehesh i lumtur.

Është një lumturi që buron nga vetë panorama e Vlorës, e gdhendur si me dorë nga nëna Natyrë.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora