Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Për te 'Mrizi i Zanave', më shumë se një udhëtim...
E hene, 23.10.2023, 08:00 PM
PËR TE “MRIZI I ZANAVE”, MË SHUMË SE NJË UDHËTIM…
Udhëpërshkrim
nga Pëllumb Gorica
Një
ditë një mik i mirë më tha:
-
Ti nuk ke vizituar, apo nuk ke parë një vend që dua të të tregoj. Ndodhet në
zemër të Natyrës, mes bukurive të rralla të saj, mes njerëzve (me vlera të
trashëguara) larg zhurmave të metropoleve të betonizuara, larg kakofonisë
hibride të trafikut dhe molepsjeve të shkaktuara nga koha.
Duke ecur nëpër këto
rrugë
Ishte
një ditë e ngrohtë tetori plot dritë. Rruga gumëzhinte nga lëvizjet. Nga Lezha
deri në Shkodër, në të dy anët e saj, shpalosen pamje të mrekullueshme: fusha,
kodrina, toka pjellore të depozituara në mijëra e mijëra shekuj duke bërë të
mundur t’u afrojë qënieve të gjalla mundësi ushqimi ku njeriu, si aktor, ka
ndërtuar jetesën me një aromë që gulçon nga brendësia e nuancave
mikroklimaterike të jetueshme.
Shtëpitë
kanë zënë fushat dhe fushat “flenë djerrë” në diellin e ngrohtë të Vjeshtës.
Sidoqoftë,
nuk ka pse t’i shohim ato si gjë negative, sepse vende të mrekullueshme
shqiptare japin shkëndija zhvillimi.
Duke
lënë pas shpine zhurmën e trafikut, befas, si në përralla, gjendesh në një
peizazh krejt të veçantë, i cili s’ka asgjë të përbashkët me të
përditshmen…Është i dashur për shqisat e lodhura nga ajri i ndotur, nga zhurmat
dhe kokëçarjet e qytetërimit.
Para
syve të hapet si në pafundësi një pamje pothuajse fantastike, e cila krijon një
kanavacë natyrore me bukuri të pakrahasueshme: Plepa të shumtë në kuadrate të
fushës së Zadrimës; fëshfërima të vazhdueshme të gjetheve të tyre prej erës
flladitëse të kurdohershme të Vjeshtës, si edhe Dielli i gjymtuar, pak si i
lodhur.
E
para e pazakontë që vëren është fakti se nuk ndjen në flegrat e hundës
kundërmimin e “diezelit” të benzinës… As mëshim borie, apo xhirime gomash në
asfaltin e lodhur: me gunga dhe gropa. Nuk sheh fije bari me pluhurosje të
zakonshme të qendrave urbane, nuk sheh ngjyrën gri që i mbështjell nga vjellja
prej betoniereve. Veç ndjen peshën e vlerës së gjithanshme të çdo pëllëmbe toke
të kësaj treve, e cila mbijeton duke e punuar kujdesisht atë.
Zoti
i ka dhënë një tokë pjellore Zadrimës. Një bollëk bukurie gjelbërimi, bollëk
ajri e pastërtie dhe, mbi të gjitha, njerëz punëtorë, të dashur, bujarë e
diturakë.
Ecim
përmes vendbanimeve në të cilët dora njerëzore ka lënë gjurmë në çdo gjë që të
sheh syri. Thua se udhëton nëpër qyteza të vogla. Një në kthesë këtu afër e
tjetra në një kthesë atje tej…Të tjera shtrihen aq larg saqë syri nuk mund t’i
shohë.
Diku
ndalesh prej një pamjeje vërtet tërheqëse të kodrave të larta kryehirta që
mbyllin horizontin nga Lindja (mali i Velës) si pleq të stërlashtë që kanë zënë
vend nëpër kohë.
Një
udhë e asfaltuar të çon drejt Fishtës së Zadrimës, që është me të vërtetë një
vend me arkitekturë natyrore, burim qetësie peizazhistike… Fushat, hambar i një
prodhimtarie të madhe drithrash, pemësh frutore, perimesh e baze ushqimore
blegtorale (madje këtu mbillet edhe oriz) që ngjajnë me stadiumet fantastike.
Fishta, që bënë pjesë në melosin e mrekullueshëm të Zadrimës, po na konturohet si një qytezë e bukur, sa për meritë të Natyrës aq, edhe të punës së palodhur të banorëve të saj.
Duke
mbetur besnik i fakteve historike, e përsëris se Fishta është vendlindja e at
Gjergj Fishtës (1871-1940) Homerit Shqiptar, është tregues i besimit në Zot dhe
të shërbimit për atdhe, me buçimën para Evropës lajkatare. Ai, me rrobën
fetare, me talentin krijues (me atë korpus veprash letrare aq të pasura) kulmin
e ka arritur sidomos me “Lahutën e Malësisë...”, me “Mrizin e Zanave”, përveçse
gjuhëtar me kontribut në Kongresin e Manastirit.
Shtëpia
e At Gjergj Fishtës të ngjan si një mauzole; edhe pse busti i tij para saj
është i përmbytur nga barëra të egra.
Mrizi i Zanave:… ky oaz
i mrekullueshëm
Ke
dëshirë të ecësh më këmbë duke vështruar sesi zë e shfaqet gjithnjë e më shumë agroturizmi
“Mrizi i Zanave”:
Asnjë
zbukurim dehës, i tepruar, banal… Veç një dekor që vëzhgohet nga vizitorë të
dëshiruar.
“Mrizi
i Zanave”, ky oaz i mrekullueshëm, të shfaqet në një kodrinë të rrethuar me
lisa dhe, si i tillë, të befason. I veçantë dhe i pakrahasueshëm në mbarë
Shqiptarinë, që jo vetëm ka dekoracion “natyror”, por edhe funksion konkret
kulinar.
Në
agroturizmin “Mrizi i Zanave”, këtë vend tokëpërshkuese, qetësi shplodhëse,
shprehen shumë cilësi, vlera të gastronomise turistike dhe pamje
gjithëpërfshirëse.
Agroturizmi
“Mrizi i Zanave”, emërtim sipas titullit të librit të Gjergj Fishtës, me pamje
të mahnitshme në çdo cep, i kthyer në një prej më të frekuentuarit në Shqipëri,
të fton të shijosh Natyrën dhe prodhimet e saj, me elemente bujqësore e
blegtorale, me vreshta dhe pemë frutore, e shtrirë në hapësirë të gjërë, me
florë pothuajse natyrale...
Qetësia
madhështore kishte derdhur një magji misterioze nga puna e njerëzve në fushat e
mbjella me lakër, domate e speca, me ullinj dhe drurët frutorë.
Janë
burimet natyrore të ripërtëritëshme të dhjetëra fermave familjare të Fishtës,
thithur direkt nga arat, nga pemëtoret e qëndisura.
Në
agroturizmin “Mrizi i Zanave” të shpaloset një larushi përjetimesh
romantike, të bukura, me ndjesi, aqësa ne vizitorëve na ngjan me një pamje
prej ferme të Amerikës Latine.
Të
përpirë nga kërshëria shëtisim vështrimin në gjithë agroturizmin “Mrizi i
Zanave”, Rreth e rrotull sinoreve përskaj arave, sheh banorët të shpërndarë, si
nota muzikore në pentagramin e nënës Natyrë.
I
ke pranë, i prek, ecën e mrekullohesh nga pamja e nuancave të Natyrës me bukuri
të pakufi, si në magjepsjen e vargjeve magjike të Gjergj Fishtës.
Vështron
vreshtin e varietetit “Kallmeti”, të mirëkuruar. Qe pjekur dhe na i bënte me
sy. Ullinjtë, me imunitet nga sëmundjet prisnin shiun për t‘u zbukuruar më
shumë. Shegët ishin këputur nga pemët, gati për të shtrydhur lëngun.
Vështron
hambarët me sanë e misra, tufën e dhive të një race vendase, mishin e shijshëm
të të cilave e shijova me endje nën hijen e lisave.
Nëpër
rrugica gëlojnë tufat e rosave, patave, pulave e gjelave.
Vështron
bunkerë, si relike e Së shkuarës.
Nga
fuçitë metalike ishte krijuar një vargan “treni” në miniaturë.
Një
dyqan i vogël ishte mbushur me qeramika, djathëra dhe shishe verë, lëngje
frutash, produkte mishi, libra dhe lule.
Në
“prehër” ulliri shihnim shkrime nëpër dërrasa me vargjet e Gjergj Fishtës.
Ishin
edhe mbishkrimet me udhëzimin se toka nuk është taketuke: Pra porosia se
bishtat e cigareve dhe gjërat e panevojshme të mos flaken kudo rrugës.
Sigurisht
që çudia do të ishte e papërsëritur ndonjëherë tjetër, kur në hyrje të tyre bie
në sy një kostelacion i veçantë prej gurësh. Një lloj skulpture në stilin
fuksionalist me një “trik” shenjtërie, gurë mbi gurë të rrumbullakët, si
kokrrat e rrushit, si jetët mbi jetë. Një simbolikë, me shumë modelim e me
shumë vërtetësi; në fund të fundit për aktivitetin e tyre.
Por
për të njohur “Mrizin e Zanave” duhej një ciceron i mirë, i mençur, i zgjuar
dhe i ditur për shumëçka, pasi ky vend, me njerëzit e tij, ka një arsenal të
jashtëzakonshëm ndërtimesh moderne ndërthurur me elementë të Natyrës: ara,
vreshta, ullishte…
Ishte
dëshira jonë për të dëgjuar Arian Lleshin. Ne e falenderuam që na priti, dhe i
falje që ia morëm kohën.
-
Agroturizëm Mrizi i Zanave”, - të rrëfen ai, - zotëron 30 hektarë tokë të
punuar (të punësuar 130 punonjës). Këtu ka një fabrikë për prodhimin ushqimor
të kulturave vendore: mish, djathë (rreth 40 ton djathë në vit) reçel,
drithëra, lëngje pijesh, etj, e cila gjatë Komunizmit ishte kamp internimi.
U
futëm në labirintet dhe magazinat e mbushura plot dhe në kantinën e prodhimit
të verës. Ajo shkëlqente jo vetëm nga pastërtia, por dhe nga prodhimet e
shumëllojta, të vendosura me aq rregull.
Ariani
të tregon se këtu prodhohen verërat “GEG” e “KU VEN” (rreth 90 000 litra verë
në vit). Të gjitha produktet kanë cilësi që, duke u servirur me çmime reale,
perballohen nga shumica e klienteve. Vetëm për lëngje frutash konsumohen
mesatarisht 150 kg fruta vendi në ditë.
Vera
e prodhuar nga varieteti “Kallmet” ruan një traditë të shekujve më parë. Vera
“KU VEN” e prodhuar në kantinën e “Mrizi i Zanave” ka marrë Medaljen e
Argjendtë.
Ariani,
me profesionalitet dhe dije të shkëlqyera, të shpjegon procesin e lëngut të
shegës së egër, të djathit, të verës dhe traditën e zjerjes së rakisë…Sepse
është e bukur dhe plot lezet edhe pirja e gotave të para, apo Ballit të
Kazanit.
Si një ballkon në fushën
e Zadrimës
Në
një kodrinë piktoreske të agroturizmit “Mrizi i Zanave”, vendosur në mes të
gjelbërimit, si ballkon mbi fushën e Zadrimës, hapej pamja e një kulle tipike,
të ruajtur si në kohët e largëta. Sot kullë e rinuar me dy kate dhe dritaret si
frëngjitë e qëmotshme.
E
kisha parë së largëti në foto këtë kullë genuine që vërtet ka funksionuar dikur
për plot breza me arkitekturën në përgjithësi, me materiale tradicionale të
gurit dhe drurit, si dëshmi të një kulture të lashtë:
Qoshet
e gdhendura, harkonadat e dyerve, shkallët e drunjta, dritaret me vetulla,
çatia, pragjet, tavani dhe kalldrëmi para saj, saqë çdokush stepet përpara
arkitekturës.
Teksa
e shikon me kënaqësi së jashtëmi këtë ndërtim fantastik, ndoshta me potentencë
estetike që ka funksionuar dikur nëpër breza, të cilët jetonin me Eposin e
Kreshnikëve, të vjen në mendje thirrja hyjnore: “A do miq o i zoti i shtëpisë”?
Pritej
miku dhe kulla kthehej në një folezë të ngrohtë e dashamirëse.
Në
mes kohërash të luftës, aty, mbledhur në kullë, jo vetëm për miqtë, luftëtarët
dhe gjithë shtegtarët që rrugëtonin, edhe nëse ishin të panjohur, miq të rinj,
zihen të fjalës, të besës, të pushkës. Të ulur, çlodhen, priten me gjithë të
mirat e hajës së përkorë të gatimeve.
Në
vend të ujit mikut, udhëtarit, i jepnin verë; i jepnin bukë dhe ushqime, duke
dëshmuar kështu vlerat dhe traditat e lashta të malësorëve. Ekziston shprehja
popullore “Bukë Zadrime e verë Podrime”.
Kullat
në mugëtirën e dimrit ktheheshin në kuvendime homerike, nga bujaria e mençuria
e malësorëve. Dhe përkëdheleshin nga melodia përhumbëse e lahutës.
Kjo
kullë ka një prirje moderne, që ngjan si një figurë gjeometrike tërë kënde.
Hapësirat
e brendshme të saj, me elegancën dhe intimitetin për një natë aristokratike,
janë gjithsesi marramendëse dhe funksionale.
U
afrova rrëzë murit të gërryer, tashmë të veshur me xham. Me soditjeje admirimi
të gjatë, nën refleksionin e ngjyrave xixëlluese të xhamit, që ishte i trashë
10 cm, e quajta pa e tepruar origjinale.
Njerëz vizionarë
Njerëz
me vlera të pazakonta, që jetojnë me punë të ndershme dhe zhvillojnë pasionet e
tyre, nganjëherë është fat që në vende të tilla të pazakonta të kalojnë
rezistencat, pengjet, grackat e jetës dhe në fund pozicionohen diku. Këtë e
bëjnë vetëm ata që kanë sfiduar sakrificat.
Duke
mënjanuar hendekun e madh, hapur në postdiktaturën që jetuam, me edukatën që
morën në shkollë, në filozofinë materialiste që mësuan gjatë viteve, si një
rrjedhojë logjike e minitregut të lirë, Altin dhe Anton Prenga, guxuan në
aspektin material dhe shpirtëror për të krijuar një oaz kënaqësie për mijëra
dhe qindra mijëra vizitorë.
Vëllezërit
Prenga rrezatojnë mirësi e modesti, po aq sa edhe madhështi me punën e tyre: në
heshtje, si milingona. E duan punën dhe kanë një qëllim në jetë, duke dritësuar
Të shkuarën, për të mos harruar se nga vijnë e cilët kanë pasur pararendës. Ata
janë modeli më i mirë i njerëzve këmbëngulës, punëtorë, me një botë të
brëndshme shumë të pasur, që kanë virtyt.
Me
parimin “Punë, punë dhe vetëm punë të ndershme” arrihet çdo gjë. Prandaj kanë
krijuar një strukturë të mirëfilltë agroturistike, me të gjithë elementët
përbërës, me hapësirë të mjaftueshme sipas filozofisë “nga ara në tryezë”, të
shëtitjes së vizitorëve nëpër mjediset e agroturizmit, në punishtet ku
prodhohen produktet dhe magazinat, ku ruhen vera, djathi, lëngjet e frutave,
reçelërat, glikot dhe zahiret. Ato të mësojnë copëza nga historia e Zadrimës.
Bij
të një familjeje bese e buke, ku sofra e shtruar dhe fjala e mençur janë
metafora të gjalla të breznive me rrënjë të ngulura në histori për shkak të
qëndresës që kanë mbajtur mbi supe të parët e saj, duke dëshmuar krenari dhe
dinjitet shoqëror…
Alfredi,
miku ynë, që i njeh aq mirë, të thotë se ata dallohen për angazhimet,
tolerancën, pozitivitetin, sikurse janë edhe familjarë shembullorë që
respektojnë traditat shqiptare. Ata nuk dijnë të “rrahin gjoksin” (ndonëse në
trupin e tyre lëvrin gjak malësie) por udhëhiqen gjithnjë nga urtësia.
Altin
dhe Anton Prenga janë miq të Artit, të Së bukurës, të luleve, të Natyrës,
dashamirës të Historisë, Traditës, të cilën e kanë gërshetuar më së miri në
agroturizmin e tyre, duke u bërë udhërrëfyes edhe për agroturizmat e tjera
shqiptare. Fruti i punës së tyre është kthyer në krenari kombëtare. Kanë
gjallëruar trevën, duke e bërë të njohur në gjithë Botën. Me të drejtë mund t’i
quash një burim i pastër për studimin e Antropologjisë Kulturore Shqiptare.
Me
një menaxhim perfekt e angazhim total në punë kanë arritur këto suksese duke e
kthyer “Mrizi i Zanave” autentik, që e shijojnë, jo vetëm shqiptarët, por edhe
turistët nga e gjithë Bota, të cilët, pas vizitave dhe shijimit unik të
specialiteteve të pasura për syrin, gojën dhe shpirtin, largohen me përshtypjet
më të mira.
Të
kultivosh vlerat; të afirmosh Të bukurën në shpirt është mision
brezash. Sa krenar ndihen kur i shikojnë fëmijët e tyre të lidhur me
agroturizmin “Mrizi i Zanave”, me bimët, bagëtitë, produktet, përpunimin e
tyre, me dashurinë për Florën, Faunën, etj.
Si në një përrallë
Për
të drekuar te agroturizmi “Mrizi i Zanave” apo për të zënë një dhomë fjetjeje, të
duhen ditë, javë e ndoshta muaj të telefonosh më parë; sepse nuk ka vende bosh
(çdo ditë ka mbi 800 persona që u shërbehet). Edhe pse janë pothuajse 100
tavolina të shtruara.
Udhëtojnë
nga anë e anës vetëm të sodisin këtë perlë, të pushojnë si në një përrallë ku
pushojnë Zanat dhe ikin me përshtypje nga më të mirat.
Takojmë
Tonin Bushin, që në përshtypjen e parë të bën të mendohesh shumë, por që më pas
nuk mund të ndahesh dot nga biseda aq e ngrohtë me të.
-Të
huajt, - thotë Tonin Bushi, financieri i agroturizmit “Mrizi i Zanave, - këtu
gjejnë gjithçka. Ata ndjehen të lodhur me qytetet e tyre, me gradaçielat, me
zhurmat, me restorantet e luksit, me smogun e makinave. Këtu kanë bujtur
udhëheqës shteti, politikanë, vipa, si Françesko Toti, Dua Lipa dhe gjithë ata
turistë të huaj nga e gjithë Bota, të pranishëm edhe gjatë qëndrimit tone ditor
atje. Këtu vijnë 150 000 klientë në vit, një pjesë duke festuar gëzimet e tyre.
Shumica duke e shijuar nga afër këtë vlerë të traditës, s'reshtnin së shprehuri
kënaqësinë e vet për gatimet, të cilat të mbërthenin sytë me servirjen e
traditës së mirëfilltë, me kulinarinë dhe diversitetin “bio” të ushqimeve, që
vetëm me vështrim të ngop.
Jo
më larg se një javë më parë një zonjë nga Anglia me tha:
-
E kisha ëndërr të vija një herë këtu, sepse mysafiri ndjehet si protagonist i
një shfaqjeje të kohërave të mbretërive.
Kështu
“Mrizi i Zanave” është bërë nje ambasador i vërtetë i Shqipërisë sonë të vogël
e modeste me plot vlera në kulinari e jo vetëm…
Shijuam
një dreke të mrekullueshme te “Mrizi i Zanave”.
Mund
të ishim ulur brenda, në restorantin e këndshëm, të kombinuar midis
Tradicionales dhe Modernes, që të sjell një ndjesi prej kumtesh perëndish, të
krijuar nga përfytyrimi i Zanave, që kanë ngjashmëri me perënditë e Bukurisë,
por ne u ulëm në Natyrë, nën kurorën e lisave, aty- këtu të përflakura nga
dielli.
Gjithë
koha e drekës kaloi në një atmosferë miqësore, që të jepte mundësi të haje edhe
të bisedojë me miqtë.
Asgjë
nuk të shijon më shumë se mikpritja, i tejmbushur, si një përkëdhelje për
shpirtin.
Mbi
tryezë u shtruan pjatelat e zbukuruara, të mbushura plot me gjithë ç’të do
zemra edhe syri; sallatat e ndryshme dhe tradicionale, vera e kuqe ‘‘KU VEN’’,
lëngjet e frutave, gatimet që duken në sy “të goditura”.
I
provuam nga pak nëpër pjatat tona. Nuk po e mernim me mend se cila prej tyre
ishte më e mirë: antipasta shqiptare me djathëra dhe proshuta vendore, që
kishte shije shtëpie, buka e misrit, mishi i qengjit, apo gatime të tjera
tradicionale.
Secila
pjatë tregon një histori të traditës dhe një shije të dashurisë, me
shumëllojshmëri, larmi dhe cilësi produktesh të servirura në një vakt (provuam
mbi 25 receta shqiptare nga produktet organike dhe shijet tradicionale, të
gatuara me cilësi të paqortueshme, saqë as gjysmën e servirjes nuk e konsumuam
dot) pastërtinë, mikpritjen…
Ndërkaq,
vajzat kamariere, fytyrëbardha e llërpërveshura (a thua lahen me qumësht) me
buzëqeshjet e tyre, fërfërijnë me puthje sysh e duarsh përmidis tryezave, me
butësinë, elegancën...
Agroturizmi
“Mrizi i Zanave”, që bulëzon jetë, duke ofruar më të mirën, më të dobishmen dhe
më të bukurën, si një strehë Zanash jep produkte ushqimorë dhe plot bukë e
kripë e zemër shqiptarie. Aty kultivohet dhe prodhohet jetë, aty (e ripërsëris)
është guzhina jetë.
Pamjet
mbresëlënëse, agroturizmet e shumta, kulinaria e tyre e shfaqur në detaje dhe
njeriu që drejton, janë frymë, vizion, janë modelim zhvillimi i mrekullisë që
kanë krijuar njerëzit me zell pune.
*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi
apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me
shkrim të autorit.