Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Kur lexon librin 'Rrëfime për Dumrenë'
E shtune, 03.06.2023, 06:59 PM
KUR LEXON LIBRIN “RRËFIME PËR DUMRENË”
NGA
PËLLUMB GORICA
Shpesh
lexoj libra (kaq shumë libra ka kjo botë, më shumë se lexues) të vendosur në
kontekste objektiviteti, largpamësie, bukurie, mençurie, kujtese historike,
njëkohësisht, realistë, që flasin me gjuhën e të vërtetës. Shumë prej tyre prej
mënyrës së bukur të të shkruarit, përcjellin kureshtje dhe interes për
lexuesin. Por, ndërkohë po kaq shpesh, ndjehem i lodhur, kur mbështes kokën në
libra me peshë të rëndë, apo të komplikuara sa vetë bota. Aq sa mendja ime
dalëngadalë fillon të përtojë e nuk i përcjëllë rreshtat dhe truri kthehet
gjithë arrogancë e pyet përse i lexon?
Rastësisht
më ra në dorë një libër mbresëlënës, një prej të cilëve ku hidhet vështrimi te
historia e Dumresë, nuk mund të më linte indiferent, jo vetëm për mënyrën e
rrëfimit, por edhe për mesazhet, si një nga ata libra, që të kujton gjithmonë
nga vijmë e ku shkojmë. Dhe kush më shumë se Shefqet Xh Hysa nga Belshi, i
apasionuar pas historive të Dumresë mund të shkruante.
Qysh
në krye të herës kisha dëgjuar për mençurinë, mirësinë, dashurinë dhe pasionin
e doktor Çeçit (Shefqet Xh. Hysës), për profesion human dhe dijen e tij. Shpesh
në miqësinë time flitej për të e për familjen e tij. Kur u takova për herë të
parë, më ngjante me një rrëfimtar legjendash, që të grishte e të bënte për
vete.
E
lexova librin e tij “Rëfime për Dumrenë”, të gjithin, pa e ndier kohën, faqe
pas faqeje; duke më mbajtur të “lidhur” deri në faqet e fundit. Leximi i
ngjante një shtegu, ku fëshfërijnë jo degë e gjethe, por rreshta të shkruara,
që nuk është vështirë të gjesh fjalën e latuar, të?mbrujtur nga faktet interesante, vlera njohëse dhe
edukative, për të ndriçuar historinë.
“Rrëfime
nga Dumrea” rrjedh natyrshëm, të fut vetiu në thelbin e ngjarjes, me
sinqeritetin e mbi të gjitha me gjuhën e pasur, hera-herës me dialogje dhe
fjali dy-tri pjesëshe, që nuk kanë përsëritje të vetvetes, shpesh të stolisura
nga leksiku krahinor.
E
nis me një udhëtim në natyrën mbresëlënëse të Dumresë, duke paraqitur një
panoramë jo vetëm panoramike por edhe shpirtërore të bukurisë dhe magjisë
tërheqëse të Dumresë, që të josh për ta shkelur, por shpejt mëson shumçka: Të
pathëna për Dumrenë, ku përmes fakteve historike dhe shoqërore përshkruan
tetëdhjetepesë sykaltrit “gjole” dhe fenomenin e karstitit të tyre. Për kodrat
e larta si dallgë oqeani; lisat shekullorë dhe pyjet që dikur e zbukuronin edhe
më shumë dhe populloheshin nga gjithfarlloj gjallesash: insekte, zvarranikë,
kafshë të egra dhe shpend me zërat e tyre të shumëllojshme, të cilat krijonin
një lloj sinfonie të Bethovenit.
Të
mbresojnë përshkrimet e vendeve historike të veshura me mantele mjegullash;
zbulimi i artefakteve arkeologjike në Gradishtë, në liqenin e Afërditës, të
cilat kanë tërhequr vëmendjen e udhëtarëve, studiuesve dhe historianëve. Duke
cituar shkrimet e tyre e, njëkohësisht faktet e të dhënat me vlera të mirëfillta
dhe shumësi mendimesh, ndesh kujtesën historike të shprehur me gjuhën e së
vërtetës dhe jo të njëmendësisë. Në këtë pikë afron me historianët
profesionistë që marrin përsipër të tregojnë, jo të interpretojnë, siç ndodh
rëndom me të tjerët.
Historive
të Dumresë, pëshpërimave të legjendave, fakteve dhe dokumenteve që sjellin
pjesëza ngjarjesh, pozicionin gjeografik e përcaktues njerëzor. Së
këndejmi, parakalon galeria e karaktereve dhe protagonistëve të kohës së
shkuar, figurat historike, ngjarjet kohore, lidhjen sa historike dhe logjike,
qëndresën historike, me plot me elementë biografik. Në të, përfshihen njerëz me
qëllime dhe objektiva në jetën e tyre, të dalluar për nga urtësia, apo bartës
të ndonjë vesi, që?të mpijnë me dritëhijet
e tyre.
Shefqeti
futet në thellësinë e prejardhjes së fiseve në Dumre, ku sot shumëkush e ka
shumë të vështirë të gjejë origjinën e tyre; shenjat e zhvillimit të një
krahine krejt të veçantë, që di të respektojë vlerat, di të ndërtojë jetën dhe
të shijojë mirësitë e natyrës.
Ndalon
e kthehet pas, të shkruajë për toponiminë, që të fusin në atë botë të largët,
të shtrira në terrene të përveçme, me emra tipologjik, të Dumresë, Belshit,
Gradishtës, Rrasës, Dragotit etj. Të shpjegosh një fjalë etimologjike, do
të thotë të nxjerrësh në pah të gjitha shndërrimet fonetike dhe të realizosh
motivimin kuptimor të tyre. Shefqeti jep spjegime shteruese mbi emërtimin e
Belshit, rrënjën e fjalëve e prejardhjen e tyre, duke i bërë jo vetëm
zbërthimin e fjalës, por edhe të pozicionit natyror të vendosjes.
Por,
merita kryesore e librit, është ndërthurja e detajeve të panumërta, tashmë të
pranishme si fakt; të cilat mund të jenë të tepërta për ata që e njohin
Dumrenë, por informuese për të tjerë, të cilët nuk njohin të veçantat e saj.
Përmes copëzave historike, si dëshmi të këtyre realiteteve, të thurura
artistikisht bukur, u jep shkëlqim këtyre historive të herëshme mbi të cilat
pluhuri i harresës të viteve orvatet të mbulohet, e mbi të gjitha të shikosh të
vërtetën e tyre drejt në sy, ashtu siç ishin.
Çdo
ngjarje është mbresëlënëse. Aty ka dhëmbje, trimëri, mençuri, tradita, norma
njerëzore dhe shumë vlera; histori shpirtërore, ndjesi renqethëse nga dramat e
fuqishme të kohës, të mbijetesës mbi vështirësitë dhe fatkeqësitë familjare
përtej asaj të dukshmes. Pasqyrë ku shikohen dritëhijet e kohës, vende, njerëz
me botë të trazuar dhe pezme që ngatërrohen në labirintet e të përditshmes.
Në
këtë monografi historike do të njohësh tragjizmin e ngjarjeve të rënda që kaloi
Belshi, Dumreja dhe e gjithë Shqipëria në fillim të shekullit të kaluar, ku
autori duke hulumtuar e lidhur fakte e detaje të copëzuara ka mundur të na japë
të plotë historinë e masakrës së serbëve në Allajbeg të Dumresë. Një drithërimë
shpirti të prek kur mendon se ishte një tragjedi plot humbje njerëzore, që do
të mbetej për shumë kohë e verbër.
Në
monografinë “Rrëfime për Dumrenë” shikon se jeta nuk është vetëm luftë,
dështime, sëmundje, stërmundime, urejtje, cmirë, hakmarje, por edhe ndjenja të
gëzuara. Autori përshkruan ritet zakonore të trashëguara nga banorët e Belshit:
Për fejesën e djalit e të vajzës, përgatitjet e tyre paramartesore, për
institucionin e lajmësit, qëndrimin e familjes së nuses dhe dhëndrrit, dasmat
që zgjatin një javë, rendin e shkuarjes së dasmorëve (krushqëve) dhe kthimit
nga marrja e nuses, apo harenë e rinisë në lojërat popullore; doke, zakone,
bestytni, ngjarje, marrëdhëniet shoqërore dhe jetë brënda familjes, shpirtin
njerëzor të atyre njerëzve, forcën dhe këmbënguljen e brezave për të ruajtur
mënyrën e jetesës, mrrëdhëniet njerëzore.
Autori
nuk pajtohet me shkeljen e traditës në emër të modernizimit. Lexon për herë të
parë dhe të duket se i di kaherë shprehjet e urta popullore. Dikur, burrat e
mençur të Dumresë, në odat e tyre nxirrnin nga goja fjali, si “formula”, të
ndërtuara e lidhura me një logjikë të pakundërshtueshme. Të vjen kaq keq teksa
sheh që dita-ditës shuhen vlera të tilla, si ky zhanër i rrallë i folklorit.
Nuk
harron të shkruaj rreshta edhe për vajzat, motrat, nënat e Dumresë, këto qënie
njerëzore kaq të brishta, të buta, të ëmbla, por tepër të forta, të caktuara me
misionin e madh për ripërtëritjen e jetës, që duruan dhimbjet e shpirtit, të
fëmijëve, të burrit dhe atdheut. Shpirti i tyre qëndron në duart aq punëtore, në
dëshirat dhe pasionin, në këngët e bukura që thureshin.
Shefqeti
ndalet gjerësisht në kulturën dhe traditat e veshjes, të jetuarit, te folklori
dhe grupet artistike. Vetëm një shpirt i ndjeshëm dhe me zemër të madhe e shije
të hollë, mund të shkruante dhe paraqiste deri në detaje botën shpirtërore të
amatorë të Belshit.
Njëherazi
nxjerr në pah produktet e përdorura; tregime për kafshët shtëpiake që
shfrytëzoheshin për ushqim, por edhe ato për transport e punë, si janë kuajt e
shalës dhe qetë në parmendë; ndryshimet që ndodhën pas çlirimit të vendit,
mënyrën e jetesës; rrokjen e problemeve që shqetësojnë shoqërinë shqiptare në
kapërcyell të ndërrimit të regjimit, së bashku me dukuritë e reja të shfaqura,
në lloj- lloj udhëkryqesh të Demokracisë.
Natyrshëm
“udhëton” larg në kohë, të risjell rrëfime plot ndjenjë e vërtetësi për
historinë e fisit Hysa në Belsh, pemën gjenealogjike të tyre, fakte dhe histori
gojore; shpluhuros shpirtin që ‘’gërvishin’’ kujtesën e rrënjëve të tyre.
Shefqeti, si një arkivë e gjallë, ka prekur trungun dhe çfarë ka në degët e
shpërndara, larg vetmburrjes, së atyre që vazhdojnë të çudisin me prrallat e
gjyshërve, për bëma dhe gjëma “trimërore”.
Rrallë
më ka qëlluar të lexoj rrëfime të ajërta, për të mësuar hap pas hapi, historinë
e Hysajve, që pa dyshim përfaqëson një nga dhjetra familjet simbolike në Belsh.
Nëpër kohë të fatit të tyre, autori nxjerrë në pah cilësitë e njerëzve të
thjeshtë, të trashëguar nga brezi në brez. Njerëzit e fisëm, me ndjenja të
adhurueshme kur vjen rasti, ashtu pa u lëkundur, u gjendeshin pranë të tjerëve
në nevojë, duke u dhuruar mirësi, mbështetje për të lehtësuar, për t’u zbutur
dhëmbjet, shqetësimet dhe hallet. Gjithashtu historitë e paraardhësve me
biografi fatkeqe në luftëra, shërbime ushtarake në Kohën e Osmanëve, hasmëritë,
hatërmbetjet, apo grindjet në jetën e fisit dhe viktimat e sistemit; çdo
fëshfërimë gjetheje, çdo regëtimë fryme, çdo zë njerëzor, degë e fletë të tij,
të shpërndarë nëpër të gjithë Shqipërinë, në emigrimin e vjetër e të ri.
“Rëfime
për Dumrenë” është një dritare për të parë, ndjerë dhe lexuar historinë e
lashtë, jetën e banorëve të saj, shpirtin dhe karakterin e tyre të veçantë, në
rrugëtimin historik. Sepse, për mendimin tim, kemi të bëjmë, me një vepër, e
cila kërkon të lexohet me vëmendje, nëse kërkon të depërtosh se çfarë ka brenda
saj.
Të
shkruash gjithmonë do të jetë pak, pasi lidhet, e kaluara në gjurmët e të cilës
zbulohen grimca kujtese dhe emocioni, e sotmja me një përditshmëri të ngarkuar
dhe e ardhmja e panjohur.
E
mbyll librin dhe vazhdon të sjellësh në mendje çfarë ke lexuar. Ndjen aromën e
shpirtit të mirë të banorëve të Dumresë, kënd vështrimin e Shefqet Xh. Hysës
për jetën, dashurinë dhe respektin që ka për njerëzit, për fisin e tij, për të
vërtetën e historisë, për sakrificat dhe dhimbjen, për të bukurën e liqeneve,
për fjalën e mençur…
Historia
e Dumresë është kaq e madhe dhe e gjerë, sa edhe një libër nuk mjafton, por
mbetet enciklopedi kulturore, që pasuron këndin modest të bibliotekave tona. Nuk
dyshoj që dumreasit do të kenë në duar një libër të rrallë.