Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Dumreja, një perlë e vetë Zotit!
E hene, 10.07.2023, 07:38 PM
“Dumrea
Ecopark” pranë liqenit të Marinës
DUMREJA,
NJË PERLË E VETË ZOTIT!
NGA
PËLLUMB GORICA
-Sa bukur!,- thashë
me vete, teksa ecja rrugës përmes vendbanimeve dhe kodrinave të buta, që
vrapojnë, si të zëna prej duarsh, me pamjen madhështore të malit të Tomorrit
ndër sy; nga 84 liqenet karstike të Dumresë, si sy të kaltër, rrethuar me
gjelbërim llamburitës, të cilët ka kohë që e shikojnë qiellin dhe shkrihen së
bashkë me të deri në dehje. I mrekulluar i quan perla të dhuruara nga vetë
Zoti.
Në qiell re të
bardha, sikur hedhin valle përsipër saj. Në shekuj banorët luteshin, duam re,
se ata e donin jetën. “DUM RE - duam re” të ndjek në udhët ku ecën.
Liqeni dhe qyteza e Belshit
Belshi
çdoherë i bukur, me befasi të reja
Belshi është qendra e
Dumresë historike, me shtrirje gjeografike dhe vlera historike, kulturore e
natyrore të veçanta. Para pak kohësh, i ngjante një fshati të madh, në brigjet
e liqenit, që të linte mbresë të hidhur, i pushtuar nga ndërtesa të
zbardhëlluara, nga rrugë të pluhurosura në verë dhe të baltosura në dimër, që
përcillnin jetën e banorëve, gëzimet dhe hidhërimet, herët që nga kohërat kur u
krijua deri në fillimet e demokracisë.
Kohë më parë, kur më
binte rruga të pija qoftë edhe një kafe, me miq e shok në Dumre nuk ndjehesha
mirë. Tashmë ka ndryshuar pamjen rrënjësisht, si një qëndër simpatike, me rrugë
të reja, gjelbërim, shëtitore dhe statuja sa ngjan si një enë që mbledh banorët
deri në orët e vona të natës.
Qytetari i parë i
bashkisë së Belshit, Arif Tafani
i vuri shpatullat punës, me përgjegjësi dhe detyrim si shërbëtor i tyre, aq sa
të duket ndryshe, i rilindur. Dhe zemra të bëhet mal tek sheh se si zbukurohet,
përkundrejt mendjegjymtëve jo të pakët, që llomotisin ndaj këtij ndryshimi.
Nuk ka hapsira ku
syri të mos shoh panorama të bukura. Nuk ka metër katror ku të mos ndjehet dora
e njeriut. Që në pamje të parë, të binte në sy peizazhe të qeta, që presin
vështrimin e njeriut.
Shëtitorja buzë
liqenit është vetë bukuria e Belshit. E përshkojmë atë, ku nuk mungojnë:
ndriçimi, lulet dekorative, zambakët që lundrojnë mbi ujë, ndonjë rosë,
statuja, trotuare, stola e kënde të futur në liqen si gishtrinj të drunjtë, që
nuk kanë gjë më pak se Lungomare e Vlorës, por edhe në valët e liqenit që
llokoçiten. Liqeni, si një pasqyrë gjigante, me rrugët, shtëpitë njëra pas
tjetrës në kodrat për rreth, formojnë një peizazh tërheqës. Është një bukuri,
që të bën të mos ndahesh lehtë, kur prek çdo detaj, duke të përcjellë kënaqësi
në shpirt, ku do të doje që koha të ndalojë e ta shijoje sa më gjatë, në bisedë
me miqtë, nën llapaçitjet e valëve përkëdhelëse të liqenit, plot magji që të
zbukurojnë shpirtin e mëndjen, duke të dhuruar emocione.
Aty- këtu zëra
gazmore: fëmijë që luajnë dhe argëtohen, por edhe të moshuar, ngadalë, të
kërrusur, ca me bastun, disa pa të shijojnë rrezet e diellit teksa ushtrojnë
“Gjojën” gjuajtjen e peshkut në liqen,
apo mbushin ulëset e shëtitores e kafenetë, duke ripërsëritur ndodhitë e
shkuara. Ata, si krenaria e Belshit, historia dhe dëshmia e rrugëtimit të tij
mbajnë në mëndje dhe trupin e tyre ngarkesën e një jete të tërë, kontributin
modest, që ky qytet të bëhet më i mirë e më i bukur.
Në Belsh shijojmë
edhe artin e skulpturës, realizimi i të cilave mbart vlera artistike, por edhe
mesazhin për shoqërinë, duke mishëruar të bukurën dhe historinë. Vepra të
skulptorit Fiqiri Kasa,
një artist që përfaqëson krenarinë dumrease.
Në shëtitoren buzë
liqenit rrinë pranë busti i Gjergj Kastriotit dhe i Rilindasit Sami Frashëri.
Ndjen emocione të veçanta para bustit të Gjergj Kastriotit. Fytyra e vërejtur e
Gjergjit, kthyer mbi supin e majtë e tëra, si të maste forcën.
Ndërsa duke medituar
para bustit të rilindasit Sami Frashëri, të sjellë në mendje fjalët e tij të
shkruara, në “Shqipëria ç’ishte e çdo të ishte”, që Belshi të jetë kryeqëndra e
Shqipërisë, më i bukur se çdo kryeqytet evropian përbri liqeneve. Mendova për
disa çaste sikur të ishte vërtet kryeqytet e ç’bukuri do ti jepnin këto liqene.
Aty, në dalje të
Belshit, një bujtinë (Xha Bakja) e mbajtur në linjat e dekorit klasik të kohës,
të tërheq vëmendjen e sikur të fton të pish një gotë verë me Omurin, peshkun e
liqeneve të Dumresë, në pjatelat e zbukuruara dhe të mbushura plot me gjithë
ç’të do zemra edhe syri.
Me historianin amator nga Belshi Shefqet Xh Hysa
Takim
me historinë
Kur krijon miqësi të
mirë e të sinqertë me vendalijtë, e ndjen vërtet një portë të hapur...
Shefqet Hysa është
një njeri me vlera shoqërore, që në përshtypjen e parë, të bën të mendohesh,
por që më pas nuk ndahesh nga mirësia e tij.
Shefqeti gërmon në të
kaluarën, për të rindërtuar themelet e një ndërtese të historisë së Dumresë, me
qëmtime në vende arkeologjike, në ngjarje, në shpirtin e njerëzve, rrëfime
historike e figura, data e periudha, toponimi e fise.
Shefqeti ka shkruar
një libër për Dumrenë dhe fisin e tij me dëshirën ta ndajë me shokët dhe miqtë
e vet gëzimin e punës që ka bërë. Një libër i veçantë për nga vlerat që
përcjell tek lexuesit për historinë e kulturën e Belshit dhe mbarë trevës.
Ai guxoi, u lodh
shumë e iu bëri dhuratë dumreasëve librin e tij monografik “Rrëfime për
Dumrenë” i cili u prit mjaft mirë nga vendasit. Është, pikërisht libri
që vjen nëpërmjet leximit, si një bibël dhe predikon përjetimet e shumë brezave
të humbur. E thënë shkurt, të krijohet një tablo të gjerë të kohës dhe
hapësirës me vlerat dhe antivlerat e veta.
Nis lirshëm një bisedë me Shefqet Hysën. Pavarësisht kohës së shkurtër, dëgjon copëza historish nga lashtësia, kultura dhe jeta në Dumre.
- Historia - të thotë
Shefqeti, ka lënë gjurmë në Dumre, që nuk mund të fshihen, nga pluhuri i kohës.
Dumreja e 84 liqeneve karstike, ze fill 3 mijë vjet para lindjes së Krishtit.
Belshi dhe zona përreth saj me liqenin e Seferanit ruajnë thesare me vlera që
vijnë nga thellësitë e shekujve. E shihni atë kodrën atje tej, që shfaqet si
një keshtjellë e vertetë natyrore, që Zoti e krijoi për të mbrojtur? Ajo është
Gradishta (239 m) e cila dëshmon Lashtësi. Nga maja e saj shfaqet bukuria
ndjellëse e peizazhit të gjelbërt, valëzimet e terrenit, vendbanimet dhe
kaltërsia e liqeneve të Dumresë. Aty ruhen gjurmë kohërash të lashta të një
qyteze ilire e banuar nga fisi Ilir i Parthinëve. Sipas arkeologut Neritan Ceka
ajo i përket periudhës së vonë të Bronzit deri në shekullin e IV-VI të Erës së
Re. Aty ka sunduar mbreti ilir Belsius. Në trojet e Dumresë kishte mundësi të
mira për të përballuar jetesën, por pushtimet nga të huajt nuk kanë arritur të
krijojnë kushte të mira për të jetuar. Kur hapeshin themele shtëpish, gropa apo
nga ushtarët transhe dhe bunkerë janë gjetur varre antike, mure të gdhendur,
monedha, enë qeramike dhe bronxi, shpata, maja heshtash, fibula, byzylyk, vathë
dhe unaza. Në liqenin e Seferanit kur shteroi uji dolën dritë terakota të
shumta dhe disa amfora. Në një nga amforat e vulosura kishte bereqet të
folizuar. Fillimisht zbulimin e bënë fëmijët e e Seferanit dhe lajmëruan
arkeologët.
Një termë e periudhës romake në Rrasë të Dumresë
Kohët e fundit në
Rrasë të Dumresë është zbuluar një termë e periudhës romake (ose thënë thjeshtë
një banjë). Gjatë punimeve të tokës, Blerim Meta zbuloi mure të gdhendura,
qeramikë, në forëm gypash dhe pllakash.
Udhëtimi ynë këtu
ishte një mundësi e bukur për të ditur më shumë për historinë e kësaj terme, që
ngjason me ato të Butrintit dhe Dyrrahut.
E ndërkohë Shefqeti
nisi ta pasurojë rrëfimin për Dumrenë me të tjera fakte nga shumatorja e
ngjarjeve dramatike, një pjesë të pa hulumtuara edhe sot, për të cilat populli
i saj ka folur në rrëfenja, këngë …
Po aq të mëdha, në
mos më lart, qëndrojnë vlerat e traditat zakonore, kulturore e punëdashëse të
Dumrasëve. Ata dijnë të gëzojnë ndaj nuk mund të lihet pa përmendur tradita e
mikpritjes, bujarisë dhe gëzimit ndaj mikut. Udhëtari që thërriste dikur
pavarësisht se ishte mik shtëpie apo udhëtar do të merrte përgjigje me dashamirësi,
se Dumreasit kanë nevojë të kenë mikun më të mirë se veten dhe kështu merr
diçka nga e mira e tij.
Shefqeti kujton
mikpritjen e familjes Zena në në Çestije të Dumresë që strehoi në ditët e
ftohta të nëntorit 1944, ekuipazhin e avionit amerikan, plot 27 doktorë dhe
infermierë, të nisur nga qendra e Aleatëve në Kajro të Egjiptit, teksa fluturoi
nëpër qiellin shqiptar, kur u godit prej kundraajrorëve gjermanë dhe si një zog
i plagosur u ul buzë liqenit të Çesties.
Dumrea,
magji shekullore por…(dikur) vend internimi
Dumreja ka veçoritë e
veta gjeofizike në krahasim me pjesën tjetër të Shqipërisë. Nga ç’ka mbetur
mund të gjykosh se dikur ishte një hapësirë e mbushur me pyje dhe vendbanime,
që është shprehur në emërtimet e trashëguara, gjetjet e lashta gjatë punimeve
bujqësore, hapje themelesh dhe në ujërat e liqeneve. Dumreja gjelbëronte nga
lisa si parajsë, sa vështirë t’i përfytyrosh kur nuk i ke parë qoftë dhe një
herë të vetme atë pyll, që fillonte nga Dragoti deri në kufi me Cërrikun (të
moshuarit kujtojnë se trungjet e tyre mezi i rrethonin dy-tre vetë të kapur për
dore) dhe kafshë të egra dhe simfoni cicërima shpendësh, si vend i preferuar
për gjuetarët.
Besim Kuqja nga
Shalsi, të tregon për gjuetarët nga Tirana, Elbasani e Berati, të cilët gjenin
këtu, jo vetëm rosa, turtuj, lepuj e peshk, por edhe mikpritjen e banorëve.
Në kohën e Zogut e më
herët kaçakë të armatosur, fshiheshin edhe në Dumre nga gjakësit apo xhandarët
e pushtetit.
Do të dëgjonim edhe
historinë e Hamit Matjanit, njërit prej Robin Hudëve të Shqipërisë (i cilësuar
nga historiani anglez Nikolas Bethel).
Do të vinin vitet
’50. Në vend po realizoheshin reforma dhe ndryshime të mëdha shoqërore. E
masakruan peizazhin e Dumresë me moton ta bëjmë si Myzeqea, nga traktorët që
ishin në garë kush të shkulte më shumë lisa për të mbjellë grurë, misër,
luledielli e duhan. Qindra hektarë pyje në gjithë gjatësinë e krahinës së
Dumresë u pre dhe u dogj. Ishte buka në plan të parë dhe jo flora e fauna.
Reformat si kudo në Shqipëri i kthyen banorët në robër të këtij sistemi, me
pronë e të gjithëve dhe askujt.
U popullua Dumreja me
banorë të krahinave të Vërçës, Sulovës, Tomorricës dhe Shpatit, të cilët
treguan vlerat e tyre, në jetën shoqërore të saj. Ndërkohë, grushti i hekurt i
diktaturës, goditi pa mëshirë familjet e atyre që i konsideronte kundërshtarë
të regjimit, nga figurat e yrryera të sekretarëve të Partisë, kryetarë pushteti
dhe operativë, që të zhytur në botën e veseve harruan të krijonin mirëqënie për
banorët.
Në Belsh, në Dushk,
Xherie, Dragot, Kajan dhe Kosovë të Madhe, u dërguan për ‘’riedukim’’ familje
nga Tirana, Elbasani, Shkodra, etj. Varfëria, mungesa e lirisë dhe mjeteve të
jetesës ishin në nivele të një skllavërie të tejskajshme.
- Nuk ka laps dhe letër, thotë Shpëtim Miraka, -
që mund të përshkruaj jetën e mundimshme të persekutuarëve; trajtimin mizor, të
mbushur me privacione, në barakat gjithë lagështi e të përcëlluara nga dielli,
në punë të rënda, në shi, në baltë, në të ftohtë e të nxehtin e verës. Ishte
bujaria dhe zemërgjerësia e dumreasve, me fjalët e ngrohta ndaj egërsisë së
diktaturës.
Jetë
që buis mes kaltërsisë e gjelbërimit
Duke shijuar motin e
bukur dhe gjelbërimin në një ditë të vërtetë vere në Dumre, ndjen një gëzim të
veçantë, të cilin e merr me vete. Të shfaqen para syve liqenet, njëri më i
bukur se tjetri, të mëdhenj e të vegjël, me ujërat e tyre të kaltra e të
kulluara.
Mjegulla e
trëndafiltë i mbulon në mëngjez dhe në mbrëmje. Gjatë kohërave, fenomenet e
shndërruan tokën në gropa karstike, të cilat u mbushën me ujë. Aty rritet
zambaku i ujit, kjo lule mitike, “lëkoi i bardhë” e “lëkoi i verdhë”, që stinës
së pranverës pushton sipërfaqet e tyre, duke krijuar një peizazh të
pakrahasueshëm me asgjë tjetër.
‘’Merhoja’’, është më
i thelli i liqeneve të Dumresë. Por ajo që të bën përshtypje, është se ky liqen
ka një shpellë në bregun perëndimor, e cila shërben si "valvul
shkarkimi" kur niveli i ujit të tij rritet. Shpella quhet nga vendasit
“Përpimja” (përpin ujin).
Arritëm në breg të
liqenit të Seferanit i cili ishte i mbushur me kallama e zhavar si dhe me baltë
të zezë. Aty, nga shkëlqim kaltërosh i ujërave zbardhonte statuja e bardhë e
Perëndeshës së Dashurisë Afërditës, si nuset e zbukuruara kur e soditin
dasmorët. I mbylla sytë që të mos më tretej vegimi magjik i kësaj bukurie, që
as zotat dhe njerëzit nuk e kanë përballuar praninë e saj.
Statuja
e Afërditës
Burimet antike e
përmendin si krijesë e yllit të dritës. Sipas Homerit ishte e bija e Zeusit dhe
e Dianës, hyjneshës së ujërave, ndërsa sipas Hesiodit lindi nga kënaqësia
shkumore e deteve, liqeneve dhe lumejve në një çast dashurie.
Njeriu i hershëm i
thuri mite, i ndërtoi faltore, ndërsa skulptori Fiqiri Kasa, e ka ngritur në
art (një trup gruaje i gdhendur, ku shkrihet dashuria për të bukurën e ndryshme
nga skulpturat e idhujve nacionalistë, që nuk të ngjallin asnjë emocion.
E ndërthurur me
mitologjinë nuk ka sesi të ketë shpëtuar pa legjenden e vet mistike. Më erdhi
në mëndje rrëfimi i Petrit Pajës: “Në thellësitë e kristalta të liqenit dikur
jetonte një zanë e bukur, që syri njerëzor rrallë e kishte parë si perëndeshë
dielli, me flokët e arta, të cilat i ndrisnin teksa binin deri poshtë gjunjëve
të rrumbullakët të saj. Sa herë shfaqej ndër këto ujëra, duke notuar me valët
ku pëshpëritin peshqit, në udhëzat buzë ujërave ajo gjallonte, si puhizë
pranverore. Banorët i blatonin dhurata, duke hedhur në liqen terrakota sipas
zakonit të lashtë”.
Skulptori
Fiqiri Kasa dhe vajza me kostume popullore të Dumresë
Para statujës së
Afërditës përfytyrojmë ritin e lashtë antik të blatimit të dhuratave për të.
Njërëzit që u bie
udha aty, apo të vijnë për të pushuar pranë saj, kënaqen nga flladi i freskët
dhe ajri i pastër. Përveç natyrës, befasuese janë shkallët e gurta në formën e
një amfiteatri antik.
Morëm rrugën pranë Klubit
të Gjuetarëve, që mblidhte dikur të apasionuarit e këtij sporti, por edhe
vizitorë të shumtë.
I shtojnë hijeshinë
Dumresë qëndrat agroturistike e veçanërisht “Dumrea Ecopark” pranë liqenit të
Marinës, ku janë ngritur nëntë bujtina karakteristike, të gjitha me dru dhe me
xhama vezullues, që ta sjellin qiellin në pëllëmbë të dorës.
Në Grekan, aty pranë
udhës në një radhë shtëpish ndaluam sërish. Gjatë bisedës me Bashkim
Çekrezin mësojmë për përpjekjet e banorëve, duke jetuar me djersë në kultivimin
e gjithfarë bimësh. Familja e Bashkimit prej vitesh ka mbjellë Paulonjën,
një dru i veçantë për mobilerinë me origjinë nga Kina, që në klimën e Dumresë
është përshtatur shumë mirë. Mbjellja e saj nuk ishtë e lehtë, po duke ditur
leverdinë ekonomike, i kaloi këto paragjykime me guximin e mundshëm.
Ecim në rrugën gjarpëruese
që zgjatet drejt Kuçovës, si një tunel i gjelbër ku rrezet e diellit depërtojnë
mes gjetheve; të gjitha këto të çlodhin syrin, të kënaqin veshin dhe të mbushin
shpirtin me gëzim. Pakujdesia e banorëve dhe amullia demokratike në pragun e
viteve ’90, bëri që pylli, si një xhungël e vërtetë, u pre barbarisht. Aty ku
çdo gjë dukej e pashpresë, me kalimin e viteve buisën filiza të reja, që i
kthyen magjinë e gjelbërimit dhe këngët e zogjëve. Këtu njeriu prehet i tëri,
bashkë me fjalët, që s'guxojnë ta prishin këtë qetësi.
Pylli
i Dëshiranit
Dëshirani me grushte
shtëpish të bardha, të reja dykatëshe gjithandej, si dantellat e nuseve
vendase, të mrekullojnë në kodrat e dallgëzuara, që shpalosin si kordele
ullinj, arat me grurë, vreshtat, pemët frutore, që sikur të thonë “ke kohë që
s’je dukur në këto anë’’.
***
Të shkruash për peizazhin dhe historinë e Dumresë, është kënaqësi,
por edhe një gjë jo e lehtë, sepse s’mund t’i përmbledhësh në pak përshtypje
historinë, mikpritjen dhe natyrën e saj. E ka gatuar Zoti si më ndryshe, të
bukur dhe fisnike derdhur kodrave të saj, me liqene të magjishme, që s’kanë të
krahasuar...
Çdo hap në tokën e
saj, në historinë, të befason, të tërheq e të bën krenar.
Dikur kam ecur me
babain tim pranë njerëzve shpirtbardhë mes dhimbjes e gëzimit.
Unë erdha përsëri në
Dumre e do të vij përsëri, që të zgjas rrugën e viteve, me më shumë sy, me më
shumë dëshira, me më shumë dritë e hapsira, por edhe me më shumë fjalë, kaltërsi
e gjelbërim.
Gradishta,
në majën e së cilës ndodhet një vendbanim antik
Liqeni
i Afërditës
Liqeni
i Gjolarës
Nimfa
e liqenit
Troja,
fshati me emër mitik në Dumre