E hene, 17.06.2024, 03:49 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Krijuar nga Zoti për t’u përkëdhelur

E diele, 26.05.2024, 08:05 PM


KRIJUAR NGA ZOTI PËR T’U PËRKËDHELUR

UDHËPËRSHKRIM NGA PËLLUMB GORICA

Kur shpërfaqen rrugë, qiell, peizazhe, Bota nuk të duket e vogël. Vetëm pasioni të bën të ngrihesh herët nga shtrati i ngrohtë, pa u shuar yjet; për të zbuluar (përtej Së shkuarës dhe Të sotmes) peizazhet magjepsëse dhe malet (të frikshme) që ta ndalojnë frymëmarrjen me madhështinë e tyre.

Mendimet në Shkodër enden pa kufi

Lemë pas Shkodrën për të marrë rrugën e rrahur mirë drejt Mal të Zi. Shkodra, kryeqyteti i Ilirisë së pamposhtur prej rrethimeve të armikut; simbol i Kulturës Shqiptare, ishte gjallëruar nga bukuritë e Natyrës që i shpërfaqen asaj si gjerdan.

Veçse të merr mjaft kohë për të dalë nga qyteti një Ferr Urban i gangrenizuar (edhe pse vende – vende) ka pamje evropiane me gërshetim të simboleve të qytetërimit qindrashekullor të ndërtesave të vjetra dhe të reja prej betoni (me rrugë të ngushta dhe gjithë rrethrrotullime).

Peizazhi të magjeps nga reflektime të gjelbërta në blu dhe shumë të tjera që mund të kapësh në kodrat gri dhe të zymta. Gjithsesi të fton të udhëtosh në pamje gjithnjë e më të gjëra që të mbushin sytë.

Fusha e Shtoit, teatri luftarak i rrethimit serbo-malazez të qytetit të Shkodrës më 1913, ishte mbjellë me Livando në lulëzim të plotë që shpërfaq aromë bukurie. Nëpër to zhuzhullonin tufat e bletëve. Lojërat e krijuara nga era në bimë të sjellin në mendje imazhet e peizazheve të kuruara shqiptare dhe përzjejnë gjithçka në ndjenjën e zgjimit të pranverës.

Përtej (siç shikohej) panorama e rrugës ishte ndotur nga grumbuj dherash dhe gurësh të hedhur, marrë nga mishi i tokës, veshur me plehëra: Ca toka të thata, të zhveshura; ara të lëna djerrë; një shëmti e vërtetë për syrin.

Vendbanimet e shpërndara buzë rrugës, me shëmbëlltyra ndërtimesh, apo imitacione neoklasike të veshura me simbole moderniteti dhe mbështjellë nga gjelbërimi (sipas ligjit themelor të përshtatjes) kanë një ndikim të fuqishëm prej aktivitetit intensiv të njeriut me mjete moderne (veçse vetëm në dobi të vet) me shtëpitë që kanë zënë fushat dhe fushat që “flenë” të shkretuara prej braktisjes së të rinjve për një jetë më të mirë. Dhe, për fat të keq, ata që kanë ikur dhe ikin (në kushtet e krizës ekonomike, politike, kulturore, arsimore) nuk e kanë as në projekt kthimin… Tmerrësisht e dhimshme...

Një regëtimë dhimbjeje të del nga shpirti. Heq sytë për t’iu bërë dalje pamjeve të tilla dhe, mbasi i jep një “shkundje” trupit, bën sikur e harron, duke i hedhur tashmë në ato frymëzuese.

Dhjetëra bujtina, hotele, kafenera, të parakalojnë të zhytur në gjelbërim. Në një bar-kafene buzë rrugës rrufisnim kafenë e mëngjesit: mes një atmosferë paqeje absolute, çlodhjeje dhe harmonie; shijojmë këto momente heshtjeje. Fëmijë shisnin kumbulla. Të kaplon dëshira e paparë që të marrësh nga sytë e fytyrat e tyre të pafajshme pranverën, që këtej ka bukurinë e papërshkueshme në tokë, barin, pemët, lulet, në qiell…

Pastaj ecim rrugës që të çon në Han të Hotit, që duket e largët, sikur s’do të mbërrish kurrë. Ndjen fëshfërimën e flladit që fryn, të cilën e krijojnë malet në largësi (mbuluar me disa gjurmë dëbore të mbetura deri në maj) që shpërfaqnin një kartolinë të mrekullueshme.

Një fllad i lehtë kishte vënë përpara ca re, që kalëronin si kuajt e dasmave. Hieroglifet e tyre e nxinë qiellin tej e tej (duke fshirë blunë e tij) dhe bënë diellin të luaj kukamshefti, për të shtuar një prekje të errët në vallëzimin e tyre.

Malësia e Madhe është një trevë që fsheh shumë artefakte: fortifikata (antike dhe mesjetare) rrugë prehistorike, kisha dhe manastire paleokristiane, varreza ilire dhe vendbanime të braktisura pas krizës së qytetërimit rural: dëshmitare të rolit të madh social dhe ekonomik, të cilat kanë lojtur rol të madh gjatë shekujve: me realitete të dukshme e të prekshme.

Dhe mendimet fillojnë dhe enden pa kufi:

Atë që kishte krijuar vetë Zoti si një të tërë e kishte përçudnuar Evropa (Fuqitë e Mëdha) duke vulosur ndarjen e saj (të gjymtyrëve nga trupi), me ndryshime kufinjsh politikë më 1913 (Jemi i vetmi vend në Botë që ndahemi me veten në kufi) të cilat copëtuan shumicën e Trojeve Shqiptare.

E mbyllur dikur (si zonë kufitare) me klon e ushtarë, mes bukurish mahnitëse, ka edhe histori po aq të pasur e befasuese rreth së cilës nuk është shkruar aq sa duhet e ashtu si duhet…Mbase edhe në mënyrë të qëllimshme.

Buzëqesh fytyra para peizazheve

Nga Hani i Hotit nuk duhet shumë kohë për të arritur në Tuzin plot mistere e vlera arbërore, sadopak qofshin ato, në territorin e pasur me Histori, Art dhe shumë bukuri; aty ku flitet dhe shkruhet Shqip; aty ku edhe frymohet shqip; aty ku ende mure për shqiptarët  rrëzohen.

Si gjithmonë në udhëtimet tona e marrim shtruar, duke lënë shikimin të shkojë përtej e duke shpresuar të shohim të veçantën.

Teksa ecën, fryma e lehtë e një flladi (pothuajse e paperceptueshme) të zhyt në pamjet e rrugës së rrethuar me gjelbërim të errët dhe lulëzime që ndryshojnë në çdo hap, buzë ujërave të liqenit të Shkodrës më magjepsës të Gadishulit Ilirik.

Lodhja pothuajse duket sikur zhduket, ndërsa buzëqeshja përkëdhel fytyrën para rrugës një së bukur përmes pyllit. Makina ecën me një ritëm më të qetë, për të shijuar më shumë. Reflekset, që retë dhe dielli me vello hedhin mbi liqen, të detyrojnë të ndalesh për disa shkrepje fotografike të jashtëzakonshme.

Zogjtë, që befas fluturojnë para teje, pak metra larg e zhduken për kush e di se ku, mes degëve të pemëve, të kthehen në kolonë zanore: Cicërimat e tyre na dhuruan kënaqësi të madhe së bashku me një fllad të lehtë, që butësisht të përkëdhel dhe të futet në lëkurë, mendje, mushkëri, veshë, në mënyrë të pashlyeshme.

Kalojmë pranë Varrezave Monumentale Ilire të Vuksanelajt: Një hapësirë e mbushur me gurë të njëtrajtshme (ngulur në tokë të skalitur me figura e simbole domethënëse historike). Vërejmë shenja simbolike të kultit të Diellit, të kultit të Hënës). Të tërhiqte një forcë superiore dhe misterioze drejt gurëve të varreve (nga gjatësia dhe gurëgdhenjet) që të ngjajnë me ushtarët e vegjël, të cilët qëndrojnë në radhë.  Ato i përkasin një qytetërimi, që vjen nga thellësia e mijëvjeçarëve: jo vetëm të një fisi të lashtë, por shumë më gjërë; për t’u shfaqur në një muze të hapur, lidhjet misterioze të Qiellit me Tokën, të materies me të padukshmen, të reales me legjendën, të jetes me vdekjen.

Banorët e Tuzit kanë bërë emër: kanë jetuar e mbijetuar, kanë prodhuar, kanë bërë qëndresa, janë mëkembur me blegtori dhe kanë emigruar, duke u bërë modele të zhvillimit ekonomik.

Atmosfera ishte e bukur, ishte e zhurmshme, frenetike, plot ngjyra dhe ndërveprime të rastësishme. Mes zhurmës së vargut të qindra makinave, që përshkonin rrugën, dëgjoheshin edhe poteret e lojës së futbollit në një fundfushe aq të bukur. Pastaj ndalojmë për të shijuar pamjen, qoftë edhe një çast më shumë:

Brohoritje! Por edhe forma të ndryshme zënke të kësaj loje, me britma të pakuptimta, që krijojnë një sfond arrogance.

Tuzi, kaq simpatik: i vogël dhe i bukur, duket më shumë si një fshat. Shquhet nga ndërtimet fantastike pranë njëra- tjetrës, nga fusha të kultivuara, me një aktivitet bujqësor për drithëra (grurë kryesisht) dhe vreshta…Shtëpi, ballkone me lule dhe dyqane të vogla, që kanë aromë tradite, duke të dhënë ndjenjën e paqes. Punimet e shumta në gur (në këtë material të vështirë natyror) i sheh në mjaft biznese, duke krijuar kryevepra të shumta, në shtëpitë e panumërta.

Të shohësh Kishën Katolike në atë vështrim të ndërtesës, përfton një ndjenjë, të cilën nuk do ta harrosh kurrë. Ajo nuk është vetëm e bukur: është një vepër arti e vërtetë, e ndërtuar dhe punuar me durim e përkushtim, për të realizuar një kryevepër që, me veçanësitë, shfaq përsosmërinë.

Të bëjnë përshtypje disa detaje të jetës në Tuz:

Makinat e shumta, të parkuara, të jepnin të kuptoje se Tuzi ishte i populluar. Aty - këtu kafene të vogla (në të majtë e në të djathtë) me pak njerëz (të të gjitha gjinive dhe moshave) ulur në karriget rreth tavolinave, gjerbnin kafenë e mëngjesit. Hyn në një dyqan dhe menjëherë përshëndetesh: së pari me një buzëqeshje.

Kudo në këtë qytet, vërtet paqësor, ka diçka të mrekullueshme për të parë, për të zbuluar, për t’u admiruar; diçka që bart Histori; njëkohësisht edhe virtyte të shpirtit bujar të njerëzve që jetojnë mes bukurisë së atij vendi.

Në një botë të dominuar shpesh nga egoizmi dhe individualizmi, shqiptarët e Tuzit po shquhen në përcjelljen e vlerave të rëndësishme me dinjitet. Gjithsesi, për arsye moderne: për ndryshim, për largim nga kushtet e vështira ekonomike, e kanë gjithnjë të hapur plagën e emigrimit.

Tuzi dhe vendbanimet rreth tij janë një galeri e pafundme historish, dokesh, peizazhesh; leksiku, fatesh njerëzore, tablosh idilike shqiptare, virtytesh e thesaresh identitare; vuajtjesh, dramash, plagësh, nëpër të cilat treva i ka kaluar e është formësuar që prej gjenezës së saj.

Ndaj edhe Historia e njeh Tuzin si një vendbanim të moçëm, që ka shumë për të treguar: për banorët e lashtë të fisit ilir të Labeatëve, të cilët prej shekujsh jetojnë pandërprerë këtu, me atë jetesën e banorit të malit: plot urti, plot bujari, plot trimëri e ashpërsi; plot nder e besë dhe plot ideale.

Pas Vitit 211 (para Krishtit) Tuzi ishte pjesë e mbretërisë së Gentit, mbretit të fundit të Ilirisë. Mandej, nën sundimin e Romës, është si urë e kalimit nga Dioklea (qyteti antik ilir, që gjendet në afërsi të Tuzit).

Dritëhijet e errëta në kohëra u plagosën nga shtresëzimet, që linin kalimet e perandorive me ushtritë e tyre. Është edhe më e pakuptueshme që tirania e dhuna kanë shoqëruar këtë vend të qytetëruar dhe banorët e tij (kur u tjetërsuan trojet e të parëve të cilët i mbrojtën me gjak) qoftë në epokën e pakëndshme të Jugosllavisë së Madhe, qoftë në të tashmen.

Gjithnjë e më shumë po zë vend ndjesia antropologjike, që përpiqet të ndërtojë identitetin aktual të trevave, për të kuptuar vlerat që janë prezente dhe për të ndërtuar (çfarë ka dhe çfarë mungon). Kjo natyrisht ka të bëjë me rikonstruktimin e Së shkuarës, por si gjurmë e identitetit shqiptar të Malësisë së Madhe.

Përmbi Tuz, shtrihet mali Deçiç, që merr lartësi në mënyrë të papërceptueshme, edhe pse nuk është shumë i lartë, është gjithmonë po aq i kënaqshëm në pamje, me formacione shkëmbore të ashpra, me bukuri magjepsëse (përveçse është një vend i pasur me kullota, pyje: shpella të fshehura aq bukur në shkëmbinj, të cilat në Kohërat e Lashta kanë shërbyer si vendbanime (të trevës së Grudës e Trieshit) vende të mistereve të shumta.

Ngjitesh me shikim në Majën e Bratilës, në gjurmët e Dedë Gjon Lulit, i cili, së bashku me kryengritësit malësorë, ngriti Flamurin Kombëtar Shqiptar me 6 prill të vitit 1911. Nga maja e Deçiçit (si nga larg, ashtu edhe nga afër vështron pamjen e liqenit të Shkodrës) ecën përmes egërsisë së paprekur, shpërfaqur me artefakte rurale të bukurisë çarmatosëse, që të mahnisin me përsosmërinë e strukturave të jashtëzakonshme nga puna e palodhshme, bërë nga brezat e shkuar dhë të duket se  ecësn nëpër shtigje ku kaloi At Shtjefën Gjeçovi, i cili zbuloi objektin më të vjetër të kulturës sonë, gurin enigmatik…Ndesh ndërtime megalitike, mure ciklopike, nekropole ilire, fortifikime, gjurmë kishash; kroje, ura, mullinj, tuma varresh të lashta; kulla dhe stane të braktisura nga vetja, mbetjet e të cilave qëndrojnë ende me krenari…Sikur ecën nëpër një derë të njohur e cila do t'ju kthejë shumë larg në kohë.

Ato kurrizore madhështore shkëmbore (shpesh të paarritshme) kanë mbetur praktikisht të pandryshuara ndër shekuj; një vend historik, që ka formësuar të kaluarën e këtueshme të vendbanimeve me histori mijëravjeçare, gjurmë të dukshme, të cilat rezervonin realitete nga një kohë, e cila ishte njëkohësisht luftë, punë, ekonomi blegtorale, me përpjekje të mëdha: dëshmi historike qytetërimi.

Në krye, janë majat e Bjeshkëve të Nëmuna, me format e tyre që krijojnë pamje pas pamjesh, drita dhe hije, që ngjallin ndjesi. Shumë prej tyre arrihen tashmë nga ata që kanë dashuri për malet, për ngjitjet dhe për natyrën në përgjithësi.

Çfarë ngjyrshmërie në brigjet shkëmbore të Cemit!

Peizazhi përbën një pikturë të gjelbër (në të errët) të kornizuar nga gria e reve. Por kjo nuk paraqet pengesë të përjetosh gjeografinë e kësaj treve. Vetëm duke udhëtuar andej mund të zbulosh mrekullitë, që s’dihet prej sa miliona vjetësh janë formëzuar (qysh nga krijimi i Gjithësisë)…

Cemi rrjedh nga Kelmendi në një luginë madhështore mes kreshtave të larta dhe bukurive që mahnisin çdo vizitor vendas e të huaj. Përshkon masive magmatike ultrabazike mes grykave të thepisura, jo vetëm që ka një bukuri të egër, por është edhe një vend me rëndësi natyrore; kulturore e historike e Malësisë së Madhe. Rrjedh në një shtrat të përdredhur mes shkëmbinjve brigjelartë e të thepisur, që në Vjeshtë, apo Dimër (nga shirat e tejmbushur) apo në Pranverë (nga shkrirja e dëborës) gjëmonin, shkumbonin; rrëmbenin çdo gjë që u dilte përpara.

Gjatë zbritjes së tij të shpejtë, ujërat, duke rrjedhur me shpejtësi, duke pasur të qartë drejtimin e vet natyror të rrjedhës, për të krijuar edhe dukuri gjeologjike. Aty janë morenat antike të Periudhës Glaciale, për të cilat shkruante më 1900 studiuesi italian Antonio Baldaçi.

Pasi kalon edhe Doganën e Grabonit futet në teërritorin e Malit të Zi, nëse do ta ndjekësh atë, do të shohësh panoramat e luginës së tij, që të ushqejnë shpirtin me dashurinë për Të bukurën dhe misteriozen e Natyrës:

Para se lumi i Cemit të përshkojë pjesët e ulta nëpër Dinosh, shtrihet një rrugë e lashtë karvanesh, që në Lashtësi lidhte këtë trevë me Dardaninë.

Lumi Cem rrjedh në mënyrë tëpandërprerë gjatë gjithë vitit; madje edhe në stinë të thata. Përveç pamjes mrekulluese, ujërat e tij janë të ngarkuara me sedimente të shqyera nga brigjet.

Cemi, herë zgjerohej, herë ngushtohej brigjeve shkëmbore me një gdhendje natyrore dhe ndërtim të jashtëzakonshëm. Rrëshqiste e shkumbëzonte para syve i shpejtë e me gurgullimë ndjellëse.

Si një bekim që rritet afrohemi pjesës më të bukur të rrjedhës së kthjellët të lumit Cem. Ujërat e tij, dukej sikur oshëtinin duke bërë, gjithë atë zhurmë nga shirat e ditëve të fundit.

Ndërkohë qielli mbyllet dhe retë po zbresin më poshtë. Kur arrin atje, të emocionon thellë, ujëvara. E shikojmë me admirim të nderuar: një madhështi e tillë na bën të habitur. Pushton sytë e zemrën kjo copëz Parajse e lumit që rrjedh kushedi që kur.

Një udhëtari si unë, që vjen për herë të parë këtu (që s’ka lënë vend të Botës pa shkelur) i duhet të mbajë frymën për një çast… Sepse takimi me këtë lloj mrekullie është gati i papërballueshëm. Duke parë këtë mrekulli, të krijuar nga dora e Zotit, për një çast harron lodhjen nga rruga e gjatë.

Përkëdhelesh nga një tingull baritoni, që mbush veshët: tingull i vazhdueshëm, invaziv, monoton gjithnjë e më intensive. Besoj se nuk ka muzikë në Botë që e zëvendëson këtë tingull ujëbore të Cemit, duke e bërë më epike pamjen.

Uji i shkumbuar thërrmohet në shkëmbin më poshtë, duke krijuar një çast magjie. Në pikun e rënies së shirave, ujëvara krijon një pamje vërtet fantastike. Sidomos në Pranverë, kur është i mbushur nga prurjet, si pasojë e shkrirjes së dëborës. Pikërisht në këtë stinë e vlerësojnë bukurinë e saj dhe të ujit zmerald.

Jehona mbush ajrin, duke krijuar një efekt skenik të rrallë dhe jashtëzakonisht të bukur nga spërkatjet e ujit, që të japin përshtypjen e mbulimit nga një mjegull e lehtë, e cila krijon një atmosferë vërtet surreale. Zhurma e saj bëhet më e fortë në rrjedhën e lumit, duke u ndjerë i vogël ai para forcës krijuese të Natyrës. Dhe habitesh nga vizitorët e shumtë. Këto pamje meritojnë një pauz të gjatë fotografike për të kapur bukurinë e saj. Me zhurmën e ujëvarës jehonin mbyturazi edhe zërat e vizitorëve, si të ishin zëra të legjendave. Ka nga ata që e përkëdhelin atë me gjeste dashurie…Por edhe ata duke qëndruar mbi të indiferentë.

Ujëvara që në Lashtësi kalonte nëpër Ragë, deri më 1881 ka mbajtur emrin “Ragët e Grudës”, prej vendbanimit që, me trajtën e sllavizuar, quhet Rakiq. Të moçmit i kanë thënë Jazi, ndërsa viteve të fundit kanë filluar ta quajnë ujëvarën “Niagara e Podgoricës”.

Ndesh në këtë veçanti të bukurisë së Natyrës edhe dorën e njeriut. Në këtë Parajsë heshtja që jehonte nga përplasja e ujit shprishej ndonjëherë nga muzika sllave që gumëzhinte në vesh, si tallava ballkanike; nga i vetmi restorant karakteristik në këtë lumë (me emrin “Niagara” quhet restoranti i Nikoll (Niko) Ujkiqit) i cili kishte ngulur këmbët e tij mbi ujrat e Cemit.

(Në vendet me një vokacion turistik mbizotërues mund ta harrosh dhe të shkëmbesh tingujt. Por jo unë). Gjithsesi të fton bujarisht të çlodhesh mes Së bukurës në Natyrë dhe dorës së artistit, që ka krijuar një Botë Antike, me gërshetim Të modernes dhe artit të gatimit tradicional.

***

Cemi, plot vorbulla, rrjedh vrullshëm, duke na dhënë pamje mrekulluese dhe gjëmim ujërash. Ne mbetemi të befasuar… Për më tepër nga figurat gjeometrike shkëmbore që ndërtojnë ujëvarën, si të qëndisura me dorë, nga fuqia dhe figurshmëria e saj që shpërthen ashtu dritshëm, për të përçuar në shpirt një përjetim të thellë dhe përshkues.

Të mrekulluar, me dëshirën për t'u rikthyer, morëm rrugën e kthimit nëpër një muzg të rënduar me shtëllunga resh të murrëtyera.

*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora