Udhëpërshkrim » Gorica
Pëllumb Gorica: Tri male, një luginë, Vjosa hapin e shtrin
E shtune, 08.06.2024, 07:00 PM
TRI MALE, NJË LUGINË, VJOSA HAPIN E SHTRIN
UDHËPËRSHKRIM NGA PËLLUMB GORICA
Ka
vende që janë poezi; ka vende ku shfaqen njerëz unikë, të mrekullueshëm; ka
vende ku heshtja është muzikë, era është zë, ngjyrat e jetës pikë takimi mes
“qytetërimit” dhe Natyrës.
Dita
është e këndshme (pak e ngrohtë dhe e qashtër) për të udhëtuar dhe admiruar
gjithçka rreth teje, mes ngjyrave që të ngopin sytë (në pamje që nuk të lodhin
kurrë).
Udhëtojmë
drejt Përmetit, të rrethuar nga vargmale, të lagur nga fjongo e kaltër Vjosë që
përdridhet gjithë naze e ojna dhe çdokënd e mahnisin, i shkaktojnë rrëqethje
cerebrale; e bëjnë të ndjehet sikur ka prekur qiellin.
Gryka
e Vjosës
Aty
është madhështia, aty është historia…
Rruga
gjarpëron përbri Vjosës, me mërmërima kumbuese. Kreshta malesh që ngrihen mes
ngurtësisë gjometrike e gërvishin qiellin.
Dragoti,
të afron një hyrje të mrekullueshme në Grykën e Vjosës, duke shpëtuar nga
ngushtësia, sikur çlirohet nga prangat e maleve, në Tepelenë, hapet në një
zgjerim të gjerë, të qetë, pushtetshëm në zallishte.
Kalon
Vjosa poshtë urës së Dragotit, si balenë, gati shekullore, e ndërtuar për
funksione si një vepër, jo vetëm strategjike, por edhe ekonomike, artistike e
historike, nga firma italiane “Ansald”. Ura nderej si një dorë e hekurt me
elementët dhe gjeometrinë e kohës. Ajo mbeti e paprekur pavarësisht se aty u
zhvilluan luftime.
Në
kohën e viteve të Diktaturës “kalvarit të mungesave të shumta”, ata që
“gjurmonin lirinë” thoshin:
“Po
kaluam urën e Dragotit, për në Përmet shpëtuam”.
Sepse
aty ishte ngritur një postbllok policie që funksionoi deri në vitin 1990 e
njerëzit kontrolloheshin si dhentë në shtrungë.
Restorantet
buzë Vjosës
Kjo
bëhej më e frikshme nga bunkerët, ku nxinin tytat e mitralozave të rëndë.
Ca
re të bardha, si dele ruda, nxitojnë e ngjiten shpateve të thepisura. Rruga që
fsheh e hap para teje pamje madhështore të shpateve malore, gjarpëron përbri
lumit Vjosa, veshur me një tis ngjyrash ylberore, ku një blu në të gjelbër
fjollëzonte si nëpërkëz ujërat dhe brigjet, me bukurinë, begatinë dhe simfoninë
e përjetshme të shushurimës magjike. Në burim ka një shtrat të ngushtë, që
fillon nga Vouvoussa e Greqisë dhe atje quhet Aos.
Te
“Tri Urat”, gurgullima e saj futet në Shqipëri, pa leje dhe vizë, me emrin
antik Aos. Duke u endur përmes Jugut të Shqipërisë, koha do ta pagëzonte me
nofkën magjepsëse Vjosë.
Rrugëtimi
i Vjosës ka ecur nëpër mijëvjeçarë me atë hijeshi magjike qoftë në ditët me
diell, qoftë me shi apo dëborë, e ngushtuar nga shkëmbijtë me gjarpërime të
shumta.
Kush
e pa Vjosën dhe nuk u dashurua, me virgjërinë e saj bukurane. Kot nuk u magjeps
edhe aktori me famë Di Caprio.
Shumë
kuçedra pasunare i erdhën vërdallë Vjosës për ta bërë digë (më “i famshmi”
italiani Beketti).
Ishte
e madhe përpjekja (edhe botërore) për të mos e “kafshuar” Vjosën dhe sot është
Park Natyror.
Mezhgorani
të kujton Mentor Xhemalin me këngën “Një zë po del nga Grykë e Mezhgoranit”
atëherë kur u luftua heroikisht ndaj italianëve.
Në
lartësitë e Dhëmbelit jehon një zhurmë aeroplani. Larg në qiell vështrimi
njerëzor i çastit, dalloi njëri pas tjetrit dy zogj vezullues teksa lëshonin
nga pas qetësisht dy bishta fjollash të bardha në të argjendta, të përshkonin
tej përtej Grykën e Vjosës. Fluturimi i tyre i zhurmshëm të sjellë në mëndje
ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, kur Ushtritë Italiane dhe Greke e
kthyen Luginën e Vjosës në arenë tragjike. Ishte viti 1940 (Duçja kishte
shpallur idenë e Romës së lashtë). Nga një anë Grekët gjuanin me mortaja
Italianët dhe herën tjetër ishin trupat greke që copëtoheshin nga sulmet e
Italianëve. Të ndodhur midis dy zjarresh, Këlcyra, Malëshova e Dëshnica, u
mbytën nga zallamahia e luftës dhe gjëmimet. Edhe ata ushtarë shqiptarë të
inkuadruar në dy batalionet “Tomorri” dhe “Shpiragu”, si pjesë e ushtrisë
italiane dezertuan, duke mos dashur të luftonin kundër fqinjëve grekë.
Italianët dhe Mussolini për të gjitha dështimet ia hodhën fajin shqiptarëve.
Tregojnë
se është bërë luftë e ashpër. Dëshmi janë mbetjet e artefakteve kokëforte
luftarake: rruga e italianëve, muret, istikamet, bunkerët, helmetat, gavetat,
copat e bombave dhe maliherët e ndryshkur. Një muze në qiell të hapur.
Pak
metra para nesh ngrihej manastiri i Shën Nikollës ku është varreza e ushtarëve
grekë, të vrarë brenda trojeve tona. Pllaka të betonta me emra Grekësh të vrarë
dhe kryqe sipër. Kishte shumë, nuk e di sesa, si një tablo mistike, që të
kujton vdekjen e atyre që kishin ardhur të luftonin kundër Italianëve.
Do
të ishte mirë që Grekët t’i marrin e t’i shpien në vendin e tyre, ku mund t’i
nderonin të afërmit lotpatharë. Por dihet lakmia e Grekëve për të marrë toka
shqiptare, me pretendimin se është trualli i Vorio – Epirit.
U
ngritën patriotët në Urën e Dragotit, me bllokim rrugësh. E gjithë kjo, për të
ndaluar hyrjen në tokën shqiptare të Neofashistëve Grekë. Ndërsa Grekët u
kundërpërgjigjën me lumenj urrejtjeje ndaj emigrantëve tanë në Greqi.
Udhëtimi
ynë ndoqi Grykën ikonike të Këlcyrës. Dielli, si një piktor
mjeshtër, me shigjeta të hazdisura, krijon reflekse drite. Në Këlcyrë freskon
rrepet e pishat dhe bëhet e dashur, si një nënë kur mbledh ujërat e Dhëmbelit;
ndan Trebeshinën nga Dhëmbeli që ngjajnë si ata pleqtë mjekërrbardhë, i sertë e
madhështor. Në kullotat e tyre, tringëllinin oshëtimat
e zileve, këmborëve, troket
e kuajve dhe fërshëllimat e barinjve shajakveshur e me gunë krahëve, njësoj si një rropamë gurësh e zalli që rrokullisen shtratit.
Shpatet
shkëmbore të Dhëmbelit, pyllëzuar me rrape, plepa, shelgje, pisha,
dushqe, blinj, ndoshta qindravjeçarë, me degë të pleksura si heroglife, nëpër
hije të këndshme, të shushurijnë histori pa fund.
Pushon
ca çaste nën hije rrepesh, pasi ka pirë ujë të ftohtë. Nuk të thotë kurrë ik,
të thonë rri, të dëgjosh uverturën e bukur të Vjosës, që rrjedh rrëmbyeshëm, me
dallgë të kërleshura me njëra – tjetrën, saqë të mbeten sytë në 'të. Dëshira
shkrihet për të pirë një kafe, për të ngritur dolli me raki, apo për të shijuar
gatimet karakteristike që të kujtojnë Nolin e madh:
“A
do të hash e të bësh qejf?
Sofër
shtruar si për mbret,
pastërti
e për yzmet,
të
tillë gjen veç në Përmet”.
Në
thyerjen shkëmbore të shfaqet Këlcyra, me pamjen e heshtur dhe historinë
mahnitëse. Madje po ta shikosh nuk ka asnjë formë urbanistike, veçse e njohur
si vend i pazarit të famshëm.
Sarajet
e Ali Bej Këlcyrës
Mbi
shkëmb shquhen rrënojat e sarajeve të bejlerëve të Këlcyrës të cilat, nuk ishin
thjeshtë saraje. Ato ishin shenja e vetme urbane që e bënte dikur Këlcyrën
qytezë. Sa keq, ato troje simbol i burrërisë, ku jehon historia e një fisi
fisnik që mbrujti ky mëmëdhe, po shkatërrohen nga një gurore.
Përmbi
sarajet shtrihet Trebeshina, ky mal me një bukuri të pazakontë për shkak se
vjen me një kurriz të gjerë e të hapur. Trebeshina mban në majë rrënojat e
një kalaje ilire të shekullit IV - III para Erës Sonë, si dëshmi i luftrave dhe
përpjekjeve shekullore të banorëve, që ende ruan ca pjesë të pa gërmuar nga shteti
por të qethura e rruar nga gërmuesit e thesareve e ndoshta shkatërruesit e
shtrembëruesit e historive.
Para
Krishtit këtu kalonte një rrugë e moçme që lidhte Lindjen me Perendimin. Këtu
Filipi i Maqedonisë u preu rrugën Romakëve të Flaminit. Ndërsa Skerdilajdi,
komandanti i Ushtrisë Mbretërore Ilire shpejtoi për t’i ardhur në ndihmë
Agronit, themeluesit të shtetit Ilir të Ardianëve.
Qyteti
i Përmetit
Përmeti
me fytyrë mikpritëse
Lugina e Vjosës të ngjason me një lloj lindjeje, si ftesë magjike,
në tokat e punuara pëllëmbë për pëllëmbë, me domate, fasule, qepë, speca,
vreshta dhe pemë frutore të harlisura.
Vendbanimet
me shumë histori, janë tejet interesante për sa i përket llojeve të ndërtimit,
pa anashkaluar aspekte të tjera, që jo vetëm të tërheqin vëmendjen, por duket
sikur të thonë:
-
Ja ku jemi ne, të braktisura nga banorët, për jetë të re në Tiranë,
Gjirokastër, Vlorë, Durrës e Fier.
Hodha sytë nga faqja përtej Vjosës, poshtë malit të Dhëmbelit, ku dalloj Bualin: ca shtëpi si njolla të murrme humbur në gjelbërimin e pemëve.
Një
ndalesë te baxho “Meshini”, ngritur brenda një bunkeri të stërmadh, si dëshmi
historike e konfliktit Italo - Grek.
Kalojmë
përmes Piskovës së gjelbëruar nga kopshtet plot me hardhi, arra, mollë e
qershi.
Më
lart Pacomiti me copëza tokash që flakëronin, si shumë vendbanime që po u
perëndon dielli njerëzor.
Teqeja
e Baba Hekuranit në Alipostivan
Ngjit
kodrat që të çojnë te teqeja e Baba Hekuranit në Alipostivan. Ajo të ngjan si
një anije, e cila frullon me muranën e bardhë. Përhumbesh para këtij vendi mistik, për të cilin Përmetarët
e kanë dashur dhe vazhdojnë ta duan, duke i dhënë shkëlqimin e dikurshëm. Pamja
e parë, sapo hyni në portën e harkut të hyrjes, është mahnitëse.
Qëndron
dhe ndjek me sy rrugën plot pluhur, në pyllin me bredh, ah e pishë drejt
Frashërit; atje ku bukuritë këndojnë me frymën e gojëmjaltit Naim që i këndoi
natyrës së bukur Shqiptare. Po, mjerisht, kjo Parajsë ka mbetur pa përkujdesje.
Thesare shohin sytë në kishën e Shën Mërisë, Leusë
Kosina
shtrihet në të djathtë të rrugës, me shtëpitë përreth kishës së “Shën Marisë”,
ku syri mrekullohet nga arkitektura; kupolat e larta, por edhe ngjyra e
kuqrremtë e mureve.
E
rëndë zhvarrosja e varreve në kishën e “Shën Marisë”, nga prifti i fshatit për
llogari të grekëve. E thënë shkurt të sajosh ushtarë grekë me varre fëmijësh
shqiptarë e pleqve të Kosinës.
Buzë
Vjosës, në këmbët e Dhëmbelit, shtrihet Përmeti.
Fytyra
e parë për çdo vizitor është ura dhe memorialet e mermerta, që përveç vlerave
artistike risjellin shkëlqimin e figurave historike, kulturore dhe shkencore.
Ngjit
shkallët në formë amfiteatri, rrëzë të cilave ndodhen dy çesma guri dhe hedh
hapat në me fjalët
e mirëseardhjes, të gdhendura:
PËRVEÇ
DETIT KEMI GJITHÇKA TJETËR!
Naimi,
ky “qiri i tretur” për kombin, në Përmet ka një statujë dhe është si ajri që
vjen nga Frashëri.
Artistja
e madhe lirike Tefta Tashko të flet nga busti i parkut publik, mbase i vetmi në
tërë vendin.
Një
pllakat Rruga “Laver Bariu” në nderim të ustait të këngës përmetare, që
krahasohet me lumin, i cili i dha frymë me bukurinë, rrjedhshmërinë dhe
madhështinë e tij.
Bukuria
e këtij qyteti dhe kultura qytetare të mbushin shpirtin me lumturi hyjnore. Aty
fjala plot mirësjellje lidhë bujarinë dhe respektin, për të përcjellë këtë
traditë kudo në anët e botës.
Në
hartat franceze të Krishtërimit, Përmeti është një vend ku zbrisnin engjëjt.
Edit
Durhamit i zgjoi kureshtjen, kur preku e shijoi bukuritë që Natyra i kishte
dhuruar dhe shkroi në fillim të shekull të kaluar:
“Me
qiparisët e lashtë, dushqet e purpurt, gjelbërim pranveror dhe njerëzit e
mrekullueshëm, m’u duk një nga vendet më të bukura të Botës.”
Ajri
në Përmet mban erë lulesh. Miku ynë
Erfani, duke ndjerë mburrje për Përmetin, lulet e oborreve, trëndafilat,
borzilokun e menekshenë, për traditën e mikpritjes, me njerëz të ndershëm që
nuk dinin se ç’ishte vjedhja e zullumi, që deheshin më shumë nga kënga, sesa
nga rakia, të rrëfen edhe për Kohërat e Lashta.
Në
shekullin IV- VI, ishte një pikë kontrolluese e Luginës së Vjosës. Ruhen
rrënoja të asaj kohe, porse zbulimet rrëfejnë vazhdimësinë e qytetërimit.
Emrin
qyteti e ka marrë nga prijësi i saj Premti (në thellësinë e kohërave e quanin
Trifilia) i cili, për të mos rënë i gjallë në duart e pushtuesëve, u hodh nga
shkëmbi (sa një pallat disa katësh) prej 22.5 m katrorë dhe 42 m i lartë.
Ndryshimet
fonetike prunë emrin e sotëm Përmet.
Shikimi
në qytet, bie edhe mbi një gur shkëmbi, që ngjan si kafshë mitologjike. Mbi
majën e tij ruhet një relike historike, të asaj që duhet të ishte një
fortifikim kulle apo fortese (jo më i hershëm se Antikiteti i Vonë).
Përmeti
nuk është më ai i pari, kur banorët gumëzhinin si koshere bletësh edhe netëve.
Thuajse në mes të ditës ka një heshtje, sikur psherëtin. Po të mos ishte
shushurima e Vjosës, do të dukej sikur qytetin e ka zënë gjumi. Të rinjtë
presin të largohen, ndërsa pleqtë mjaftohen me kujtimin e lavdishëm të Së
shkuarës.
Histori,
kurim, natyrë e mahnitshme…
Vjosa,
si një gjarpër i stërmadh, rrëshqiste në shtratin e vet. Në Përmet rrëzë
Nemerçkës mjekërbardhë i këpërcen dallga - dallgën furishëm, si vajzat e
pabindura, duke e zbukuruar me begatinë dhe simfoninë e shushurimës magjike.
(Nuk di a do kishte ngjyra dhe bukuri Përmeti pa këngën e saj).
Rreze
dielli shkëlqenin ujërat, si zanën e përrallave, kur krehin flokët e gjatë.
Përmetarët
janë krenarë për Vjosën, u duket sikur lumi është i tyre. Vjosa është Lum i
Shenjtë, si Gangu.
Ujërat
nxitojnë gjithë dredha. Sa bukur është të ecësh përgjatë bregut duke
dëgjuar zërin e saj.
Poshtë
urës së qytetit një varkë (nga ato të garave sportive, me pesë rremëtarë)
përkundej gëzueshëm. Fëmijët në ujin e kristaltë gëzoheshin zhurmshëm. Ndërsa
tej lumit dëgjohet hareja e ciganëve që këndonin duke larë e shtrydhur rrobat
në gurë.
Ecim
përmes rrugës automobilistike, që lidh Përmetin me Tri Urat për në Greqi dhe
majtas me Leskovikun, Ersekën e Korçën. Sodisim mrekullitë panoramike, që ofron
Nëmërçka, mal i lartë në Jug të Shqipërisë. Gjurmët e vjetra të vendbanimeve me
troje, emërtimet toponimike hyjnore të maleve, majave e kodrave, historitë
gojore të përcjella brez pas brezi, kullotat dhe stanet e bagëtive ku ngrigen
kasollet, gjarpërojnë shtigjet dhe përrenjtë shtratgurtë, shikohen sot si
dëshmitare të gjalla të së djeshmes së largët.
Në
të majtë, aty te Kalaja e Petranit, dallohej morfologjia e formacionit
gëlqerore me cirqe akullnajore. Rrëzë një kodre shtrihej Bënja, një
vendbanim me një pamje piktoreske. Hapat aty janë si një udhëtim në të kaluarën. Të
urojnë mirëseardhjen, një grusht shtëpish dykatëshe prej guri, me bodrume ku
mbaheshin bagëtia, ose zahiretë e dimrit, porta me sofate dhe oda të zbukuruara
nga tavane gjithë ormanente e rozeta, fragmente kalldrëmesh me gurë të vendosur
sheshazi. Ato kanë frymëzuar regjisorët shqiptarë për të krijuar filma
artistikë. Në mes të shtëpive, është kisha e Shën Mërisë ndërtuar nga
Ali pashë Tepelena. Në ballë të saj syri (që e ndeshim te dollari amerikan).
Në Luginën e Langaricës
Lumi
Langarica rrjedh nëpër peizazhe mahnitëse (kanion i cili shfaqet me zgavrat
nëpër shkëmbinj të latuar që në lashtësi). Ato përndriten nga harku madhështor
i urës 300 - vjeçare të Katiut, që nuk është thjesht një strukturë
arkitekturore; është një perlë e paçmuar.
Duke
kaluar urën e Katiut
Në
rrëzë të urës dalin ujërat karstike sulfurore të njohura për vetitë shëruese.
Shoh shumë njerëz duke bërë zhurmë përreth në një pellg me ujë kristal, si sy i
stërmadh, në të cilën do të ishte e mrekullueshme të rrije gjatë. I dobishëm për kujdesin e trupit dhe mendjes (sëmundjet e
gjymtyrëve, të duarve e këmbëve, lëkurës, për qarkullimin e gjakut dhe çlirimin
e muskujve).
Në
zgavrat e kanionit të Langricës
Të
tërhequr nga burimet e nxehta, të qeta dhe pamjet e bukura, vite më parë
përmetarët ndërtuan një hotel të vogël, me mjekë e personel shërbimi, i cili u
shkatërrua në vitin e mprapshtë 1997. (Për fat, ende nuk i ka rënë ndërmend
ndonjë soj politikani që të zaptojë edhe këtë dhuratë të Natyrës).
*
* *
Në
Përmet, qielli, dielli, ajri, retë, mjegulla, Vjosa dhe malet të bëjnë zog,
pijetar, këngëtar...
Sa
emocionuese për t’u rikthyer këtyre bukurive, aq sa nuk do të mjaftonte një
ditë e tërë. Atje kanë shtëpinë Zotat. Jo më kot Naimi i madh i krahasonte me
Perënditë:
Nata
atje është tjatër natë
dhe
dita tjatër ditë;
në
pyjet e gjelbëruar,
atje
rrinë Perënditë.
*Të gjitha të drejtat janë të
rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj
mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.
Evropa është këtu
Guri i qytetit, si kafshë mitologjike
Harku
i urës 300 - vjeçare të Katiut
Kisha
e Shën Mërisë në Bënjë
Një
pellg me ujëra sulfurore si sy i stërmadh në Bënjë
Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës
Teqeja
e Alipostivanit
Ujëvarë
në lumin e Langaricës