E marte, 10.12.2024, 12:18 PM (GMT)

Kulturë

Mehmet Rukiqi: Një vepër e enciklopedike

E marte, 29.12.2015, 04:13 PM


Botime të reja

Në prag të festive të fundvitit 2015, profesori, shkrimtari, publicisti e veprimtari i palodhur i çështjes kombëtare, z. Bedri Tahiri na solli një dhuratë shumë të çmuar, librin enciklopedik e historiko- letrar“DRENICA- DJEPI I TRIMËRISË”, botuar nga SHB “Meshari” e shtypur në “LenaGrafik” në Prishtinë.

Recension

Një vepër enciklopedike e antologjike letrare- historike

(Bedri TAHIRI, DRENICA- DJEPI I TRIMËRISË, “Meshari”, Prishtinë, 2015)

Nga Dr. Mehmet RUKIQI

Drenica- djepi i trimërisë”, është vepra e tridhjetë e Bedri Tahirit, studiuesit të devotshëm, veprimtarit të gjithanshëm e letrarit të shquar. Prej sot, historiografia shqiptare dhe shkencat albanologjike, po ngritën edhe më lart, për një shkallë studimore, hulumtuese e shkencore. Edhe historia shqiptare, do të jetë më e pasur, me aq sa do t’i përkujtojë personalitetet dhe ngjarjet më të rëndësishme, të lidhura me ekzistencën dhe mbrojtjen e atdheut. Drenica, përherë, ishte truri i të menduarit dhe të vepruarit trimërisht, ndër krahinat që Shqipërisë iu shkëputën me dhunë, nga qarqet shoviniste serbo-malazeze, maqedone e greke.

Trimat dhe trimëria, në këtë vepër, fillojnë me Millosh Kopiliqin (1347-1389), nga Kopiliqi i Poshtëm që, sipas autorit, “ishte njëri nga sundimtarët e Dardanisë”. Njihet për vrasjen e Sulltan Muratit I, në Betejën e Kosovës, më 1389. Ishte prijës i luftëtarëve drenicas.“Luftoi përkrah princit Lazar, drejtues i Koalicionit antiosman të Ballkanit dhe afër princave shqiptarë, Gjergj Balsha II, Dhimitër Jonima, Teodor Muzaka, etj. Shqiptarët përbënin një të katërtën e pjesëtarëve në këtë luftë.

Përkatësinë dardano-shqiptare të Milloshit, e dëshmojnë të dhënat me karakter letraro-historik, kronikat bizantine, osmane e perëndimore. Dokumentet arkivore janë të pakëta, ngase, Kosova, më tepër se dy shekuj, jetoi nën sundimin e kishës serbe. U serbizuan,  thuajse, të gjitha emërtimet e rëndësishme historike shqiptare. Kosova ishte pushtuar” [1].

Pas Betejës së Kosovës, deri më 1876-79, për trimat e Drenicës, ka më pak të dhëna. Në këto vite, del në skenën luftarake Zeqir Llausha, bajraktari historik, në luftë kundër invazionit serb në tokën shqiptare, prej Nishit e në Merdar. Armiqtë që u  luftuan nga trimat e “Djepit të trimërisë”, ishin dhe mbetën të pakrahasuar në glob. Ishin shembull më i paskrupull i gjenocidit, krimit dhe pushtimit. Ishin regjimet shtetërore, xhandarmëria dhe ushtria serbe e malazeze. U mbështetën në ligjet më gjakatare, prej Kodit të Dushanit (1349) e deri te Kushtetuta e Vidovdanit (1921) e tutje. Zbatuan “Naçertaninë” e Garashaninit (1844), elaboratet e Çubrilloviqit dhe të Andriqit, si dhe teoritë e krijuara arbitrarisht, se “Nuk ekziston kombi shqiptar! Myslimanët janë turq, ndërsa ortodoksët grekë”.

Logjika e okupatorëve cilësohej me persekutime të papara. Për regjime të tilla, thuhej: “Një qytetërim që, nuk gjente në veten e tij forcë, për t’i qëndruar barbarisë, më mirë të shuhej”[2]. Serbia nuk e gjeti  këtë forcë. Përherë, në krye të shtetit, i pati kriminelët më të pashembullt në botë. Si armë të veçantë, e patën sloganin: “Në tokat shqiptare, çka  lëviz, të vritet; e, çka s’lëviz, të digjet”. Personalitetet në veprën e Bedri Tahirit, luftuan dhe vepruan kundër një pushtuesi të padurueshëm. Nga okupatorët, kurrë s’u dëgjua zëri i arsyes. Në duart e tyre, gjithmonë, u gjendën armë të përgjakura të Robespjerit”[3]. Megjithatë, te trimat shqiptarë, krahas zullumit serb, vërehet ndërgjegjësimi, për t’i shërbyer vendit dhe kombit të vet, pa dëmtuar askënd. Guximi kërkohej nga të gjitha punët dhe veprimet e tyre.

Lufta e trimave të Drenicës, sikundër e të gjitha trojeve shqiptare, antisllave e antibizantine, antiosmane e antiserbe, ishte e arsyeshme. Hegel mendonte: “Çdo gjë reale, është e arsyeshme; dhe çdo gjë e arsyeshme, është reale”[4]. Edhe trimat e kësaj vepre, sikur dyshonin: “Mos jemi vallë i vetmi popull në botë, i cili, në peripecitë e udhëtimit të tij historik, ra nga skllavëria në skllavëri, nga tirania në tirani”[5]. E donin shtetin si tërësi etnike, të lirë e të pavarur, si vullnetin më të madh të shoqërisë. E donin shkollimin sepse, “Një atdhe pa ideal e pa dije, kurdoherë, i është ekspozuar rrezikut”[6].

Arsyeja dhe ideali për t’i dalë zot atdheut, u shkonte paralel. Mendonin me pjekurinë më cilësore. Në veprën e Bedriut u përfshinë luftëtarë të dalluar, bija dhe bijë më të mirë, trima dhe trimëresha më të spikatura. Ishin atdhetarë të përkushtuar. Me veprimtarinë e tyre luftarake e diplomatike, kulturore e strategjike, siguruan vend të merituar në historinë tonë kombëtare. Drejtësinë e patën element të trashëgimisë. “Atje ku ta gjejë të bukurën, të mirën e të drejtën, atje është edhe atdheu im”- thoshte Merxhani.

U përballuan goditjeve më të rënda armiqësore. U përkrahën nga bashkëkombësit, me dashamirësinë më të madhe dhe kthjelltësinë më të lartë të çështjes nacionale. Bashkëpunuan, u këshilluan dhe morën udhëzime, për luftë, nga ideologë e komandues të shquar, si Hasan Prishtina, Azem e Shotë Galica, Fazli Berani, Bajram Curri e Isa Boletini. Ishin edhe përfaqësues të popullit, në pozita provizore. Shquheshin: bajraktarët, si Miftar Bajraktari i Llaushës, Dërgut Bajraktari i Drenasit, Halil Bajraktari i Llaushës, etj., ngase e mbrojtën popullin, shumë prej tyre, u arrestuan në vendin e punës dhe sot s’u dihet as varri.

Trimat e skalitur mjeshtërisht në veprën e Bedri Tahirit, ishin edhe kryetarë të komunave, sipas instruksioneve të Azem Galicës, si Banush Sedllari, Emin Lati e Iusuf Gradica, Sadik Zeneli e Shaban Polluzha, Tahir Berisha e Zymer Ahmeti. Ishin pjesëtarë të çetave kryengritëse, e më vonë të Lëvizjes Kaçake të Kosovës, nën drejtimin e Azem Galicës, si Fazli Berani e Fejzullah Klinaku, Halit Bajrami e Shaqir Smaka, Shaban Manxholli e Shotë Galica, Xheladin Luboveci e Xhemë Tërnafci. Disa prej tyre ishin edhe anëtarë të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, në Shkodër, si: Azem Galica, Ramë Lutani e Sadik Rama.

Bedriu nuk i harroi edhe trimat që, me fjalën artistike gojore, me këngë të përcjell me veglat më të preferuara të muzikës popullore, përherë, i shpallnin luftë armikut. I tillë ishte edhe Dervish Goxhuli,“Fishta i Drenicës”, gjeniu i krijimtarisë dhe bartjes së epikës popullore, i cili shumë trima të kësaj vepre, i bëri të pavdekshëm. Varësisht nga koha dhe rrethanat, shpesh u gjend pranë Azem  Galicës dhe shokëve të tij më të ngushtë. Nëpërmjet të interpretimit të këngëve të trimërisë, ua shtoi guximin dhe vullnetin për luftë.

Në periudhën 1912-1924, trimat e kësaj vepre, morën pjesë në mbi 60 beteja fitimtare në Drenicë, po edhe në Koloshin, në Pazar të Ri, në Sjenicë e deri në Beranë, kundër hordhive çetnike serbo-malazeze. Luftuan edhe në vende të largëta, në Krime, në Çana Kala, në Pleme të Vogël,[7] në Batunë,[8] etj. Luftuan edhe me plagë të rënda  e me gjymtyrë të këputura, si Kamer Loshi, Shaban Polluzha e Mehmet Gradica.

Okupatorët, për dhjetëra e qindra herë, ishin më të fortë, me njerëz dhe me armatim. “Më shumë patën armiqtë armë, se sa shqiptarët municion. Lufta e shqiptarëve me serbë e jugosllavë, përherë ishte një me njëzet”. Armët që i përdorën, shqiptarët deri pas Luftës së Parë Botërore, ishin: alltia apo revolet, gjashtëshe e tetëshe; nagantet e patllaket, celinat e koburet, hanxharet, thika të gjata, dytehëshe e majëholla; myzdrakët e pushkët, llojesh dhe emërtimesh të ndryshme, si: breshana, me strall, që mbushej nga gryka; të gata e gacatore, me katër viska e me një fishek që mbushet prapa, huta e kaçepshtremta, me dorëzën e shulit të shtrembër, kapakllia, që mbushej sikundër edhe çifteja, apo pushka e gjuetisë, me një kapak si mbulesë gryke; karabina, pushkë e lehtë e me tytë të shkurtër; mamzera e mamzerka e mretit, martina, e ngjashme me hutën, pushkët me brinca e shishanet me strel, gjyherdaret e zhaget. Luftuan edhe me sakica e sëpata, me stupca kerri e hunj gardhi, me shpata e me topuza. Topin e parë e mjeshtëroi Zeqir Kiçina i Baicës së Helshanit,“topi i qurshisë”. U zbras kundër Jashar Pashës, më 1857, që e sulmoi Drenicën. Ndërsa okupatorët kishin pushkë, mashinka, e mitroloza, tanke e granata, topa e aeroplana. Lufta e Galicës, më 1924, ishte tridhjetë shqiptarë, trima nga “Djepi i trimërisë” me tre mijë ushtarë, xhandarë e paramilitarë serbë e malazezë. “Vlerat shoqërore, ndryshimet dhe kryengritjet, që të jenë të sinqerta, duhet të lindin nga shpirti i popullit”.[9]

Trimëria mbizotëron në virtytet më të larta morale të trimave e trimëreshave në veprën enciklopedike letraro-historike “Drenica- djepi i trimërisë” e Bedri Tahirit. Ajo definohet si aftësi për ta mposhtur frikën. Është cilësi më e spikatur e personalitetit dhe specifikë e rëndësishme, nga jeta, puna dhe veprimtaria. Shenja të trimërisë, ata demonstrojnë që nga mosha rinore. Për Azem Galicën, “nuk është trim vetëm ai si e kap pushkën, po edhe ai, i cili, në këto ditë kaq të vështira të regjimit antishqiptar të kralit, i del krah popullit të vet. I ndihmon, së paku, me fjalën e drejtë, gojarisht dhe me shkrim”. Trimat në këtë vepër ishin, siç thotë autori, “ata që me gjak mbëltuan lirinë dhe janë bërë ushqim shpirtëror i popullit të vet”.

Në kuptimin e shprehjes së urtë “Pa u provue s’dihet trimi”, të gjithë u provuan. Provimi për trimëri e heroizëm, gjithsesi, është provimi më i vështirë. Trimërisë asgjë mangut nuk i lanë edhe trimëreshat, Shote Galica, Azemine Lutë Gllanasella, Sherife Galica, Hatixhe Deroci, etj. Po, në popull thuhet: “Ni trimni me niqin mjeshtëri”. Mjeshtëria është arti dhe strategjia e luftës dhe e trimërisë.

Çajupi, për trima shqiptarë, sidomos të së kaluarës, shkruante:

 

Kanë qenë trima të lëvduar,

Dhe në luftë s’janë turpëruar.

Qenë trima dhe mëmëdhetarë,

Besa, fea, s’i kishnë dhe ndarë.

Shkonin jetën me puçkë në dorë

Donin Shqipen, s’qenë tradhëtarë”.[10]

 

Trimërinë e personaliteteve në veprën e tij, e ushqejnë ndjenja e forcës, pavarësisë dhe qëndresës. U takonin shumë lëvizjeve, kryengritjeve e veprimtarive të gjëra shoqërore me synime të ngritjes kombëtare, kulturore, politike e arsimore. Forcuan lidhjet me luftëtarë e atdhetarë më të shquar anembanë Kosovës. Intensifikuan veprimtarinë, për organizimin e qëndresës së armatosur, jo vetëm në “djepin e tyre të trimërisë në Drenicë”, po edhe më gjërë.

Trimat, në veprën e Bedriut, u takojnë dhe profesioneve të ndryshme. Nga hoxhallarët më të angazhuar për çështje fetare e kombëtare, Hoxhë Avdia, përkatësisht Arif Shala i Sankofcit, mulla Ilaz Broja, Shaqir Hoxhë Rezalla, që, sipas autorit, theksonte: “komb e atdhe, përmbi fe”. Hapën shkolla shqipe dhe siguruan mësim dhe tekste në gjuhë amtare.

Shaban Jashari menjanon misionin e hoxhës dhe i qaset mësimdhënies në shkollë, në periudhën 1945-‘52. Në tekstet historike, të përkthyera shqip nga serbishtja, thuhej:“Të parët tanë ishin sllavët”. Shabani  u deklarua, para nxënësve dhe opinionit se, “kjo është një gënjeshtër e trilluar nga armiqtë tanë! Të parët e shqiptarëve janë ilirët”, dhe se:“Kush e pranoi bashkim- vëllaznimin me serbët, e pagoi me kokë”. Nxënësit, me lot e përcollën arrestimin e largimin e mësuesit nga shkolla.

Ata burra të fortë u gjendën edhe në aksione për pajtimin e gjaqeve. Ishin formues të organizatave e Brigadave, si Brigada e Drenicës, e komanduar nga Shaban Polluzha. Jashtë Drenicës, por që veprimtaria e tyre lidhet me Drenicën,  shquhen trimat: Adem Ilaz Raçaku, Aziz Zhilovoda, Hys Popova, etj.

Përmendën edhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Adem Jashari (Komandant Legjendar), Bedri Veli Shala, Fehmi e Xhevë Lladrofci, Elmi Zeka e Idriz Hyseni, Hamzë Jashari e Rifat Jashari, Shaban Jashari e Sahit Jashari, Ilaz Kodra e Fadil Kodra, Fatime Zeqir Hetemi e Mujë Krasniqi.

Ishin organizatorë e udhëheqës të konferencave e kongreseve, të kuvendeve, marrëveshjeve e tubimeve ilegale me rëndësi historike. Identifikohëshin edhe me pari të Drenicës. Në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, më 10 qershor 1878, ndër 110 delegatë, nga Drenica morën pjesë: Aruç Xhinofci e Deli Prekazi, Hetem Kozhica e Kurt Rezalla, Lec Gradica, me të vëllanë Halimin dhe kushëririn Avdylin; Ramë Lutani, Zymer Bajraktari e Zenel Obria. Më 1903, Drenicën e përfaqësojnë në Kuvendin e Marinës dhe te Verrat e Llukës, afër Deçanit dhe në Junik, më 1912. Në Lidhjen e Dytë të Prizrenit, më 16-20 shtator 1943, për Drenicën, ishte Miftar Bajraktari.

Në Konferencën e Bujanit, më 31 dhjetor 1943, deri më 1 e 2 janar 1944, nga Drenica, morën pjesë: Rifat Berisha, Halil Haxhiu e Adem Miftari, të përcjellë nga Qamil Hoxha i Gjakovës. Luftuan për zbatimin e Rezolutës së saj, për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në prag të Luftës së Drenicës, u mbajtën kuvende me rëndësi historike dhe strategjike, në Llaushë, në Polac, në Polluzhë e në Skënderaj, të drejtuara nga Shaban Polluzha. Në Drenicë u mbajtën dy kongrese të Ballit Kombëtar, përkatësisht të NDSH-së (Nacional Demokratikës Shqiptare), në Kosmaç, më 1 maj 1946 dhe në Lipovicë, më 25 korrik 1946. Morën pjesë delegatë drenicas dhe qindra të tjerë nga viset e ndryshme shqiptare. Përveç trimërisë, shquheshin edhe me aftësi të artit e arsimit, edukimit e komunikimit, të kulturës e të religjionit progresiv, të filozofisë popullore e të sociologjisë praktike.

Në radhën e trimave, nga “Djepi i trimërisë”, kishte aktorë të artit skenik, si Hamzë Jashari e Naser Kodra; antifashistë, e më vonë antikomunistë, si Arif Shala, Hilmi Zariqi, Rifat Berisha, etj. Bashkëluftëtarë të Azem Galicës, nga Drenica e rajone të tjera, të përfshirë në Lëvizjen Kaçake të Kosovës: Shotë Galica, bashkëshorte e Azemit, komanduese e luftëtare me renome gjithkombëtare e më gjerë, Adem Ilaz Reçaku, Abaz Kurrumeli, Ajet Gjeli, Bekë Galica, Bajram Tërnafci, Bajram Zena, Emin Lati, Fazli Berani, Halit Bajrami, Hazir Rama, Hys Popova, Halit Ahmeti, Lutë Gllanasella, Mehmet Delia, Mursel Ahmeti, Ramadan Maliqi, Sadik Rama, Sinan Çitaku, Sylejman Vuçiterna, Shaqir Smaka, Shaban Manxholli, Xheladin Rama-Luboveci e Xhemë Tërnafci. Në kullat e odat e tyre që kishin, u mbajtën konsulta, kuvende e përgatitje me rëndësi. U morën vendime për luftë, si në kullën e Ahmet Delisë. Shpëtuan shokë e bashkëluftëtarë nga burgjet serbe, si Adem Miftari e Ilaz Raçaku. Idetë e shumicës, nga “Djepi i trimërisë”, ngjasonin me utilitarizmin e Bentamit[11], me mendimin e angazhimit për dobinë e përgjithshme. Sipas tij,“e mirë është liria e lumturia”, ndërsa “e keqe është robëria e dhembja”.

Liria është e përbashkëta e trimave, në veprën e Bedri Tahirit “Drenica- djepi i trimërisë”. Idetë e luftës dhe të lirisë, ishin të pandashme. Luftonin për ekzistencë, pa cenuar ekzistencën e tjetërkujt. E donin lirinë, pa e rrezikuar lirinë e askujt. Shumica i takuan periudhës jetësore më të vështirë e më të pasigurtë. Trocki[12] thoshte:“Kushdo që dëshiron një jetë të qetë, ka gabuar që ka lindur në shekullin tonë”. U vunë në shërbim të lirisë kombëtare. U treguan të aftë, për të kuptuar se vullneti për ndryshime, në dobi të atdheut, pa dituri, është i pathemeltë. Synonin që, prej territ të robërisë, të dalin në dritë e lirisë, përkundër plagëve që hapën në trungun kombëtar barbarët shekullor. Liria është kusht i domosdoshëm i zhvillimit të potencialit njerëzor. “Nuk është e lidhur me demokracinë, e cila mbron lirinë e qytetarëve”.[13] Është vlerë e shenjtë dhe e pacenueshme, mbi bazën e arsyes, që mund të përgjithësohet në trajtë sintezash universale. Ata që punojnë për lirinë e popullit, duhet të punojnë edhe për realizim të jetës së lirë kombëtare e shtetërore. Edhe në demokraci, është e nevojshme të vendoset rojë, kundër forcave që duan ta mohojnë lirinë dhe zhvillimin e plotë.

Për rilindësit, liria ishte e drejtë dhe mundësi e njeriut që të zgjedh, të krijojë dhe të veprojë lirisht. “Liria është e drejtë për të bërë çdo gjë, që e lejon ligji”- mendonte Spinoza. Përmban vlerën themelore të individit, në një shoqëri të lirë. Është arsyeja e ekzistencës njerëzore. Një njeri është i lirë, për aq sa, asnjë njeri tjetër, apo grup njerëzish, nuk ndërhyjnë në veprimtarinë e tij. “Nuk ka asnjë moralist në historinë e njerëzimit, që të mos i ketë thurur vargje lirisë. Fjalës liri i janë dhënë më së dyqind përkufizime, të hartuar nga historianë të ideve.“Duhet të jemi mirënjohës, ndaj atyre që na kanë mundësuar të jetojmë në liri, në gjendje prosperiteti dhe si njerëz të qytetëruar”.

Bjelinski shkruante:“Kur të tjerët janë të privuar nga liria, kur i shoh vëllazërit e mi duke lënguar në  varfëri, në mjerime e në zingjirë skllavërie, as unë nuk dua të jam i lirë. Dua të vuaj bashkë me ta, në emër të drejtësisë, barazisë e solidaritetit”.[14] Regjimi serb cilësohej edhe me fuqizimin e pushtetit qendror dhe kufizimin e lirisë së individëve dhe popujve josllavë të nënshtruar. Shteti serb mund të definohet, ngjashëm me një thënie të Lsalit. “Një rojë nate, apo një polic trafiku”[15].

Mjafton që të manipulohet përkufizimi ”çka është njeriu?” dhe atëherë, idenë e lirisë mund ta kthesh si të duash”[16]. Hegel pohonte:“Historia botërore nuk është gjë tjetër, veçse një ndërgjegjësim në rritje, për lirinë. Njerëzit janë të lirë, vetëm atëherë, kur veprojnë të pavarur. Të veprosh lirisht, do të thotë se ke pikëpamje të qarta, mbi çfarë është e drejtë dhe çfarë është gabim”.[17] “Liria është që të mos të trazojë njeri ty dhe ti mos t’i trazosh të tjerët”.

Cilat të këqija t’i numërojmë më parë robërisë?

Kur s’ke siguri nga shpirti, kur s’të lënë të rrosh, kur s’të lënë të fitosh, kur s’të lënë të mësosh dhe të hapësh mendjen, kur s’të lënë të flasësh. Ç’të  këqija tjera të kërkosh? Liria është një gjë e bekuar që do mbajtur, do ruajtur, do mbrojtur, se ndryshe, na e rrëmbejnë nga dora”[18]. “E vërteta, liria dhe afirmimi, nuk mund të lulëzojnë e të zhvillohen në kushtet e një dogmatizmi që mbyt çdo mendim”.[19]

Lumturia e njerëzimit është qëllimi themelor i tërë krijimtarisë letrare. Është fjala për të mirën. Është qëllimi i plotësimit të të gjitha kërkesave të veprimit njerëzor. Ai i plotëson edhe të gjitha synimet e trimave në veprën e Bedri Tahirit, “Drenica- djepi i trimërisë”. Është, siç thoshte Aristoteli, punë e shpirtit në rrugën e së shkëlqyerës se virtytit”.[20] Parimi i lumturisë më të madhe, i çoi të gjithë utilitaristët, ithtarët e dobisë, në analizën e lidhjes së individit me qeverinë”.[21] Logjika, fizika dhe etika, qëllim përfundimtar, e kanë lumturinë njerëzore. Themelohen në etikë. Për të, luftuan personalitetet më të shquar”[22].

Luigj Gurakuqi, njëri nga përkrahësit më të mëdhenj të trimave drenicas, më 1921, në Parlamentin shqiptar, deklaroi: “Në Pejë e në Gjakovë, gjaku i shqiptarëve po rrjedh pa pra. Njerëzit po therren si berre”.[23] Aspiratat e trimave ishin të përqëndruara në dëshira e frymëzime, në synime e shpresa, për liri, pavarësi e progres. Të pranosh realitetin e bindjeve dhe t’i mbrosh ato me vendosmëri, përbëjnë dallimin e njeriut të qytetëruar, nga njeriu barbar.

Trimat, në veprën “Drenica- djepi i trimërisë”, besën shqiptare e patën themel të veprimtarisë, si element i rëndësishëm etnopsikologjik shqiptar. Është institut zakonor juridik, i kodifikuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Definohet edhe si fjalë e nderit, betim a zotim, për armëpushim, në raste të vëllavrasjes. Duhet të mbrohet e të mbahet me çdo kusht, qoftë edhe duke e flijuar jetën. Konsiderohet si virtyt moral më i shenjtë ndërshqiptar. Daton që nga Mesjeta, për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet fiseve. Thuhet: “Besa â ma fort se vdekja”, “Besa e burrit, pesha e gurit”,[24] etj.

Burrëria e tyre përmban bujari e guxim, qëndresë e vullnet. Dinjiteti i lartë sajon tërësinë e vlerave morale të njeriut. Azem Galica, edhe kur heshtte, shprehte dinjitet njerëzor, me rëndësi të veçantë. Drejtësia, edhe për trimat e Drenicës, do të thoshte ndërtimi i një shoqërie civile, që e administron të drejtën, në mënyrë universale dhe në mbështetje të ligjit. E vërteta, në kushte të ndershme, gjithmonë, ngadhënjen përmbi gënjeshtrën. Nuk do të mund të dilte në dritë, kur mungon tregu i këmbimit të lirë të ideve, energjia intelektuale, guximi moral, gjenialiteti, origjinaliteti e spontaniteti. Shoqëria do të shtypej nën peshën e mediokritetit kolektiv. Këto cilësi, nuk mund të mposhtën, pa lirinë e vërtetë dhe luftën kundër dogmatizmit, që mbyt çdo mendim.

Forcën fizike, trimat, në veprën e Bedriut, e patën si dhunti të natyrës. E dëshmuan që në moshën rinore. Hijeshia e shëndeti ishin fitimtarë ndaj rrethanave të vështira jetësore, kur u mungonte edhe kafshata e bukës. Në lojëra e gara ishin të parët. Demonstronin racën e padyshimtë iliro-dardane. Forca, ende pa i mbushur të njëzetat, sikur u vinte prej qielli. Ideali për luftë mbrojtëse i përcillte kudo. Një popull nuk rron dot pa ideal, pa një shtytje, pa një qëllim, që e bën të ecën, të përpiqet, të punojë e të përparojë. Në veprën e Bedriut, është madhështia dhe nderi i shqiptarit, uniteti dhe bashkimi kombëtar, lumturia dhe progresi i gjithanshëm. Shquhen me maturinë, si virtyt i veçantë, në etikën tradicionale. Te personalitetet, në këtë vepër, forca dhe mençuria kanë shkuar në unitet. Njëra pa tjetrën, kurrë s’kanë pasur efekt të duhur. “I mençuri, edhe duke qenë skllav, është i lirë. I marri, edhe duke qenë mbret, është skllav. Asnjëri nuk është i lirë, kur bën keq. Të ndalosh dikë të bëjë keq, do të thotë t’i japesh liri”.[25]

Trimat drenicas ishin mikpritës të përmendur, ndonëse me kohë të kufizuar. Mikpritja ishte cilësi dominonte e trimërisë së tyre. Ishte institucion i lashtë i jetës dhe kulturës shpirtërore. Miku, në kulla e oda, zë vendin e nderit, sidomos tek Ahmet Delia, Azem Galica e Miftar Bajraktari. “Premja e mikut në besë, asht ma zjarr se zjarri si djeg”. Moraliteti i tyre ishte grumbull normash të sjelljes njerëzore. Me plotësimin e dispozitave përkatëse etike, do të mund të realizohej gjendja e lumturisë, në dimension më të gjerë. Morali dhe mendimi i personaliteteve, trima e trimëresha, që Bedriu na i prezanton në këtë vepër, lidhen drejtpërdrejt me mendimin sistematik të popullit. Bëhen vlera pozitive të kohës dhe të punës, të jetës shpirtërore e shoqërore. Ishin bijë e bija të kombit, që luftuan për kuazën kombëtare.

Nacionalizmi i tyre ishte ideal moral. Ishte etikë e sakrificës heroike. Në raste të veçanta, përligj përdorimin e forcës, për ta mbrojtur atdheun. Në  ndërgjegjën e tyre, kurrë s’patën vend pasiviteti e pesimizmi. Në kuptimin strategjik, për trimat, malet u bënë çerdhe e lirisë së ndjekur nga pushtuesit. Epokat dhe shoqëritë, ku liritë qytetare janë respektuar dhe ku ka pasur tolerancë ndaj pluralizmit të opinioneve dhe të besimeve, kanë qenë oaza të ralla në shkretëtirat e uniformizmit, intolerancës dhe shtypjes”.[26] Sipas tyre, vullneti i njeriut nuk është gjë tjetër, veçse mendimi që shpreh personalitetin e tij me virtytet më të larta, me pathyeshmërinë në jetë, në punë dhe në luftë.

Disa prej trimave e trimëreshave në këtë vepër, nga institucionet kompetente, fituan grada ushtarake, si: nëntoger, kapiten, major, kolonel, gjeneralmajor, gjeneralkolonel, gjeneralarmate, apo gjeneral ushtrie. Të tjerë, u shpërblyen me mirënjohje e urdhra, për merita të veçanta: “Dëshmor i Atdheut”, “Dëshmor i Kombit”, “Hero i Kombit”, “Heroinë e Popullit”, “Medalje e Lartë e Lirisë”, “Urdhëri i Flamurit”, “Urdhër i Flamurit Kombëtar i Klasit të Parë, “Urdhër i Lirisë i Klasit të Parë,” “Urdhër për Veprimtari Politike i Klasit të Parë”.

Asnjë nga trimëreshat e trimat, në veprën e Bedriut, s’ka vdekur me krye në jastëk. Askush prej tyre s’u nda nga kjo botë, pa së paku, një plumb të armikut në ballë apo në dërrasë të gjoksit. U vranë në aksione shfarosëse, apo orfije gjenocidale, me djegie e masakra të pashembullta; me atentate e batare; në burgje, internime, izolime, kampe e llogore. U vranë pas  dorëzimit, për t’i shpëtuar familjet, fëmijë, gra e pleq nga thika çetnike. Dorëzohet edhe kapiteni Shefqet Bylykbashi, me motiv, siç thoshte: “Më mirë të qajë vetëm nëna ime, se sa të qajnë qindra nëna shqiptare. Për asnjë trim si hyn në luftë me armikun, s’dihet se si do të përfundojë”. U vranë edhe në dyluftim, në log të mejdanit, si Sadri Shala, i Çetës Kaçake të Nak Berishës; Kadri Bistrica, etj. U helmosën me ushqim, si Mursel Ahmeti. Shumica ranë në luftëra ballë për ballë, frontale, fytafytas e guerile; duke e mbrojtur pragun e shtëpisë, familjet e veta apo të fqinjëve, si Ahmet Delia. Vriten në mikpritje mashtruese, nga dajallarë, miq e kumbarë, pobratima e njerëz të shitur te armiku. Humbën jetën duke i ndihmuar atdhetarët, dashamirët. Ua morën jetën me rrahje e tortura, therrje, varje e vrasje tradhtisht. Të rralla ishin rastet kur vdiqën nga ndonjë sëmurje e befasishme e me pasoja fatale.

S’mbeti metodë asgjësuese, që serbët nuk e përdorën kundër shqiptarëve. Megjithatë, ata mbetën të pavdekshëm. Emrat e tyre, me krenari, i mbajnë shumë institucione, rrugë e sheshe. U ngritën buste, përmendore e shtatore. Tubimet përkujtimore për ta, janë bërë traditë. U shkruan vepra monografike, historike e letrare, në poezi e në prozë, u shfaqen drama e filma, me trimëresha e trima drenicas si protagonistë. Portretet e tyre madhështore, stolisin muret e ndërtesave më impozante, në vende publike, në zyra e salla. Rapsodi Dervish Goxhuli (1870-1938) krijoi dhe interpretoi këngë epike për Ahmet Delinë e Azem Galicën, Kamer Loshin e Lec Gradicën, Nak Berishën e Dan Derocin, që edhe sot janë aktuale.

Bedri Tahiri dha kontributin më të madh për pavdekësinë dhe përkujtimin e tyre, veçanërisht me veprën “Drenica- djepi i trimërisë”. Për Shotë Galicën, ai thotë: “Emri i saj do të mbetet i shkruar në altarin e pavdekësisë”. Krahas 101 portreteve, ai, në fakt, na dhuroi 101 monografi në miniaturë. Disa prej tyre, si: Ahmet Delinë, Azem Galicën, Hys Popovën, Adem Jasharin, Hasan Prishtinën, Ramadan Bajraktarin, Sadri Kapitin, Jashar Jasharin etj., i ka përjetësuar në libra të veçantë monografikë.

Gjatë punës së tij studimore e hulumtuese autori iu ka përmbajtur kritereve metodologjike shkencore, emërtimit të veprës, vëllimit dhe karakterit. Në lëmin e krijimtarisë së këtij lloji, të natyrës enciklopediko- antologjike, zë ndër vendet më të rëndësishme. Si e tillë, është vepër bashkëkohore, me interes dhe peshë të veçantë. Është risi, në kuptimin e projektit dhe të problemit studimor, të pahulumtuar deri më tash. Përmban lëndë me kualitet të lartë historiko- letrar, origjinalitetit dhe aktualitetit të përhershëm. U përpoq dhe ia doli të jetë në nivel, duke u nisur nga përcaktimi i temës, fizionomia e veprës, dokumentimi i nevojshëm, efikasiteti stilistik dhe korrektësia gramatikore.

Vepra “Drenica-djepi i trimërisë” është tejet interesante dhe tërheqëse. Ndonëse temë qendrore është trimëria, reflekton edhe një tërësi të virtyteve shqiptare. Mbizotëron heroizmi i trimave shqiptarë nga Drenica, që nga Millosh Kopiliqi i shekullit XIV, e deri tek Adem Jashari i ditëve tona. “Në mesin e të gjithë heronjve të rezistencës kombëtare shqiptare, më i spikaturi është martiri i Drenicës, Adem Jashari. Jashari është i fundit, në vargun e gjatë të figurave vendase të rezistencës, që fillon me Kopiliqin”[27].

Vepra e Bedri Tahirit sajon një kapitull të veçantë në veprimtarinë kulturore, në artin, gjuhën e historinë tonë më të re. Dominon edukimi i ndërgjegjës luftarake, për mbrojtjen e atdheut. Bedriu, nuk mund ta shikojë veprën letrare jashtë të mirës etike dhe të bukurës estetike. Arti i tij ka edhe vlerë universale. “Tridhjetë e gjashtë lulëkuqe lirie, stolisën borën e acartë”,[28] është një nga shprehjet më të fuqishme e më të figurshme, të simbolikës letrare, me temë nga luftërat e përgjakshme.

Teksti shkrimor i Bedriut, më tepër, i gjason prozës poetike. I largohet monotonisë së pësrsëritjeve të tepruara të fjalëve të njëjta, në fraza të afërme. Nuk lakmon në pasurimin e gjuhës me fjalë të huaja. Është krijues dhe orator, që, me pak fjalë, thotë shumë. Vërehet qartë aftësia e tij gjuhësore, për të zgjedhur fjalët dhe për të ndërtuar fjalinë, sipas normave të sintaksës, me shkurtësinë pregnante, qartësinë e forcën përvetësuese të çështjeve të trajtuara. “Gjuha është trualli i jetës sonë shoqërore. Është stofa e estetikës, themeli i kulturës dhe qytetërimit tonë”.[29]

E falendëroj Bedri Tahirin, autorin e një opusi të begatshëm historiko- letrar. Si recensues, e vlerësoi lart veprën e tridhjetë e tretë të tij. I dëshiroj jetë të gjatë dhe të lumtur, suksese në punë të pandërprerë, në misionin dhe profesionin e tij të rëndësishëm, artistik e letrar, shkencor e kombëtar. Dëshiroj që, pas veprës “Drenica- djepi i trimërisë 1”, të dalë sa më shpejt dhe bleni i dytë, sepse, besoj se do të pritet mirë nga lexuesit kureshtarë e studiuesit e pasionuar.

Prishtinë, 31 korrik 2015



[1] Beteja e Kosovës 1389, Akademia e Shkencave Shqiptare, Instituti i Historisë, Tiranë 2005, f. 82-102

[2] Isaiah Berlin Idetë filozofike të shekullit XX, Onufri, Tiranë, 2003, 322.

[3] Po aty, f. 220

[4] Ndriçim Kulla, Enciklopedi antologjike e mendimit shqiptar, 1807,1957, Plejad, Tiranë, 2014, f. 6

[5] Branko Merxhani, Formula e Neo-Shqiptarismës, Rilindja, Prishtinë, 1998, f.17

[6] Po aty, f. 31

[7] Pleven, qytet qarkor në Veri të Bullgarisë.

[8] Batun, port në Detin e Zi

[9] Branko Merxhani, Formula të Neoshqiptarismës, Rilindja, Prishtinë, 1998, f. 36

[10] Çajupi, Vepra 1, Rilindja, Prishtinë, 1983, f. 23

[11] Xhermi Benthem (1748-1832), filozof anglez, përfaqësues i iluminizmit, shih Gërliqi, Leksikon i  filozofëve, Rilindja, Prishtinë, 1986, f. 41

[12] Lev Davidoviç – Trocki *1879-1940), politikan sovjetik, shih. Isaiah Berlin, vep. e cit. f. 348

[13] Po aty

[14] Isaiah Berlin, vep. e cit. 228

[15] Lider socialdemokrat gjerman (1825-1864)

[16] Isauag Berlin, vep. e cit. f. 238

[17] Raino Malens – Knut Midgaard, Filozofia politike, Rozafa, Prishtinë, 2007, f. 160-161

[18] Mid’hat Frashëri (Lumo Skëndo), Elita shqiptare, Plejad, Tiranë, 2008, f. 112-113

[19] Isaiah Berlin, vep. e cit. f. 231

[20] Samuel Enoch Stumpf, Filozofia, Tiranë, 2003, f. 98

[21] Shih Gërliqi, Leksikon i filozofëve, Rilindja, 1986, f. 41

[22] Po aty, f. 11o

[23] Po aty

[24] Ali Pajaziti, Fjalor i Sociologjisë, Tiranë, 2000, f. 74

[25] Isaiah Berlin, vep. e cit. f. 285

[26] Isaiah Berlin, vep. e cit. f. 291

[27] Ana Di Dellio, Beteja e Kosovës 1389, Epos shqiptar, Zëri, Prishtinë, 2010

[28] Bedri Tahiri, Drenica, Djep i trimërisë, Prishtinë, 2015, f. 150

[29] Branko Merxhani, Formula e të Neoshqiptarismës, Rilindja, Prishtinë, 1998, f. 156- 158



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora