E shtune, 25.01.2025, 12:29 AM (GMT)

Kulturë

Viktoria Xhako - Autobiografia

E hene, 28.12.2015, 03:29 PM


VIKTORIA XHAKO

AUTOBIOGRAFIA

Quhem Viktoria Xhako me pseudonimin letrar Zhorzh Sand, si një përzgjedhje e imja personale. Jam lindur më 9. 10. 1950 në Durrës (Shqipëri), në një familje të thjeshtë punëtorësh, me babá nga Leskoviku, i zhvendosur në moshë të vogël në Tiranë e më vonë në Durrës dhe me mamá nga Durrësi.

Fëmijëria ime është më e bukura e botës, edhe pse kushtet ekonomike të familjes nuk kanë qenë të mira. Prindërit e mi punëtorë, të drejtë e të ndershëm dhe të përkushtuar për familjen, ndikuan pozitivisht në kultivimin e dashurisë ndërmjet pjesëtarëve të familjes dhe me shembullin e tyre edukuan tek ne, fëmijët, sinqeritetin, thjeshtësinë, korrektesën, butësinë.

Kam nisur të lexoj letërsi artistike në moshë shumë të vogël. Kur isha 9 vjeçe lexova romanin e parë “Historia e njeriut të vërtetë”. Mbresat nga ky libër më ngjallën dëshirën për të shkruar vargje, që shënojnë edhe fillimet e krijimtarisë sime poetike, natyrisht përshkrime fëmijërore rreth ngjarjeve të romanit. Gjatë kësaj kohe ndoqa një kurs të shkurtër për piano dhe u regjistrova në kursin e baletit në shtëpinë e pionierit. Më pëlqenin filmat, këngët e muzikës së lehtë, atletika ku edhe u vlerësova e para në kërcim së larti me rezultatin 1.10m ndërmjet shkollave 7 vjeçare të qytetit, vizatoja dhe dashuroja lulet. Këto kishin qenë dëshira kalimtare, sepse u zbehën përballë dashurisë për lulet dhe letërsisë, që mbetën dashuritë e mia të përjetshme.  Leximi i vazhdueshëm i librave më dha shtysën për të shkruar. Nuk e dija nëse kisha talent, por në familjen apo fisin tim, jam e vetmja që kam shkruar.

Vazhdova të lexoja e të shkruaja gjer në moshën 18 vjeçe, gjer në mbarimin e gjimnazit. Pastaj  pushova së shkruari.

Por pushova gjatë, 42 vjet. Ndërkohë mbarova universitetin në degën letërsi e gjuhë shqipe, rrita dy fëmijë të mrekullueshëm dhe kreva me përkushtim punën si mësuese letërsie në gjimnaz gjer në vitin 1999, kur u largova familjarisht nga Shqipëria.

Rinisa të shkruaj më 9 mars 2010. Nisa me poezi, po si pakuptuar kalova edhe në prozë. Gjithçka, që kisha përjetuar gjatë jetës e derdha në fletë.

Që nga ky moment pena ime nuk do të ndalej. Shkruaja kudo, në dhomën e punës, në ballkon, në rrugë, në shtrat, ditën, natën. Në vende të ndryshme të shtëpisë lija në “gatishmëri” fletushka dhe stilolapsa. Sepse edhe kur lëvizja nëpër shtëpi, në çdo çast mund të shkruaja. Kam udhëtuar shumë. Si makina, si treni, si aeroplani, për mua janë vende mjaft komode për të shkruar. Bile, në këto udhëtime, më krijohet një ndjesi sikur afrohem atje ku nuk kam qenë kurrë duke u futur kështu në një ëndërr. Shumë shkrime të miat janë krijime të çasteve të tilla. Edhe tregimi “Haluçinacione” është rezultat i një udhëtimi, po ndryshe nga të tjerët, i një udhëtimi të zymtë.

Tema qëndrore e shkrimeve të mia erdhi duke u saktësuar gjer në temën përfundimtare, që do të prekte pothuaj të gjithë krijimtarinë: Bota e gruas, jeta e saj e pajetuar emocionalisht, gruaja, që nuk ka mundur të bëhet femër.

Në prill 2011 botova në Tiranë vëllimin e parë me poezi “ZEMËR E NGRIRË”. Krahas poezive vazhdova të lëvroj tregimin dhe novelën. Tregimin e parë e shkruajta më 30 korrik 2010, kur kisha vetëm  pesë muaj që kisha rinisur të shkruaja poezi. Brenda dy muajve shkrova dhjetë tregime, krahas poezive. Pastaj më rrallë, pa ndonjë rregull kohor, gjersa u bënë 19 tregime, të cilat vendosa t’i botoj.. Eksperienca ime më e bukur në prozë janë “Katër tregime” dhe epilogu i tyre, brenda të cilëve lëvrijnë të njëjtët personazhe. I postova në facebook njërin pas tjetrit brenda një muaji. Përjetova një kënaqësi të madhe nga komentet e pafund të miqve, aq sa u ndjeva në zor që u kisha marrë aq shumë kohë për t’i lexuar. Ndërkohë që idenë e lindur që më 2010 për të shkruar edhe një roman, nisa ta vë në jetë.

Në maj të vitit 2012 shkova përsëri në Tiranë, këtë radhë me dy libra: “TAKOHEMI NË QIELL” me poezi dhe “DORA E JETËS “ me tregime, që i botova në Tiranë dhe i promovova në Durrës, në vendlindjen time.

Pas botimit të dy librave puna ime vazhdoi me të njëjtin ritëm tashmë jo vetëm me poezi, po edhe me prozë. Një kujdes të veçantë i kushtova të shkruarit të romanit tim të parë, që mendoja ta mbaroja të paktën këtë vit, por më pengoi gjendja shëndetësore. Në maj 2013 shkova përsëri në Tiranë, ku botova vëllimin tjetër me poezi “TESTAMENTI”, librin tim të katërt. Ky vëllim shënon një rritje cilësore, shenjë që u duk që në vëllimin e dytë. Tek “TESTAMENTI” është një poezi e shkruar ndryshe nga të gjitha poezitë e tjera, me një kombinim vargjesh e skenash, me prolog e epilog, me rimë e varg të bardhë, të matur e të thyer, ku shpaloset gjithë shpirti im si grua, si femër. Titullohet “TESTAMENTI”, dhe i ka dhënë titullin këtij vëllimi.

Po në këtë vëllim veçohet poezia kushtuar Ali Podrimjes. Të shkruash për një njeri e poet të madh si Ali Podrimja është një obligim, që kërkon shpatulla të forta për ta mbajtur. Unë nuk u ndjeva e tillë. Rri urtë, thashë, nuk e bën dot ti. Por erdhi mbrëmja dhe unë, ashtu krejt qetë dhe thjesht , modestisht, siç e kam shkruar edhe në poezi, hodha në fletë vargjet për Ali Podrimjen. Përfytyrova ardhjen  e tij në klasën ku jepja mësim, jo fizikisht, po nëpërmjet vargjeve, që kam komentuar me nxënësit dhe e shkrova poezinë. Kaq ishte. U gëzova që poezia ime ishte zgjedhur për të hyrë në antologjinë kushtuar Ali Podrimjes. Nuk e kisha adresuar gjëkund. Por poezia ime, jo vetëm u botua në atë antologji, po strofa e saj e fundit përmendet si ilustrim në parathënien e antologjisë. Çdokush duhet ta kuptojë emocionin tim që nga 101 poezi u zgjodh për ilustrim vetëm poezia ime. Dhe mirënjohjen!

 

Modestisht për poetin e madh ALI PODRIMJA

 

NË KLASËN TONË

 

Pa trokitur u fute në klasën tonë,

Nën sqetull mbaje një tufë poezi,

Me tëndin shikim të butë, të ngrohtë,

Ëmbël preke sytë e nxënësve të mi.

 

Me ndrojtje lexova vargjet e tua,

Ti veten prezantoje para nesh,

“Unë, biri yt, Kosovë,” komentova...

Dhe ti i yni u bëre për jetë.

 

Në glob janë shpërndarë nxënësit e mi,

Mbase takim s’do të ketë ndonjëherë,

Por emrin shqiptar me vete kanë marrë,

Dhe vargun tënd,

Me krenarinë e shqipes,

Në zemër kanë mbjellë.

 

E diel 22 korrik 2012 ora 23:45

Botuar në ANTOLOGJIA E DHEMBJES POETIKE.

101 përkushtime ALI PODRIMJES

Shtëpia botuese Rugova Art

Prishtinë 2012

Maji i vitit 2014 më gjen sërish në Tiranë ku botova vëllimin e katërt me poezi “BUKË E HIDHUR”, promovimin e të cilit e organizova përsëri në Durrës.

Pas këtij botimi u impenjova seriozisht që ta mbaroja romanin. Puna për romanin ishte intensive, po unë e përballova duke dashur të plotësoj, të mbush boshllëkun 42 vjeçar. Dita ime e punës u bë 20 orë me një pushim fare të shkurtër. Gjatë kësaj pune nisa të ndiej shenjat e para të lodhjes, po nuk u dorëzova Vazhdova të punoj dhe falë vullnetit tim të hekurt arrita t’i realizoj objektivat që i vura vetes. Mbarova romanin “MOS M’I VRIT ARINJTË E BARDHË” dhe njëkohësisht edhe vëllimin e fundit “MONOLOGU I ENIGMËS” me prozë e poezi. Duke mbajtur mbi supe një lodhje të tejskajshme në maj 2015 arrita në Tiranë, ku qëndrova vetëm tri javë, aq sa zgjati botimi dhe promovimi i dy librave, që u organizua përsëri në Durrës, ndryshe nga vitet e mëparshme të qëndrimit prej 5 – 6 javësh në Tiranë.

Kjo lodhje e madhe më mundoi gjatë ditëve atje, por u bë më e rëndë pas kthimit nga Tirana në shtëpi. Prej shtatë muajsh vazhdoj të jem e lodhur.

Aktualisht, në moshën 65 vjeçe “@ Ndihem një grua e zakonshme, që ka bërë punën e saj të zakonshme, që të tjerët e kanë parë vetëm në këtë të zakonshmen e saj. Si një kallëz gruri e vjetër, e shkërmoqur, e shtrirë në fushë. Që buzëqesh kur mendon se ato kokrra të saj, edhe pse shumë të pakta, mund t’i shtohen bukës së madhe që ushqen njerëzimin. Kështu edhe dua të shkoj, me buzëqeshjen e asaj kallëze. Asgjë më tepër.”

“Koha çdo ditë ma ndryshon fytyrën,

Konvencion i thjeshtë është emri im,

Unë ruaj të pandryshuar zemrën,

Rrahjet ia derdh në fletën e bardhë çdo ditë!”

Bëjnë përshtypje dy gjëra të veçanta në jetën time:

1.Edhe pse u martova me të mbaruar gjimnazin, vazhdova rregullisht universitetin ditën, të cilin e mbarova në kohë të rregullt për 4 vjet. Në vitin e dytë të universitetit linda fëmijën e parë.

2.Pas 42 vjet heshtjeje rifillova të shkruaj poezi, pastaj kalova edhe në prozë duke shkruar e botuar për pesë vjet shtatë libra.

 

Rezultati i punës sime 5 vjeçare

 

Kjo është VIKTORIA XHAKO me pseudonimin  letrar Zhorzh Sand.

Po e mbyll këtë jetëshkrim të shkurtër me vargjet:

 

S’e kam fshehur kurrë fytyrën.

Zemrën i kam vënë përpara,

Me krenarinë e të qenit femër,

Me rrudhat dhe flokët e mi të bardha!!!

 

VIKTORIA XHAKO, Dhjetor 2015



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora