E marte, 30.04.2024, 10:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Besiana Guraziu: Poezia e Canajt, lirikë plot magji

E shtune, 26.12.2015, 11:04 AM


Poezia e Canajt, një  lirikë plot magji

Ai me një elagancë të rrallë e gdhend vargun duke veshur me metaforat nga më të bukurat dhe më origjinalet që mund t`i gjejnë vetëm lirikët e rrallë nëpër pyllin e madh të poezisë. Dhe, pikërisht kjo ka bërë që poezia e tij vjen e buzëqeshur tek ne me vargun e vet brilant që ka shenjen e modernitetit.

Shkruan: Besiana GURAZIU

Në 60-vjetorin e lindjes poeti Avdush Canaj na vjen me një dhuratë të çmuar, me vëllimin poetik Ylli pikturon ëndrrën, poezi për fëmijë e të rinj,në botim të Shtëpisë Botuese Rozafa e Prishtinës, 2015. Na vjen, si gjithmonë,poezia e tij brilante me mrekullinë e saj.Një lirikë plot magji, zë ëmbël dhe tepër mahnitëse që del nga kroi shpirtit të poetit të lindur dhe merr udhë botës së fëmijëve, shetitë nëpër ëndrrat e tyre me hënë e yje, nëpër fushat e dëshirave, herë me tren ëndrrash e herë me kuajt e lumturisë duke i shaluar pa frerë e deri tek prehëri i reve të përgjumura ku / detyrat bëhen më mirë,/ më lehtë mësohet matematika,/ të panjohurat flasin vetë:/ 8+2 atje nuk bëjnë 10/ është një barazim i ëmbël:/ 3 akullore me kornetë./f.62 (Në prehër të resë)

Dhe është një ditë, më e bukura ditë, më e lumtura, e shtuna, kur prindërit janë në shtëpi, jo në punë / E puthjeve/ është kjo ditë,/ e puthjeve./f.65 (Dita e puthjeve)

Është kjo poezi me cicërimë zogu të cilën e merr mbi tavolinë po ky zog vere ngaqë i pëlqen e kompozon /në qerpikë të qershisë/ dhe tok me shokët e vet e këndojnë përditë në korin e verës për t`i lumturuar fëmijët, një imagjinatë kjo sa fëmijërore po edhe aq e mrekullueshme më një rafinim artistik.

Poezia e këtij vëllimi poetik, bartë mbi supe dashuri, dashuri për të gjithë, që ka një stacion të vetëm,aty ku zbukurohet dhe rritet /Në stacionin e përqafimeve/ mbush bateritë!/  f. 49 (Në stacionin e përqafimeve). A s`është kjo një gjetje interesante? E, gjetje të këtilla janë të shumta  në këtë vëllim që ia shtojnë vlerën dhe bukurinë artistike.

Poezia vjen edhe në krahët e shqiponjes e veshur me flamur, ka dhembjen, ka gjakun që ende nuk është tharrë bashkë me lotin e zemrës, por edhe krenarinë e madhe për flijimin për lirinë e Kosovës.Përcjell porosinë e madhe për të mos harruar barbarinë që bënë barbarët serbë në luftën e fundit të Kosovës në vitin 1999 ku masakruan edhe fëmijët e pafajshëm, që pikëlluan edhe drurët,prandaj druri / Në shpinë/ këtë gungë/ e hata./nga dhembja/ e ka!/ f.86 (Druri i pikëlluar) ose: / Edhe Zeusi u trishtua,/ harroi të lëshojë shi!/ f.89 ( Edhe Zeusi u trishtua).

Ai me një elagancë të rrallë e gdhend vargun duke veshur me metaforat nga më të bukurat dhe më origjinalet që mund t`i gjejnë vetëm lirikët e rrallë nëpër pyllin e madh të poezisë. Dhe, pikërisht kjo ka bërë që poezia e tij vjen e buzëqeshur tek ne me vargun e vet brilant që ka shenjen e modernitetit.

Disa nga poezitë paraqesin anën tjetër të jetës, atë sociale, varfërinë e skajshme, si në kohën e Migjenit. Janë tablo tepër të dhimbshme, të ndjeshme, që çdo lexues të vemendshëm e prekin në shpirt./ Kur dita mbylli portat/ me zogjtë këngë rrite,/ në fund të kontejnerit/më buzëqeshi një simite./ f.106 (Më buzëqeshi një simite).Por heroi lirik i kësaj dege të pozisë të Canajt, edhe pse fëmijë, nuk  dorëzohet, lufton dhe në fund na del porosia mosdorëzimit. Kemi luftën për jetë: / S`e shtri dorën,jo,/ as s`bëhem dot  lypsar//nesër pas mësimit/ me karron/ time/ do të dal në pazar./ f.111(Edhe për dy ditë)

Vargjet  vijnë me elegance e vet dhe finesen që kanë. Edhe kur janë me varg të lirë, janë të ëmbëla, kanë muzikalitetin e brendshëm që poetë të rrallë e kanë në letërsinë për fëmijë e të rinj. Është fjalëkursyer, me pak  vargje thotë shumë. Ky është misioni poetit të vërtetë./ Dielli është/ dashnor i luleve,/ ju them fëmijërisht// sa herë i puth në faqe/çelin ylberisht!/ ose /Kur ditës së lodhur/s`i mbesin dy hapa,/trenit të gjatë sa rruga/terri i ngjitet prapa!/f.63 (Terri vjen me tren)

Poezitë si Secili fëmijë, Livadhe të ëndrrës, Kushtetuta e gjumit,Në degë rimash, është një pemë, Puqi-puqi në celular,Terri vjen me tren, Drurët e trishtuar e ndonjë tjetër, sipas mendimit tonë, kanë vlera të shquara antologjike.

Poezia e vëllimit poetik Ylli pikturon ëndrrën meriton një studim të gjithanshëm nga studiuesit e lëtrësisë për fëmijë e të rinj ngase ka çka të thuhet, por një gjë dihet sheshazi: është një perlë e vërtetë në sofrën e poezisë. Vetë titulli i vëllimit është mahnitës sikundër edhe vetë titutuj e poezive  metaforike dhe tëheqëse që të grishin për lexim.

Në ciklin e fundit Nëpër xhepa të poezive, me të cilin mbyllet ky libër plot mrekulli poetike, që të ngjet një në një guacë që ka margaritarin brenda, na ngjanë se poeti i përmbyllë kopertinat e jetës, duke i lënë një porosi të birit të vet, Lushit: /… s`pot ë lë pasuri/ si DIKUSH/ edhe nipërve të tij,/ e lere më fëmijëve,// po të lë/ pakëz xhevahirë,/nëpër xhepa t`poezive!/ Por ne lusim Zotin atje lart ku është, të na lë poetin sa më gjatë në mes nesh në mënyrë që të na jap edhe më tej vepra të çmuara.

Falimendit Avdush Canaj për këtë libër me margaritarë të çmuar vlerash antologjike,që s`është vetëm për fëmijë e të rinj, por edhe për të tjerët, të çdo moshe.

Republika e letrave është krenare me ty. Rrofsh!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora