Kulturë
Viron Kona: Peshkatarët
E premte, 25.12.2015, 03:06 PM
Cikël me poezi nga Viron Kona
Peshkatarët
Sa ngriheshim nga rrobat,
suleshim vrap buzë detit,
njësh me ne mbërrinin anijet,
nga peshkimi i natës ktheheshin.
Ktheheshin anijet plot,
ose bosh fare,
ky është peshkimi,
gjueti me halle.
Peshkatarët ishin të njohur,
i kishim në lagje, djem dhe burra,
të thjeshtë kur i shikonim,
zemra-ndezur në aventura.
Heronj në det me dallgë,
në stuhi e suferinë,
kur furtuna i zinte në çark,
kur vëllazëroheshin me delfinë.
Anijet i njihnim sy mbyllur,
oraret për peshkim ua dinim,
niseshin kur perëndonte dielli,
me lindjen e tij vinin.
E dëgjoni sirenën, po vjen “Valbona”!
Ja tek duken “Joni” dhe “De Rada...”,
janë të bukura, të forta, or vëlla,
ehe, janë gjermane, s`bëhet shaka!
Ktheheshin anijet plot,
ose bosh fare,
kështu është peshkimi,
gjueti me halle.
Deti i njihte peshkatarët,
dhe ata e njihnin më mirë,
jo thjesht sipërfaqen ujore,
por dhe rrymat e stuhitë.
Dinin ç`kishte n`thellësi,
koralet, gropat dhe shpellat,
familjet dhe llojet e peshqve,
oktapodët, peshkaqenët, balenat.
Pse po vonohen këtë mëngjes,
asnjëra nga anijet s`duket të vijë,
mos ngushtica ka qenë e pakalueshme,1).
ka pasur erëra të forta, dallgë dhe stuhi?
Peshkimi është gjueti me risk,
nuk del kollaj peshku te shtegu,
s`thonë kot kapitenët e sprovuar,
“Deti është i bukur, por nga bregu”.
Ktheheshin anijet plot,
ose bosh fare,
kështu është peshkimi,
gjueti me halle.
-Erdhën kapitenët! - thoshim atëherë,
ishim ende të vegjël, fëmijë.
Përsëri kapitenë,- u themi,
edhe pse të rritur jemi tani.
Kur i rastisim në rrugët e jetës,
fjalë zemre këmbejmë nga larg:
“-Përshëndetje kapiten, përshëndetje!
Gjuetia të shkoftë mbarë!”
Ktheheshin anijet plot,
ose bosh fare,
kështu është peshkimi,
gjueti me halle.
1).Bëhet fjalë për ngushticën ndërmjet “Kepit të gjuhëzës” në Karaburun dhe ishullit të Sazanit,të quajtur ndryshe “Porta jugore”. Aty pranë është edhe kufiri ku ndahet deti Adriatik nga deti Jon.
Breshka “spiune”
Një ditë njëra nga anijet,
në rrjetë kapi një breshkë,
dikush tha ta çojmë në mol.
një tjetër: ta lëshojmë në det.
E sollën në mol peshkatarët,
të gjithë rreth breshkës u mblodhën,
e preknin, qeshnin, bisedonin,
me shkop i ngacmonin mburojën.
Befas dikush tha se te këmba,
një numër kishte breshka,
është “spiune” - tha Hidoja
“eksperti” i punëve të fshehta.
-Urgjent ta çojmë n`laboratorë,
ta hetojnë ata më mirë,
numri misterioz i breshkës,
kod i armikut të partisë.
E kanë dërguar ata të jashtmit,
të na spiunojnë e provokojnë,
globin e kanë mbushur me spiunë,
të na godasin, të na luftojnë”.
Gjallesën që dyshohej për spiunazh,
e “hetuan” deri sa ngordhi n`laboratorë,
askush nuk guxoi të thoshte,
se numri n`trup të saj, ishte matrikull shkencor. 2)
2. Matrikull shkencor: Në këtë rast numri përkatës( pllakë e posaçme) në trupin e breshkës për qëllime studimore e shkencore. Kur një gjallesë e tillë kapet rastësisht, sipas numrit të matrikullit, duhet të njoftohet qendra shkencore që ndjek lëvizjen e saj.