Kulturë
Tre artistë në Bibliotekën Kombëtare
E premte, 25.12.2015, 10:49 AM
Musë Prelvukaj, Skënder Sopi dhe Besim Gashi janë artistët të cilët u prezantuan me ekspozitë të përbashkët në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ekspozitë kjo që për kurator ka Ilir Muharremin dhe është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte
Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare u hap ekspozita kolektive e tre krijuesve: Musë Prelvukaj, Skënder Sopi dhe Besim Gashi. Ata u prezantuan me vizatime, skulptura dhe piktura. Kuratori i ekspozitës, Ilir Muharremi, kritik arti dhe profesor me rastin e hapjes së ekspozitës vlerësoi se Musa Prelvukaj është piktor i formës, vijës, kompozicionit, stilit, perspektivës dhe ritmit. “Dominojnë hapësira dhe format e tjera reale dhe moderne, të lira që krijojnë ritëm në kompozicion. Veçohen edhe konceptimi i hapësirës, dhe dinamizmi mbas konturave dhe formave të shumëllojshme kontrastesh me tekstura tejet të pasura të realizuara me tragjiken e kohës në një kuptim ideor dhe subjektiv”, tha Muharremi.
Ndërsa, për krijuesin Skënder Sopi kuratori Muharremi pohoi se paraqitet me pikturë përmes së cilës shpreh një qëndrim dhe ecejake vertikale sa dhe horizontale, ndërmjet shtrëngatës, errësirës, zanafillës dhe tokës së djegur. “Me koloritin e ftohtë , ku merr pjesë e blerta, manushaqja dhe e kaltra, shprehë botën ëndërrore, diku edhe imagjinative, por në ca pjesë edhe reale. Ngjyrat e Sopit janë të mërdhezta, ekspresive që më së miri vërehet në hapësirë të kompozicionit dhe formës e cila shkrihet bashkë me kompozicion, por ruan në vete veçantinë. Format janë të përhumbura në hapësirë, diku edhe shqetësuese në kënde të ndryshme të hapësirës, e cila në vështrim të parë të kaplon me qetësi, por nuk qe ashtu, sepse në esencë ngërthen një atmosferë ekspresive diku edhe meta-filozofike ose metafizike”, tha ai.
Ndërsa, për skulptorin dhe piktorin Besim Gashi kuratori veçoi imagjinatën e tij, formësimin e imazhit dhe rikrijimin nga gjendja shpirtërore. “Botën e tij e skulpturon përmes lojës dhe gdhend imazhin, i jep formën nga imagjinata dhe e vërteta, realja, shtresën e jashtme dhe të brendshme e materializon dhe e vendos në rëndësinë e hapësirës, sepse skulptura fokusohet në tre dimensione dhe krijon estetikën, kuptimin dhe vëllimin në hapësirë dhe kohë” tha Muharremi. Sipas tij, tjetërson kafshët mitologjike ilire, në materialin e drurit duke i gdhendur me paramendim, por edhe rrugës gjatë krijimit ndryshon formësimi, dhe prapë mbetet struktura e projektuar në kokë. Titujt: “E nderuara”, “Bërthama me dy embrione”, “Të ngriturit”... janë mjaftë simbolik, grishës, plot tension, shprehet elementi i lëvizjes, me situatë mistike, dhe komunikimi bëhet ndërmjet kokave të gdhendura ekspresiv-simbolik, por në esencë ruan fuqinë e ekspresionizmit, sepse kjo ka të bëjë me gjendjen emocionale dhe shpirtërore. Ekspozita është përcjellë nga shumë artdashës, ndërkaq, në emër të artistëve të pranishmit i falënderoi artisti Prelvukaj. Ekspozita do të rri e hapur deri më 8 dhjetor.