Kulturë
Kristaq Turtulli: ''Të vërteta mbi Ballin Kombëtar''
E enjte, 24.12.2015, 11:24 AM
Mendime dhe mbresa për dhe mbresa librin voluminoz:
‘Të vërteta mbi Ballin Kombëtar me autor Muharem Xhaferi.’
Nga Kristaq Turtulli
‘E vërteta është pranë nesh. Mjafton ta kërkosh. Mjafton të gërmosh pak dhe ajo del në dritë, me shkëlqim të plotë. Me shkëlqimin që ka e vërteta...’ Kështu shkruan në hyrje të librit :
‘Të vërteta mbi Ballin Kombëtar,’ autori Muharem Xhaferi.
Kur përfundon librin voluminoz të stolisur në kopertinë me flamurin kuq e zi dhe kthen faqen e fundit, lexon në të thënien e ndritur të të madhit Mithat Frashërit, mbi individin, shoqërinë e kombin. Thua, me të drejtë Muharem Xhaferi, autori i librit, është ulur të shkruajë duke mbajtur mbi supe peshën e viteve dhe në shpirt përgjegjësinë morale dhe shoqërore, bazuar në dokumente okulare dhe saktësi historike. Ai jep arsyetime mbi logjikën e së vërtetës historike të fshehur qëllimisht. Autori është i guximshëm dhe i përpiktë, mbështetur në dokumente të kohës, mbi të vërtetën historike të pakundërshtueshme, por të nëpërkëmbur pothollogjisht. Të keqtrajtuar brutalisht. Të përçudnuar marrëzisht, për më se pesëdhjetë vjet.
E vërteta është e thjeshtë dhe është e pamundur të fshihet me një të rënë të lapsit dhe të vritet nga breshëritë e plumbave. Të vërtetat s’ mund të mposhten dhe të mbulohen, siç ndodhi në një sistem të ideologjizuar deri në palcë. Për të nxirë me çdo kush dhe çdo mënyrë të gjithë të tjerët që ishin kundërshtarë, e ndriçuar errësirën me dritën e helmët. Por të vërtetat janë si burimet nëntokësorë, sado që përpiqesh ti ndalësh, rrjedhin, gurgullojnë të kthjellëta të pastra dhe shpejt a vonë dalin në sipërfaqe, në dritë.
Shumë nga figurat e madhore të kombit Shqiptar, të cilët sakrifikuan jetën, familjen, kamjen dhe pasuri. Mjaft organizime të tjera të krijuara përgjatë historisë dhe ngjarjeve të rëndësishme janë ndëshkuar, vrarë, internuar, nxirë qëllimisht, tjetërsuar, me të vetmen arsye se ishin patriotë të kulluar, idealistë dhe nuk bënë kompromis me të huajin.
Ne kohën e sotme me ndryshimin e sistemeve dhe mendësive, rrjedhimisht shumë gjëra kanë ndryshuar në mënyrë të natyrshme. Por përsëri nostalgjitë dhe pasionet e së shkuarës në shumë raste nuk kanë ndryshuar. Herë pas here nxjerrin krye me kokëfortësi dhe ligësi, të shtyrë nga mekanizma të ndryshme, ta mbajnë rob historinë dhe të vërtetën.
Në këto dekada dhe kushte të gjata tranzicioni post komunist, është detyrë imediate të rruhet dhe të kthjellohet trashëgimia historike e kombit shqiptar. Dihet që prona e ligjshme në mjaft raste nuk shkoi tek i zoti. Së paku të zbohen hijet dhe të dalë në dritë e vërteta historike. Brezat që vijnë të mos jenë të indoktrinuar siç ishim ne.
Kjo është detyrë e rëndësishme e intelektualëve me mendje të kthjellët dhe e historianëve të paanshëm, kudo që ndodhen në atdhe dhe në mërgim. Të punojnë me përgjegjësi qytetarie, të nxjerrin në dritë të vërtetat ashtu siç janë.
Të vërtetat e përçudnuara për historinë e Ballit Kombëtar, të kësaj organizate të rëndësishme politike, kombëtare shqiptare, e cila përfshinte në atë kohë të gjithë personalitetet, patriotët nacionalistë, pavarësisht nga bindjet e tyre.
Krijimi i kësaj organizate u bë muajin e zi të historisë Shqiptare, në prill të vitit 1939. Si rezultat i indinjatës, revoltës popullore për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste dhe kërkesës imediate për rezistencë dhe organizim e çlirim kombëtar. Shumë nga anëtarët e krerët e kësaj organizate i bënë qëndresë të gjatë pushtuesit italian. Ata luftuan heroikisht me armë në dorë dhe derdhën gjakun.
Ideator dhe frymëzues i qëndresës dhe organizimit të organizatës së Ballit Kombëtar u bë biri i shquar i familjes së lavdishme Frashëri. Djali i kolosit të rilindjes Shqiptare Abdyl Frashërit, intelektuali dhe patrioti i shquar Mithat Frashëri (Lumo Skëndo). Mithati ishte nipi i Sami Frashërit dhe nipi i Naim Frashërit . Mithat Frashëri ka qenë një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX.
Mithat Frashëri ky burrë i shquar, bir i denjë i Frashëllinjve. Qysh në fëmijëri, në këtë familje të ndritur, u pajis me kulturë të gjerë dhe u brumos me dashurinë për atdheun e robëruar dhe ndjenjën kombëtare. Ai luajti rol të madh në ngjarjet më të rëndësishme të historisë së kombit Shqiptar, me organizimin e ngritjen e flamurit në Vlorë së bashku me plakun e mençur Ismail Qemali, më 1912. Me mbarëvajtjen e forcimin e shtetit të parë shqiptar dhe deri në fund të jetës së tij, më 3 tetor 1949 në Nju Jork, SHBA.
Organizata e Ballit Kombëtar qysh në ditën e parë të themelimit me dekalogun e famshëm, kishte divizën e madhe dhe mjaft kuptimplote: ‘ Shqipëria e Shqiptarëve, vdekje tradhtarëve.’ Janë dëshmi pretenduese për vete shoqërinë shqiptare, të tradhtuar nga ideologjia dhe interesat e një sistemi të kapërcyer, por fatkeqësisht jo pa pasoja për vetëdijen kombëtare, të kombit Shqiptar.
E vërteta për një gjë është më e rëndësishme se e vërteta për gjithçka.
Me fakte konkrete dhe dëshmitarë okularë, autori na paraqet se cilët ishin kryesorët në atë ngjarje të madhe dhe jo siç është trumbetuar. Jep tablonë reale të mbledhjes së Mukjes më 1 gusht 1943 . Vendimet e rëndësishme që dolën nga kjo mbledhje, rikrijimin e një komiteti me përfaqësues të barabartë nga të dy anët me emrin: ‘Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë.’
Në mbledhje u vendos, të luftonin së bashku për shporrjen e okupatorit dhe krijimin e një Shqipërie të pavarur, etnike, ku të përfshiheshin të gjitha trojet shqiptare; Shqipëri, Kosovë, Çamëri etj. Në themel të gjithçkaje ishte patriotizmi shqiptar, pa kompromis. Që dhe sot e kësaj dite kjo çështje dhe dëshirë, patriotizmi dhe ruajtja e ndjenjës kombëtare ka rëndësi të madhe e të patjetërsueshme. Në ngjizjen me realitetin dhe të përditshmen e kohës së vrullshme në të cilën jetojmë.
Por siç dihet ëndrra, dëshira dhe përpjekja e patriotëve shqiptarë në mbledhjen e Mukjes nuk u realizua për shkak të tradhtisë së madhe të komunistëve, të shtyrë nga të dërguarit e jugosllavëve, themeluesit realë të partisë komuniste shqiptare. Kjo çarje e pikë kulmore e bashkimit kombëtar, solli si rezultat luftën e civile, vëllavrasjen, që ishte një fatkeqësi e madhe kombëtare. Dhe sot e kësaj dite fatkeqësisht është akoma e pariparueshme. Për shume vite me radhë vëllezërit kosovarë u keqtrajtuan nga serbët, deri sa më në fund pas shumë rezistencë dhe përpjekjesh erdhi liria e tyre e shumëpritur. Sot e gjithë ditën qindra familje çame jetojnë larg trojeve të parëve.
Ja ç’thotë ndër të tjera mendimtari dhe patrioti i shquar Mithat Frashëri:
‘Megjithëse jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e të gjithë atyre që së bashku formojnë komin. Do të na donte shpirti që çdokush të sakrifikojë pesë minuta në njëzet e katër ore dhe të hetojë nga thellësia e vetes së tij se, ç’shërbim ka bërë për shoqërinë dhe ç’të mirë mund t’i bëjë kësaj shoqërie që quajmë komb.’
Fill pas përçudnimit të këtij momenti të rëndësishëm, Mbledhjen e Mukjes, ndjekim faqe pas faqeje dhe hap pas hapi se çfarë ndodhi më pas, të gjithë rrjedhën e historisë. Dihet persekutimi dhe përndjekja e patriotëve, familjeve të mëdha dhe figurave shquara.
Duhet të jemi të ndërgjegjshëm, sikur të mos kishte ndodhur kjo, historia dhe fati i Shqipërisë do të ishte rrjedhur dhe shkruar ndryshe...
Po kush është autori i këtij libri të rëndësishëm për historiografinë shqiptare:
Muharem Xhaferi ka lindur në Picar të Gjirokastrës në 1936. Kam baruar arsimin e mesëm dhe ka punuar si elektricist. Në fillim të vitete 90, u aktivizua në politikën Shqiptare për ringjalljen e Ballit Kombëtar në Shqipëri.
Muharemi është një nga nismëtarët e parë në këtë aktivitet dhe qysh në fillim u zgjodh në udhëheqje e kësaj partie. Ai u mor me organizimin dhe shtrirjen nëpër rrethe të ndryshme të vendit si dhe jashtë atdheut.
Muharem Xhaferi sot banon në Toronto, Kanada. Edhe aty është aktiv në mbarëvajtjen dhe organizimin e komunitetit shqiptar të atyshëm. Shtatlartë, i qeshur, i kudo gjendur dhe i papërtuar, organizativ i zoti është zgjedhur president(kryetar) i shoqatës së bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze për dy mandate, nga viti 2003- 2005 dhe nga viti 2006-2008. Sot është i zgjedhur anëtar nderi i kryesisë së kësaj bashkësie.
Duke e mbyllur këtë shkrim për një libër me vlera të qenësishme për historinë dhe autorin e saj të nderuar, i cili punoi kudo që u ndodh me përkushtim, ndershmëri dhe patriotizëm. Mendoj se Muharem Xhaferi me punën e tij të palodhur disa vjeçare, mblodhi materiale dhe nxori në dritë të vërtetën. Ndaj e shoh më se të dobishme botimin e këtij libri në kuadrin e rishkrimit të historisë ashtu siç ka qenë në të vërtetë.