Kulturë
Bajram Çeliku: Gjurmëve të kaçakëve - Asan Balla
E shtune, 19.12.2015, 07:03 PM
GJURMËVE TË KAÇAKËVE
TË SHQIPËRISË ETNIKE
(ASAN BALLA – SHARKU)
NGA BAJRAM ÇELIKU – BALI
Kaçaku i maleve, Asan Balla me pseudonimin ,,Sharku”, lindi në fshatin Cërvicë të Kërçovës. Që në fëmijëri u tregua i aftë dhe shumë i zhdërvjelltë në mesin e shokëve dhe moshatarëve të tij. Duke shikuar shkathtësitë e tij, shokët e pagëzuan me pseudonimin ,,Sharku”. Rritej dalëngadalë, por me tipare të një trimi të vërtetë, tregonin burrat më të moshuar të fshatit. Këto fjalë i dëgjova edhe nga nipërit e tij Azem dhe Asan Balla, me të cilët kam biseduar disa herë për veprimtarinë patriotike të gjyshit të tyre.
Nipërit kishin dëgjuar nga më të vjetrit nga fshati se, gjyshi i tyre që në fëmijëri në zënka me moshatarët e tij, gjithmonë kishte dalë fitues dhe i pa mposhtur. Paska shkuar nëpër konakë të dasmave dhe atje, kishte dëgjuar rrëfime nga më të moshuarit për trimëritë e shumë burrave shqiptar, që patën luftuar ndaj pushtuesve të ndryshëm, duke i dalë zot Vatanit.
Aasn Balla, kur është rritur dhe bë burrë, edhe ai vendosi të dalë në mal dhe me pushkë në dorë t’i dalë zot Vatanit të tij, që ndodhej nën sundimi turk, duke iu bashkuar shumë trimave që vepronin nëpër malet e Dibrës e vende të tjera ku ishin përqendruar shumë kaçakë shqiptar. Vizioni i tij ishte çlirimi i trojeve shqiptare nga robëria shumë shekullore turke, dhe formimin e Shtetit të pavarur shqiptar në suaza të trojeve etnike. Si që mësova nga disa familjarë të tij, por edhe nga disa burra më të moshuar të fshatit, Asan Balla pat vendosur që të ndjekë rrugën e bashkë fshatarit të tij nga mëhalla Çelike, Dervish Emin Çelikut, që në shumë shkrime emri i tij përmendet si Emin Xhambazi nga Kërçova. Cën Balla, si që e thërrisnin fshatarët e tij, që në moshë të re del në malet e Dibrës dhe atje vepron me gjashtë shokë nga fshatrat e Dibrës, si kaçak mali. Me shokët nga Dibra sulmonte karavanet turke që mblidhnin haraçet nga trojet etnike shqiptare për t’i dërguar në Stamboll. Aasaj kohe me shokët e tij kaçakë, sulmonte me një shpejtësi të paparë, dhe pasi i eliminonte përcjellësit e karavaneve turke, drithin dhe plaçkat ua kthente fshatarëve nga të cilët qenë marrë ato me dhunë.
Shokët e tij nga Dibra e donin dhe e respektonin shumë, prandaj e patën emëruar si udhëheqës të tyre. Grupi kaçak që e udhëhiqte ai, sipas rrëfimit të nipit të tij Azem Balla, por edhe disa pleqve të fshatit Cërvicë, nuk ka qenë shumë i madh në numër. Ky grup kaçakësh sipas rrëfimit të tyre ka numëruar pesë deri në shtatë shokë, por ishte tmerr për përcjellësit e karavaneve turke. Përveç këtij grupi sipas rrëfimit të Mefmedali Ballës, me të cilin kamë biseduar disa herë rreth veprimtarisë kaçake të Asan Ballës, në malet e Dibrës dhe matanë kufirit në pjesën e sotme që i takon Shqipërisë kanë vepruar edhe grupe të tjera kaçakësh, me numër edhe më të madh. Një grup i tillë si që rrëfen Mefmedali Balla, ka qenë edhe grupi i kaçakut të Shqipërisë, Hoxhovi i cili numëronte mbi njëzetë kaçakë.
Bashkëbiseduesi im më rrëfeu një ngjarje ku shokët kaçakë të Cën Ballës, kishin ndodhur në afërsi të grupit tjetër në krye me kaçakun e njohur Hoxhovin, duke provokuar Cën Ballën se nuk ka burrë të shkon e t’ia merr kollanin me fishekë Hoxhovit, që qëndronte varur në degë të një lisi. Kërcen në këmbë Cën Balla, rrëfen Mefmedali Balla, dhe thotë që ai do të shkojë dhe do ta rrëmbejë kollanin nga dega e lisit. Vjedhurazi i afrohet lisit përderisa kaçakët e Hoxhovit së bashku me të qenë larguar pak më larg lisit ku qe varur kollani me fishekë, dhe pa u diktuar fare ia rrëmben kollanin dhe ua sjellë shokëve të vet kaçakë. Të gjithë habiten se, si pati aq guxim e trimëri të bënte një veprim të tillë, sepse atij kaçaku as mund t’i ofrohej kush, e as të bëjë bile as dy llafe, sepse nuk e priste gjallë më dita e nesërme, e jo të shkosh e të ia rrëmbesh kollanin me fishekë, që ndodhej varur në degë të lisit në atë mal të lartë ku nuk pat shkelur as këmba e turkut e pushtuesve tjerë shekullor.
Bashkëbiseduesit e mijë më thanë se, për Cën Ballën ka shumë të thëna, por ata mbanin mend rrëfimin që patë ndodhur mbi fshatin Reshtan të Kërçovës. Sipas rrëfimit të tij Cën Balla (Sharku), si që e patën pagëzuar fshatarët e Cërvicës, duke ndjekur karavanet turke që vinin nga Shqipëria ditë e natë, na kishte mbetur i uritur së bashku me shokët e tij kaçakë nga Dibra. Sipas rrëfimit të Azem Ballës, paskan qenë shtatë kaçakë, zbretë në fshatin Reshtan të Kërçovës, të cilët edhe sot e kësaj dite i takojnë kofesionit ortodoks, që sipas më të vjetërve janë me prejardhje shqiptare, të shpërngulur nga fshati Llap Doll, që gjendet pak më lartë në afërsi të këtij fshati. Pasi hy në fshat fshehurazi hy në një shtëpi ku banonte një grua me një djalë të vogël. Ia rrëmben djalin shkinës dhe i thotë që të përgadisi ushqim për shtatë vetë, shokë kaçakë të tij që gjenden mbi Reshtan, se për ndryshe djalin e sajë të mitur nuk do ta shihte më me sy të gjallë.
Shkina duke parë se nuk ka rrugëdalje tjetër përgatit ushqim për shtatë vetë dhe ua dërgon te vendi i caktuar ku qenë marrë vesh që më parë, ku qëndronin kaçakët e malit nga Dibra dhe djali i mitur i sajë. Pasi e lë ushqimin aty, sipas fjalës së dhënë, shkina merr djalin e sajë dhe e dërgon në shtëpi shëndoshë e mirë, ndërsa kaçakët pasi hanë ushqimin, vazhdojnë rrugën e tyre drejtë maleve të Dibrës, ku i pritnin aksione të reja kundër tagrambledhësve turq që vinin nga trojet etnike shqiptare.
Përderisa, vepronte nëpër male të Dibrës ai nga dibranët dëgjonte se si shqiptarët kanë nevojë të mblidhen në numër sa më të madh për të luftuar për Pavarësinë e Shqipërisë, dhe për të formuar një Shqipëri Etnike, e cila do të bashkonte të gjitha vendet ku jetonin shqiptarët. Me fillimin e luftërave ballkanike dhe copëtimin e trojeve shqiptare nga Serbia, Greqia dhe Bullgaria, kaçaku i maleve Cën Balla (Sharku), do të vazhdonte luftën përsëri nëpër male të Dibrës, i ndjekur këmba – këmbës nga pushteti okupator serb, duke qenë i detyruar të lëviz në drejtim të Kosovës, më saktë ndalet në Prizren. Këtu punësohet në një furrë buke, me qëllim të mos hetohet nga pushtuesit serb, por për fat të keq hetohet nga serbët dhe burgoset në burgun e Prizrenit. Fal një shoku të tij edhe ai kaçak nga Prizreni të ndihmuar nga disa kosovar trima të atij vendi, arratiset nga burgu dhe në rrethana shumë të vështira ikin në Rumuni edhe atë, në Bukuresht. Ky qytet aso kohe ishte si strofull e shumë atdhetarëve shqiptarë që punonin për çështjen shqiptare. Edhe Cën Balla së shpejti u bashkohet këtyre atdhetarëve duke dhënë kontributin e tij në lidhje me Çështjen kombëtare shqiptare.
Sipas bashkëbiseduesve të mi, aso kohe në Bukuresht të Rumanisë, punonin dhe vepronin për çështjen shqiptare edhe shumë aktivistë dhe atdhetarë të flaktë nga Kërçova, në mesin e tyre edhe Jusuf Ali Beu. Ky atdhetarë i dalluar thotë njëri nga bashkëbiseduesit e mijë, ka organizuar shqiptarët nga rrethina e Kërçovës për të luftuar për bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët etnik shqiptarë. Për fat të keq kaçaku i maleve Cën Balla, këtu në Bukuresht të Rumanisë, sëmuret rëndë, dhe shokët e dërgojnë në spitalin e Bukureshtit. Mjeku porosit shokët e Cën Ballës, që sa më shpejtë ta kthejnë në vendlindje, sepse gjasat për të jetuar janë të vogla.
Një kushuri i tij nga fshati Llagje me emrin Elmaz, nga familja e njohur e Dervish Nures, e lut që të ia nxjerrë biletën për ta kthyer në shtëpi, por Cën Balla e kundërshton atë si bashkëvendas. Pasi e lusin edhe shokët tjerë disa herë, pranon dhe e sjellin deri në Gostivar, e prej atje e hipin në një karrocë dhe e sjellin deri në Bukoq, ku para i dalin familjarët e tij dhe e sjellin në shtëpi.
Bashkëbiseduesit e mi, rrëfejnë sesi i kishin shkuar në vizitë, dhe si kaçaku i maleve qëndronte shtrirë në krevatin e tij i pa aftë që të çohet nga vendi. Dukej i mplakur shumë rrëfenin bashkëbiseduesit e mi, por nuk i kishte më shumë se tetëdhjetë vjet. Pas tre ditëve pasi u kthye në shtëpi ndërron jetë kaçaku i maleve nga fshati Cërvicë, Asan Balla me pseudonimin ,,Sharku” dhe varroset në varrezat e fshatit të tij të lindjes.
Vepra e tij dhe sakrifica që bëri ai për të mirën e popullit shqiptar, nuk do të harrohet kurrë, jo vetëm nga cërvicasit por edhe nga të gjithë shqiptarët anë e mbanë trojeve shqiptare kudo që jetojnë në ditën e sotshme. Ideali i tij ishte çlirimi nga pushtuesitt e asaj kohe dhe formimi i një Shqipërisë Etnike, atdhe ku të gjithë shqiptarët do të jetonin në një shtet të përbashkët e të lirë.
Pas tri ditëve, pasi bëhet varrimi i trupit të tij, rrëfen Azem Balla nipi i tij, në Cërvicë vijnë disa banorë të fshatit Reshtan, që aso kohe kishin marrë pozita të majme nga pushteti i atëhershëm komunist, sepse kishin qenë partizanë gjatë luftës së dytë botërore, dhe kishin kërkuar nga kryeplaku i fshatit, Isa Xhambazi, që të hapet varri i kaçakut Cën Balla, e të vërtetohen se me të vërtetë ka vdekur. Kryeplaku i fshatit dhe fshatarët tjerë nuk lejojnë që trupi i pajetë i kaçakut Cën Balla të hapet, dhe vetë kryeplaku garanton se kaçaku i maleve është i vdekur, dhe se atij duhet besuar. Për t’u siguruar që Reshtanasit të mos hapin varrin e kaçakut të ndjerë, tregon Azem Balla fshatarët e Cërvicës kanë organizuar roje te varri i të ndjerit Asan Balla, duke e ruajtur varrin ditë e natë.
Sot, pas shumë vitesh nga vdekja e tij, emri i tij përmendet me shumë krenari, jo vetëm në Cërvicë por edhe kudo që e njohin veprën e tij patriotike, në interes të Çështjes kombëtare shqiptare. Duke dëgjuar për veprën e kaçakut Asan Balla, vendosa që pak a shumë të ndriçoj kontributin e tij me këtë shkrim, që dha për Çështjen kombëtare shqiptare. Radhën ua lë historianëve nga Kërçova e më gjerë, që në të ardhmen, nëse u bie në dorë ky shkrim, por edhe materiale të tjera lidhur me veprimtarinë e këtij kaçaku nga Cërvica, le të japin edhe ato kontributin e tyre, si nga jeta e tij si kaçak, poashtu edhe nga veprimtaria e tij me atdhetarët tjerë në Bukuresht të Rumanisë...