Kulturë
Baki Ymeri: Hazir Mehmeti - ''Shëngjergji''
E merkure, 16.12.2015, 08:44 PM
TREGIME MËRGIMTARE VLERASH TË VEÇANTA SHQIPTARE
(Hazir Mehmeti, Shëngjergji dhe tregime tjera. Amanda Edit, Bukuresht 2015)
Nga Baki Ymeri
Hazir Mehmeti është një krijues i veçantë dhe i talentuar, gjithmonë në shërbim të atdheut dhe mërgatës shqiptare. Si krijohet piktura, kënga, poezia, tregimi apo romani? Mëndja e stimuluar ngritet përmbi horizontin e mendimeve të rëndomta. Duke vepruar me ndihmën e imagjinatës krijuese, ajo bëhet e disponueshme për gjithëkend. Flitet se shumica e njerëzve hyjnë në periudhën më të jashtëzakonshme të përmbushjes, pas moshës dyzet vjeçare. Kështu ngjet edhe me autorin e kësaj vepre. Përvoja e gërshetuar me imagjinatën ndikon që krijuesi të na ofrojë një gamë vlerash adekuate, letrare dhe artistike. Libri “Shëngjergji dhe tregime tjera” është një fragment nga historia e vendlindjes dhe ajo e mërgatës shqiptare gjithandej në botë.
Autori vjen para lexuesit me një qartësi dhe fuqi të veçantë të aftësive krijuese. Tregimet janë të qëndisura me një gjuhë të pasur, me ide dhe me dëshirën e zjarrtë të autorit për të dalë në ring para lexuesve të tij. Nga vjen frymëzimi dhe meditimi i shprehur në faqet e kësaj vepre? Nga ngjarjet e rëndomta, nga aftësia për transponimin e tyre në art, nga dashuria e hatashme ndaj njerëzve, ndaj vendlindjes, ndaj atdheut, ndaj edukatës, ndaj gjuhës amtare dhe arsimit shqip, ndaj bashkatdhetarëve tanë në vendlindje dhe në diasporë, që digjen nga malli ndaj atdheut dhe nga përmallimi për të komunikuar në gjuhën e hyjnive.
Tregimet janë të fërshetuara me talent dhe përgjegjësi. Ato përfaqësojnë një gurrë të vlefshme frymëzimesh, jo vetëm për lexuesit, por edhe për kritikët e etshëm për ta njohur historinë e ekzilit shqiptar. Autori vazhdon të kërkojë parajsën tokësore dhe qetësinë shpirtërore, duke e kompletuar kështusoj idenë qëndrore të librit. Personazhet i përkasin botës amtare dhe botës së huaj. Që nga faqet e para ato përfaqësojnë për gjeretatat e reja legjenda të gjalla, modele dhe shembuj për mëndje, imagjinatë dhe shpirt. Libri sjell në vëmendjen e lexuesit një botë interesante, kujtime të bukura, ngjarje dhe karaktere humane, ndjeshmëri dhe aftësi për përshkrimin e fshatit, të qytetit dhe të ambientit shqiptar.
“Shëngjergji” mbetet në kujtesë si një tregim që fitoi një çmim letrar. Pas tij vjen “Qielli Tymzi” me bombardime fshatrash e do përshkrime reale, si: “Lugina e rrethuar me kodra në Bjeshkqyqen e lartë ishte bërë strehë e banorëve të fshatrave që granatoheshin papushim. Gurgullima e përroit që vinte nga lart e kishte humbur zërin e tij të vërtetë. Dukej që sillte vetëm vuajtje, frikë e tmerr. Rafalët e mitralozave gjithandej, rënkimet e pleqve dhe të sëmurëve, vajet e fëmijëve, ishte përjetim i përditshëm.” Ka edhe shembuj tjerë që meritojnë të citohen, por këto po i a lëmë lexuesit dhe kritikës letrare. Autori posedon prirje për të nxjerrë në pah esencën e jetës, gëzimet dhe shqetësimet, përjetimet dhe artin e shndërrimit të fjalëve në dritë.
BIOBLIOGRAFI
Hazir Mehmeti u lind më 1952 në fshatin Besnik (ish Beçiq). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Shkollën Normale në Mitrovicë, Fakultetin e Shkencave Natyrore (drejtimi i Biologjisë) në Prishtinë. Punoi mësimdhënës në gjimnazet Skenderaj, Drenas dhe Vushtrri. Pas kundërshtimeve të planeve pushtuese serbe dhe dalja e Këshillit Pedagogjik Komunal nga sistemi shkollor i pushtuesit serb, emërohet Këshilltar Pedagogjik për shkollat e komunës së Vushtrrisë për lëndën e biologjisë. Ai punoi bashkë me kolegët Shaban Krasniqi, Syleme Gogoli, pa kurrfarë kompensimi krahas mësimit të rregullt në gjimnaz.. Ishte aktiv në organizimin e nxënësve brenda shkolle bashkë me shokët e kolektivit në kundërvënie ndaj sulmeve që i bëheshin arsimit shqip. Nga shokët e kolektivit zgjidhet Kryetar i Këshillit të Punëtorëve për disa vite. Ky këshill u formua pranë Qendrës Shkollore ,,Muharrem Bekteshi”, në kundërshtim me ato zyrtare të pushtetit. Me formimin e Sindikatave të Pavarura në kundërvënie të atyre të pushtetit, zgjidhet prapë nga kolektivi i shkollës sekretar i Sindikatës së Pavarur. Bashkë me disa kolegë ishte përpiluesi dhe nënshkruesi i dokumenteve protestuese në mbrojtje të shkollës shqipe. Nga pushteti pushtues u cilësua si pjesëmarrës në organizimin e protestave në Qendrën Shkollore, ku punonte, bazuar në këtë, sigurimi serb e arreston disa herë, duke u cilësua si i papërshtatshëm. Pasi pushteti serb mbyll shkollat shqipe dhe ndërprenë financimin e tyre ai për shtatë vjet punon në mësimin e organizuar në shtëpi private në Vushtrri, Nevolan dhe Dubovc. Sigurimi serb e demoloi banesën e tij (10 e 11 gusht 1996) duke e keqtrajtuar familjen dhe dëmtuar banesën.
Nga rrethanat e rënduara kalon në ilegalitet prej nga në gusht të vitit vitin 1996 shkon në Austri ku i sigurohet strehimi i të përndjekurit politik. Atje kryen disa kurse gjuhësore, nostrifikon diplomën e Universitetit. Fillimisht e siguron ekzistencën me punë fizike, kurse nga viti 1999 u angazhua në procesin mësimor me nxënës shqiptar. Mori pjesë në seminare në disa vende me me kumtesa. Është pjesëmarrës aktiv në projektet gjuhësore në kuadër të Austrisë e më gjerë. Është hartues i materialeve mësimore në gjuhën shqipe dhe përgjegjës për materiale mësimore në faqen e internetit për gjuhën shqipe pranë Ministrisë së Arsimit të Austrisë. Është autor i “Tekst ushtrimi 1” dhe “Abetare”- Fibel e botuar me mbështetjen nga Ministria e Arsimit të Austrisë, Librit publicistik “Udhëtim S”. Është bashkautor i teksteve mësimore për mësimin shqip në diasporë. Disa nga ato i prezantoi në seminaret e organizuara si tekste mësimore për gjuhën shqipe krahas gjuhëve tjera amtare që mësohen në Austri. Përveç aktivitetit mësimor merret edhe me publicistikë. Artikujt e tij janë botuar në dhjetëra gazeta e revista shqiptare në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. Ishte bashkëpunëtor i gazetës “Zëri i Ditës”, përfaqësues dhe gazetar i gazetës ditore ,,Fakti Ditor”. Është bashkëpunëtor i revsitave “Zemra Shqiptare”, “Albanezul”, “Albinfo.ch”, “Dielli Demokristian”, “Ura” etj. Është anëtar i Asociacionit Ndërkombëtar të Gazetarëve të Pavarur me seli në Florida, po ashtu bashkëpunëtor i disa gazetave dhe revistave si dhe Radio Dukagjinit. Gjithashtu është njëri nga themeluesit e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri, ku është edhe anëtar kryesie.