E enjte, 23.01.2025, 12:33 PM (GMT)

Kulturë

Tahir Desku: Një stil tepër i veçantë

E diele, 13.12.2015, 09:55 AM


Një stil tepër i veçantë

Shkrim i emituar në valët e Radio Kosovës për librin për fëmijë “Lulja që qan” të Nexhat Halimit

Nga Tahir Desku

Rregullat e teorisë letrare tradicionale zakonisht bëjnë ndarjen e letërsisë për të rritur dhe të letërsisë që krijohet për më të vegjlit, ndërkaq bashkohorizmi letrar ka bërë  thyerje të disa rregullave që janë përdorur më herët si terma letrare. Bie fjala teoriticientë të ndryshëm të kohës  sonë thonë se ka vetëm një letërsi çfarëdo lloj dedikimi të jetë krijimtaria e secilësdo moshë. Ajo është vetëm krijimtari letrare e asgjë tjetër. Po ashtu periodizimi apo brezat siç jemi mësuar të themi ne për shkrimtarë brezash të ndryshëm, edhe kjo ka rënë tash nga fjalori i përditshëm teorik letrar. Pra ka një letërsi në kontinuitet të përhershëm e jo siç jemi mësuar të themi se këta shkrimtarë u takojnë viteve të `50-ta, `60-ta apo `70-ta. Ajo që bënte këtë ndarje më parë ka të bëjë vetëm me aspektin historik e letrar, është çështje datash, të cilat nuk kanë ndonjë rëndësi të veçantë. Teoritë e sotme letrare thonë se vepra e bukur artistike nuk ka rëndësi kur është shkruar, madje as kush e ka shkruar. Ka një rëndësi të vetme se është shkruar një vepër madhore letrare. Kaq, Ja pse këtë shkrim e fillova me këtë mendim. Sepse libri për të cilin do të flasim në vazhdim i takon një natyre specifike. I dedikohet të vegjëlve e në fakt autori përdorë gjuhën për lexuesit e rritur, madje edhe temat që trajton janë madhore. Poeti Nexhat Halimi është një ndër krijuesit më të suksesshëm të letërsisë bashkëkohore. Ai me krijimet e tij paraqitet qysh në vitet e `70. Pas një pauze të gjatë të krijimtarisë ai këto ditë shfaqet me vëllimin “Lulja që qan”, vepër kjo e cila shquhet për një formë fare të re të shkrimit, të kulturës së shkrimit. Një tematikë bosht  dhe një stil tepër të veçantë. Kjo tematikë është dashuria, dashuria për njeriun që mungon, për lirinë e përgjysmuar dhe kohën e pakohë. Në mesin e të gjitha këtyre fenomeneve qëndron Zana, e cila është kult i të gjithë dashurisë. Komunikimi i autorit me Zanën përmes gjuhës poetike është i shlirshëm dhe komunikativ. Lamentacionet e qeta lirike të shprehura me ndjenjën e dhembjes deri diku shqetësuese vijnë si zëra që shënjojnë largësinë me njeriun e dashur, njeriun që mungon, atë njeri për të cilin  shkruhet  e me të cilin komunikohet përmes figurave poetike. Rrjedhja e valëve të kësaj poezie  vjen si valët e një lumi të qetë e brenda kësaj qetësie ka një rrëmbim të furishëm. Libri “Lulja që qan”  hapet me poezinë  “Letra e 31 dhjetorit për Zanën”, pastaj fillon ndarja në dy njësi – Fjala është identiteti ynë, lulja e agut në dritare dhe Aty ku është ai aty është liria. Libri është i organizuar vetëm në këto  dy njësi, ndonëse tërësisht kjo përmbledhje është një poezi ose më mirë të themi një poemë e gjatë, e bukur, që të josh dhe të bën për vete, por kjo nuk është ndonjë befasi kur dihet se kemi të bëjmë me një penë të sprovuar e të dëshmuar, siç është poeti Nexhat Halimi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora