E diele, 13.10.2024, 06:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Kosova dhe kodi poetik i Neki Lulajt

E premte, 11.12.2015, 08:47 PM


KOSOVA DHE KODI POETIK I NEKI LULAJT

Nga Baki Ymeri

Talenti është një temperament vullkanik dhe ekspresiv. Edhe te “Kodi i tokës” (Vllamasi, Tiranë 2015), Neki Lulaj e shpreh talentin e tij, siç pat vepruar edhe në shtatë vëllimet paraprake. Lirikën e tij e shquan lëngu i ndjeshmërisë dhe ndjenja e atdhedashurisë. Jo më kot e kemi konsideruar si poetin më të talentuar në korpusin e krijuesve tanë në trojet gjermane. Struktura e librit ndahet në dy pjesë. Në 174 faqet e para vjen lënda në gjuhën shqipe, kurse në faqet e fundit jepet një cikël poetik në gjuhën gjermane, në përkthim të Zonjës Renate Muller.

Fillimisht vlen të theksohet se librit i paraprin një parathënie briliante e shkrimtarit Namik Selmani (Kodi i Tokës është kodi i identitetit të një kombi).

Autori falënderon djemtë e tij, Adriatik dhe Armend Lulaj që e bënë të mundur financimin e këtij libri. Sipas tij, “librat janë kulme të mbyllura ku bluhet e tjerret malli i zharisur dhe brenda kulmeve këndojnë, qeshin e qajnë strehët e heshtjes”.

Poezitë e Neki Lulajt i përngjajnë një burimi me ujë akulli që rrjedhin nga gurrat e shpirtit të trazuar. Janë të ëmbla si kokrra rrushi plot lëng e amidon që lexuesit ia kënaqin shpirtin dhe e fusin në botën magjike të metaforave. Autori tashmë është bërë një emër i njohur që ka krijuar miq e dashamirë të panumërt në trojet amtare dhe ato të diasporës shqiptare. Në vargjet e tij defilojnë meditime dhe subjekte tjera kushtuar erës së vendlindjes, dëshmorëve të kombit, atdheut, nostalgjisë, jetës dhe vlerave të saj. Lëndën e tij lirike e karakterizon  eleganca e fjalëve të mbështjella me mjaltë atdhedashurie. Para nesh kemi fluturime lirike dhe forcën e mendimit pozitiv. Poeti është ëndërrimtar dhe shtegtar i pasionuar. Si janë poetët pyet autori dhe përgjigjet me një qartësi që i ka hije: “Poetët janë dritë që fle në prehërin e hënës/ E në gurrat e  fjalës së tij  shuhet  etja dhe uria./ Ata janë edhe engjëj që rrinë në mjegullën e dendur./ Kanë kalanë e fjalëve me shkallë ku preket gjithësia.”

Kosova, shpirti, dashuria, mërgimi dhe atdhedashuria janë elementet primordiale të inspirimit poetik të Neki Lulajt. Sipas autorit, ushtarët e lirisë e ngritën shqiponjën deri në qiell. Në muajin Nëntor të këtij viti (2015), në vigjilje të Ditës së Flamurit, Neki Lulaj vizitoi Lezhën dhe varrin e Skënderbeut. Prej atje shtegtoi drejt Krujës për të vizituar Muzeun historik të Mesjetës së lavdishme shqiptare, dhe nën hijen e ullirit që një ditë të kahmotshme e pat mbjellur Gjergj Kastrioti, ndjell trokitjet e zemrës së heroit legjendar. Poeti bëhet mbret kur fluturon nga realiteti në qiell, duke na dhuruar frymëzim kozmogonik të gërshetuar me dheun e atdheut. Te Kodi i Tokës defilon legjenda e shqiptarizmit: “Grykat kurrë s’e ndalën këngën/ E mbi to u ngjitëm deri në qiell/ Damarëve të shkëmbit të egër të ëndrrës/ Udhëve në kohë, errësirë pa diell.”

Misioni i poetit është i shenjtë. Ai e ka për obligim ta përjetësojë pavdekësinë e shpirtit, vlerat e atdheut, moralin e kombit dhe dritën e fjalës.  Muza e poezisë të jep disponim dhe përkëdhelje. Ajo vjen te ti si një balsam, si një udhërrëfyese dhe mike besnike: “Mendja sonte më dremiti përgjumshëm leqeve të shpirtit/ Shkoi poshtë e lart mbi disa kalldrëme në disa kthesa jete/ Në odat me një llampë gazi si pasqyrë eca nëpër kate kujtimi/ Në ato qilare pa  dritë,  në dritë hëne  gjeja dashurinë si rreze.” (Nostalgjia). Në vazhdim pason  një fjalor i mençurisë mbi fjalën fjalë! “Fjalët janë atllarë të pashaluar hapa e javë në kalendarin në ikje/.../ Fjalët janë kuaj të pashaluar për shkallët e shpirtit të uritur/.../ Fjalët janë hoje mjalti, nostalgji për të mirin e njeriun e ditur”.

Ja dhe disa sintagma joshëse në kuadrin e poezive të ndryshme: bekimi i prindërve, vargmalet e dashurisë, telat e zemrës, flakadan shqiptarie, kështjellë trimërie, shekuj të pafjetur, kulte kozmike etj. Nga poezia paraprake (Nostalgjia), vlen të citojmë edhe një strofë vlerash të veçanta: “U zgjua zogu bukurisht nga kjo nostalgji e çukisur  rinore/ Duke i fshehur në cergën e territ netët na rritën në ikje./ Me dorën e ngrohtë përkdheli ballin  si të ishte  leqe baritore/ Janë vargmalet e dashurisë plot përrenj lumej gurra freskie.”

I këtillë duket Kodi i Tokës. Gjuha dhe shpirti shkojnë bashkë. Poezia është një ndjesi e veçantë e shpirtit njerëzor, brumi i momentit të përjetimit. Veprat e shkrimtarëve shqiptarë janë një permanencë që kontribuon vazhdimisht dhe aktivisht në realizimin e profilit shpirtëror të Europës dhe mbarë njerëzimit. Kur përkthehen edhe në gjuhë të huaja, përmes mesazhit të tyre moral, këto vepra përçojnë në botë shpirtin e popullit shqiptar.



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora