Kulturë
Oralda Lahe: Aty ku bashkohet socialja dhe njerëzorja
E enjte, 10.12.2015, 09:23 PM
Romani ‘’Pengu’’ aty ku bashkohet socialja dhe njerëzorja
Nga Oralda Lahe
Romani ‘’Pengu’’ nga autorja Klodi Kadillari është një realitet shqiptar i gdhendur dhe skalitur më së miri. Krijuesja ka gërshetuar elementë sa të hershëm aq dhe realë të një populli. Në hyrje të librit hyjmë në një botë sociale, psikologjike të vetë njeriut ndoshta që nga Frojdi me kompleksin e Edipit dhe të tjera si këto. Një marrëdhënie e ‘’mallkuar’’, e ndaluar dhe e përçudnuar, pjellë e një çasti bëhet faktori i ngjarjeve që do të rrrjedhin në të gjithë historinë. Personazhet sa realë aq dhe të ngjashëm nga fatet e tyre të bëjnë të kuptosh se jeta e tyre kryqëzohet diku, ndoshta si vetë fati i paracaktuar. Ky element i fundit i njohur në letërsinë antike kryesisht atë greke realizon të gjithë syzezhetin, rrjedhën e historikut. Kadillari guxon të sjellë fenomenin e gjakmarrjes, një djalë i ri merr hak duke vrarë gjakun e gjakut të tij. Një amanet i lënë nga dikush që duhet të çohet deri në fund që i përngjan godhënave gati ballkanase. Në të vërtetë është më shumë se kaq një histori prekëse, dramatike që lë gjurmë dhe në komunitetin përreth. Ndërkaq vijimi i romanit sjell të tjera fenomene sociale të njohura madje dhe botëtore. Emigracioni i cili ka shoqëruar historinë e popullit shqiptar. Dëshira për të patur një jetë më të mirë duke ndryshuar mirëqënien. Megjithatë në këtë përballje me botën jashtë kupton egërsinë e mbijetesës. Aty ku shumë shqiptarë janë detyruar të bëjnë disa punë mes të tjerash të merren dhe me trafikimin e qenieve njerëzore. Vajza të reja me shpresën se fati i tyre do të sillte një jetë më të mirë ka treguar një tjetër anë të prostitucionit. Vajza të cilat fatin e tyre e lidhën me një jetë ndryshe jo nga dëshira por rrethanat. Ndërkaq në ndërgjegjen e tyre mbetet një zbrazëti, vello e mbetur në ëndrrat e tyre. Rrugëtimi për sjelljen e një tjetër pjesëze të historisë është dhe viti 1997 aty ku mbartet një fenomen social, psikologjik dhe më shumë se kaq. Në përpjekje për të dhënë një këndvështrim letrar dhe human Kadillari tregohet racionale në analizë. Mes të tjerash një nga personazhet që mbart dramën e prostitucionit është dhe Aida. Dialogu me nënën e saj është një rrënqethje që të dridhëron trupin. Një nënë që mohon bijën e vetë e cila me duart e saj e ka çuar në Itali me pretekstin e një jete më të mirë. Një krushqi e bërë me njerëz në pozitë ka sjellë jetën e stisur. Mbyllja e romanit nga fjalët e një vajze si Aida me traumën që ajo ka kaluar është goditëse. Ajo fal se nuk urren fatin e kryqëzuar diku në vendin e premtuar përtej Adriatikut. ‘’PENGU’’ ky roman sjell në vëmendje fenomene sociale që jo të gjithë autorët guxojnë t’i sjellin. Gjakmarrja, emigracioni, prostitucioni, kompromisi për haraçin e tokës, varfëria, sëmundja. Të gjitha këto ngjarje në jetët e personazheve na tregojnë fatet e mbrapshta të tyre. Thënia e Hamletit një nga personazhet e njohur të letërsisë dhe enigmën e tij krijuar nga Shekspri. ‘’Kjo botë u shthur’’ dhe pse koha në këtë rast është shekullore, mijëravjeçare tingëllon aktuale. Tek ‘’Pengu’’ i autores Kadillari autorja i ka hequr nga mendimi zinxhirët që mbysin lirinë dhe mbajnë peng frymën. Ajo di t’i japë jetë fjalës kaq e pastër , e zhveshur, organike vjen dhe bëhet pjesë e personalitetit të lexuesit. Personazhet e ‘’Pengut’’ janë njerëz që frymojnë me të mirat dhe të këqijat, në gjithçka që bëjnë ata. Janë personazhe të një toke të plasaritur , personazhe që fati së bashku me autoren i ka detyruar të jetojë duke marrë ajër gri. Mëma, Nëna, Vajza, Femra, Virgjëresha është kryefjala e autores e cila edhe pse paraqitet me histori, ngjarje të ndryshme, sërish në simbiozë të pengut mbetet virgjëresha femër. Nëna shqiptare është ajo që sakrifikon, dhunohet, hesht dhe vetëflijohet. Në emër të dashurisë, sakrificës dhe izolimit. Është Sibora kjo që dhunohet dhe as kur përçmohet kombësia vlerat intelektuale të shoqërisë shqiptare. ‘’Pengu’’ është një roman që nuk të lejon të largohesh nga intuita. Analiza e situatave dhe dialogu i tyre krahasohet me një film drame që në çdo moment të kap papritur në rrahjet e forta të zemrës. E konceptuar me mjeshtëri, ku psikanaliza është mirëfilli i rrëfimit me detaje goditëse dhe shumë të dallueshme. Ti bëhesh pjesë e intuitës së autores dhe lirisë së saj në atë që ajo trajton. Dashurisë, frikës, sakrificës dhe izolimit. Është Sibora kjo virgjëreshë e autores, e reja mban peng lexuesin dhe vetë ajo mbahet peng për shkak të një borxhi që nuk shtyhet dot as nga familjarët dhe as nga vetë ajo. Trupi i brishtë është krijuar për të dashuruar dhe jo për të qënë pjesë e shitjes në pazarin e mallkuar. Fati i vajzës shqiptare të mban gojë hapur dhe të ndal frymën teksa lexon dhe përjeton gjithë këtë dhimbje për personazhet apo krijesat e autores Kadillari. Personazhe të cilat vijnë të kërkojnë ndihmë duke bërë pjesë të vuajtjes dhe njëkohësisht e ndjejnë veten fajtor. Kur ne shoqëria e lexuesve nuk mund të ofrojmë ndihmë tek vajzat kur prostituohen, tek prindi. Gjithashtu një falenderim shkon për botën shumëngjyrëshe dhe poliedrike të Klodi Kadillarit. Faleminderit për një roman i cili sjell botën psikologjike të trazuar dhe komplekse. Të tilla krijime na bëjnë të reflektojmë për atë që na rrethon. Ndoshta në vijim do të sjellim të tjera analiza po kaq të forta për shoqërinë shqiptare dhe atë botërore.