E shtune, 27.07.2024, 03:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Rrëfimet e xha Zenjelit

E hene, 07.12.2015, 07:09 PM


Rrëfimet e xha Zenjelit

Kujtimit të plakut  të mirë nga Petova e Fierit Zenel  Rabijes

Tregim

Nga Përparim Hysi

Sado që kam lindur dhe jam rritur në Petovë të Fierit dhe, sado që këtë xha Zenjelin (kështu e  njihnin të tërë),e njihja prej kohësh, më ndodhi si me atë proverbin që thotë:"Njeriu plaket duke nxënë".  Kështu më ndodhi dhe nuk e luan topi. Xha Zenjeli (enkas nuk e shkruaj Zeneli,se më duket nuk e jap të plotë atë), ishte nga më të vjetrit në fshat. I gjatë si hosten dhe i hollë, po kështu, tek e pyesje si  nuk kish vënë bark si moshatarët apo "dhjamë", ta kthente përgjgjen me të qeshur:- Kam jetuar aq "mirë", sa më këndohet ujtë në grykë. Qe burrë i zgjuar dhe qe bërë paksa  i veçantë me shpotitë që sikur i kishte në xhep dhe i nxirte aty për aty, kur thosh:- Sipas vendit dhe kuvendi.

*    *   *

Para se të kaloj tek rrëfimet e tij, dua të ndaj me lexuesin  edhe ndonjë shpoti të tij. Punonte diku në një parcelë dhe trastën me ushqimet e drekës e kish varur mbi një shkurre. Aty pari, nëpër shkurre, kryetari i kooperativës kish dalë për gjah. Kooperativa kish kaluar, pothuajse, në zgrip. Xha Zenjeli, tek pa kryetarin me çfite në krah, i thotë:

-Puro zagarët kryetar se mos më hanë bukën e drekës!

Kryetari, megjithëse ia dinte huqet, ia priti:- Pse vetëm bukën? Po gjellën?

Dhe xha Zenjeli dinak dhe i hidhët siç qe nga natyra, aty për aty, e sëmboi atje ku i dhimbte:- Kryetar, të thashë për bukën,se nuk ha qeni presh!!! Kryetari iku nga sytë këmbët.

Të martave, dikur, bëhej pazar në Fier. Xha Zenjeli të vetmin  mall që kishte për të shitur ,qe duhani. Mbushte një trastë dingas(plot) dhe frymën tek një tregtar fierak. E çonte trastën dhe  tregtari, duke e gjykuar nga pamja xha Zenjelin ( dukej si gjysëmnjeriu), e peshonte në kthinën pas dyqanit, nxirte lekët dhe në dy-tri raste i jepte të njëjtën sasi parash.

Ore Tuni,- iu ankua xha Zenjeli-, si pak më duket. Dëgjo,-i thotë tregtari,- dy veta jemi në Fier që nuk hamë në kandar, unë  dhe... Kjo punë vazhdoi dhe pak,sa, sido të ish mbushur trasta, tregtari i thoshte:- Na paratë dhe trastën merre kur të mbarosh pazarin . Duke përfituar se ky "që nuk hante në kandar" i jepte  gjithmonë për dy kg, xha Zenjeli vendosi të ndahej prej tij, por jo pa marr hak. E mbushi trastën me rërë dhe mbi të hodhi dy grushte duhan.

- E solla,Tuni!

Tregtari hodhi sytë mbi trasttë, hapi trastën dhe, kur pa duhanin  sipër, i thotë:

-Shko lëre atje tek kthina dhe i zgjati paratë. Gjithmonë për dy kg. Kur u kthye për të marrë trastën, e pa tregtarin që qe bërë spec dhe,enkas, e pyeti:

- Të bie prapë të martën tjetër, o Tuni?

-Jo,jo,- turfulloi tregtari. Nuk më duhet duhani yt.

-Aha,- shpotiti xha Zenjeli,- njërin e gjeta që nuk hante në kandar, por jam në hall për tjetrin...                          *     *    *

Këto rrëfime nga goja e tij i kam dëgjuar një ditë dimri. Gjithmonë në shkollë shkoja një orë para dhe, ngaqë ngjitur me oborrin e shkollës, kooperativistët kishin ndezur një zjarr, unë qeshë bërë akull dhe  frymën atje. Tek grumbulli, gjeta një vend bosh dhe aty u vendosa. Xha Zenjeli (qe mes tyre), më zuri nga dora dhe më tërhoqi nga vetja:- Jo aty, dhaskal, se aty "flenë" spahijtë. Ndaj e kemi lënë bosh vendin. Unë që ia njihja huqet, e mora për shpoti dhe aq, ndaj tentova të ulesha po atje, por ai e zgjati bodecin:- Ore, dhaskal je për çunëzat e cucat ti, por këtu do bësh kështu si them una. Dhe filloi të tregojë...

- Këtu e dyqind vjet e kusur, nëpër fshatra gjëllinin spahijtë. Qenë të vënë nga sulltani dhe në emër të tij dhe vilnin vërgjinë. Bëje dhjetë kv grurë ti, një kv për "baba sulltanin", me demek. Në  Myzeqe, kësaj pune i themi:- Nëm atë që nuk më ke! E mirë, o çuna, mirë, por kjo  historia me spahijtë vajti si puna e kotruves. Se vete me të për ujë dhe tak, një ditë, të mbetë veshi në dorë. E paçë fjalën që spahijtë e paskan trashur zullumin shumë dhe, një ditë prej ditësh, një t'u mbledhur fshatçe, këtu, në Petovë dhe i futën të gjallë në dhe. Vendi është mu këtu tek do uleshe ti, dhaskal. Se ti,- vazhdoi  të më shponte me bodec xha Zenjeli,- ia ke shitur

shpirtin shejtanit dhe nuk beson në Zot, por digjo xhixhan këtu që i ka parë lëkura:-Për këtë trokë dheu që na mban sipër, ata janë aty dhe una u ndjej tek tërheqin me shpyrt. Po ti,e ku digjon ti me atë vesh? Dhe digjo këtu, meqë ra fjala, djalin e beut, kur e zë për  të rrahur, kopanise mirë, se njëlloj do ta paguash "doganën". Edhe në Mbrostarin tat (unë jetoja në Mbrostar-Ura), i kanë groposur të gjallë spahijtë. Mote tujte (tutje) larg, këndohesh dhe këngë:- Në Petovë dhe në Mbrostar/ Spahijtë i groposën të gjallë. Këndohej, por ja, nuk e ngau kush më këngën dhe shkoi, u harruati.

Se vërtet dheu i butë ky, i Myzeqesë, dhe, me demek hë se nuk të gjen gjë nga myzeqari. Jo, or jo, të keqen Pepja tyja. Kollë e butë nuk të lëshon me kollaj. Mos u trëmb nga ai që hidhet si zorra në prushtë,se qy ka yryshtin e derrit të egër. Derri i egër lëshohte me vërtik, por pak t'i bësh dredha, shpëtoje. Por i "buti" kur nxehet,aha nuk ftohet me kollaj. Se ja të pyes ty që je me "skollë" (shkollë), ke digjuar gjikundi tija që të ketë bërë këtë trimërinë tonë? Por nuk është kaq, or çun.

Ja jo më larg se 1000 metra është ajo kodra e lartë sa një mal. E ka marr emrin "Koka e shqiptarit". E di pse? Po ja tregojnë  se e rrethuan një nga Mbrostari ( e rrethoi një zaptije  e madhe,që thuaj ti), ai po i vetëm. I vetëm, po i dhanë e i morën,jo po dorëzohu për këtë dhe për atë, mezalla se dëgjoi,po hapi zjarr që, thuaj ti, dhe,sa dha ymër, nuk u dorëzuati.  Vdiq duke luftuar, po deri tek ne  erdhi lajmi: paskan thënë ata, zaptietë: kemi parë dhe s'kemi parë, por si qy, nga MBrostari, nuk kemi parë. Dha ymër, por mbeti atje për gjithmonë:Koka e Shqiptarit. Se (po ku të linte pa shpotitur ai), i thonë kështu,se luftoi dhe dha ymër i biri i botës (epo nga dheu i butë i Myzqesë qe dhe qy-ja) ,se ndryshe mund t'i thoshin dhe"koka e dhaskalit",qeshi duke ma përveshur mua. Më shpotiste,duke aluduar se unë me origjinë jam nga Skrapari. Natyrisht, unë as që ia merrja për karshillëk të keq,xha Zenjelit dhe aq më shumë se më erdhi mirë që mësova shumë prej tij.

*     *    *

Kur pa që do ngrihesha, më tha:- Dhaskal, të mbaj mend se ke punuar, andej nga Libosha (Libofsha). Po,-  i thashë,- kam punuar tri vjet atje.

Aha,- më tha,- nuk matet me vjete jo. Të tregoj,xhixhaj, ty një histori që ka ndodhur hane-hane në Liboshë. Paska qenë një turk i sulltanit, një caush (kapter). Lëre seç bënte. Medemek, jam i dërguar nga sulltani, po libosharakët, epo "kollë e butë", hejvalla dhe bëj si të dua. E,e, të keqen Pepaj tyja, por në një davet ja se ç'ka ndodhur. Daveti,davet. Raki mëni zjerë dy herë dhe caushi lagur deri në musteqe nga kaprdisja. Rreth e qarkas,gostiarët e tjerë (ata,të"kollës së butë",de!).Tur-vur, tur-vur,aty nga mezi i davetit, nën dritën e një fiçorri (kandili), caushi afrohet dhe sheh shaptullën e qingjit ( epo ka plot që i këndojnë këto nishane edhe në kofshat e krahët e pulës). I thotë libosharaku i qoshesë caushit turk:

-Caush efendi, ça thotë ajo shpatull që po "këndon"?

Dhe,caushi, kapërdisur si kaposhi majë plehut, ia pret:- Ne, turqit, ju kemi vënë nën këmbë juve, kaurrëve të derrave, dhe po u therim nji nga nji!!!

Ay, nga Libosha:- Caush-efendi, pa "këndoje mirë atë "kuranin tat se mos ka ndonji kaurr gjallë,qoftë dhe këtu, rreth e rrotull?

- Jo, jo,- ia priti kokoroçi, as edhe një për be!!!

-Ëhe, ashtu, ë?  Dhe, tak, o të keqen pepja tyja, një të nxjerr atë të shkretë nga brezi dhe e la shakull atje, në davet. Hane- hane këndohej dhe këngë dhe i thoshin:"... O Caush, o mor kodosh/ s'je në Stamboll, po je në Liboshë...

Tani,-tha,- më erdhi dhe brigadieri dhe të pret koriçkën qy, por dhe me kaq, or dhaskal, ke ça  u thuaj atyre çunëzave dhe cucave në "skollë"(shkollë). Me të vërtetë, më erdhi keq që i erdhi brigadieri xha Zenjelit, por dhe mua më erdhi koha  mësimit dhe u ndava me të. Sado që  ai nuk rron më,  tek e kujtoj, s'kam se si mos e përfytyroj ashtu të hollë e të thatë dhe të zgjuar dhe aq shpotitës,sa nuk i gjeje shok.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora