E marte, 10.09.2024, 04:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Meri Lalaj: Haight - Takimi Ahmatova dhe Cvetajeva

E enjte, 03.12.2015, 08:55 PM


Amanda Haight

Takimi Ahmatova dhe Cvetajeva

Në fillim të vitit 1940, Ahmatova i kaloi disa ditë në Moskë, duke shpresuar se mund të bënte diçka për të liruar të birin. Ndërsa ndodhej atje rrinte me Ardovët, telefonoi Pastërnaku për t`i thënë se Marina Cvetajeva ishte në Moskë dhe dëshironte shumë që të takohej me të. Cvetajeva, vite më parë i pati kushtuar poezi Ahmatovës dhe të dyja poeteshat kishin patur letërkëmbim, por nuk ishin takuar kurrë. Si femra poete të të njëjtit brez, ato shpesh ishin krahasuar dhe ballafaquar. Cvetajeva e pati lënë Rusinë më 1922, dhe jetonte jashtë si émigré. Vazhdimisht e varfër, e pavlerësuar si poete nga ata që e kishin nën kontroll shtypin émigré në Paris, Cvetajeva u gjend plotësisht e izoluar, kur bashkëshorti i saj ia mbathi prapë për në Rusi, pasi u zbulua si agjent i dyfishtë. E braktisur nga e bija, e cila që më parë ishte kthyer në Bashkimin Sovjetik dhe nën presionin e djalit adoleshent që të bënte edhe ajo të njëjtën gjë, kur erdhi në verën e 1939-ës mori vesh se burrin ia kishin vrarë. Po ashtu ia kishin arrestuar dhe të bijën që ndërkohë ndodhej në një kamp pune.

Pastërnaku kishte folur në telefon me Nina Olshevskajan, e cila i kishte thënë se do ta pyeste Ahmatovën të telefononte sërish dhe të sajonte një takim. Kur e mori biseda ishte e shkurtër. Ahmatova tha se e kuptonte që Cvetajeva dëshironte të takohej me të. Kjo e fundit u përgjigj se donte (`Da, hoçu`). Kur Ahmatova pyeti në do të vinte tek ajo, Cvetajeva tha se kjo do të ishte më e mira. Viktor Ardovi kujton çastin kur e futi Cvetajevën brenda. Ai nuk pati nevojë që t`i prezantonte mikeshat e tij. Ato u takuan pa ndonjë  stërhollim të rëndomtë, thjesht i dhanë dorën njëra tjetrës. Të dyja poetet shkuan në dhomën e vockël ku rrinte zakonisht Ahmatova, kur vinte tek Ardovët dhe qëndruan atje së toku pjesën më të madhe të ditës. Ahmatova nuk rrëfeu kurrë se çfarë diskutuan. Ajo tha vetëm se Cvetajeva ishte kthyer që të ishte një person krejt normal, por shumë e shqetësuar për fatin e familjes së vet.

Ditës tjetër Cvetajeva telefonoi përsëri, `sipas stilit të Parisit`, në orën 7 të mëngjesit Ahmatova flinte. Ajo i telefonoi më vonë. Cvetajeva donte që të takoheshin sërish. Ahmatova i tha se mendonte të takoheshin te miku i saj Nikollai Harxhievi. Kur Cvetajeva e pyeti sesi mund të vinte atje, Ahmatova e pyeti se me çfarë donte të vinte: taksi, metro, autobus… `Vetëm me tramvaj.` Për fat kjo ishte e mundur. Ato ndenjën tek Harxhievi duke biseduar e duke pirë verë.

Kishin bërë plan që atë natë të shkonin në teatër. Olshevskaja luante në `Ëndrra e një nate vere`, Cvetajeva këmbënguli që ata të mos e ndryshonin planin. Dolën nga shtëpia e Harxhievit të gjithë bashkë. Siç po ecnin përgjatë rrugës, dikush doli nga hija dhe filloi t`i ndjekë. Ahmatova po vriste mendjen, `Atë apo mua?`

Në një letër të vitit 1921, Ahmatovës, Cvetajeva i pati shkruar:

Oh, sa ju dua, sa lumturohem nga qenia juaj, sa vuaj për ju, ndihem kaq entuziaste prej jush! Po të kisha revista çfarë artikulli do të shkruaja për ju! –Revista- artikull- po bëj shaka! Një zjarr të bukur!…

Më vjen keq që këto janë vetëm fjalë-kjo dashuri-nuk e mbaj dot-do të doja të ishin një flakadan i vërtetë në të cilin të digjesha…

Ahmatova e mirrte gjithnjë me vete kudo që shkonte në çantën e dorës

dorëshkrimin e ciklit me poezi që Cvetajeva i pati kushtuar asaj më 1916, derisa më së fundi u grisën. Ajo vetë pati shkruar një poezi për Cvetajevën disa muaj para se të takoheshin, në të cilën i përfytyronte të dyja poetet duke shëtitur natën nëpër rrugët e acarta të Moskës dhe e krahasonte kthimin e Marina Cvetajevës në Rusi me kthimin historik të Marinës, bashkëshortes së Dimitrit të Rremë. Megjithatë nuk ia doli që t`ia recitojë poezinë në asnjërin prej takimeve të tyre-ndoshta sepse nuk e kishte aq të të lehtë sa Cvetajeva për t`ia përcjellë ndjenjat haptas. Ahmatova kishte një mendim të lartë për poeten, por ato të dyja nuk do të takoheshin më. Më 31 gusht 1941, Cvetajeva vari veten me litar në qytetin e vogël Elabuga, në Republikën Autonome Socialiste Sovjetike Tatare, ku ishte evakuar para pak kohësh.

B. Mihajllovski më 1939, në Letërsia Ruse e Shekullit të Njëzetë e ka përshkruar Ahmatovën sikur e ka `shmangur veten` nga revolucioni dhe pasojat e tij. Të njëjtat nivele kritike shënoheshin edhe për poezinë e saj:

Lirikat e Ahmatovës janë në fakt të kufizuara te një trajtim poetik i jetës intime të përditshme, përvoja ngjarjesh të parëndësishme, e njëjta histori e vjetër që këndohet sërish e sërish. Për më tepër, kjo temë mbetet brenda kufijve të ngushtë të rrethanave dhe gjendjeve shpirtërore –nuk zgjerohet (si tek Blloku), nuk lidhet me problemet filozofike dhe shoqërore.

Pastaj, krejt papritur, në ditët e zymta të vitit 1940, dënimi kundër botimit të poezive të Ahmatovës u hoq. U dha lejë që të botohej një përmbledhje poezish dhe vepra e saj filloi edhe njëherë të shfaqej në revistat.

Nga gjashtë librat, një përmbledhje e poezive të librave të mëparshëm, me disa poezi të reja në një ndarje quajtur `Shelgu`, doli në fillim të verës 1940. Në atë kohë Boris Pastërnaku i shkroi asaj:

Prej kohësh e kam shkruar këtë letër në kokën time, prej kohësh ju kam përshëndetur për këtë triumf të madh për të cilin njerëzit kanë më shumë se një muaj që po flasin.

Nuk kam një kopje të librit tuaj, ia mora hua Fedinit1 për ta lexuar dhe nuk mund të shënoja pika çuditëse, por kam mbajtur disa shënime që do t`i shkruaj në kopjen time kur ta marr librin.

Kur doli libri isha në spital (me një infektim të nervit të shpinës) dhe humba rastin e paraqitjes së tij. Por më treguan dhe mora vesh për radhët e njerëzve që përpiqeshin për ta marrë duke u shtyrë sa në njërën rrugë në tjetrën dhe ca historira të pabesueshme për qarkullimin e tij. Pak ditë më parë, Andrei Platonovi ishte këtu dhe më tregonte se betejat e njerëzve për librin vazhdojnë ndonëse tashmë ai është shitur dhe çmimi për një kopje të përdorur ka arritur 150 rubla.

Nuk është për t’u çuditur, ju vetëm duhej të shfaqeshit dhe fituat rishtas. Gjëja më mbresëlënëse është, se në këtë periudhë të diskutimeve të ngurta për gjithçka mbi tokë, fitorja juaj duhej të ishte kaq e plotë dhe e pakundërshtueshme.

Emri juaj edhe njëherë është më shumë AHMATOVA po në të njëjtën mënyrë siç  qëndronte dikur për pjesën më të mirë të Petërburgut që përshkruanit. Ai ka forcën e mëparshme për të më sjellë në mendje kohën kur unë kurrë nuk do të kisha guxuar ta besoja se do t`ju njihja ndonjëherë, apo se do kisha nderin dhe fatin e mirë t`ju shkruaja një letër. Kjo verë është për ne të gjithë si dikur që sjell diç të re dhe veçanërisht të madhe, të cilën e kam vërejtur së fundmi po kurrë më parë nuk e pata lidhur me të kaluarën.

Domethënia e veprës suaj të re është kaq origjinale dhe e fuqishme tek `Shelgu`, që duket se është një shtrirje ose një aspekt i ri i veprës suaj të hershme. Dikush mund të thotë për shfaqjen papritmas të një artisti të ri që zgjohet tek ju pranë vetes tuaj të dikurshme, dikush ndeshet me epërsinë e realizmit absolut ndaj elementit impresionist që orienton drejt ndjeshmërisë dhe lirisë të plotë të mendimit nga ndikimi i ritmit.

Aftësia e librave tuaj të hershëm për të ngjallur kohën kur ata dolën së pari është bërë edhe më e fortë. Edhe njëherë njeriu bindet se përveç Bllokut, askush nuk ka patur një forcë të tillë elokuence për të veçantën, sikurse Pushkini me të cilin ju së toku jeni të jashtëzakonshëm. Pa dyshim, unë, Severjanini2 dhe Majakovski u jemi borxhlinj juve më shumë sesa mund të mendohet dhe ky borxh është më i thellë se një pohim prej nesh sepse është i pavetëdijshëm. Si e gjithë kjo u ngulit në vetë imagjnatën, u përsërit dhe dhe shkaktoi një kundërveprim! Çfarë shembuj të një pasqyrimi krijues dhe përpikëri e atypëratyshme!…

Pastërnaku vijonte në letër duke ilustruar çështjet e tij me hollësi, duke cituar numrat e faqeve, së fundi duke i kërkuar ndjesë se ajo e kishte bërë për vete. Në letrën e tij i sillte përshëndetje nga miqtë dhe lajmin se gruaja e shkrimtarit Boris Pilnjak ishte liruar. Ai pyeste duke shpresuar shumë nëse biri i Ahmatovës, Lev Nikollajeviçi ndodhej në shtëpi dhe e falenderonte fort për dy `dhurata të pamerituara`, një poezi kushtuar atij dhe përdorimin e një epigrafi nga vepra e tij në krye tek `Shelgu`. Gjithashtu përmendte se toni i një artikulli nga Percovi rreth librit të saj i pat `tronditur ata të gjithë` dhe se disa njerëz (duke përfshirë romancierin Aleksei Tolstoi) e ndienin se një `shkrimtar i vërtetë` duhej të botonte diçka për të në një revistë dhe jo në një gazetë.

Artikulli shkruar nga Percovi në Gazeta Letrare mund të kishte qenë edhe më i keq. Percovi vinte në dukje se Ahmatova pati rreshtur të shkruante gjatë viteve të ashtuquajtura të heshtjes dhe poezitë e reja në Nga Gjashtë Librat rrëfejnë se ajo në asnjë mënyrë nuk po shkruan më mirë se më parë. Ai zbulon se poezi të caktuara (`Shpifje`, `Gruaja e Lotit`, `Dante`, `Kleopatra`, etj.) tregojnë një `dëshirë për të bërë një qark të përvojës subjektive për temat objektive`. Duke shfletuar nëpër poezitë e mëparshme të ribotuara në këtë libër, ai merr me mend se lexuesi bashkëkohor ndjen një `mungesë ajri`: `ne dhe heroina e Ahmatovës- ne jemi kaq të ndryshëm nga njëri tjetri. Nuk është e pamundur ta nxjerrësh këtë në pah, pavarësisht nga shkalla e lartë e mjeshtërisë së saj poetike në të kaluarën dhe në të tashmen`.

Por ribotimi për Ahmatovën ishte jetëshkurtër. Pak muaj pasi doli libri, u shpall se botimi pati qenë një gabim dhe kështu e tërhoqën nga shitja dhe bibliotekat. Sipas Ahmatovës kjo erdhi si pasojë bash sapo i ra në dorë libri Stalinit. Dëshpërimi i saj se po bëhej edhe njëherë shenjë për nëpërkëmbje, në një kohë, jo vetëm për vuajtjen e saj shumë të madhe vetjake, por gjithashtu kur e gjithë kultura e Europës Perëndimore ndihej e kërcënuar prej suksesit fillestar të Hitlerit në luftë, është pasqyruar në një tjetër letër prekëse prej Pastërnakut, që e mori në nëntor 1940:

E dashur, e dashura Anna Andrejevna,

A mund të bëj diçka për t`ju gëzuar ndoshta sadopak për t`ju tërhequr në jetën e mëtejshme në këtë errësirë që edhe njëherë na mbuloi, hijen e së cilës e ndiej me të rrënqethura mbi veten time ditë e përditë? Çfarë duhet të bëj pikërisht për t`ju kujtuar se të jetosh dhe të duash të jetosh (jo sipas regullave të dikujt tjetër, por sipas mënyrës tënde) është detyra juaj e të jetuarit,1 sepse konceptet e dikujt për jetën shkatërrohen lehtas e më të rrallë mbarten nga dikush tjetër dhe vetëm ju vetë jeni krijuesi kryesor i tyre. E dashur mike dhe shembull i paarritshëm, do dëshiroja t`ju thoja gjithçka që do të doja t`ju kisha thënë në atë ditë gri të gushtit kur ne u pamë për së fundi dhe kur edhe njëherë solla ndërmend sesa e shtrenjtë jeni për mua. E ndërkaq po humbisja rastet për të qenë me ju, u largova për disa ditë në Moskë të prisja Zinën dhe birin e saj të sëmurë,1 me një tren special jo atë të orarit që vinte nga Krimea, ishte e domosdoshme që djalin ta shpinim në spital, por nuk dihej dita e mbërritjes. Ndër të tjera për të shuar kureshtjen e natyrshme, çdo gjë vajti mirë dhe pas një muaji djali u përmirësua.

Siç e dini nuk i lexoj gazetat. Dhe tash së fundi kur pyeta se çfarë ka të re në botë mësova një gjë të lumtur dhe një të trishtuar: anglezët po mbahen; dhe Ahmatova është fyer.  Oh, sikur të ishte e mundur që midis këtyre dy copëzave lajme, që të dyja kaq pranë barabar zemrës sime, sikur të ekzistonte një lloj këmbimi dhe ëmbëlsia e njërit të mund të zbutte hidhësinë e tjetrit!

Ju kam treguar, Anna Andrejevna, se babai im dhe motrat e mia së bashku me familjet jetojnë në Oksford dhe ju mund ta përfytyroni në çfarë gjendje mendore kam qenë duke pritur për më shumë se një muaj përgjigjen e një telegrami. I pata varrosur, ashtu siç punon imagjinata, duke marrë me mend atë që do kishte bërë një bombardues teksa papritmas mësoj se janë gjallë dhe janë mirë…

Në këtë mënyrë Nina T.2 shkoi në Tbilisi me shpresën e kotë për të marrë vesh diku diçka për të shoqin nga ana tjetër më tha se nuk ishte e sigurt nëse ai ishte gjallë, por tani më ka shkruar se atë e mbajnë në Moskë dhe kjo është e sigurtë.

Më falni që pa pikë mëshire iu rendita shembuj nga jeta ime e përditshme si një djalë i vogël, në mënyrë që ta ilustroja sesi njeriu kurrë nuk duhet ta humbë shpresën, si një e krishterë e vërtetë ju i dini të gjitha këto, por a e kuptoni vlerën e shpresës tuaj dhe domosdoshmërinë për ta mbrojtur?…

Ahmatova, sikurse Pastërnaku, ishte tej mase e përqendruar rreth lajmeve mbi bombardimet në Angli. `Vdekja` e Parisit iu duk asaj si vdekja e një epoke. Mendja i rrihte tek miqtë e saj të rinisë që kishin emigruar: Ollga Sudejkina,3 Salomea Halpern.4  Kur u mësua në Rusi lajmi i sulmit ajror shkatërrimtar, ajo shkroi një poezi kushtuar popullit të Londrës:

Dora pa pasion shkruan

Dramën njëzet e katërt të Shekspirit

Dhe ne që morrëm pjesë në festën e grirjes

Më mirë të lexonim Hamletin ose Lirin

Apo Qezarin, buzë lumit të plumbtë;

Më mirë të shkonim duke kënduar me pishtarë

Ta ngrinim Xhulietën e bukur nga varri,

Më mirë se sa t`i hidhnim një sy Makbethit,

Që dridhet nga vrasja e paguar-

Vetëm jo kjo, jo kjo, jo kjo,

Këtë nuk kemi fuqi ta lexojmë.

(I.258-9)1

Vjeshta dhe dimri i vitit 1940, ndoshta ishin ditët më të zeza në jetën e Ahmatovës. Meqenëse u sulmua sërish si shkrimtare, pati marrë edhe lajme të këqija për situatën e të birit dhe e dinte mirëfilli se mungesa e tanishme e popullaritetit me autoritetet mund të ndikonin për më keq në gjendjen e tij. Kultura e Europës në të cilën ajo e ndiente se bënte pjesë me sa dukej po zhdukej përgjithnjë. Shëndeti i saj, ngahera i rrezikuar, po shkonte edhe më poshtë. Në fillim të atij viti ishte tmerruar se mund të luante mendsh. Mikja e saj e ngushtë që nga fëmijëria, Valerija Sreznevskaja, ndodhej në atë kohë shumë afër çmendurisë dhe Ahmatova ishte e bindur se i njëjti fat e priste edhe atë. Në maj i pati lexuar Çukovskajas poezinë nga `Rekuiem` me vargjet që fillonin, `Tanimë çmenduria me flatrën e vet/ Ka mbuluar shpirtin tim përgjysmë` (I.367) Në fillim të tetorit kaloi një krizë zemre. Në fund të nëntorit kur i erdhi një ditë për vizitë Çukovskaja e përshëndeti me lajmin, `Valerija ka luajtur fare nga mentë. Jam kujdesur për të tri ditë me radhë.`

7

Por nëqoftëse 1940-ta, viti i tri poezive të fundit të `Rekuiem`, ishte viti i Kryqëzimit, po ashtu ai ishte viti i ringjalljes. Te Ahmatova pati ndodhur një ndryshim, i pasqyruar jo vetëm në `Rekuiem` por kudo gjetkë. Ndoshta ishte lamtumira e fundit ndaj shpresës për mrekullinë e shpëtuar, ëndrrën e fëmijërisë.  Nga `Epilog` tek `Rekuiem` ajo shënonte se lidhja e saj e fundit me detin ishte prerë. Në një poezi tjetër të shkruar atë vit, ajo vajton shelgun se kur ishte fëmijë e kuptonte erën më mirë sesa të folurit njerëzor dhe e kishte dashur më shumë se gjithçka. Për habinë e vet kupton se ka për të mbetur gjallë.

Kjo çudi se do të ishte njëra nga ato që do të mbijetonin jehon në një poezi shkruar në kujtim të mikut të saj të ngushtë Mihail Bullgakovit:

Shkëputur nga libri: “Anna Ahmatova – një shtegtim poetik”

Shqipëroi nga gjuha angleze: Meri Lalaj


1 Romancieri Konstandin Fedin.

2 Igor Severjanin, poeti që themeloi lëvizjen Ego-futuriste; ai ish veçanërisht shumë i njohur në periudhën para revolucionit.

1 I njëjti mendim mund të gjendet në njërën nga poezitë e Pastërnakut:

                                                Dhe prapë duhet të mbrosh

                                                Çdo centimetër të vendit tënd

                                                Të jesh gjallë, vetëm gjallë,

                                                Vetëm gjallë gjer në fund.

1 Zinaida Nikollajevna Pastërnak, gruaja e poetit dhe njëri nga bijtë nga martesa e saj e parë me muzikantin Henrik Nejgauz.

2 Bashkëshortja e poetit Tician Tabidze. Tabidze u torturua në burg e nuk u kthye më kurrë.

3 Në pjesën e parë të `Poemë pa hero`, të cilën Ahmatova ia lexoi Lidija Çukovskajas më 1940, ishin vargjet për Sudejkinën që fillonin, `Ti erdhe në Rusi prej askërkundi…` (II. 114, vargu 299). 

4 Një poezi e 1940-tës `Hija`, i kushtohet Salomea Halpernit.

1 Këtë poezi Ahmatova e lexoi në Bi. Bi. Si. Kur ishte në Londër më 1965.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora